| E diele, 09.09.2012, 07:59 PM |
Margarita
Xhepa, shkollë dhe misionare e artit kombëtar
Nga Hyqmet Hasko
Në këto
kohë zhvendosjesh të mëdha shoqërore, etike, psikike, menatale, kur nga njëra
anë liria punon me intesitet të lartë, por dhe frenimi për shkak të problematikave
të reja që ndesh shoqëria është më shumë se i dukshëm, prania dhe kontributi i
artistëve më në ze të botës shqiptare, i atyre që kanë bërë epokë me emrin dhe
kontributin e tyre, është më shumë se sinjifikativ. Më shumë se i nevojshëm, për
të kuptuar se ka dhe një realitet tjetër, përveçse atij që na rëndon çdo ditë (krahas
arritjeve të dukshme dhe progresit ekonomik e social), pra ka një realitet që ka
të bëjë me shpirtin tonë kombëtar dhe këtë më së miri e mishërojnë artistët e mëdhenj
të skenës dhe ekranit shqiptar.
Nëse
Platoni thoshte se poetët dhe artistët janë shpirti që nuk shuhet i një kombi,
nëse Gëtja deklaronte se historia e një populli në thelb është historia e artit
dhe kulturës së tij, atëherë nuk ka dyshim se çdo shoqëri ka shumë nevojë për
kontributin e artistëve të tij më në zë, sidomos Shqipëria, e cila ende vuan
pasojat e izolimit të gjatë, brenda vetë kufijve administrativë të tokës amë,
por dhe në kufirjtë midis shqiptarëve, që tash njëzët vjet, falë rrethanave të reja
e të favorshme, pas hapjes dhe liberalizmit të vendit, po bien dalëngadalë.
Ky
meditim të shoqëron ndërsa ndesh thuajse në çdo aktivitet kulturologjik mbarëkombëtar,
në Tiranë, Lushnje, Fier, Shkup, Tetovë, Prizeren, Prishtinë e gjetkë Artisten
e Popullit, brilanten e papërsëritshme Margarita Xhepa, duke recituar poezi dhe
duke u bërë pjesë e agjentave artistike në një shoqëri kombëtare, tashmë pa
mure e kufij artificialë.
Gjithë jetën
e saj njerëzore dhe aristike, Margarita Xhepa ka qenë dhe mbetet një personalitet
serioz i kulturës sonë kombëtare, një ikonë e botës femërore, tek e cila gruaja
shqiptare, por dhe gjithë shoqëria, ka parë dhe sheh një model për t’u ndjekur,
për të mos e lënë barrën e kohës të të zërë përsipër, pa bërë asgjë në këtë jetë.
Edhe pse
e shtyrë në moshë, energjia dhe sharmi i saj krijues të dehin e të japin gjallëri,
të bëjnë të kuptosh, se një jetë në shërbim të të tjerëve, të popullit tënd dhe
të kombit tënd, është zembreku I kësaj energjie pozitive, ora e kurdisur e një talneti
të vërtetë, që nuk ka moshë.
Dhe nga këto
auditore promovuese, aq të nevojshme për të ndier pulsin e përbashkët kombëtar,
që rreh në çdo cep të botës shqiptare, mendja të shkon tek fuqia shpirtërore e
njerëzve të artit, tek magjia e tyre jo
vetëm artistike, por dhe fisnikëria e pashembullt njerëzore.
Sa herë shikoj
në skenë apo në ekran Margarita Xhepën, këtë aktore të madhe, me një diapazon të
fuqishëm shprehës, intrepretues dhe përcjellës mesazhezah për kohën dhe bashkëkohësin,
mendoj për fuqinë dhe magjinë e artit të vërtetë, për mundësitë e pashtershme të
artistit të niveleve të larta si ajo, për të vendosur ura të qëndrueshme
komunimimi me shoqërinë ku bën pjesë, por dhe me një publik më të gjërë se një shoqëri
e caktuar. Në fakt, ka më shumë se një gjysëm shekulli, që ajo iu jep brezave të
këtij kënaqësinë e një fytyre të shndërruar në qindra fytyra nëne, gruaje, të dashure,
heroine që mbartin psikologjinë dhe mentalitetin e kohëve dhe epokave që pasojnë
njëra tjetrën.
Lindur më
2 prill 1932 në Lushnje, ajo e mbarti
qytetin e lindjes por dhe gjithë botën shqiptare si një dhimbje dhe amanet në të
gjithë krijimtarinë e saj skenmike dhe filmike, Një nga Zonjat e Mëdha të teatrit
shqiptar, në kohën e saj artstike nuk ka asnjë pauzë, asnjë grimë kohe bosh,
pasi edhe tani në këtë moshë disi të thyer, ajo punon, mendon dhe jeton për
artin e madh.
Në maj 2004
Margarita Xhepa u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar, për të shkëlqyer në dramën
"Streha e të harruarve", nje tjeter sukses ne karrieren e saj 50-vjeçare
si artiste e kuotave të epërme. Me këtë rol, ajo dëshmoi se ka mbetur ajo e
para dyzet viteve më parë, kur e re dhe e bukur, (ajo ende është e bukur, pasi
bukuria gjen strehë në shpirtin e saj të dlirë e të kulluar) sfidoi vetë kohën
dhe u bë simboli I femrës që çan në jetë, në një fushë aq të minuar dhe plot të
paparitura, shpesh sfidante, siç është arti.
Historia
e marrëdhënies së saj të ngushtë me teatrin dhe filmin artistik zë fill që nga
viti 1950, kur ajo u aktivizua si
artiste probiste ne Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) dhe njekohesisht
studioi në Liceun Artistik, Dega e Dramës.
Ajo ka
krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve mund të përmendim: Majlinden
tek "Majlinda" (Xh. Broja), Dafina tek "Lumi i vdekur" (dramatizim
nga K. Velça i romanit me të njejtin titull të J. Xoxes), Filja tek "Cuca
e maleve" (L. Papa), Zonja Meme tek "Kush e solli Doruntinën" (dramatizim
nga E. Budina e P. Mani i romanit me të njejtin titull të I. Kadarese), Nëna
tek "Përballë vetes" (R. Pulaha) etj.
Jo më pak
shprehëse dhe sinjifikative janë rolet e saj në drama të autorëve të huaj, ku
ka qene njesoj e suksesshme, në rolet e dramaturgjise boterore, si Ofelia tek "Hamleti",
Vajza e dyte tek "Mbreti Lir", Dado tek "Romeo e Xhulieta",
mbreteresha Margaret tek "Rikardi i III", te Shekspirit.
Në rolet
e tjera nga dramaturgjia botërore spikasin Klea tek "Dhelpra dhe rrushte"
(Figereido), Lena tek "Xhaxha Vanja" (Çehov), Ledi Milford tek "Luiza
Miler" (Shiler), Zonja Berling tek "Vizita e inspektorit" (Pristli),
Zonja Lomen tek "Vdekja e nje komisioneri" (A. Miller), Ana
Andrejevna tek "Revizori" (Gogol), Marsela tek "Qeni i
kopshtarit" (De Vega), Mashenka tek "Mashenka" (Afigenov),
ShejIa tek "Morali i zonjes Dulska" (Zapolska), apo Dado tek "Elektra"
e Sofokliut, nen drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, ne Teatrin
Kombetar te Greqise, ne Athine.
Rolet në kinema
janë një faqe tjetër e shkëlqyer e karrierës së saj artistike, e cila ende
vazhdon, edhe në këtë moshë, ku ajo e shikon veten rishtas me pasion të gjallë e
të pa ftohur për asnjë çast për skenën dhe ekranin, ku kaloi pjesën më të bukur
të jetës.
Veç roleve
në teatër, Margarita Xhepa ka realizuor edhe 32 role në kinema, duke punuar me
shumicën e regjisorëve shqiptarë, si me K. Dhamon tek "Vitet e para "
dhe "Gjurmët", me I. Muçajn e K. Mitron tek "Dimri i fundit",
"Tokë e përgjakur", "Një djalë dhe një vajzë" dhe "Apasionata",
me V. Gjiken "Gjenral Gramafoni ", me E. Musliun, "Rrethi i
kujtesës " dhe "Vitet e pritjes " (E. Musliu), me K. Çashkun "Dora
e ngrohtë, me Dh. Anagnostin "Gurët e shtëpisë sime ", me P. Milkanin
"Pranvera s’erdhi vetëm ", me
S. Kumbaron "Koncert në vitin 1936", me Gj. Xhuvanian "E
diela e fundit " dhe "I dashur armik".
Një galeri
kaq e pasur personazhesh, në shumicën e të cilëve ajo ka qenë protagoniste, tregon për thellësinë e artit të saj skenik e
filmik, për talentin e lindur artistik,
të përpunuar e të përsour në vite të gjata pune
e përkushtimi estetik e njerëzor,
ku ajo ka shkëlqyer e vazhdon të shkëlqejë me finesën, natyrshmërinë, punën
plot passion, duke na dhënë figura të gjalla impresiouese në skenën dhe në ekranin
shqiptar.
Sot është
koha që artistët më shumë se kurrë të jenë në ballë të proceseve të hapjes së gjithënashme
të shoqërisë dhe të botës shqiptare, për të përmbushur misionin e tyre, që shkon
përtej skenës e ekranit, prtej telajove të pikturës e notave të pentagrameve
muzikore. Shkon në hapësirën mbarëkombëtare, si një kontribut i vyer, për çlirimin
dhe emoancipimin kombëtar, si një mundësi për të dhënë maksimumin e resurseve
dhe energjive në familjen e madhe europine, ku bëjmë pjesë tash sa kohë.
Dhe
Margarita Xhepa është një misionare e artit, kulturës dhe shpirtit mbarëshqiptar,
një modele për gratë dhe femrat e këtij vendi, që nuk mund të vetërealizohen
brenda për brenda katër mureve të shtëpisë, një ikonë e skenës dhe ekranit,
tashmë shndërruar në shkollë artistike për të gjitha brezat e artit tonë kombëtar.