| E premte, 07.09.2012, 08:08 PM |
Kumtesë…
FALJA DHE PAJTIMI – PARAKUSHT JETE, PAQEJE DHE QYTETËRIMI
Njeriu
dhe njerëzimi s’mund të jetojnë pa falje dhe pa dashuri. Falja, pajtimi dhe dashuria
nuk është thjesht vepër njerëzore, çështje e arsyes, vullnetit apo përcaktimit
tonë, sepse mendoj se pjesa dërmuese e njerëzimit e kupton se e keqja nuk
mundet me të keqe, por vetvetiu është tejet e vështirë, mos të them e
pamundshme, pasiqë i tejkalon fuqitë tona njerëzore. Shi për këtë pa besim dhe
pa ndihmën e Zotit dhe të rrethit, përkrahjen, pjesëmarrjen tonë
vëllazërore nuk mundet e keqja e urretjtes, mënisë, gjak apo hakmarrjes.
Këtë e ka vërtetuar edhe përvoja jonë sidomos gjatë vitit
1990, ku kemi gjetur dhe përjetuar se motivet fetare dhe kombëtare dukshëm
lehtësonin pajtimin, faljen, tejkalimin e çdo lloji vështirësie, si shtylla të
fuqishme veprimi.
Pa këto elemente ne bëjmë “vrasje, hakmarrje apo edhe
gjakmarrje” psikologjike, shpirtërore, nëpërmjet indiferentizmit, egoizmit,
egocentrizmit, karierizmit, materialimit, konsumizmit, hedonizmit, moskujdesit
për të varfër dhe të mjerë si dhe shumë dukurive tjera shëmtuese, sidomos
dukurisë së shtimje, shpifjes, përgojimit, paragjykimeve, përkrahjes dhe
solidaritetit për të keqe, që fatkeqësisht janë gjithnjë në rritje dhe në
zhvillim të hovshëm ndër ne.
NJERIU ËSHTË NJERI AQ SA KA DASHURI, sa di dhe do të ketë
mirëkuptim, dhembje, mëshirë për të tjerët, të falë dhe të kërkojë falje, pra,
sa jeton me dashuri dhe për dashuri.
Kjo ndërlidhet ngushtë edhe me aspektin fetar,
botëkuptimor, kombëtar, gjithënjerëzor. “Nëse
ndokush thotë: “E dua Hyjin” e këndej e urren vëllanë e vet që e sheh, Hyjin që
nuk e sheh, s’mund ta dojë” (1 Gjn 4, 20).
Urrejtja është djallëzore, vdekjepruese, vrastare,
vetëvrasje, vëllavrasje, ndërsa dashuria dhe falja janë hyjnore dhe
frytdhënëse. Shën Gjoni urrejtjen e krahason edhe me verbëri, terr: “Kush e urren vëllanë e vet, gjendet në
errësirë dhe ecën në errësirë. Nuk
di kah shkon sepse terri ia ka verbuar sytë” (1 Gjn 2, 11).
Jezusi thotë:“Por
ju them juve që më dëgjoni: Doni armiqtë tuaj, bënu mire atyre që ju urrejnë,
bekoni ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë… Si
dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëjuni edhe ju atyre… Bëhuni edhe ju
të mëshirshëm sikurse /edhe/ Ati juaj është i mëshirshëm. Mos gjykoni dhe nuk
do të gjykoheni. Mos dënoni dhe nuk do të dënoheni! Falni dhe do të gjeni
falje!” (Lk 6, 27-28. 31. 36-37).
Pse njeriu i sotshëm, sidomos ne Shqiptarët, falim pak,
vështirë, gati edhe keq, pjesërisht, vetëm në disa rrethana të rrezikimit, të
luftave, si ndodhi gjatë vitit 1990?
Më duket se edukimi i rrebtë dhe formal, që mbështetet
kryesisht në urdhëra, ndalime, krijon më tepër ndjenjën e frustrimit, hurxhit
dhe të paaftësisë, mbylljes, e cila shpesh shpërthen në agresivitet, sulm,
urrejtje dhe në shkatërrimi, sepse familja dhe shoqëria jonë më tepër mbështet
në ligje, rregullore, tradita, se në marrëdhënie ndërnjerëzore, ndërfamiljare,
në përvojën e mirësisë dhe dashurisë së ndërsjellët. Ne duhet t’i zbulojmë dhe
t’i përkrahim anët pozitive te vetja dhe te tjerët, sepse nëse rritet e mirja,
vetvetiu pakësohet e keqja.
Gabimi i dytë është garimi i egër për punë, fitim, sukses
me çdo kusht, ku njeriu nuk është më askush dhe asgjë nëse nuk punon, nuk
fiton, nuk ka sukses në krahasim me të tjerët, pra, subjekti-njeriu
objetivizohet apo bëhet gjësend. Në këtë “garë” të pamëshirshme dikush lodhet,
ndalet, çalon, s’ka fuqi dhe mbetet i frustruar, ndihet keq, nuk e ka më
mbështetjen e të tjerëve, dhe si i tillë potencialisht është “kandidat” për
urrejtje ndaj vetvetes dhe ndaj të tjerëve. Bota, të tjerët janë fajorë për
fatin e keq, për mossukses, për dështime, prandaj janë psikologjikisht dhe
shpirtërisht të cunguar, të anësuar, të dëmtuar dhe si të tillë në hall me
vetveten dhe me të tjerët.
Gabimi i tretë është feja vetëm si njohuri, rregullore,
ligj, në anën thjesht formale, pa përvojë dhe jetësim me Zotin-Dashuri dhe me
vëllaun njeri. Nga përvoja e fesë së Zotit-Dashuri i cili në vazhdimësi është
edhe falje, mëshirë, pajtim, ndërrim, përmirësim, mësohemi dhe aftësohemi edhe
ne deri diku t’i përngjajmë atij, jemi të lumtur në falje ndaj të tjerëve.
Ne Shqiptarët sot jetojmë ose nën ndikimin e individualizmit të tepruar, bajraktarizmit,
vetëm si të them unë, ose të kolektivizmit
anonim, mentalitetit turmor dhe grumbullor, si thonë dhe veprojnë të
tjerët, pa pasur mundësi të jemi vetvetja, pa ndonjë orjentim dhe përcaktim
jetësor. Ndikimi i të tjerëve, i rrethit të ngushtë apo të gjerë, ende është
shumë i madh, mos të them edhe vendimtar, kryesisht negativ, duke cunguar
identitetin dhe personalitetin, orjentimet, bindjet, përcaktimet, veprimet dhe
jetën personale dhe familjare. Shqiptari rregulloren kryesore të jetës e ka
këtë parim: Si të tjerët! Kur të
tjerët falin, si ndodhi gjatë vitit 1990, atëherë edhe unë ose edhe ne…, ndërsa
sot, është ndryshe.
Falja tek ne ende fatkeqësisht trajtohet si dobësi,
ndërsa hakmarrja dhe gjakmarrja si trimëri, si traditë e shenjtë shqiptare, si
virtyt i pamohueshëm nga rrethi familjar dhe shoqëror traditor, sipas parimit
të pakuptimët: gjaku nuk falet as nuk
tretet kurrë!
Në tekstet shkollore, në literaturë, në krijimtari të
ndryshme, si poezia, proza, piktura, skulptura, muzika, filmi, vlera dhe
virtytiti i faljes, paqes, dashurisë, strategjia paqësore dhe jodhunore
gandiane, tereziane, rugoviane, bashkimi në dallime është shumë pak i
pranishme.
Ja përshkrimi i Anton Çettës i vështirësive për pajtimin
e gjaqeve: “Ishin dy shkaqe kryesore të
pengimit të pajtimit. I pari ishte bindja kokëforte për ruajtjen e traditës
sipas Kanunit. Disa njerëz në mënyrë fanatike shkonin sipas kësaj tradite.
Arsyja tjetër ishte justifikimi i familjeve të cilat e zbatonin hakmarrjen,
sepse kështu dëshironin të paraqiteshin besnike ndaj traditës...” (Giancarlo-Valentino
Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo nonviolenza per la riconciliazione, EMI,
Bologna, 1999, fq. 52. Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. fq. 37-77).
Ja edhe shpjegimi sintetik dhe profetik i Prof. Anton
Çettës për pajtimin e gjaqeve: “Ne fill e
kemi përjashtuar mundësinë e dëmshpërblimit apo të pagesës së gjakut: Pajtimi i
gjithmbarshëm i popullit shqiptar duhet të jetë një vepër fisnike, vetëm një
gjest i përvuajtërisë dhe shpirtmadhërisë së popullit tonë...
Të tjerët po
na vrasin vazhdimisht, a duhet atëherë edhe ne të vritemi me njëri-tjetrin?... Jo, duhet të jemi si
kurrë më parë afër dhe së bashku me njëri-tjetrin, sepse na presin sprova dhe
rreziqe të ndryshme edhe më të mëdhaja...” (Giancarlo-Valentino
Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo un popolo che perdona, EMI, Bologna, 1997, fq.
48: Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. fq. 31-105(.
Derisa mos ta ndërrojmë botëkuptimin ndaj jetës,
vetvetes, familjes, shoqërisë, s’mund ta ndërrojmë as veprimin, jetën tone edhe
lidhur me falje dhe pajtim, pra, për luftim dhe dëbim të gjak ose hakmarrjes.
Trimëria më e lartë është ta mundim të keqen së pari në
vete, e pastaj edhe te të tjerët, sepse JEMI TË LIRË VETËM NËSE JEMI TË MIRË!
Prandaj para çdo verpimi pika e parë është kuptimi i
gjendjes, si nga aspekti historik, ashtu edhe nga vështrimi aktual. Pika e dytë
është ndarja e përvojave tona nëpërmjet bisedimeve, dialogut dhe komunikimit
ndërnjerëzor dhe ndërvëllazëror, që të jemi së bashku si në të mira, ashtu edhe
në të vështira. Gjendja konflikuale kërkon së pari harmonizimin e njeriut me
vetveten, me atë që është dhe dëshiron të jetë, dhe vetëm pastaj mund të
shkojmë kah hapi i dytë – marrëdhëniet ndërnjerëzore, që të vijmë edhe deri te
ndjenja e përkatësisë së përbashkët apo gjithëshqiptare, te shoqëria.
Sot hak-marrja apo gjak-marrja duhet të ndërrohet edhe në
terminologji, sepse thënë kështu duket se njeriu ka të drejtë, bile edhe
detyrë, ta marrë hakun apo edhe gjakun!
ÇDO HAK APO GJAK-MARRJE
SOT ËSHTË SË PARI VETËVRASJE, PASTAJ VËLLAVRASJE DHE SË FUNDI EDHE
VRASJA E TJETRIT.
Pa vetëdije të tillë s’mund ta luftojmë këtë dukuri
shëmtuesi, kancerin e shoqërisë shiptare në ditët tona.
Duhet gjithnjë ta kultivojmë KULTURËN E JETËS: nderimin,
pranimin, përkrahjen dhe mbrojtjen e jetës në çdo faze, sipas parimit të njohur
shqiptar: “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa
fëmijë”, dhe: “Mjerë ajo shtëpi që
s’ka pleq dhe fëmijë!”. Pse atëherë
mos ta duam dhe mbrojmë jetën nga çdo rreziku apo kërcnimi, edhe nga
gjakmarrja?
Kush jeton për hakmarrje, nuk jeton fare, sepse jeton
vetëm për të bërë keq, kjo s’është e denjë për askend, jeton për së gjalli në
varr. Urrejtja është DIKTATORI më i keq që vetvetiu nuk vdes kurrë dhe robëron të gjithë. Mu për këtë falja është
parakusht jete, paqeje dhe qytetërimi, si përvoja më e rëndësishme dhe
vendimtare në jetë, e cila mundëson të dalim prej vetvetes dhe të përqendrohemi
në të tjerët për të jetuar të vëllazëruar dhe të bashkuar.
S’ka njeri të përsosur që s’ka nevojë për falje, si prej
Zotit ashtu edhe prej të afërmit, por edhe për të falur. Nga kjo përvojë lindë
paqja e vërtetë e cila mbështet në drejtësi, të vërtetën dhe mbi të gjitha në
dashuri. Kjo e begaton kulturën e jetës me QYTETËRIMIN E
DASHURISË.
Dhe së fundi disa parime të shëndosha, do të thoja edhe
të shenjta, për pajtimin e gjaqeve:
-
Pajtimin e gjaqeve nuk e kërkonim kurrë në emër të vrastarit dhe
kriminelit, por në emër të të pafajshëmve, mbi të gjitha në emër të Zotit dhe
të Popullit shqiptar, të fëmijëve dhe të rinisë, për të tashmen dhe për
ardhmërinë tonë.
-
E keqja kurrë nuk e mund të keqen, por vetëm e mirja, falja dhe pajtimi nuk
lejojnë që “zinxhiri” i traditës t’na ngulfatë dhe t’na fundosë paskajshmërisht
në vëllavrasje dhe vetëvrasje.
-
Falja e gjakut është trimëri kulmore, kërkesë, nevojë dhe domosdoshmëri e
kohës sonë, sepse pa flakjen e kësaj dukurie, kancerit shpirtëror shqiptar, nuk
ka liri dhe demokraci të mirëfillët.
-
Me falje dhe pajtim ne më së miri i nderojmë viktimat, sepse gjaku i tyre
na mundëson krijimin e ndjenjës së përbashkët me mbarë popullin tonë, si një
familje e madhe, si në gëzime, ashtu edhe në pikëllime, para sfidave dhe
rreziqeve që doemos na priteshin.
-
Ata që falin janë “heronjët e ditëve tona”, paralajmërusesit se jeta është
më e fortë se vdekja, falja më e qendrueshme se urrejtja, dashuria dhe
vëllazëria rruga e vetme e shpëtimit.
“Sofra e
Pajtimit” kishte krijuar parakushtet për ngjarjet madhore të
vitit 1999 dhe më vonë, si në aspektin kombëtar, ashtu edhe nërkombëtar, për
krijimin e strategjisë paqësore dhe jodhunore, për luftën e lavdishme të
UÇK-së, për ndërhyrjen e NATO-s, në përforcimin e vlerave dhe virtyteve pa të
cilat s’do të ishim ata që jemi dhe aty ku jemi sot, në Kosovën e lirë dhe
demokratike.
Fatkeqësisht edhe pas kaq viteve ende nuk kemi asnjë
studim të mirëfillët ndërsciplinor rreth faljeve të gjaqeve gjatë vitit 1990
nga aspekti juridik, traditor, etiko-moral dhe fetar. Me pajtimet e gjaqeve
është tejkaluar tradita, drejtësia, mungesa e lirisë dhe shtetësisë, është
zbatuar vëllazëria, falja dhe dashuria e cila na ka afruar dhe bashkuar para
rreziqeve të luftës dhe asgjësimit. Kjo përvojë duhet gjithnjë të kujtohet,
studjohet, paraqitet nëpërmjet mjeteve pamoro-dëgjimore, shtypit, krijimtarisë,
si vlerë dhe virtyt që duhet kultivuar gjithnjë e më shumë, si parakusht jete,
paqeje, demokracie, si zhvillim i gjithanshëm i njeriut, familjes dhe shoqërisë
sonë.
Ja edhe disa aforizma lidhur me falje dhe pajtim:
“Falja është
zbukurimi i të fortit” ( M. Gandhi).
“Me falje
shijojmë fytyrën e Krishtit” (Padre Pio).
“Kush
dashuron edhe falë” (F. Rochefoucauld).
“Të gabosh
është njerëzore, të falësh është hyjnore” (A. Pope).
“Trimi falë,
qyqari hakmerret” (Fjalë popullore).
“Duaje të
vërtetën dhe fale gabimin” (Voltaire).
“Falja është
hakmarrja e të urtëve” (Ch. Wernichke).
“Sa të varfër janë ata që s’kanë duresë” (W. Shakespeare).
Dr. Don Lush GJERGJI
Prishtinë –Deçan, 1 maj 2012