| E premte, 07.09.2012, 08:09 PM |
?Thirrje për
falje gjaqesh, plagesa e ngatërresa në mes shqiptarëve!
Të dashur
e shumë të respektuarë nëna e baballarë, vëllezër e motra, bij e bija, familje
me shpirt e zemër të shkrumuara, duke u nisur nga fakti se në trevat shqiptare,
ku më shumë e ku më pak, kemi familje të gjaksuara, familje të mbyllura në burgun
shtëpiak nga frika për hakmarrje, por edhe për ta respektuar familjen e dëmtuar,
si dhe me qenë se jemi në prag të kremtimit të Njëqindvjetorit të krijimit të Shqipërisë,
festa më sublime e popullit shqiptar, me këtë rast secili shqiptar, do të duhej
të përpiqej ta hidhte një guralec në kalanë e shtetit shqiptar, duke shtrirë dorën
e pajtimit familjeve që u kanë bërë këto të këçija, ju lutëm, të gjeni forcën
dhe të shtrini dorën e pajtimit, në mënyrë që Njëqindvjetori i krijimit të Shqipërisë, të na gjej më të bashkuar se kurrë më parë.
Në këtë drejtim
do të duhej të jepnin ndihmesën e tyre të gjithë intelektualët shqiptarë të atyre
trevava ku ka këso rastesh, të gjitha organet e pushtetit lokal e atij qëndror,
të gjithë përfaqësuesit e klerit, të gjithë pleçnarët shpirtëbardhë, të gjitha
mediat e shkruara dhe ato elektronike, por megjithate pesha kryesore dhe nderi
do të bie në kryefamiljarët, gjegjësisht përfaqësuesit e familjeve të dëmtuara.
Këtë thirje
e bën një vëlla i juaj, i cili për fat të keq, vëllavrasjen e përjetoi qysh në moshën
shtatë vjeçare, (viti 1955, duke ju vrarë xhaxhai në pragun e shtëpisë), pastaj
edhe dy vrasje të tjera e dy djemëve të rinj, moshë 27 dhe 35 vjeçare (në vitet
2003 dhe 2005), duke lënë nuse veja e fëmijë jetimë. Fatbardhësisht familja e
jonë duke qenë e ndihmuar nga shokë e miq arriti që të shtrij dorën e pajtimit,
dhe nuk u rreshtu në familjet gjakësore-hakmarrëse, për çka edhe sot ndjehemi
krenarë.
Lum ai që do ta bëj i pari! Qoftë i nderuar, ai dhe familja brez pas brezi!
Me shumë respekt!
Fazli
Maloku, Prishtinë, datë, 5 shtator 2012