Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ryzhdi Baloku: Kalvari i ushtarëve shqiptarë

| E enjte, 06.09.2012, 09:06 PM |


KALVARI I USHTARËVE SHQIPTARË ME RASTIN E KAPITULLIMIT TË MBRETËRISË JUGOSLLAVE

Nga: Ryzhdi Baloku

Në ndërkohë arritëm te një ngastër pemësh. Aty e ndaluam ecjen. Derisa po hulumtonim vend të përshtatshëm për t’u ulur që ta vazhdonim bisedën e të merreshim vesh se si të veprojmë më tutje, dëgjuam një krismë pushke që pasoi me fishkëllimë plumbi, me ç’rast e shkëputi një copë lëvozhge nga trupi i një peme pranë nesh. Të gjithë përnjëherë u shtrimë për tokë dhe filluam të përgjojmë.

Nga krisma dhe copa e hequr e lëvozhgës së pemës, e konstatuam drejtimin prej nga erdhi plumbi, por ende nuk e dinim saktë vendin nga ku na morën në shënjestër. Pas kësaj të shtëne i thash Zekës:

- A po e sheh se paskam bërë mirë që nuk shkova për ta lënë pushkën atje. Atyre që na gjuajtën iu ktheva me një të shtënë, por duke ua drejtuar tytën me hamendje. Kisha për qëllim t’iu bëja me dije se nuk jemi duarthatë e të mos na ndiqnin si gjahun.

Duke vëzhguar që t’i merrja në nishan, përgjatë një stomi i hetova lëvizjet e tyre. Gjykova se ata ishin të futur nëpër istikame, sepse iu shihja vetëm kokat. Zeka ishte afër meje. Më thotë:

- Sokol, shiko atë që po lëviz, po na shikon me dylbi, ka kapelë oficeri. Si duket këta paskan menduar nëse ne nuk vritemi nga shpërthimet e municioneve në vendin ku ishim, këtë punë ta përfundonin vetë duke u pozicionuar jo shumë larg depove, me qëllim që kur t’iu afrohemi istikameve, atëherë të na vrasin.

Më pas ktheva shikimin kah pozita e vendndodhjes sonë dhe i shikova shokët rend. Dukeshin të hutuar, fytyrat iu ishin zverdhur si limoni. Fillova të rrëqethem, në një terren të rrafshët, me pemë trupash hollake e pa asnjë objekt mbrojtës dhe vetëm me një pushkë, ishim një pre e lehtë për ta.

Nga ai pozicion që kishin, pasuan të shtënat dhe plumbat rrebesh mbi kokat tona, duke i këputur në copa degët e pemëve pranë nesh. Na gjuanin nga armatimet e ndryshme. Neve s’na mbetej tjetër, vetëm t’i dëgjonim në heshtje llojet e krismave, duke u orvatur për ta konstatuar numrin e personave që shtinin mbi ne.

Njeri nga shokët pyeti:

- A i hetuat sa veta janë ?

- Janë rreth dhjetë apo ndoshta më së shumti dymbëdhjetë veta, - iu përgjigj tjetri që ishte mëtanë.

Pas këtij dialogu Zeka ia ktheu:

- Qenkan oficerë e ushtarë të krajlit, na paskan qitur priten gjakpirësit, he Zoti i vraftë !

Duke e kuptuar situatën e rëndë në cilën ndodheshim, ata në istikame e të armatosur mirë, kurse ne vetëm me një pushkë e në vend të pa përshtatshëm, iu thash:

- Shokë, zmbrapsuni zvarrash.

- Mirë e ka Sokoli, kthehuni mbrapa, - foli dikush prej tanëve. Të tjerët vetëm u shikuan mes veti pa e nxjerrë asnjë fjalë nga goja, për çfarë konsiderova se propozimi u miratua me heshtje, edhe pse e dinim se edhe gjatë tërheqjes mund të vriteshim, sepse të shtënat e pushkëve dhe rafalët e mitralozit nuk pushonin për asnjë çast.

Meqenëse nuk kishim tjetër zgjedhje, filluam të zmbrapsemi menjëherë.

Tërheqja me lëvizje zvarrash ishte e ngadaltë dhe e mundimshme. Për t’iu shmangur rrebesheve të zjarrit që na përshkonin sipëri, mundoheshim të zhbironim para vetes duke u palosur për tokë. Megjithëkëtë edhe unë nganjëherë shtija në ta, me qëllim që t’i pengoj për të na marrë lirshëm në shënjestër.

Nga nxitimi dhe mundimet u lodhem shumë, saqë përkundër rafalëve dhe krismave të zhurmshme mund t’i dëgjoja edhe dihatjet e të tjerëve.

Me përpjekje rraskapitëse, pas një kohe bukur të gjatë arritëm te një pjesë e ngastrës ku pozita e sipërfaqes tokësore ishte më ulët se në anët tjera të atij vendi. Aty kishim mundësi të lëviznim galiç, por nga frika se ende mund të na godisnin, vazhduam me tërheqje këmbadoras, derisa e pamë se ishim pranë një kanali ujitës.

Vendosëm të ecnim nëpër të edhe pse kishte ujë. Hyra i pari. Uji më arriti në lartësi të gjunjëve,  të tjerët u radhiten mbas meje dhe filluam të ecnim teposhtë rrjedhës.

Këtu iu larguam një rreziku, por vendi ishte i panjohur për ne, nuk dinim se çfarë na priste më tutje. Pushkën e mbaja në gjendje gatishmërie.

Duke ecur shikoja përreth, më vajti mendja në të kaluarën historike të këtij vendi. Thash më vete: More, dikur këndej shtrihej Iliria dhe si duket tani është koha e ristrukturimeve për ndreqje lëshimesh e gabimesh nga e kaluara. Rastet e këtilla ndodhin njëherë në njëqind vjet. Nëse e lëshojmë edhe këtë rast, atëherë ky moment nuk do të na përsëritet.

Nisa t’i parafytyroja sulmet e popujve tjerë mbi ta, më dukej se çdo gjë mbulohej mbi gjakun e tyre dhe vetit iu përgjigja: Jo, nuk guxon të na mbisundojnë gjakrat, e as të bëhemi të sëmurë nga mendja, duhet ndjekur arsyen me logjikë të shëndoshë, nuk duhet jetuar me ëndrrat e paarritshme, është utopi të mendohet për rikthimin e të kaluarës. Kanë ndërruar kohët, duhet mbrojtur atë që na ka mbetur, nuk duhet kot t’i lëmë eshtrat këtu, ato duhet të prehen aty ku tani flitet shqip.

Derisa ecnim kanalit teposhtë nuk shihnim njeri, pos një tufe stërqokash që herë pas here zbritnin e fluturonin në hapësirën sipëri nesh.

Duke i shikuar ato kisha ndjenjë se dikush prapa nesh po na vëzhgonte duke na përcjellë tërë kohën. Pa e ndalur ecjen, për një çast e ktheva kokën prapa që ta shoh, sikur desha ta zija në befasi, por pos shokëve nuk pash askënd. Mendoja: çfarë mund të ishte kjo dukuri e panatyrshme të cilën e ndjeja se dikush na ndiqte, por nuk mund ta shihja ? ! M’u kujtuan disa shpjegime mistike rreth paraqitjes së shpirtrave për të cilat dikur kisha dëgjuar, porse nuk iu besoja. Lidhur më këtë, një mori pyetjesh ia bëra vetit. E kërkoja arsyen e kësaj ndjenje duke e menduar çdo rrethanë të mundshme. Më dukej sikur ta kërkoja gjilpërën nëpër grumbullin e kashtës.

Këto mendime që më silleshin vërdallë në kokë, m’i ndërpreu zëri i Zekës i cili po më thërriste:

- O Sokol, të dalim nga kanali.

Zëri i tij si një jehonë e dalë nga shpella më tingëlloi në vesh. E ktheva kokën kah ai, pastaj shikova përreth dhe pasi u binda se nuk kishte rrezik, dola duke u kapur për disa thupra të një gjineshtre që shtrihej pranë stomit, kurse të tjerët filluan të dalin duke u ndihmuar mes vete.

Aty ku dolëm, sipërfaqja e vendit ishte e rrafshët. Shihej si në pëllëmbë të dorës. Megjithëkëtë brengosesha për mundësitë e shfaqjes së befasive. Dyshoja se ka mundësi të na vrisnin në pritë nën pretekst dezertimi, përkundër shkresave që i posedonim, me të cilat zyrtarisht ishim liruar nga obligimi për qëndrim të mëtejmë në kryerjen e këtij shërbimi.

Isha më i kujdesshëm, meqë konsideroja se fati i mirë rrallëherë e përcjellë njeriun gjatë jetës. Më sillej vërdallë thënia metaforike e shprehur me alegori: “Po i fryn kungullit në gardh, meqë e dogji në pite”, e cila më ripërsëritej. Më vete herë pas here përgjigjesha: “Më mirë me vetëdije t’i fryj pa ndonjë dobi, sesa rastësisht të digjem në ndonjë befasi”.

Kur filluam të ecnim përgjatë kësaj fushe, ia lëshova sytë hapësirës përreth. Vëmendjen ma tërhoqi sipërfaqja e saj e rrafshët dhe e pafund. Mendja sërish mu kthye në të kaluarën dhe nisa t’i paramendoja dyndjet sllave që përcilleshin me kolonizimin e kësaj toke, e që eshtrat e paraardhësve tanë ende mund të ishin nën dheun mbi të cilin ecnim. Këtij mendimi iu përgjigja me pyetje: athua shpirtrat e tyre po na paralajmërojnë për ndonjë rrezik, të cilin edhe vetë dikur e kishin përjetuar ?

Nga mendja nuk më hiqej ndjenja e ndjekjes, filloi të më mundojë dilema : Athua kjo mund të ishte morti, që sipas shpjegimeve të dukurive paranormale është një parandjenjë për vdekjen tonë ?

Duke menduar, për një çast m’u ngatërrua lëmshi i arsyeve për zgjidhjen e kësaj enigme, të cilës nuk mund t’ia gjeja fijen. Nisa të dyshoj në logjikën e të menduarit si mundësi e shfaqjes së halucinacioneve që mund të ishin rrjedhojë e ndikimit të fantazisë për to.

Fola më vete: Jo-jo, nuk iu besoj këtyre shpjegimeve, përralla janë këto, kështu mund të mendojnë vetëm paranoikët, ndërsa në kokën time nuk ka vend për to. Në çfarëdo rrethanash qofshim nuk do të dorëzohem aq lehtë, do bëj çmos që bashkërisht të arrijmë në Kosovë gjallë e shëndosh.

Nisa ta vrojtoj secilin shok me radhë. Të gjithë ishin shtalb, ende pa e shijuar jetën, por edhe vetë isha i ri si ata. Mendova: Nëse na vrasin, kjo tufë stërqokash s’do të na lënë as eshtrat në një vend. Nisa t’i shpejtoja hapat, por gjithnjë duke vëzhguar me vëmendje. Mendoja: Nëse duhet të sakrifikohemi, këtë duhet bërë vetëm për vendin tonë. Atje në Kosovën dardane do të luftojmë si burrat, e këtu duhet të kujdesemi t’iu ikim rreziqeve, përndryshe kjo tufë stërqokash do të na nxjerrin sytë, e do të na dafnjejnë mishin, pastaj do të na shpërndajnë eshtrat poshtë e përpjetë fushave e maleve të Serbisë.

Derisa po ecnim me nxitim, na u shfaq pamja e pyllit të cilit i ishim afruar. Për një çast e ndala ecjen dhe i udhëzova të shtrihemi përtokë. Nisem të vëzhgojmë, asnjëri prej nesh nuk vërente asgjë, megjithatë që mos të rrezikonim iu thash:

- Dy prej nesh duhet të shkojmë atje si pararoje, dhe pasi të bëhet kontrolli i atij vendi, tek atëherë të bashkëngjiten të tjerët.

Pas një përsiatjeje jo shumë të gjatë, vendosa që këtë detyrë ta bëja me Zekën. U nisëm zvarrash, ai në njërin drejtim, kurse unë në tjetrin. Pas pak kohësh që të dy arritëm pranë pyllit. Aty u ndalëm për një çast dhe përgjuam me kujdes. Nuk hetuam asgjë të dyshimtë, prandaj u futëm në brendi. Me vëmendje të veçantë filluam ta kontrollonim vendin në një perimetër të mjaftueshëm sigurie, Zeka në njërën anë, e unë nga tjetra. Mbasi e kryem kontrollin e u siguruam se nuk kishte rrezik, u kthyem mbrapa deri në cepin e atij vendi. Nga aty i sinjalizuam shokët për t’u na bashkëngjitur, duke i ftuar me dorë. Ata u ngritën në këmbë e ia dhanë vrapit derisa arritën tek ne.

Duke pasur njohuri mbi shqiptarofobinë e serbëve, u ulëm për të biseduar para se t’ia fillonim rrugëtimit nëpër pyll, me qëllim që ta gjenim ndonjë zgjidhje të arsyeshme që sa më shpejt të largoheshim prej këtij vendi, derisa situata s’ishte përkeqësuar në atë masë për të cilën konsideronim që në këtë kohë lufte do të pasonte me ristrukturimin e forcave militante radikale serbe, ku pastaj do të viheshin në përndjekje të të gjithë atyre që nuk janë sllavë.

Për shkak të largësisë gjeografike të këtij vendi që kishte me Kosovën, rrugëtimi këmbë do të zgjaste me muaj. Ne duhej ta gjenim itinerarin adekuat për këtë udhëtim të paparashikueshëm e me shumë rreziqe. Erdhëm në përfundim se udhëtimi me tren do të ishte rrugëtimi më arsyeshëm. Vendosëm t’i kërkonim binarët, që të kapeshim për vagonë gjatë ndonjë përpjete, atëherë kur shpejtësia e trenit do të ngadalësohej, apo të shkonim në ndonjë stacion hekurudhor fshati ku kontrolli duhej të ishte më i vogël.

Atë ditë e bëmë një rrugëtim të gjatë. Na u dashtë të ecnim tërë kohen pa ndalë poshtë e lart maleve, deri në mbrëmje. Me tu errësuar u detyruam që edhe gjumin ta bënim në logun e atij pylli.

Në kohën e pasmesnatës, para se të zdritej, nga moti i ftohët të gjithëve na doli gjumi. U detyruam që nëpër errësirën e asaj nate, herë pas here të bënim lëvizje të trupore, në mënyrë që mos të mërdhinim.

Me të gdhirë, kur deshëm me u nisë për ta vazhduar rrugëtimin, dëgjuan kërcëllima nga thyerjet e rrembave të thata. Nga lëvizjet e degëve nëpër shkurre, e vërenim se dikush po na afrohej, e që në numër na dukej se ishin goxha shumë. U shpërndamë duke u pozicionuar prapa disa kaçubave. Pas një kohe të shkurtër u shfaq edhe pamja e tyre, ishte bagëtia e fshatit, që vinte prej andej. Kur ato hynë brenda logut ku kishim qenë ne pakëz më parë, vërejtem se ato kullosnin pa përkujdesje çobanësh. Si duket, kjo bagëti ishte mësuar që prej shtëpive të lëshohej në mëngjes, e pastaj kah mbrëmja vetë të kthehej mbrapa.

Meqë ato ishin vetëm e pa prezencë njeriu, mendja më shkoi te kafjalli, prandaj propozova që t’i milnim. Për një kohë të shkurtër të gjithë i mbushëm tasat me qumësht dhe filluam ta pinin pa e vluar fare.

Derisa ne u lëshuam lugut të teposhtë, i cili shpinte kah ana e drejtimit të ardhjes së kësaj bagëtie, ato të pa shqetësuara e vazhduan kullotjen.

Shtegun që ecnim ishte i ngushtë. Na u desh të rreshtoheshim njeri pas tjetrit si vagonët pas lokomotivës. Mendja më shkoi te treni. Fillova ta përqendroja vëmendjen te fishkëllima. Mundohesha që me vesh t’i kapja këta tinguj, në mënyrë që pastaj të orientoheshim në atë drejtim.

Pas një kohe bukur të gjatë, në horizont u duk shtëllunga e tymit. Që ta shihja më mirë, u ngrita në maje të gishtërinjve, e zgjata trupin duke e ngritur edhe kokën përpjetë. Pakëz më vonë u dëgjua edhe fishkëllima, mbi sipërfaqen e asaj lëndine u shfaq treni që lëvizte me nxitim si ngjala në det. Sa më shumë që afrohej aq më shumë dëgjohej pompimi me zbrazje të avullit nga lokomotiva e harlisur, që me takte të njëtrajtshme e nxirrte tymin me vrull. Të gjithëve na kaploi një ndjenjë ngazëllimi, që bëri t’ia nisim vrapit në drejtim të tij. Nuk arritëm ta zinim, megjithatë mbetëm të kënaqur, ngase me këtë rast e gjetëm drejtimin e rrugës që na shpinte kah stacioni hekurudhor.

Duke ecur përgjatë një stomi që shtrihej anash binarëve, arritëm të një pozitë vrojtimi nga lartësia e të cilës shihej fshati. Duke shikuar me kujdes, pak më larg vërejtëm edhe ndërtesën e stacionit hekurudhor, që dallohej nga konstrukti tradicional i ndërtimit me gurë të gdhendur mermeri. Nisem t’i përshpejtojmë hapat dhe pas një kohe të shkurtër mbërrimë te një viadukt hekurudhe. Pa menduar gjatë, nga aty prej së larti e hodha pushkën në lumë, rrjedha e të cilit kalonte poshtë nesh. Në atë çast Zeka më kishte vënë re, e më tha:

- Sokol, bëre mirë me këtë veprim, ishte momenti i fundit, sepse po ta mbaje edhe më tej ndoshta atje do të na sillte ngatërresa.

- Po Zekë mirë e ke, ia ktheva. Edhe unë më herët e kam menduar këtë punë. Mirëpo, më duhej ta prisja momentin e volitshëm që ta largoja prej vetes, konsiderova se tani ishte koha për një veprim të tillë.

Fragment nga romani në dorëshkrim...

Vazhdon...