| E marte, 04.09.2012, 06:58 PM |
IMAZHI
I KRIJUESIT DHE I INTELEKTUALIT
Nga Prof. dr. Myrvete Dreshaj - Baliu
Ka disa
dekada që studiuesi e kritiku i përkushtuar i letërsisë, profesor Shyqri
Galica, veprat letrare e shkencore i përcjell në forma nga më të ndryshmet, nga
shkrimi i teksteve me karakter përgjithësues në shtypin ditor, deri te studimet
e thelluara historiko-letrare për autorë dhe vepra, si dhe nga tekstet për përurime
të rastit deri te vlerësimet dhe analizat e tyre me karakter shkencor. Vëllimi
me titull "Mesazhi intelektual" është përmbledhje studimesh, vlerësimesh
e recensionesh të shkruara në kontekst të zhvillimeve të ndryshme kulturore dhe
shkencore të dekadës së fundit.
Sigurisht,
kjo është arsyeja pse tekstet e këtij vëllimi janë ndarë në tre kapituj që nuk
janë as vetëm tematikë, as vetëm të një zhanri dhe, më në fund, as vetëm kodues.
Sigurisht, për shkak se tekstet e këtij vëllimi janë shkruar në kohë dhe
rrethana të ndryshme, apo për aktivitete dhe paraqitje të cilat kushtëzohen
prej konferencave, diskutimeve letrare e shkencore, përurimeve dhe pse jo edhe
prej leximeve miqësore. Prandaj, nuk ka dyshim, kjo është edhe arsyeja që titulli
i këtij libri del nga mesazhi i atyre ideve që reflektojnë veprat, autorët dhe
mendimi a vlerësimi i kritikës së kohës për to, për t’u përmbyllur në këtë libër
përmes të të menduarit kritik dhe krijues gjatë procesit të të lexuarit dhe të të
shkruarit të profesor Shyqri Galicës.
Motive
dhe struktura të mëdha poetike
Kapitulli
i parë merret me qasje të mëdha të letërsisë shqipe, të para gjithashtu nga
aspekti historik dhe metodologjikisht krahasues. Fjala është për motive dhe
struktura të mëdha poetike të krijuesve tanë, si: liria, kulti i Skënderbeut,
poetika moderne të poezisë së Fatos Arapit dhe konteksti europian i poezisë së tij,
raportet historike, letrare dhe shpirtërore të Dritëro Agollit me Kosovën,
gjendja dhe përfaqësimi i letërsisë në librin shkollor, që në këtë vëllim
paraqesin vlerat më përfaqësuese dhe më cilësore të shkrimit. Fjala është për
tema dhe objekte studimi, një pjesë të të cilave madje profesor Galica i ka
trajtuar edhe më parë në projektet e tij shkencore, prandaj kjo është arsyeja që
këto tekste në këtë vëllim jo njëherë paraqesin sinteza serioze, dhe më tej njëkohësisht
aspekte të modeleve të kërkimit dhe të mesazheve ideore e intelektuale.
Kapitulli
i dytë merret me vepra, autorë dhe kërkime tematike të tyre. Fjala është për
tekstet recensionale, vlerësuese dhe aktualizuese të kohëpaskohshme për vepra
letrare dhe historiko-letrare me dimensione të veçanta në jetën tonë shkencore,
si me: përmasën teoriko-letrare të tekstit të romanit "Dashuria e Filanit"
të Adem Demaçit, përmasën aktuale të dramës së Gjergj Fishtës "Juda Makabe",
temën e madhe të dramës së lirisë në romanin e Ramadan Rexhepit, përmasën e kërkimit
dhe të sintezës së biografisë së Elena Gjikës në monografinë e Vehbi Balës,
fatin jetësor të shkrimtarit Kasëm Trebeshina, si fat i një shekulli në jetën e
një populli në veprën e Nuri Dragojt. Fjala është për tema të mëdha dhe të veçanta
që dalin në vepra me karakter historik dhe letrar njëkohësisht, të cilat përfaqësojnë
vlera të një kohe dhe të një hapësire, që përtej vlerave teoriko-letrare,
estetike e historike përfaqësojnë edhe një zë e një mesazh intelektual.
Esencat
e mesazhit liridashës
Kapitulli
i tretë përfshinë tekste, të cilat trajtojnë tema me mbizotërim kur autorët e
kur veprat e tyre, për t’iu lënë hapësirë, shpesh, më parë autorëve sesa
veprave. Fjala është për autorë të caktuar, jeta e të cilëve shpesh na ka bërë të
mendojmë, të lexojmë dhe të flasim për veprën e tyre. Në historinë tonë, janë disa
individualitete të cilat me jetën e tyre kanë bërë që të ndryshojë për shumë dekada
fati ynë historik, prandaj m’u për këtë ndiejmë nevojë të lexojmë dhe të vlerësojmë
jo vetëm bëmat e tyre historike, por njëkohësisht edhe ato intelektuale,
krijuese dhe estetike. Në këtë seri shkrimesh hyjnë kërkimet dhe vlerësimet për
veprën poetike të atdhetarit Azem Beqiri, për poezinë e studiuesit e poetit Ali
Ahmeti dhe historianes e poeteshës Sabile Keçmezi - Basha, krijimet e eseistit
dhe prozatorit të temës së madhe të mërgimit shqiptar Shpend Osmani, kujtimet e
dhembshme për vdekjen e hershme të poetit, prozatorit e mikut Iljaz Prokshi, përvjetorët
e shumëmotshëm të bardit të prozës shqipe Ramiz Kelmendi, qasja e studiuesit të
përkushtuar në fushë të historisë së letërsisë Isak Ahmeti etj.
Kjo është
arsyeja pse tekstet e profesor Shyqri Galicës për disa shkrimtarë i lexojmë jo
vetëm si kërkime teoriko-letare e estetike, po më shumë si vlerësime të mesazhe
të dala nga krijues që përtej përimtimit poetik të vargut, me shkrimet e tyre,
kanë synuar esencat e mesazhit liridashës.