Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Besnik Dizdari: Historia e përbotshme e Nikolaj Ozerov-it…

| E shtune, 12.04.2008, 05:36 PM |


Historia e përbotshme e Nikolaj Ozerov-it…

Nga Besnik Dizdari

Besnik Dizdari
Kësaj here thashë t’i largoheshim paksa Shqipërisë sonë, e të çlodheshim së bashku me ata që e lexojnë këte rubrikë të “TemA”-s, me një tregim historie të jashtë kufijve tonë. Thashë t’i largoheshim për pak kohë lodhjes që të japin shkrimet e mundishme të një problematike, hulumtimet në padrejtësitë apo dhe në trajtimet që vijnë prej një emocioni e ndjenje të lidhur prej një nënshtrimi. Thashë t’i largohemi për një çast Federatës Shqiptare të Futbollit të FIFA-s e të UEFA-s. T’i largohemi kësisoji gazetarisë së një partizanerije të pafré që i falet idhujve e çështjeve të rréma, trajtimeve të rréjshme dhe çdo polemike me një synim po partizanerije. Dhe papritmas shkova te Nikolaj Ozerov.

Tirana “sovjetike” e vitit 1960…

E pashë në një film kushtuar portretit të tij të jashtëzakonshëm në fushën tonë të profesionit, tek televizioni RTR Planet i Rusisë, ndër më të parët në vend. Nuk është një histori shqiptare doemos, ndonëse për brezin tim, dikur ka qenë më e pakta një histori disi e afërt dhe tërheqëse. Veçan për ne, ata pak të rinj të periudhës së fundit të viteve ’50 dhe të fillimit të parë të viteve ’60 të shekullit të shkuar, të cilët ëndërronim gazetarinë, më tepër atë sportive, Nikolaj Ozerov ishte një emër sa i largët po aq dhe i afërt. Them se ky shkrim do të ketë disa lexues-ndjekës prej të vjetërve, ndërsa ata të rinj, ndoshta diçka do të mësojnë prej këtij tregimi të pazakonshëm. Sidomos ata që merren me gazetarinë e llojit tonë, që me keqardhje them se kalon një krizë profesionale të papranueshme, sidomos për sot.

Ka qenë periudha e “pushtimit” sovjetik të Shqipërisë, që na trysnonte në qeverisje dhe në ndërtimin e shoqërisë komuniste, po nga ana tjetër, na sundonte me një prepotencë të pandalshme mu në kulturë. Aty ku sot nuk është asgjë, ose ku është stacioni i autobuzave të Porcelanit, afërsisht përballë ndërtesës stoike të Familjes Kaceli, ka qenë i libraria e ashtuquajtur e “Librit Sovjetik”, pak mbas atij që quhej “Bar Krimea” (mendonie se çfarë emrash iu vinte Partia lokaleve publike antike të Mbretërisë). Sot aty gjithçka është e zhdukur, ndonëse edhe “Bar Krimea” edhe “Libri Sovjetik” kanë qenë të një stili krejt perëndimor të viteve ’30. Kjo librari ka qenë një oazë e kulturës lindore në Shqipërinë e asokohe. Sepse kultura perëndimore po zhbëhej në Shqipëri. Dhe duke qenë se shtypi dhe botimet shqiptare ishin tejet më mbrapa se ato të Bashkimit Sovjetik dyqindmilionësh, për ne, të cilët sapo kishim marrë maturën dhe ëndërronim kulturën ashtu dhe aq sa ajo ishte, “Libri Sovjetik” ishte takimi i pashmangshëm i orës 15.00 të së hënës dhe të së enjtes. Kjo ishte ora kur libraria hapte derën e saj dhe këto ishin dy ditët kur mbërrinte shtypi sovjetik në Tiranë. Të hënën dhe të enjten në orën 15.00 ti mund të merrje ndër duar gazetën e ditës që kishte dalë atë mëngjez në kioskat e Moskës e të Leningradit. Sundimi apo “pushtimi” sovjetik ishte i pamshirshëm, sidomos në kulturë e politikë.

Të hënën ne merrnim gazetën e së dielës, sepse edhe atje të hënën nuk kishte shtyp, por edhe gazetën e së shtunës e të premtes. Të enjten merrnim gazetën e së enjtes, por dhe të së martës e të së mërkurës. E vërteta ishte se në shitje të lirë nuk kishte shumë kopje. Kështu që ne zinim vend qysh në 14.00 ose 14.30 te dera e “Librit Sovjetik”. Ndër të parët aty ishim unë, Valter Shtylla dhe Skifter Këlliçi. Shpesh shihja edhe Viktor Gjikën, si dhe një oficer që kishte studjuar në Moskë dhe jo në mënyrë të rregullt ndonjë qytetar sovjetik, ndoshta oficer ose zyrtar prej atyre që asokohe mbushnin dikasteret apo institucionet e Tiranës. Ndonëse për ta shtypi ndahej tjetërkund…

Sapo hapej dera e librarisë ne turreshim te banaku i xhamtë i librave, nën të cilin qenë vendosur gazetat e ditës. Fusnim duart disi me rrëmbim dhe i merrnim. Librarja nuk ndërhynte, ne mandej, mbasi i dorëzonim ndonjë tjetri kopje të gazetave, sepse duart tona kishin kapur më shumë se një kopje, paguanim. Një pagesë qesharake: 2 lek një gazetë! Dihej, pushteti komunist e shiste shumë lirë kulturën e tij.

Ajo që na interesonte ishte jo ”Pravda” dhe as “Izvestia”, por “Sovjetskij Sport”, “Futboll Hokej”, “Sport Zarubezhom” (këto të fundit të përjavshme dhe të përdyjavshme). Gjithashtu “Sovjetskij Ekran” kur kujtoj se çdo të hënë në Kinema “Partizani” apo dhe në “17 Nëntori” do të çfaqej një film i ri sovjetik dhe etja për bileta nuk mund të përshkruhet. Mandej filloi të vinte edhe e përjavëshmja “Njedjelja” e cila sapo kishte nisur të botohej, në mos gaboj si tabloidi i parë sovjetik, deri diku simbas stilit perëndimor. Një lloj “Magazine” e sotme me një letër gazete, por me gjithçka mbrenda: kulturë, art, sport, politikë, pak histori apo gjeografi, pak edhe “jetë mondane” protagonistësh sovjetikë dhe të huaj, me një fjalë, aq sa ç’kishte vendosur Kongresi XX i PK (b) të BRSS, Kongresi i destalinizimit.

Ne ishim të etur. Ky shtyp kishte informacion njëqind herë më tepër se shtypi i varfër shqiptar. Ndryheshim në shtëpi dhe i përpinim duke i lexuar. Në Tiranë nuk kishte “Corriere della Sera” dhe as “La Gazzetta dello Sport” që kishin ardhur me tepricë në Tiranë deri më 1944. Ne ishim të detyruar ta merrnim kulturën, edhe kjo e njëanshme, prej shtypit të mikut të madh ideologjik, prej “pushtuesit” tonë “të dashtun” të llojit shembullor revizionist të shoqërisë komuniste: Bashkimit Sovjetik. Tjetër punë se çka pëpiqeshim të merrnim prej radios, kuptohet prej radios italiane. Kjo ishte me të dëgjuar, jo me të lexuar…

“Takimi” me Nikolaj Ozerov-in

Për ne, të rinj 18-19 vjeçarë, sporti ishte ndër të parët. Dhe vitet e fundit ’50 dhe fillimi i viteve ’60 përbënin vite të shpërthimit të sportit sovjetik në Evropë e botë – model gjigand i zhvillimit të shoqërisë komuniste.

Ky është dhe çasti kur jam njohur me emrin e Nikolaj Ozerov-it. Ishte fjala për radiokronistin më të madh të Bashkimit Sovjetik, emrin dhe foton e të cilit e shihja ndonjëherë edhe në shtypin sovjetik dhe çuditërisht më dukej se ai ishte i vetmi në gjithë atë BRSS dyqindmilionësh! Ndonjëherë e kisha dëgjuar shumë shkurt edhe në programin e Radio Moskës në pjesë të rrufeshme kronike, e ndoshta edhe në ndonjë transmetim të drejtpërdrejtë a në një lidhje të zbehtë të një ndeshjeje të Kombëtares së BRSS në Radio Moska, në valë të shkurtëra në “Philipsin” e familjes sime, një markë e viteve ’30, e pavdekshme deri në ditët e sotme.

Në Shqipëri dihej, ishte Anton Mazreku idhulli ynë. Sot nuk mund të merret me mend, por atëkohë, një radiokronist i futbollit ishte ndoshta po aq i famshëm e popullor sa aktori apo këngëtari më i mirë i vendit. Duket ndërkaq, vërtet e çuditshme, edhe pse pa e njohur mirë, por ne mbanim për të madh edhe Nikolaj Ozerov-in, përsa kohë ai, aq sa dëgjonim ne, ishte i vetmi emër që sundonte gazetarinë e folur sportive të Bashkimit Sovjetik, që na përfaqësonte si kamp i të ashtuquajturave “demokraci popullore” në sportin botëror. Duhet të kesh qenë pjesë e asaj bote ku, të paktën në dukje të jashtme, mu për shkak të destalinizimit të BRSS mbas Kongresit XX, bota sovjetike, e para, e edhe ajo komuniste në tanësi, simbas filozofisë së Nikita Hrushovit, kishte nisur atë që udhëheqësi sovjetik e kishte quajtur si gara me kapitalizmin amerikan.

Unë, dhe jo vetëm unë, dëgjoja Anton Mazrekun, por me kërshëri kërkoja të dija diçka edhe për Nikolaj Ozerovin. Ndonëse gradualisht do të anonim nga Italia, sidomos mbas vitit 1960 kur EIAR (RAI i athershëm) shpërtheu për herë të parë me transmetimet radiofonike të drejtpërdrejta shumsportëshe me rastin e Olimpiadës së Romës.

Nuk do të vononte shumë dhe ne do t’i iknim me vrap Bashkimit të lavdishëm Sovjetik. Gjithçka do të përfundonte më 1961-62, kur “Libri Sovjetik” do të zgjaste vetëm edhe pak, sa për të shitur mbetjet e fundit të librave të tij, disa revista shkencore e gjuhësore, atlase gjeografike dhe historike apo dhe librat nga letërsia të Turgenievit, Gogolit e të Çehovit…

Te këto vite më çoi takimi i tashëm befasues me Nikolaj Ozerov-in falë filmit të mrekullueshëm të televizionit RTR Planet.

Në planet a sekuencat e tij, filmi trajtonte një Nikolaj Ozerov si një të vetëm të madh të gazetarisë. Dëgjova mbas gati pesëdhjetë vjetëve fragmente të radio e telekronikave të tij, përjetova zërin melodioz të një fraze radiofonike që gurgullonte si uji i rrëmbyeshëm i një katarakti të vogël. E pashë duke hyrë në Radio Moska dhe deri duke dalë për herë të fundit prej saj, me një ecje të ngadalshme, i ndihmuar prej një bastuni mbështetës. Burrë trupshëndoshë, fytyrë tipike ruse, me shikimin disi naiv e të sinqertë, i thjeshtë deri në skaj, tip i gëzueshëm siç janë zakonisht radiokronistët e mëdhenj sportivë.

Mandej në skena të një jete të jashtëzakonshme: Olimpiada, Kampionate Botërore, futboll, hokej, të gjithë sportet olimpike, kronika e transmetime të drejtpërdrejta të pafund, radio e telekronika. Janë në mijëra! Kështu u tha edhe gjatë filmit, ku episodet e spikatuna veçonin. I filmuar në transmetime nga tribuna, nga kabina e shtypit të stadiumit “Dinamo” të Moskës apo atij “Lenin”, a stadiumeve e sallave të qyteteve kryesorë të BRSS. Me mikrofon në dorë në fushën e akullt, në pishinë i hedhur në ujë me të gjithë mikrofonin e tij, me kufjet në veshë, me emocionet e pafund të kabinës së radiokronikës, çuditërisht krejt e ngjashme me kabinën e shtypit në Stadiumin tonë Kombëtar “Qemal Stafa”.

Jeta e Nikolaj Ozerov-it qe filmuar hap mbas hapi, ndoshta në hollësi. Madje edhe në ditët e fundit në karrigen me rrota, kur ai tashmâ nuk mund të ecte vetë deri kur do të ndahej nga jeta.

Ky ishte personazhi i këtij tregimi tonë të profesionit, njeriu i cili me zërin e tij qe përshkuar në ngjarje të panumërta të një superfuqie komuniste dhe të një superfuqie sportive të botës: kampionë të panumërt olimpikë dhe botërorë, ndeshje të pafund titujsh të mëdhenj personifikim i ngjarjeve ndër më të bujshmet e sportit botëror, të transmetuar e të përshkruar prej njeriut i cili dëgjuesit i kishte qindramilionësh. Kjo audience e pakrahasueshme e bën edhe më të përbotshme dhe vetanake (unikale) figurën e një Nikolaj Ozerov i cili pesëdhjetë më parë kishte tërhequr ëndërrimet e brezit tim në fund të viteve ’50 dhe fillimit të viteve ’60…

Nga Siniavski tek Ozerov

Për gazetarinë shqiptare viti 2008 është viti i 70-vjetorit të radiokronikës së parë, ose ndryshe i themelimit të radiokronikës dhe ky themelim është bërë prej gazetarisë sportive: 1 shtator 1938, transmetim i drejtpërdrejt i ndeshjes SK Tirana – Kavalla 7-0.

70 vjet vjet më parë, ditë kur 30-vjeçari Anton Mazreku përmes zërit të tij asokohe të panjohur, mahniti shqiptarët duke iu dhënë për herë të parë në histori një ndeshje futbolli përmes Radios, çka e bënë Shqipërinë një nga vëndet e para në Evropë që realizon në tanësi një transmetim radiofonik të drejtpërdrejtë!

Historia e radiokronikës është vërtet dëfryese e plot gjallëri episodesh kapricioze. Në verën e vitit 1926 është transmetuar në Radio Praga, ndeshja e futbollit Praga – Budapesti, radiokronika e parë sportive në historinë e njerëzimit. Më 15 janar 1927 emitentët e British Broadcasting Corporation (BBC) lëshuan në valë radiokronikën e tyre të parë sportive të drejtpërdrejtë, kur nga një kabinë druri, në lartësinë e gjysmëfushës së stadiumit "Tweckenham", kapiteni Teddy Wakelam iu tregoi 100.000 dëgjuesve ndeshjen e regbisë midis Anglisë dhe Uellsit 11-9. Një javë më vonë transmetohet ndeshja e parë e futbollit: Arsenal - Shefild nga stadiumi londinez Highbury. Ndërkaq, shënojmë se nga 28 korriku deri më 12 gusht 1928 radio italiane ndjek me ndërprerje për herë të parë Lojërat Olimpike, në Amsterdam, duke fiksuar një datë tjetër të madhe në historinë e radiokronikës sportive.

Ndërsa më 1 janar 1933: Italia- Gjermania 3-1. Kjo ishte si fillimi i një epoke, epoka e Nicolo Carosio-s, italiani legjendar i radiokronikës së futbollit, padyshim më i famshmi në Evropë. Njeriu i cili më 1934 e shpalli në radio Italinë kampione të botës. Citojmë edhe një herë fragmentin e një melodioziteti të vetëm të radiokronikës së tij të 10 qershorit 1934 që e kanë quajtur një "crescendo rossiniane": "Monti lancia lungo, racoglie Guaita, centro Meazza al volo, palla a Schiavio, gol, la palla é in rete. Italia é campione del mondo!"

Por jemi te Bashkimi Sovjetik, tek personazhi ynë Nikolaj Ozerov. Dhe një vend kaq i madh nuk mund të qëndronte në fund. Në të vërtetë është ndër të parët. Vetëm një vit mbas themelimit të BBC.

Ka qenë 26 maj 1929, kur i mirënjohuri Vadim Svjatoslavoviç Siniavski (1906-1972) transmetoi reportazhin e parë të një ndeshje futbolli në Bashkimin Sovjetik. Brezit tim i kujtohet filmi sovjetik “Nderi sportiv”, xhiruar më 1951, që ka pasë një sukses të jashtëzakonshëm në Shqipëri, sepse ishte filmi i parë me temë sportive i shfaqur ndër ne. Dy personazhet e filmit, Vitali dhe Nikolaj, dy futbollistët e skuadrës “Turbina” të cilët përbënin “intrigën” shoqërore të filmit, u bënë, sidomos për ne fëmijët, tejet të dashur. E shihnim filmin sa herë që shfaqej. Këtu në këte film interpreton një rol joparësor edhe radiokronisti më i madh i epokës për BRSS, Vadim Siniavski! Përkrah aktorëve të mëdhenj Nikolaj Krujçkov dhe Oleg Strizhenov.

Dhe është mu Siniavski, sot e kësaj dite legjendar për themelimin e radiokronikës së BRSS, njeriu i cili një ditë të bukur do të ftonte në mikrofon Juri Ozerov-in.

I gjithë Bashkimi Sovjetik kishte vetëm dy radiokronistë. Vadim Siniavskin, që për ta kuptuar vlerën duhet t’i themi “Anton Mazreku i Bashkimit Sovjetik”, jo vetëm si i pari, por edhe si njeriu i cili lëshoi nga Londra më 1945 në turneun e famshëm të Dinamos së Mokës në vazhdimin e shkurtër të miqësisë midis aleatëve të Luftës së sapopërfunduar, thirrjen që ka mbetur emblemë: “Rrjetë! Gol! Po shokë, iu mund ta puthni ate!” Përcaktimi “shok” i shoqërisë komuniste kishte hyrë edhe në terminologjinë sportive të radiokronikës të shtetit të madh komunist, e që do të kalonte në të gjithë vendet e tjera “të pushtuara” prej tij. Thirrja vinte prej fitores së Dinamos së Moskës kundër Arsenalit të Londrës, ndeshje që tronditi Evropën e futbollit.

Në vitin 1950 radiokronisti i dytë i BRSS mbas Siniavskit ishte Viktor Dubinin, futbollist i shquar, po dhe trajner. Papritmas ai caktohet trajner i Dinamos së Moskës dhe nuk mund të transmetonte më. Kështu vjen 29 gushti 1950, ndeshja Dinamo e Moskës – CDKA (skuadra e Ushtrisë) dhe papritmas Siniavski 44-vjeçar, i cili i drejtohet Ozerov-it 28-vjeçar: ”Shkojmë Kolja, lart në kabinë, presim prej teje të bëhesh komentator!”

Dhe i jep djaloshit mikrofonin thuajse në gjithë pjesën e parë. Ishte aktori, tenisti, futbollisti Nikolaj Ozerov. Kaq. Sa mund t’i ketë shkuar ndër mend Vadim Siniavskit, i cili ishte “zoti i futbollit”, siç e përcaktonte shtypi sovjetik, se me këte ftesë të befasishme, madje të çastit, i kishte dhënë Bashkimit Sovjetik, po dhe historisë së radiokronikës, një protagonist të përbotshëm të zhanrit tonë?

Rast botëror i gazetarisë sportive

Nikolaj Ozerov kishte lindur në Moskë më 11 dhjetor 1922. Ishte një “figlio d’arte”, siç thonë latinët. Ishte i biri i Nikolaj Nikolajeviç Ozerovi-t, këngëtari i mirënjohur i Operas në “Bolshoj Teatr” dhe i Nadjezhda Ivanovna-s e cila kishte mbaruar fakultetin e teatrit në Institutin shtetëror të kinematografisë. Ky ishte si të thuash, Nikolaj junior, i cili në moshën 12-vjeçare bëhet kampion i Moskës në tenis për moshën. Dhe do të shkonte te arti. Më 1941 regjistrohet në fakultetin për aktorë. Nis lufta. Nazistët i afrohen Moskës. Në kryeqytetin e kërcënuar nga pushtimi kanë mbetur vetëm tre tenistë të vërtetë, të cilët bëhen aktorë të një drame pa precedent në historinë e sportit botëror, një ngjarje që mori dhénë në Evropë. Për të mbajtur lart moralin e qytetarëve, kjo treshe tenistësh nxitonte anë e kënd lagjeve me një tricikël dhe rrufeshëm zhvillonte ndeshje. Takimet kishin një ndikim të çuditshëm dhe jehona e tyre mbërrinte në shtëpitë e moskovitëve përmes transmetimeve radiofonike të Radio Moskës.

Janë këto ndeshje që i japin Ozerov-it titullin e Mjeshtrit të sportit dhe më 1944 atë Mjeshtër i merituar i sporteve. Tashmâ ai është tenisti Nr. 1 i Bashkimit Sovjetik. Mbaron fakultetin për aktor dhe për te hapen dyert e Tearit më të madh të vendit, MXAT-it të famshëm. Ditët e tij mpleksen në një mënyrë krejt të rrallë midis interpretimeve aktoriale, tenisit, por edhe futbollit edhe te Spartaku i Moskës! Deri sa mbërrin te viti fatthënë 1950 me debutimine tij historik falë ftesës së Siniavskit. E vërteta është se edhe në skenën e MXAT-it, duke qenë se kishte qenë një sportist, Ozerov-it i ishte propozuar që të bëhej radiokronist sportiv, ide që ai e kishte pëlqyer menjëherë.

Sidoqoftë, mbas debutimit, për dy javë askush nuk e thërret më Ozerov-in për te mikrofoni, po ndërkaq në Radio Moska vijnë 40 letra, 37 prej të cilave kërkojnë ta dëgjojnë përsëri në transmetim komentatorin debutues. E thërrasin dhe për tre vjet, deri më 1953, ai është edhe komentator, edhe tenist ndër më të mirët e vendit. Rrëmben 170 tituj të kampionit prej të cilëve 45 janë titujt të kampionit të BRSS! I ndodhte që rrufeshëm mbas ndeshjes të vraponte për në Teatër me kostumin e tenistit drejt e në dhomën e aktorit, të vishte rrobat e rolit dhe duke iu marrë fryma të shfaqej në skenë! Jo aktor i roleve të mëdha, ndonëse në çdo rol ishte i paqortueshëm.

Më 1953, vendos të braktisë tenisin dhe t’i kushtohet radiokronikës. Në Komitetin shtetëror të kulturës fizike e sporteve kjo ngjallë një reagim të fortë. Ai duhej të vazhdonte. Ishte raketa Nr. 1 e vendit. Ozerov tashmâ e kishte nda mendjen: vetëm komentator sportiv, ndonëse në raste të veçantë rikthehet te raketa për të fituar përsëri titullin e kampionit!

Historia e gazetarisë botërore sportive nuk njeh rastin kësisoji, të kronistit tenist, futbollist, hokeist, aktor në një nga skenat më të dëgjuara të botës siç ishte MXAT-i i famshëm i Moskës.

Por edhe këto janë pak. Nikolaj Ozerov është i vetmi komentator dhe radiotelekronist në botë, i cili ka transmetuar futbollin dhe hokejn në kohë të plotë të profesionit, si dhe autor i kronikave të panumërta sportive. Eshtë radiotelekronist i 17 olimpiadaave verore e dimërore, i 9 kampionateve botërore të futbollit, i 30 kampionateve botërore të hokejt dhe i pjesës dërmuese të sporteve të tjerë kryesorë të transmetuar nga 50 vende të botës. Eshtë i rralli i botës së profesioinit tonë në gjithë rruzullin.

Ky “bir i artit” megjithate, nuk qe vetmi i këtillë në familjen e tij. I vëllai është një personazh mjaft i njohur për Shqipërinë: Jurij Ozerov (1921-2001), regjizori i filmit shqiptaro-sovjetik “Furtuna”, kryeregjizor i BRSS. “Area e Guximtarëve”, “Kaçubej”, “Miçman Panin” janë filma të tij që mbërritën në Shqipëri, tituj të filmografisë së tij tejet të njohur për brezin tonë. Më 2002 në Vollgograd kam blerë një ndër filmat e fundit të tij, atë të vitit 1989, “Stalingrad”, kushtuar epopesë së betejës së Stalingradit, një bashkëpunim ndërkombëtar i Mosfilmit, një trajtim krejt tjetër nga varianti i filmit “Beteja e Stalingradit” që trondiste dhe mahniste Shqipërinë e viteve ’50 duke mos pushuar së shfaquri vit për vit në të gjithë qytetet shqiptare!

Radiotelekronisti i 200 milion dëgjuesve

Nikolaj Ozerov-in e cilësojnë si profesionistin, i cili përfaqëson një bashkim të rrallë të aktorit profesionist të skenës dhe të sportistit veprues, duke ia arritur që radioreportazhin e futbollit dhe të hokejt ta interpretonte me metrin e një shkrirje të shpirtit dhe emocioneve që blaton tenisi dhe teatri së bashku. Autor i mijëra transmetimeve, padyshim edhe këtu i vetmi në botë si radiokronist dhe si telekronist, i përshkuar në Olimpiadat dhe Kampionatet Botërore, ku dihej se çka qenë inicialet “CCCP” me gjithë prepotencën e tyre sportive, agresive dhe humane, gjeopolitike, ambicioze dhe të egra, sunduese dhe të pakompromis, gjithmonë të mveshura prej një politike që nuk njihte asnjë lëshim. Por me një sport të madh. Nikolaj Ozerov është njeriu i vetëm të cilit i takoi t’iu fliste përmes sportit nga anë e kënd botës rregullisht 200 milion dëgjuesve të një vendi të vetëm.

Transmetoi nga Olimpiada e Munihut dhe tri orë më vonë transmetoi ndeshjen e hokejt të superserisë Kanada – BRSS, episod i pangjashëm që për një çast mahniti gjithë Bashkimin Sovjetik. Në të vërtetë, në kushtet e pamundësisë për të qenë njëherësh në dy shtete, kishte transmetuar nga monitori i televizionit! Një herë tjetër, gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të një ndeshjeje të hokejt kur ende radiokronisti transmetonte aty jashtë, në buzë të fushës së akullt, topi i tenisit e godet rëndë në krye dhe ai humb ndjenjat i rrëzuar. Mjekët e nxjerrin nga mjedisi, por pak para mbarimit ai vjen në vete dhe në kushte të rënda, midis duartrokitjeve të papushueshme vazhdon transmetimin e tij.

Një kritik i zhanrit thotë se popullariteti i Ozerov-it përbën një fenomen shoqëror të viteve ’60 -’70, shpesh më fort artist se sportsmen, sepse askush si ai nuk arriti të paraqiste entusiazmin dhe optimizmin e vërtetë të një ndeshjeje sportive; deri aty sa është e vështirë të gjëndet një tjetër në muzikalitetin e tij.

“Ozerov nuk ishte i pari, kjo meritë i takon Siniavskit. Ozerov nuk ishte i vetmi sportist që u bë komentator. Ishin edhe Maslaçenko dhe vëllezërit Majorov. Ai nuk ishte i vetmi aktor që u bë komentator. Ishte edhe Kota Maharadze. Dhe megjithate i madh mbeti vetëm një: Ozerovi”, përcakton një kritik tjetër.

Një futbollist i madh i Kombëtares së BRSS, i mirënjohuri Aleksej Paramanov, Kampion olimpik më 1956, përcakton:

“Tek Ozerov-i shkrihej krijimtaria artistike, kultura aktoriale dhe përdorimi i duhur i fjalës, sepse tek komentatori gjuha e mirë është parësore. Nikolaj Nikolajevic nuk është vetëm futbolli, por është edhe hokej, janë dhe llojet e tjera të sportit. Ozerov ishte edhe mësuesi, i cili organizoi brezin e ri të komentatorëve (ish sportistë ose të tjerë), i përgatiti ata, dhe ky brez i ri eci në rrugën e Siniavskit dhe të Ozerovit. Të tillë ishin Maslaçenko, Dubinin, Sushkov, Pereturin”.

“Ai ishte sportsmen, - thotë komentatori sportiv Boris Majorov, hokeist Kampion olimpik më 1964 dhe 1968, - dhe në mënyrë të mrekullueshme kuptonte psikologjinë e sportit. Ai nuk ishte vetëm tenist, por edhe futbollisti i rezervave të Spartakut , e disa herë edhe hokeist i Spartakut në kampionatet e Moskës dhe të gjitha këto përbënin profesionistin ideal. Dhe më kryesorja: ai ishte një njeri i mrekullueshëm, gjithnjë i gatshëm për të ndihmuar. Ozerov është figura unikale e sportit tonë. Eshtë e pamundur që ai të përsëritet. Unë nuk mund të vë asnjë pranë tij. Ozerov është i gjithë Bashkimi Sovjetik. Eshtë Rusia, Taxhiksitani, Kaukazi, Pribaltiket. Ozerov është komentatori ynë absolut”.

Epilog

Erdhi një ditë dhe Nikolaj Nikolajevic Ozerov-it (ai mban emrin e të jatit) dikush në Radiotelevizionin shtetëror, i tha “mjaft”. Ka mbetur enigëm për historianët e gazetarisë ruse. Edhe atje në BRSS-në e Partisë mëmë bolshevike shpesh kanë ndodhur shumë episode të ngjashme me ato shqiptare të pabarazisë, të aftësisë e paaftësisë, të nënvlerësimit, të zvogëlimit e mpakjes së figurave, të harresës. Ai doli. Ishte vitit 1988. Plot 38 vjet mbas radiokronikës së parë, asaj të vitit 1950 kur qe marrë në punë në ate që kishte qenë dhe ishte shtëpia e tij: “Vsesojuznij Radio i Centarlnij Televidjenia”. Heshtja.

Ndoshta i është kujtuar episodi i jashtëzakonshëm me Vjaceslav Mihailoviç Molotovin, stalinistin e fundit të udhëheqjes së BRSS, atë çast pensionisti pjesëtar i grupit çuditërisht të quajtur antiparti, (sa grupe antiparti kishte shkatërruar Molotovi me Stalinin!) por në fund të fundit personazh historik. Si një qytetar i braktisur ai del nga Posta Qendrore, dhe aty me veturën e tij kalon Nikolaj Ozerov. Ndal veturën dhe thërret: “Vjaçeslav Mihailoviç, ejani, ju çoj unë!” Molotovi e vështron me vëmendje. Pranon dhe hyn në maqinë, duke mos ia ndarë vështrimin. “Më dukesh i njohur”, i thotë hierarku i dikurshëm i Stalinit, – “mos e kam gabim?. “Jo, ndoshta më keni pa gjatë reportazheve të mia në TV. Unë jam komentatori sportiv Ozerov. Molotovi shtang për një çast. Mandej gati thërret: “Oh, çfarë do t’iu tegoj në shtëpi dhe nuk do të ma besojnë: unë kam ardhur personalisht me vetë Nikolaj Ozerov-in!”

Kur Partia ra, më 1992, Nikolaj Ozerov-in e thirri Radio Rusia. Zëri i tij u dëgjua përsëri. Ashtu si dikur, melodioz të një fraze radiofonike që gurgullonte si uji i rrëmbyeshëm i një katarakti të vogël, çka paksa unë e shijova përmes filmit që pashë në RTR Planet.

Nikolaj Ozerov- it gjithë jetën zemra i rrahu më fort për Spartakun e tij të Moskës. Kur pra edhe atje ra Regjimi, ai ishte ndër të parët së bashku me Nikolaj Starostin (kujto shkrimet e TemA-s për vëllezërit Starostin), Igor Neton dhe Pjetër Bolotnikovin - figura të mëdha të sportit botëror – të cilën e rilindën shoqërinë e vjetër “Spartak” që PK e BRSS e kishte shpërbërë. President i shoqërisë u zgjodh Nikolaj Ozerov. Ishin vitet e fundit. Por ai dëgjohej te Radio Rusia. Po i afrohej të 75-save. Mbas pak fundi i vërtetë. Vuante nga diabeti, çka i kishte detyruar edhe prerjen e këmbës së djathtë.

Nikollaj Ozerov u nda nga jeta më 2 qershor 1997 në moshën 75-vjeçare. Pati dy fëmijë binjakë, Nadjen dhe Koljan. Më 21 prill 2005 Agjensia Federative e kulturës fizike e sporteve të Rusisë themeloi urdhërin “Nikolaj Ozerov”. Me këte Medalje nderohen qytetarë të Rusisë dhe qytetarë të shteteve të tjerë për veprimtarinë dhe kontributin e madh në dobi të popullaritetit të sportit rus dhe të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar…