Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhevat Rexhaj: Mërgimtarët apo ''auslanderat'' në shtëpinë e tyre

| E diele, 02.09.2012, 03:19 PM |


MËRGIMTARËT, APO „AUSLANDERAT„ NË SHTETIN E TYRE

Tani më nuk ka fare dyshim se sidomos viteve të fundit ka filluar një ndasi e theksuar në mes  të mërgimtarëve, dhe të themi vendasve, apo rezidentëve dhe jo rezidentëve, realisht kjo dukuri vërehet në vazhdimësi, deshem apo nuk deshem ta pranojmë, kështu është.

Nga Xhevat Rexhaj

Qershorët e çdo viti janë muajt më dinamikë në jetën e mërgimtarëve, në qershor nepër çdo ndeje, bisedë, telefonata e kudo tjetër tema e vetme që dëgjohet dhe theksohet nga mërgimtarët shqiptarë është kjo; ej kur po niseni për Kosovë, kah po i bini kësaj radhe, a po shkoni me automejt apo me aeroplan, sa do të rrini? e biseda të tilla të cilat me mburrje dhe me kënaqsësi dëgjohen e komunikohen nga mërgimtarët të cilët me padurim presin ditët e para ë korrikut që tia mësyjnë vendit të tyre, atdheut të tyre, pra shtetit të tyre për të cilin me dekada dhanë shumë, paguan shumë, vepruan për te, dhe sakrifikuan atë që patën për të. Vërtet është diçka shpirtërore të kuptohen dëshirat dhe vullneti i mërgimtarëve për pushimet, në këtë realitet shpesh dëgjohen edhe biseda të tilla që kanë të bëjnë me qështjet materiale, ka raste kur njerëzit lirshem shprehen se kësaj radhe do të shkojnë në pushime edhe pse materialisht nuk qëndrojmë mirë, ngase dikush ka shpenzime për fëmijët e vet rreth shkollimit, dhe gjërave të tjera dikush ka ble shtëpija në vendet ku jetojne, dhe dikush ka ende kredite të ndryshme të cilat i ka marr dikur për vete apo edhe për Familjarët e tij të cilët jetojnë në Kosovë, pra nga e gjithë kjo del në pah se mërgimtarët ende mendojnë dhe ndihmojnë familjet e tyre në vendëlindje, se mërgimtarët në shumë raste ndajnë edhe centet e fundit me bashkëfamiljarë të tyre që edhe ata në Kosovë të kenë një jetë më te¨mire dhe më të dinjitetëshme. Mërgimtarët asnjëhere nuk kursyen për Familjet e tyre, mërgimtarët ishin ata që pas luftës edhe pse të shkallmuar nga ndihmat e shumta që dhanë me dekada për shtetin e Kosovës, dhe në fundë  edhe për luftën megjithate edhe më tutje dita ditës janë të kujdesshëm sa u përket prindërve dhe familjarëve të tjere, mërgimtarët pas lufte me të gjitha mjetet e tyre siguruan shumë kulme dhe shtëpija për familjarët e tyre, u dërguan me mijëra automejte e mjete të tjera të domosdoshme për jetën, andaj të gjitha këto nuk do të duhej dhe nuk guxohet të harrohen apo minimizohen siç  ka shpesh raste kur edhe faktikisht në një apo tjetër mënyrë edhe injorohen!

Sot megjithatë gjërat dhe vetë jeta ka bërë që te mërgimtarët të kenë pësuar shumë ndryshime, sot mërgimtari është më i ballafaquar me Familjen e tij përsonale në shtetin në të cilin jeton, sot duhet më shumë investime për femijët dhe të ardhmën e tyre, sot duhet më shumë investime për të siguruar një jetë më të mirë dhe në një mirëqenje deri dikund me standardet në të cilat jeton akëcila shoqëri e atij apo këtij shteti, pra me të vërtet sot kuleta e mërgimtarit është më e zbrazët, ngase edhe standardi jetësor në përgjithësi ka bërë ngritje marramendëse dhe për këtë çdo Familje po dëshiron që sado kudo të jetoi disi normalishtë e jo si dikur me atë thënjen; paj do të kthehemi shpejt ne atëdhe, andaj këtu nuk po më duhet banesa, shtëipja apo luksi i jetës, ngase po kursei për tu këthyer në vendlindje, gjë që nuk po ndodh dhe me sa po duket nuk do të ndodh asnjihere, e pse kjo është një pyetje për një shkrim tjetër.

Kosova e çliruar, Kosova shtet i pavarur, Kosova me liri të shprehjes dhe me liri të zhvillimit ekonomiko-shoqëror, Kosova vendëlindja e jonë e cila dita ditës për një përqindje të madhe të  qytetarëve të saj po shëndrrohet në një shtet “ të huaj”, në një shoqëri ku dallimet në mes të kësaj përqindjeje dhe të atyre që jetojnë brenda saj po thellohen, dhe po shifen si dita me diell. Ah mërgimtarët, ndoshta edhe nga nostalgjia, nga dashuria e madhe për atdheun dhe nga vullneti që atdheun ta shohin sa më mirë, ata dita ditës disi po zhgënjehen me disa anomali që dëgjojnë, përjetojnë dhe kuptojnë gjatë qëndrimit të tyre në vendlindje. Mërgimtarët, të cilët edhe lëndohen më shumë nga të tilla gjëra shpesh edhe po e humbin durimin dhe po shprehen më ashper kur po atakohen nga të afërmit e tyre, apo edhe nga rrethi shoqëror, mërgimtarët shpesh nuk po kanë as aftësi e besa as gjeturi që të futen në biseda konkrete rreth këtyre dallimeve, dhe shi për këtë nga mos komunikimi i duhur dhe faktues sot kemi shumë raste kur edhe po ndodhin ftohje të marrëdhenjëve ndërfamiljare, mërgimtari po potencon se ai me dekada ka ndihmuar familjen ndersa sot ato ndihma injorohen apo edhe kërkohen edhe më tutje, ndersa ata, pra vendasit potencojnë se ; hajt se nuk e keni bërë namin, kur ne ishim në flakë të luftës ju i kishit bythët në liri në vendet evropiane?, kështu shpesh përfundojnë bisedat e pakuptueshme në mes “atyre dhe këtyre”, ose më drejtë për së  drejti në mes atyre “ TË JASHTIT” dhe atyre vendasve .....

Nëse jemi realistë sot vërtet është prezente kjo dukuri thuaja në të gjitha viset e Kosovës ( une këtu nui flas për Shqipërin dhe viset tjera shqiptare), dhe fatkeqësishtë një opinion i tillë një mosdurim i tillë dhe një mos respektik i tillë  ndaj njëri tjetrit po shton edhe dilemat se mos po shëndrrohen mërgimtarët shqiptarë në një mënyrë apo tjetër në “ të huaj” apo “ Auslandera”, kam frikën se po, dhe me disa shembuj të fokusuar duhet të mundohemi të dokumentojnmë këtë fenomen:

-          Dallimi i parë është që në fillim të futjesë së mërgimtarëve në shtetin e tyre, pas një udhëtimi shkatërrues me makinat e tyre me mbi më shumë se 25 e 30 orë, të mbushur me gjësende dhe me fëmijët e tyre të rraskapitur, ata duhet të shikanohen mu në kufirin e tyre, dhe atë nga një gjobë hajnie për kinse një lloj sigurimi që nuka ka asfarë vlere, pra një sigurim që besohet se në fund përfundon në xhepat e hajnave, pra kontrabanduesëve dhe kriminelëve të pushtetit, e në këtë rast në xhepat e grupit të vëllaut të hiq më pak se Kryeministrit të Kosovës?!

-          Me arritjen  e mërgimtarëve në shtëpitë apo banesat e tyre fillon edhe një depresion tjetër i cili tani më ka të bëj me rrethin e ngushtë familjarë. Që në fillim aty qështja e parë që vie në pahë është se athua mërgimtari ka sjellur pak para edhe për ata, pra vendasit, kështu që aty edhe fillojnë të duken sheshazi raportet në brendi të Familjes, nxehje apo ftohje raportesh....?!

-          Mërgimtarët të cilët në një apo tjetër mënyrë duhet të rregullonë ndonjë dokument, qysh në start duhet të jenë të kujdesshem dhe të mbushin pritjet e “ çinovnikëve”, pra nëpunësve të komunave, me nga pak euro që kinse dokumentet të ju rregullohen më shpejt ( me këtë rast më duhet të them se kam shumë informatat të tilla nga mërgimtarë të ndryshëm, ama une asnjëhere nuk jam pajtuar dhe nuk do të püajtohem me këtë fenomen, ngase disa mërgimtarë edhe vet me mendjemadhësi të tyre korruptojnë panevojshem njerëz të dministratës...) por megjithatë ky fenomen i qitjesë së drekave apo edhe dhanjës së një 10 apo më shumë eurove është fakt i pamohuar.

-          Një ndër diksutimet dhe polemikat më të shpeshta në mes vendasve dhe “ shacave”, pra mërgimtarëve është qështja e makinave, pra automjeteve, ngarja e shpejtë e tyre dhe mendjemadhësia kinse e mërgimtarëve, karshi një situate të vështirë ekonomike ku kinse gjysma e popullatës së Kosovës jetonë në varfëri edhe pse realishtë une këte nuk po e vërej aq shumë, kur kemi parasysh restaurantet e mbushura dhe makinat e natelat e tyre nga të gjithë anëtarët e familjeve?! Ata atje , pra vendasit në çdo bisedë kritikojnë, shajnë dhe satanizojnë në përgjithësi të gjithë mërgimtarët se kinse po ngasin si pa krye makinat, po sjellin kaos në komunikacion dhe po sjellin edhe vdekje të njerëzve në rrugët e Kosovës? Nga ana tjetër mërgimtarët në vetmbrojtje potencojnë se ata, pra vendasit janë të pakujdesshem, janë të paaftë dhe se kanë marr leje me para dhe njoftësi, andaj edhe sillen të pa kontrollë nepër rrugët e Kosovës, se ata, pra vendasit nuk u përshtaten rregullave të komunikacionit dhe se ata janë shkaktarë të shumë fatkeqësive në komunikacion? Nëse merren të dyja këto konkludime diametralishtë të kundërta dhe analizohen atëhere mund të vijmë në përfundim se ka raste kur disa mërgimtarë vërtet e bëjnë bërllog me ngarje automjetesh, por në realitet ata, pra vendasit shkurt e shqip sillen në mënyrë brutale si ngasës automjetesh, dhe për këtë kam personalishtë një përvojë të hidhur,dhe jo vetëm une. Qështja rreth makinave dhe ngarjesë së tyre kjart shifet se po thellon dallimet dhe mos tolerancën në mes nesh edhe pse sidomos kjo temë nuk do të duhej të ishte fare prezente, ngase mërgimtarët kanë fituar bindje se këtu luan rol xhelozia? edhe pse une nuk do pajtohesha sepse sot në Kosovë makinat lukse dhe shumë të shtrenjëta ngahen konkretishtë nga vendasit, pra ata posedojnë makina luksoze të cilat ne në perendim as mund ti shofim ëndërr....

-          Një problem tejet i madh dhe shumë kompleks është qështja e përditshmërisë, aspektet politiko-shoqërore dhe ato ekonomike me qështje sociale dhe me qështje të sigurisë. Dihet mirëfilli se sidomso mërgimtarët janë të uritur që kur të shkojnë ne vendëlindje atje të kenë kontakte, biseda, konfrontime mendimesh, polemika  e të tjera në komuniikime me njerëz të ndryshëm të fushave të caktuara. Këtu qëndron edhe një ndër problemet më të theksuara sipas mendimit tim, ngase atje, pra te vendasit ende mbretëron një vetëdije se ne mërgimtarët jemi njerëz të lopatave, të torrokopëve, të kanaleve, të muratorëve, të kamarierëve, të invalidëve e të parazitëve të caktuar, shkurt te shumica është i ngulitur ky fenomen shumë iritues dhe aspak i saktë, andaj edhe bisedat dhe komunikimet e ndryshme shpesh sjellin situata konfliktuoze, dhe jo të këndëshme rreth kësaj dukurie. Mjerishtë ata atje, pra vendasit mendojnë se ne nga mërgimi fare nuk jemi në rrjedha sa i përket realitetit në Kosovë, ata, pra vendasit sillen si njerëz që kinse dijnë shumë rreth shumë gjërave, ata mëtojnë të na sygjerojnë neve se ne nuk duhet të merremi me politikë e që mos  të diskutojmë, të shkruajmë apo të kritikojmë atë apo këtë tjetrin rreth këtyre gjërave?! Me këtë ata atje, pra vendasit shkurt po tregohen jo vetëm injorant por në realitet shumë të pamatur dhe shumë të painformuar vet me ato se çfarë ndodhin në shtetin “ e tyre”, pra ata realishtë po tregojnë se nuk lexojnë fare, ngase ka gazetarë, publicistë, analistë, politikaj, ekonomist, juristë, profesionistë të fushave të caktuara, biznismen e çka jo tjetër nga mërgata që dita ditës publikojnë, shkruajnë dhe analizojnë rreth situatës në Kosovë si në mjetet e informimit shqip e gjithashtu edhe në mjete apo media të shteteve të ndryshme ku jetojnë vet mërgimtarët. Thjeshtë ky është një realitet, dhe kur këtë ua thua atyre ata si me ironi dhe me mosbesim e luajnë kokën, pra thjeshtë ata vërtet nuk janë në rrjedha se çfarë po ngjet me shqiptarët në mërgim të cilët dita ditës po bëhen njerëz të respektuar nga shtetet ku ata jetojnë. Bisedat rreth politikës me ata, pra vendasit të bëjnë të kuptosh se ata vërtet nuk janë në rjedha fare, nga ata mjerishtë nuk ka njeriu se çfarë të dëgjoi, diç që meriton respekt, ngase shumica prej tyre nuk lexojnë fare, nuk kane qasje dhe nuk e dijne se çfarë është sot kompjuteri, shkurt ata mendojne se kanë tru e mendje, por realisht shumicës prej tyre ai tru dhe mendje iu ka ndalur  dikund në shekullin e kaluar, dhe se  nuk kanë pësuar ndryshime evolutive fare, mjerim dhe realitet . Në shumë raste ata përpiqen të tregojne se ne në mërgim nuk kemi pse të perzihemi në politikën e brendshme ngase nuk jemi më qytetarë të atjeshem? apo nuk e kuptojmë situatën, shpesh u thuhet mërgimtarëve se ; au po ju atje skeni gazeta dhe mjete tjera informative e ku po e dini se çka po ndodh këtu te ne????? Me këto fjalë njeriu e kupton se ku dhe si jetojnë një numër i caktuar i njerëzve atje posht, pra vendasit.... Në gjithë këtë shkrim nuk mëtohet që të futen në një thes të gjithë bashkëqytetarët tanë atje,jo asesi, por një numër goxha i mirë i tyre vërtet po sillen në mënyra të caktuara dhe po krijojnë huti te mëgimtarët të cilët edhe nuk janë pa faje, ngase në shumë raste edhe ne me sjelljet tona po nxisim mostolerancë ndërvëllazërore dhe ndër familjare, për këtë një herë tjetër, ama që të thuhet se nuk ka dallime dhe nuk ka ndasi në mes “ vendasve” dhe atyre “ të jashtit” është e pasaktë, dallime ka dhe ato për thellohen dita ditës, me këtë mjerishtë më së shumti po pësojnë mërgimtarët ngase nga një here të të qenurit “ Auslandera” në shtetet ku ata migruan para shumë vitesh, ata tani për së dyti po e përjetojnë këtë fjalë gjermane edhe në shtetin e tyre, e për këtë meritë të madhe ka edhe vet pushteti- Pushtues i Kosovës, pushtet që mjeli mërgimtarët dhe në anën tjetër i hudh mërgimtarët si limonët e shtrydhur.

Pa marr parasysh a mërgimtarë, a qytetarë të Kosovës apo “ të jashtem” e të brendshëm, shqiptarët e mërgimit ishin dhe mbesin arka dhe mielli i Kosovës, ata dhanë, japin dhe do të japin gjithmonë atë që munden për shtetin e tyre si dhe për bashkëfamiljarët e tyre, prandaj pak më shumë respekt nga ata atje, pra vendasit!...