Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Hoqa shqiponjën nga flamuri...

| E merkure, 29.08.2012, 05:28 PM |


Shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha nga Kosova (Peja) u nderua me Çmimin e Dytë për poezinë më të mirë në Festivalin e Parë “Poeteka Gjithëkombëtare – Ndue Bytyçi” që u mbajt në Tiranë, më 26 gusht 2012, e në të cilin morën pjesë shumë poetë dhe poete nga Shqipëria, Kosova, SHBA dhe nga diaspora.

HOQA SHQIPONJEN NGA FLAMURI...

(Mos më qortoni, ndoshta kjo nuk i ngjanë poezisë, as historisë!)

1.
Shikoja flamurin si valonte
Mendueshëm në erë
Flladi i puthitej për trup
Gjithnjë kështu
Derisa nga pëlhura e kuqe
Hoqa shqiponjën
Fluturo e lirë kah të duash
I thashë
Ajo mori krahë
Dhe u zhduk shkrepave

2.
Ngjyrën e kuqe
Nga pëlhurë e flamurit e nxora
Shko dhe gjeje qarkullimin e gjakut
I thashë
Iku si mos të kishte qenë
Kush e di  se kah
Shprushte gjakun e njeriut

3.
Një ditë
Sërish shikoja flamurin si valonte
Në te
Ishte kthyer shqiponja
Edhe ngjyra e gjakut
Këtu e kemi vendin-thanë
Dhe s’lëvizim dot
Jemi shekujt duke i përcjellë

4.
Thashë
Po sa shumë janë të lidhura
Shqiponja me ngjyrën e kuqe
Atëherë
Kush mund të bëjë mëkat
Nëse përpiqet t’i ndajë këto dy madhështi
Të mbështjella me libra krenarie
Me dhembje e lumturi në gji

5.
Pëlhura
Ngjyra e kuqe dhe shqiponja
Sa herë janë copëtuar
Sa herë janë djegur
Sa herë janë futur në gji
Sa herë e kanë mbështjellë trupin e njeriut
Sa herë janë bërë grimë-grimë
Dhe sërish janë të lidhura bashkë
Çfarë dashurie është kjo
Që nuk peshohet me barrën e shekujve
As dot nuk e ndryshkin kohërat

(Poezia që u nderua me Çmimin e Dytë)