| E diele, 26.08.2012, 09:59 AM |
DHUNSHËM DHE RREZIKSHËM
Nuk ka patriotizëm më të madh se të luftohen radikalët islamikë në Kosovë. Ata që dhunshëm po përpiqen t’i mveshin vendit identitet fetar.
Nga Imer Mushkolaj
U trishtova sërish ditët e fundit, pas leximit të një hulumtimi për rrezikun që i kanoset Kosovës nga radikalizmi islamik. Jo aq nga ideja se ata që e ndjekin këtë rrugë po shfrytëzojnë çdo formë për të bindur sa më shumë njerëz që t’u shkojnë pas, por më shumë nga fakti se autoritetet po merren me ta fare pak, për të mos thënë aspak, duke i lënë të operojnë lirshëm.
Organizata të identifikuara si mbështetëse të terroristëve tash sa vjet financojnë ndërtimin e xhamive nëpër Kosovë dhe të tjera projekte. Të fshehura kryesisht pas emërtimeve “humanitare” e “kulturore”, ato pa pikë pengesash vazhdojnë agjendat e tyre radikale.
Që nga përfundimi i luftës, Kosova është shndërruar në oazë të organizatave të shumta “humanitare” - jo vetëm myslimane, të cilat qëllim parësor nuk e kanë humanizmin. Me to nuk është marrë askush seriozisht, por ato janë marrë seriozisht me ne.
Njerëzit e varfër e kanë pranuar ndihmën e tyre si shenjë të vullnetit të mirë, pa iu ardhur ndërmend se lehtësisht mund të keqpërdoren për të tjera qëllime.
Kemi parë viteve të kaluara skena trishtuese, me vajza të vogla të mbuluara me shami. Kemi dëgjuar edhe arsyetime të tipit se ato po duan vetë të mbulohen!
Kemi parë edhe veprime të dhunshme të radikalëve islamikë, që kanë ardhur të na tregojnë se cili është islami i vërtetë.
Ata kanë rrahur hoxhallarë që nuk e pranojnë mënyrën e tyre të praktikimit të fesë, ndërkaq në ligjëratat e veta bëjnë thirrje për luftë ndaj “të pafeve”. Vazhdojnë t’i luftojnë të gjithë ata që mendojnë ndryshe dhe që nuk e pranojnë mënyrën e re të të jetuarit. Duan që Kosovën ta arabizojnë, ta largojnë nga praktikimi i islamit tradicional dhe të sjellin një frymë dhe mënyrë jetese që s’është parë ndonjëherë këndejpari.
Ata kanë sulmuar imamë që kanë këmbëngulur të ruhen dhe kultivohen vlerat fetare, të cilat janë trashëguar nga të parët. Dhe, gjithçka e kanë bërë me mbështetjen e heshtur të Bashkësisë Islame të Kosovës, institucion që duket se është kapur nga radikalët.
Rastet e dhunës ndaj hoxhallarëve që praktikojnë islamin tradicional, por edhe protestat për ndërtimin e një xhamie të madhe në Prishtinë dhe për lejimin e bartjes së shamive nëpër shkolla duhet të jenë alarm për të gjithë, në radhë të parë për institucionet, se sa të rrezikshëm mund të jenë ata që nuk zgjedhin mjete e as mënyra për t’i arritur qëllimet e tyre.
Ata që ligjërimet përpara xhematit i kanë të mbushura plot jotolerancë, mllef e fyerje ndaj feve të tjera, plot thirrje për dhunë ndaj të tjerëve që nuk janë si ata.
Ata që arsyetojnë vrasjen e të pafajshmëve “në emër të islamit”, që urrejnë Amerikën dhe çdo gjë amerikane, që Osama bin Ladenit i thurin vargje e i këndojnë këngë.
Ata që flasin për islamin si fe të paqes dhe tolerancës, por që shfaqen jotolerantë e racistë.
Ata janë të rrezikshmit, të dhunshmit.
* * *
“Shqiptarët kanë qenë myslimanë për më shumë se 500 vjet dhe atyre nuk iu duhen të huajt (arabët) për t’iu treguar se cila është mënyra më e mirë për ta praktikuar islamin”. Kjo deklaratë e Rexhep Bojës, ish-udhëheqësit të Bashkësisë Islame të Kosovë dhe personit i cili u përpoq të përballojë presionin e misionarëve radikalë ndaj BIK’ut, flet shumë për identitetin fetar të shumicës së kosovarëve.
Myslimanët e Kosovës janë në përgjithësi trashëgimtarë të islamit osman por këta misionarë, të cilët Boja përpiqej t’i mbante sa më larg BIK’ut, po provojnë që identitetin kombëtar shqiptar ta shndërrojnë në një identitet fetar. Ndonëse zyrtarisht e publikisht pa agjenda radikale e të dhunshme, ata ditë e natë përhapin pikëpamjet e tyre ekstremiste dhe fshehurazi rekrutojnë të rinj që përkrahin idetë e tyre.
Vendin e Bojës në BIK e ka zënë Naim Tërnava, i cili nga disa imamë është akuzuar se përkrah gupe radikale dhe ekstremiste islame. Madje Stephen Suleyman Schwartz, drejtor i Qendrës për Pluralizëm Islamik me seli në Washington, e ka cilësuar atë si një prijës vahabist në Kosovë. Sipas Schwartz’it, islami sunit i kosovarëve është konvencional dhe i moderuar, kurse sufizmi shpirtëror një fuqi ndër besimtarët.
Por, pikërisht ky islam i moderuar po luftohet nga radikalët. Dhe ata do të vazhdojnë veprimtarinë e tyre derisa të lejohen ta bëjnë një gjë të tillë.
Nuk dua të besoj se aktivitetet e tyre nuk vëzhgohen a mbikëqyren nga askush në Kosovë. Po ashtu, nuk dua të besoj se udhëheqësit kosovarë nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun që i sjellin ata vendit.
Luftimi i
radikalëve islamikë duhet të kthehet në prioritet të autoriteteve dhe të shoqërisë.
Nuk ka patriotizëm më të madh se të pengohen ata që po përpiqen t’i mveshin
vendit identitet fetar. Dhunshëm dhe rrezikshëm.