| E enjte, 23.08.2012, 08:03 PM |
KRENAR TË
JESH SHQIPTAR
Nga Prof. Sali Bollati - Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Çamëria, Sh.B.A.
Këto kohët
e fundit, shkrimtari shqiptaro-amerikan me banim në Nju Jork, zoti Pierre-Pandeli
Simsia doli para lexuesit me një libër të ri të titulluar:
"Dr.
Selahedin Velaj, Legjenda vlonjate në Amerikë"
kushtuar
jetës dhe veprimtarisë së një ndër burrave të ndritur të Diasporës Shqiptare në
Sh.B.A, vatranit veteran, themeluesit dhe drejtuesit të Shkollës Shqipe në Nju
Jork, Dr. Selahedin Velaj.
Duke
lexuar vler;simin dhe pritjen e mirë që i ka bërë lexuesi këtij libri (Këtu kam
parasysh komentet që ka bërë gazetari i mirënjohur, Z. Albert Zholi, i cili është
edhe botuesi i librit, dhe shpërndarja e librit në libraritë e Tiranës) libri
pati fatin e mirë që të bëhej edhe prezantimi (promovimi) i tij në qytetin
bregdetar, Vlorë, nga ku e ka edhe origjinën edhe Dr. Selahedin Velaj.
Fotografitë,
videot filmike dhe komentet e ndryshme të pjesëmarrësve vlonjatë në ditën e promovimit,
si edhe pjesëmarrja e autorit të librit së bashku me bashkëshorten dhe dy djemtë
e tij, shkuar enkas nga Amerika në Vlorë, e tregojnë më së miri suksesin e madh
që ka patur libri, autori Simsia dhe vetë personazhi kryesor, Dr. Velaj.
Isha i
interesuar ta lexoja atë libër dhe, për fatin e mirë, m'u dha mundësia ta kem
edhe unë në bibliotekën time në shtëpi, midis librave të shumtë.
Duke
shfletuar faqet e librit, që në rreshtat e parë e deri në mbarim të tij,
kuptohet qartë që libri është shkruar me ndjenjë, dashuri, respekt të veçantë nga
z. Pierre-P. Simsia.
Gjuha e
thjeshtë dhe frazat origjinale që përdor autori Simsia në libër, si studiues,
duke na sjellë pjesë të ndryshme nga jeta e Dr. Selahedinit, që nga fëmijëria e
tij e hershme nga Vlora ku u lind dhe u rrit, vështirësitë e emigracionit, vështirësitë
e punëve të rënda, etja e tij për shkollim, diplomimi i tij si ekonomist,
akademik, Dr. shkencash, tregojnë, jo vetëm figurën e ndritur të këtij
atdhetari të nderuar që gjithë jetën në emigraion ia ka kushtuar atdheut, çështjes
shqiptare, por edhe punën kërkimore të kufizuar të shkrimtarit Simsia në gjetjen
e materialeve për të dalë para lexuesit me një libër, sido që të jetë ai, i
madh apo i vogël nga numri i faqeve të tij.
Shumë të nderuarin
Dr.S.Velaj, e kam takuar dhe njohur prej vitesh në tubime bashkëatdhetarësh në Komunitetin
Shqiptar të New Yorkut.
Ai
gjithmonë me gjallëri shprehet, këshillon dhe ndihmon me bujari në zgjidhjen me
urtësi të problemeve familjare e kombëtare që ndeshim si emigrantë këtu.
Por duke
lexuar paraqitjen shumë të goditur e kuptimplotë nga autori z. Pierre P. Simsia,
kuptova se vërejtjet dhe këshillat që pata degjuar më parë ishin pjesë e
shpirtit dhe zemërs së këtij Shqiptari të Madh.
Sot
shkruhet e flitet shumë për ADN e njeriut, por jo aq sa është e vërteta e
brymosjes dhe trashëgimisë familjare. Gjyshi, babai, atdhetari 90 vjeçar i sotëm,
ishte vetëm një djalë i ri, kur u detyrua të largohet nga familja dhe Atdheu.Them
u detyrua për arësye se luftoi dhe e donte familjen dhe atdheun jo nën
komunizmin antishqiptar. Por me krenarinë e të qenit Shqiptar, djaloshi i ri
punoi me këmbëngulje ne çdo punë të vështirë që iu ofrua, studjoi me pasion e
vendosmëri deri sa arriti në majat më të larta intelektuale, krijoi një familje
të ndershme e të denjë për kohën e vendin nga ka ardhur dhe këtë që jetojmë sot.
Gjuha është
një nga tiparet më karakteristike të kombit; gjuhën e ëmbël shqipe, jo vetëm ua
mësoi dy djemve të tij (megjithëse nënën e kanë italiane!) por, duke hapur, ndihmuar
dhe drejtuar shkolla shqipe këtu në NY, u krijoi mundësinë fëmijëve të bashkëatdhetarëve
tanë, të mos e harrojnë gjuhen shqipe.
Dhe për këtë
meritë të madhe, hapja e Shkollës Shqipe, siç e përmend edhe autori Pierre-P. Simsia
në libër, që në shumë raste Dr. Selahedini ka ditur të zgjedhë heshtjen, e lartëson
atë edhe më tepër, pa e ngritur zërin të bërtasë e të mburet me atë që bën. T'i
shërbesh kombit me dashuri, vetmohim dhe në heshtje, pa ekspozuar atë që bën, është
gjëja më humane që mund të bëjë njeriu, duke marrë vlerësimin, dashurinë,
respektin e bashkatdhetarëve dhe bekimin nga vetë atdheu dhe kombi.
Pjesëmarja
e Dr. S.Velaj ne simpoziume ndërkombëtare si në Itali,Kosovë për gjuhën shqipe është
shumë e vlerësuar.
Një nga
karakteristikat dalluese tonat, toleranca fetare, simbolizohet te Dr.S.Velaj.
Me
respekt ndaj Zotit, e ndjejmë vehten krenarë për emrin dhe besimin që na kanë
dhënë prindërit.
Ai dashuroi, dhe kjo dashuri e respekt reciprok vazhdon per afro 70 vjetë, nje
vajzë italiane me besim katolik.
Kur
prifti italian, siç na e jep edhe autori Simsia në libër, nuk pranoi ti
kurorizojë, vetëm se dy të rinjtë e dashuruar nuk ishin të së njëjtës fe,
Kryetari i Bashkisë së qytetit italian, nga ku ishte edhe bashkëshortja e Dr. Selahedinit,
edhe ai italian, e firmosi martesën e dy të rinjve të dashuruar, të cilët
pavaresisht nga emrat dhe besimi që trashëguan, bashkëjetojnë në harmoni dhe
respekt të plotë ndaj njeri tjetrit.
Nderin
dhe krenarinë e shqiptarit e ka shpalosur Dr.Velaj kudo, nga Spanja në Japoni.
Kur e
pashë me Flamurin dhe kostumin karakteristik shqiptar duke referuar në Universitetin
e Tokios për zakonet e të drejtat e shqiptarëve, pata përshtypjen se po shohim të
gjallë të madhin shqiptar Faik Bej Konicën!
Dr. S.Velaj
gjatë gjithë jetës lufton për të drejtat e shqiptareve në trojet etnike. Me punën
e palodhur e vendosmërinë e tij si në Washington, Rambuje, Prishtinë e deri në Tokion
e largët ka angazhuar senatorë, deputetë e qeveritarë e profesorë të shquar
duke ju bashkuar problemeve për zgjidhjen e të drejtave tona.
Kur
shovinistat bizantinë grekë, si me petkun e diplomatit palaço, ashtu edhe të deputeteve
tip nazista, rifilluan provokimet me kerkesa mesjetare ndaj shtetit shqiptar,
Dr.Velaj megjithëse ishte ne pikëllim shumë të madh për humbjen e djalit të tij
, Dr.Drinit; na telefonoi. dhe na mblodhi ne një grup të madh intelektualësh
atdhetarë. Aty duke u shprehur se pavarësisht se fizikisht ndodhemi larg Tokës
Nënë, me mendje dhe zemër jetojmë bashkë. Dhe me porosi të tij, u drejtuam me këto
shqetësime, një promemorie politikanëve dhe qeveritarëve në Tiranë Fatkeqësisht,
ata ishin duke u sharrë me njeri tjetrin, pra nuk ju tepron koha per shqetësime
të tilla, shqetësimet e diasporës, që janë edhe shqetësimet e mbarë kombit tonë.
Dhe ashtu
siç flitet në libër “least but not last”, një tjetër karakteristikë e veçantë për
Dr.Selahedin Velaj, është modestia e tij njerëzore.
Në dallim
nga disa bashkëatdhetarë që pa kontribuar në drejtim të zgjidhjes së problemeve
të komunitetit shqiptar, shtyhen për të dalë në fotografi e gazeta.
Siç e ka
përmendur edhe vetë autori Pierre-P Simsia, ky libër mbetet i hapur, në të janë
shkruar të thënat e të pathënat, për vetë modestinë që e karakterizon Dr. Velaj-n,
i cili është gjithmonë i mbyllur për veten e tij, duke mos e ngritur zërin për
atë që bën, i duket mburje.
Dua ta
falenderoj autorin e librit, z.Pierre P.Simsia, për punën e tij studimore që ka
bërë, në përkushtimin dhe ndjenjen e respektit dhe dashurise shqiptare që na
prezanton këtë vepër të denjë atdhetare.
Ai, me këtë libër të vogël ( Ari është i vogël, por vlerën e ka të madhe), na tregon figurën e vërtetë të një Atdhetari, që me të drejtë unë e quaj si shumë bashkatdhetarë të tjerë NDER I KOMBIT SHQIPTAR.!