| E marte, 21.08.2012, 07:19 PM |
Vepra
poetike “Udhë zjarresh” e autorit Adem
Xheladini vjen si porosi kolektive nëpër
një rrugëtim të pa jetuar!!!
Nga Safet Hyseni
Krijuesi Adem Xheladini është një emër tani më i
njohur në poezinë shqipe që krijohet jo vetëm në trevat shqiptare në Maqedoni,
por në hapësirën mbarëkombëtare si dhe në zhanret tjera të letërsisë artistike.
Ka më shumë se tre dekada që ai është prezent në revistat letrare si me zhanrin
e dramës për fëmijë dhe të rritur ku dhe ka publikuar tre vepra, pastaj është dëshmuar
në kritikë letrare, gazetari e publicistikë dhe herë pas here ka botuar
edhe krijime poetike në revista të ndryshme, por kësaj radhe na erdhi me një titull
tepër të arrirë ku përmbledh krijimet e tija poetike të viteve të fundit. Përmbledhja e tij poetike “Udhë zjarresh” është
një emër simbolik ku ai shtjellon në mënyrë artistike fenomene shoqërore,
ndjenja të jetuara, dëshira të pajetuara e të paprekura në një rrugëtim nga “dheu”
të cilin e himnizon njëjtë sie poetët e traditës kombëtare, të cilën në mënyrën
më kuptimplote na e sjell si një porosi
kolektive, për të rrugëtuar dhe kërkuar udhën e dritës. Veç dheut poeti
nga cikli në cikël në mënyrën më artistike
zbërthen fenomene të një shoqërie në rrugëtim
të përshpejtuar deri te vargu lirik dhe
ai erotik i “krojeve të mjaltit”, herë e
cilësuar si etje, herë si zjarr, herë si e përjetuar duke kaluar në ëndrrën e
pathinjur me një varg si një dëshirë të paarrirë, vegim i një shpirti të përvëluar që e detyron autorin të krijoj vargje me një kuptim
magjik ku nuk mungon koloriti shumëngjyrësh që të mbërthen dhe të bënë për veti
siç të bënë një ditë e freskët pranvere me të gjithë zhurmën, cicërimat dhe ngjyrat që sjellë. Poeti A. Xheladini
edhe pse ngutet për t’i thënë të gjitha në një përmbledhje, dhe ai duke e
kuptuar këtë, qëllimisht e ndan veprën në nëntë cikle me përmbajtje të ndryshme.
Çdo cikël është tejet përmbajtjesor dhe kalon nëpër të gjitha të paprekurat dhe
thyen tabu që ndoshta nuk janë pritur apo nuk janë përjetuar nga penat e moshës
së tij, por ai një veprim të tillë e bënë me mjeshtrin më të madhe dhe shumë natyrshëm,
duke mos përdor asnjë lloj arme siç përdorin poetët tjerë gotën me verë. Sot
kur kemi lloje të ndryshme të krijimtarish dhe kur kemi botues të ndryshëm vështirë
është të hassh në vepra të mirëfillta letrare dhe të arrira në formë e përmbajtje,
madje të ndërtuara për të përballuar kohë,
ashtu si që bënë autori me simbolikën dhe personazhet që krijon autori. Ai në këtë vepër të madhe poetike hedh hapin përtej
bregut faktorit ekzistues momental, që vepra
të rezistoj dhe t’iu mbijetoj kohëve. Mesazhet që burojnë nga poezia e tij në ciklin
e parë “Udhë zjarresh”, nga figurat poetike janë tejet të kapshme nga lexuesi
dhe krijojnë një lidhje tejet të afërt në mes të individit dhe dheut, flakës
dhe etjes, bukës dhe dheut, themelit dhe jetës, lindjes dhe dashurisë, dashurisë
dhe dheut, ujit dhe dritës, zotit dhe besës, besimit dhe dashurisë si dhe një mori
figurash të krijuara në mënyrën më artistike, më autoktone, figura tradite ku lexuesi ka mundësi të bëhet njësh me
vargun. Të shëtitësh nga poezia në poezi duhet të shkruash e të thuash shumë dhe
mendoj se kjo jo vetëm që duhet të thuhet por jam i mendimit se do thuhet dhe
shkruhet shumë për këtë përmbledhje, ndërsa të shëtitësh nga vargu në varg
duhet të kesh një kohë shumë të madhe por mendoj se kësaj radhe vetëm do zbërthejmë
ca të dhëna nga cikli në cikël. Edhe pse nuk mund të thuhet e gjitha, cikli i parë që mban emrin “Udhë zjarresh” është
një cikël që jep një mesazh kolektiv me një thurje artistike ku nuk mungon as
ngjyra dhe as figurat poetike. Duke filluar nga poezia “Prekje” autori fton
lexuesin që të udhëtojnë bashkë në agimin e madh. Ai vazhdon me poezinë Lutje që
është një monolog të braktisurish për të vazhduar me “Vendlindjen”, “Udhë zjarresh”,
“Labëri”, “Pesha e erës”, “Athua?!” për ta përfunduar ciklin me një poezi që është
si poemë “Aromë lirie” që është një cikël i përkryer me figura të shumta
artistike dhe me një frymë dashurie për jetën. Krijuesi na e jep kuptimin për jetën, lirin përmes figurave të shumta me
kuptime të dyfishta si Toka-dheu-atdheu, drita-dielli-hëna, zjarri-gjaku-dëshmori,
pulëbardhë-kaltërsi-liri-Iliri... të gjitha këto janë aq mirë të thurura sa që vargu
lexuesin e bartë nga një hapësirë në tjetrën për t’i rrëfyer rrënjën-jetën-atdheun.
Poeti A. Xheladini me ciklin e parë e shtije lexuesin që të mësojë alfabetin e
dashurisë për dheun, dritën, diellin, hënën, për jetën, rrënjën dhe në një mënyrë
të harmonishme e bartë për të bërë LIRIN, për të nderuar dhe ndërtuar ATDHEUN duke zgjedhë mënyrën ciklike të dashurisë. Duke aluduar në
një vepër-kryevepër të tij dhe që çdo varg bart vlera të larta artistike si dhe
një përmbajtje ta madhe njerëzore, humane dhe kombëtare flet për ndërtimin e
personalitetit të poetit. Stili i veprës së poetit është i lirë, por herë pas
here ai për të dëshmuar se është dhe mjeshtër i rimës na sjell shumë poezi të shkruara
në këtë stil. Struktura e vargut rrjedh sipas vullkanit shpirtëror të poetit me
një leksik të qëlluar e figura të pasura artistike. Larmia e peizazheve gjate
udhëtimit poetik nga poezia në poezi, nga vargu në varg tregojnë për një stil
origjinal dhe kapjen e temave duke depërtuat thellë në shpirtin e lexuesit dhe
duke ecur me faktorin kohë dhe hapësirë për të bërë lexuesin të afërt me veprën,
dhe për të ndërgjegjësuar idealin e dashurisë ndaj dheut-atdheut. Nga poezia apo vargu liriko-atdhedashës
autori shalon lapsin për të gjunjëzuar heronjtë e rrejshëm që me mashtrimet e
tyre ia kanë bërë pritë dritës, ia kanë zënë frymën lirisë, jo vetëm kaq por për
ca caste edhe e kanë vrarë. Këto janë ca
“Kalorës kotësie”që nuk do kenë jetë të gjatë se gjumin e bëjnë në prehrin e
lakmive duke bërë shërbime shumë të ulëta. Më pas me mjeshtëri të vërtet në ciklet
e mëpasme do takohemi me vargun lirik që shkëlqen nga tablotë shumëngjyrëshe
dhe larmia e madhe e figurave artistike duke na dhënë piktura me pejsazhe shumë
të pasura. Autori kah fundi i veprës së tij poetike sikur kthehet në vitet
rinore, apo sjell kujdesën e ëndërrimeve
për të na dëshmuar se dashuria sa do vjet që të ketë bërë është ajo që nuk
thinjet, por për atë (autorin) tani nuk ekzistojnë tabu tema dhe ai me shumë mjeshtëri
krijon edhe vargun erotik por pa u kuptuar nga figurat e shumta poetike. Poezia
e Adem Xheladinit ka shumë jetë përbrenda, shumë histori njerëzore, shtjellon
raportin e njeriut me natyrën, e bashkëkohores me mitin, lufton zvarranikët dhe
krimbat e shoqërisë, hijet dhe prapaskenat, servilët dhe parazitët, zullumqarët
dhe antinjeriun.., dhe ajo që është më e arsyeshmja, më e madhja, ai mbjell dashuri njerëzore, dashuri të njeriut
me dheun, të njeriut me dritën, të njeriut më natyrën, të njeriut me njeriun, të
njeriut me dellin... ai nëpërmjet vargut kërkon thellimin e rrënjës, jetës për
t’i bërë ballë erës, kohës. Poezie a Ademit ka shumë ritëm, ka shumë sharmë dhe
lexohet shpejt dhe me kënaqësi. Në këto poezi autori ka zgjedhur jetën si
realitet, dashurin si kuptim për jetën dhe mendoj se këtë nuk e ka përzgjedhë për
hir të ndonjë mode por për hir të ekzistencës së dheut-atdheut-lirisë. Përse
duhet thënë kështu?! Jam i mendimit se që kur nisë me lexua poezitë ne ndeshemi
me dheun, gurin, lumin, fushën, dritën, dellin, erën e mbi të gjitha ai është vënë
në harmonizimin e tyre me dashurinë për atdhe dhe liri, dashurin ciklike për
ekzistencë. Poeti ka ca çaste kur merr
rrugë nëpër udhë të panjohura, të paprovuara por gjithsesi ato i arsyeton me ëndrrën
rinore se akti erotik nuk ndodh njëjtë dhe si e dëshiron në ëndërr apo si e
sheh si vegim, por është i paparashikueshëm dhe nuk ka në thelb ekzistencën por
pasionin. Gjithsesi vepra “Udhë zjarresh” është një vepër që autorit i bënë vend
në kulmin e letërsisë kombëtare shqiptare.