| E marte, 21.08.2012, 06:10 PM |
SAHAT ME
NJË AKREP
Nga: KALOSH ÇELIKU
Im Atë, vërtet
ishte burrë i mençur: I dinte spiunët. Titujt “partizanë” ua lexonte në sy e
ballë. Edhe, kur kishte probleme me mua si shkrimtar u thoshte: Kaloshi është sahat
me një akrep. Nuk dihet kur është dymbëdhjetë, e kur një. Dorën në zemër, në atë
kohë edhe ia merrsha inatin. Edhe pse, ai e thoshte realitetin. E, në anën tjetër
herë pas here ma tërhiqte vërejtjen, të kem kujdes nga “shokët dhe miqtë patriotë”.
E sidomos, me Hoxhën e Allahut. Një gazetar tjetër
Përçudi,
të nesërmen na zbulonin se jemi të dërguar si spiunë jugosllav. Agjentët e
sigurimit shqiptar na e përplasnin në sy, se: nuk i kemi emrat dhe vendlindjet
e vërteta me të cilët ishim prezentuar para organeve të sigurimit shqiptar si të
“arratisur politik”. Përmëtepër, na i thonin para syve emrat dhe mbiemrat e vërtetë,
dhe nga cili katund ose qytet vinim si këlyshë jogosllav për spunim në Shqipëri.
Vite më vonë,
ne të “burgosurit politik” do ta mësonim të vërtetën e zbulimit historik. Ashtu
siç hidhte matanë kufrit spiunë gjoja si të arratisur politik shteti jugosllav,
hidhte edhe Shqipëria në Jugosllavi. Në këtë aktivitet të spiunazhit u dallua
një epror ushtarak me prejardhje nga Mitrovica e Kosovës, i cili e kalonte
kufirin shqiptaro – jugosllav si gardhin e kopshtit të babait. Gati thuaj të gjithë
spiunët që u hodhën nga Jugosllavia në Shqipëri në atë kohë, na zbuloi ai agjent shqiptar duke na
rrasur njërin pas tjetrit në burg si shqerrat bariu në vathë.
Vetë unë,
Kalosh Çeliku isha ai që nuk i besoja edhe këmishës sime në trup. Ndoshta edhe
kisha arsye. Ishte kohë qorre. Kohë, kur siç thotë populli: Nata kishte sy e
muret veshë. Nuk duheshte shumë “patriotizëm” për të të rrasur në birucë: vetëm
ta dëgjoje Radio Tiranën, lexosh ndonjë libër të “ndaluar”, shajsh Shokun Tito.
Ose, bërtasësh në rrugë: Kosova republikë. Miku im i ndjerë, Fadil Bekteshi si
gazetar i TV Prishtina në atë kohë i hëngër disa vjet burg, pse në vend të “sheshirit”
(cilindrit) në një shkrim e përdori fjalën “republikë”. Veprim patriotik ky, që
si “bagazh politik” në një gazetë të “vëllazërim-bashkimit” do ta paguaj me kokë.
Ndërsa, spiunët kënaqeshin me thënjen e tim Ati. Dhe, iknin plot gëzim të raportojnë
te punëdhënësi se e kishin zbuluar enigmën e shekullit: Kalosh Çeliku është sahat
me një akrep.
Edhe sot,
për inat të dudumëve jam sahat me një akrep. Përmëtepër, kohën e fundit edhe më
pëlqen ky pagëzim i tim Ati. Çudia e Zotit, si mbeta ende gjallë mes kaq shumë spiunëve
me pakicë e shumicë pa e bërë asnjë ditë burg. Rasti, ma kujton edhe kthimin
tim nga Kosova në Shkup. Rrufjanët, kur m’u sulën në këtë Qytet me shpifje e
etiketime se gjoja jam i dërguar nga Kosova. Përmëtepër, edhe se: Çështjen e
shqiptarëve dua ta zgjidh me luftë. Honxhobonxho pasi pinte dhe bëheshte tapë në
“Menada”, vetë ma rrëfente këtë histori policore. Edhe se, është i ngarkuar me
detyrë të më përcjellë hap pas hapi. Pasmesnate, ma thoshte e dhe këtë: Nuk jam
vetëm unë, i ke edhe disa “miq” të tjerë që i ushqen me pije e bukë në sofër. Ditenatën
rrinë me ty në tavolinë, të nesërmen të shesin për pak pare në polici. Mikun tim të penës Teki Dërvishi
(Zoti e bekoftë), që tanimë e kishin përzënë nga gazeta e “vëllazërim-bashkimit”,
shkaku se nuk kishte dalë me shkrime kundër Ismail Kadare, herë pas here edhe më
dërgonte porosi nga Prishtina: Të kem kujdes nga Honxhobonxho me shokë. Nuk
duhet t’ju rrëfehem shumë në sofër, hap zemrën krah më krah rrumaducëve. Shkaku
se, rrufjanët janë të rrezikshëm. Edhe, ne shqiptarët jemi të çuditshëm, nuk
dimë për së gjalli t’i vlerësojmë personalitetet, nuk e kemi “ditur” se përveç shkrimtarit
shqiptar me famë botërore Ismail Kadare, ndoshta edhe ndonjë tjetri e kemi
patur edhe një kandidat tjetër serioz për çmimin Nobël: Teki Dërvishi. Dukuri
negative kjo e instuticioneve tona kulturore që me vite jemi të mbyllura në guacën
politike, klanore e familjare. Nuk dimë për së gjalli t’i vlerësojmë dhe çmojmë
personalitetet shqiptar, trurin e Atdheut.
Kulltukofagët,
që vijnë sot në pushtet me votat “demokratike” të popullit, i shajnë për së gjalli
e pastaj i vajtojnë pas vdekjes. Edhe, më bëjnë zë miqtë e mi të marr pjesë në varrimin
e kulltukofagëve. U përgjigjem: unë nuk marr pjesë nëpër varrime, unë marr pjesë
vetëm nëpër ringjallje. Përderisa, këta kulltukofagë vdesin mes dhjamit, miqtë e
mi poetë shkaku tyre vdesin edhe pa bukë, me bark të zbrazët dhe nuk ka kush t’i
shti në varr. Rasti, përsëri ma rikujtoi shkrimtarin e madh Teki Dërvishi, që e
la me amanet për së gjalli: varrim pa soleminitete, personalitete partiake mbi
varrin tim që të bëjnë karrierë politike, vetëm në rrethin e ngusht familjar. Unë
do t’i shtoja këtij “varrimi” madhështor të Poetit: edhe, pa ngushëllime në familje.
Mërzisin familjen rrufjanët e paftyrë me pritje - përcjellje dhe deklarata
patetike para kamerave televizive.
Dhe,
faleminderit Natyrës që e bën pastrimin e shoqërisë shqiptare. Përndryshe, do të
na mbulonte bërlloku për së gjalli këmbekokë. Dhashtë Zoti, vijnë të rinjt me
një tjetër tru e bagazh politik. Edhe pse, trusakatët nateditë e kërkojnë me këmbëngulje
në mjetet e informacionit dhe presin të bëj vetëvrasje. Shtriganët e Allahut,
siç duket e kanë harruar edhe një thënje profetike të një Hoxhe me shumë autoritet
në Kërçovë, kur pas disa hajmalive i tha t’im Ati: E ruaj edhe një hajmali të fundit
për të, vetëmse duhet ta shoh se si duket në pamje. A vjen ai ndonjëherë në Kërçovë?
Thashë: Kohën
e fundit edhe më plëqen kjo prognozë e tim Ati, vazhdoj jetën mes librave si,
sahat me një akrep. Pse duhet të di i hurit e litarit çka pështjellë Kalosh Çeliku
në kokë?! Fatkeqësi, për Hoxhën e Allahut. Cilin e do e cilin e urren. Planet e
tij si shkrimtar për Ditën e Nesërme të Motit Madh.
Përdallim
nga koha e djeshme, sot nuk ik unë nga spiunët, po spiunët ikin me të katra nga
Kalosh Çeliku. Përditë dalin emrat e tyre si spiunë në gazetë. Radhën e presin
hoxhallarët e rrejshëm dhe kulturofagët. Edhe, shtyhen me bërryla, kush të dalë
i pari. Qeshë sot vetmevete, kur më kujtohet Ministri i Informatave në Kuvendin
e Shoqatës së Shkrimtarve Shqiptar duke nxjerrë shkumë nga goja. Qenmelez
Sharrin duke mbëledhur nënshkrime falsifikat të më shkarkojnë nga posti i
kryetarit. Rrumaduci duke ia botuar ato lista sakate në gazetën e “vëllazërim-bashkimit” se, unë në vend të “Ditëve
të Naimit” i organizoj “Ditët e ashures”. Këlysh Llagun duke kërcyer mbi
tavolina si spec i kuq kopshti në gojë të Lopës. Kritik Poetucin tullac (Sanço
Pançon shqiptar të Doktorziut), autor të atyre shkrimeve duke rrëfyer grushta
si një kalorës i arratisur teknefes në Arenën e dyluftimit edhe në Shkollën
fillore “Liria”, në Shkup. Tatën e Madhe duke lëvizur bishtin para qenëve me
zgjebe, me shpresë se ndonjë Këlyshmelez Sharri do t’i kërcejë në shpinë, Buçës
“azgane” të Katundit.
Ndonjëri
që sot, kur Komisioni Lustrues ia publikon emrin në mjetet e informacionit edhe
zemrohet, nuk do ta pranojë realitetin si spiun. E në atë kohë krenoheshte me këtë
gradë policore. Ngutet në mjetet e informacionit dhe në gjykatë të kërkoj drejtësi.
Përpiqet ta shpëtoj veten si i “burgosur politik”. Mirë, them unë: Pse
Komisioni Lustrues nuk “gabon” t’i publikojë emrat e atdhetarëve të vërtetë, po
emrat këtyre “shqiptarëve të ndershëm”, që edhe sot e kësaj dite përpiqen të na
ngatërrohen nëpër këmbë. Në anën tjetër harron se, pak vetë dolën nga burgu pa
pasoja. Burgu është vend përmisimi, e nuk është universitet. Shumica vdiqën
brenda katër mureve nga maltertimet fizike, ndonjëri vetë e përplasi kokën për
muri, tjetri doli si homoseksual, disa pranuan bashkëpunim, dolën në liri si
spiunë. Një pakicë, që nuk e shitën veten si të çmendur duke u endur rrugëve e
folur vetmevete. Dhe, pak veta me mendtë në kokë. Dëmet e papara që ua sollën
personaliteteve, familjeve dhe shoqërisë shqiptare këta individë trusakatë me
kokën në xhami e bythën në polici, nuk i mbanë dot as kandari i Çajupit.
Vonë. Shumë
vonë është, edhe nuk më hynë në punë mua e as shoqërisë shqiptare “zbulimi” i këtyre
spiunëve. Publikimi i emrave dhe dosjeve të tyre në mjetet e informacionit. Shqiptarët,
nuk duhet të tremben aq shumë nga spiunët e djeshëm, po nga spiunët e sotshëm që
na ndjekin edhe më zi se dje po me të njëjtat metoda policore. Vërtet e ndërruan
partinë politike, po jo hujin e kodoshit.
E rëndësishmja, i kam ditur moti dhe i di këta këlyshë me zgjebe, që në atë kohë
më ndiqnin këmba- këmbës edhe nëpër fshatrat e Malësisë të Shkupit. Edhe sot më
ndjekin si këlyshë rruge, po kush nuk ua vë veshin. Turren të tërbuar si pa kokë
rrugëve të Shkupit me një asht në gojë e një këmbë në varr. Rrallë ndonjëri nga
“vëllazërit” komunist të arratisur për të ardhur në pushtet ua hudhë për mëshirë
nga një asht si shpërblim. Edhe sot si dje, ndërsehen me të katra pas porte në mjetet
e informacionit: Rrumaduci me një asht në gojë, Lamlami me një torbë taxhi për
qafe si hajmali. Kritik Poetuci tullac nga një “Ent Punësimi” policor. E lëvizin
bishtin ndër këmbë, që të duken si
qenmelezë Sharri përpara pronarëve të Vetëshërbimit. Përditë, e shesin veten
lirë në Bit – Pazar. Shpesh-herë edhe pa pare. Vetëm e vetëm, që “vëllezërit” komunistë
t’ua hudhin nga një asht në rrugë si lëmoshë ta mbajnë veten gjallë në kontenierët
e bërllokut, në Shkup. Emrat të ju dalin në gazetë si “intelektualë”,
fotografohen para kamerave televizive si “patriotë” kuqezi.
Kalosh Çeliku
moti i ka ditur dhe i di këta spiunë me vulë
në ballë, falë veprimeve të tyre “patriotike”. Nuk është marrë me
thashethemet e hallkut rrugëve nëpër Bit-Pazar, po me fenomene, veprimet e tyre
në shoqëri, “Shtetin e përbashkët”. Gjurmët, që i kanë lënë aq të thella këta “patriotë”
me zgjebe në shoqërinë shqiptare, kurrë nuk do t’i fshijë dot asnjë furtunë,
asnjë borë e madhe…
Vite më vonë,
e shoh se im Atë kishte pasur të drejtë: më kishte shpëtuar në atë kohë nga
spiunët, burgu politik. Për fat timin, edhe Honxhobonxho i kishte ndihmuar pak,
kudo e trumbetonte në rrethin e tij policor thënien e tim Ati: Kalosh Çeliku është sahat me një akrep. Nuk dihet kur është dymbëdhjetë
e kur një.
Megjithatë,
sot ky sahat me një akrep e tregon kohën e saktë të Motit Madh 2012, kur duhet
të na dalë gjumi, ngrihemi nga shtrati me dhjetë plagë në trup. Tjetër punë është
ajo se, Hoxha i Allahut me shokë nuk di ta lexojë këtë sahat me një akrep…