| E diele, 19.08.2012, 05:00 PM |
Kur fjalët
kafshojnë nga mishi i ditëve me aromë Kosove
(Dedë Preqi, Bekimi i lotëve, Amanda Edit, Bukuresht 2012)
Kosova e
Dedë Preqit është një „altar i shenjtë”, ku „lumi pëlcet shpesh herë” dhe „mirësia
mugullon në monumente”.
Nga Marius Chelaru
Ekzistojnë
modalitete të ndryshme për ta lekturuar një vëllim të këtillë. Njëra nga to është
ta shikosh përmes syrit të fjalëve tejmatanë teorive, vlerësimit dhe analizave.
Rasti i
Dedë Preqit, me siguri që nuk është singular
nga ky pikëshikim, jo vetëm te shqiptarët që kanë kërkuar një jetë më të
mirë tejmatanë kufinjve të atdheut: „Ndër mjegulla/ merr udhë pa kry,/ bëhësh
zog me kohën/ për etjen e gjethit/ e puth diellin në sy.// Ato rrugë të gjata/ me
pak fije shprese,/ guri e druri shkrihen/ në pikën e një vese.” (Shtegtari). Me
rëndësi është fakti se hapat e parë në fushën e frymëzimit i ka bërë gjatë qëndrimit
të tij në Kosovë. Sidoqoftë, fjalët e kësaj përzgjedhjeje, të rradhitura me
mjeshtëri në letër, që zotërojnë një nivel të përshtatshëm, faktikisht janë jehonat
e hapave të shpirtit të këtij njeriu që ka marrë rrugën e mërgimit, por që e ka
shpirtin e mbushur me një zjarr të pashuar për vatrën amtare me hijeshi
natyrore dhe vlera të panumërta kombëtare.
Sidoqoftës,
kjo nuk don të thotë se përveç subjektit patriotik. autori nuk ka edhe poema të
veçanta estetike që s’mund t’i kënaqin kërkesat e syrit kritik, apo se nuk e ka
gjetur ngjyrën e përshtatshme të shkronjave për shprehje të latuara me një mjeshtëri
të rrallë, në çastet kur „kujtimet rrinë të varura në mur”, së bashku me mallin
ndaj poemës që përkundet si foshnja në djep.
Për pasojë,
si për çdo atdhetar të devotshëm, Kosova e Dedë Preqit është një „altar i
shenjtë”, ku „lumi pëlcet shpesh herë” dhe „mirësia mugullon në monumente”.
Ndjeshmëri e lartë dhe sinqeritet i veçantë
Pastaj
vjen jeta, aq e uritur, sipas autorit, saqë i gëlltit edhe bjeshkët, me të gjitha
shkëmbinjtë e thërrmuar, në çastet kur e di se „brumi zbutet me lotë”. Dhe të gjitha
këto, „për një grusht dhe/ që na bashkon
në varr”. Është edhe rrjedha e kohës, që të shtyp me brenga dhe lë plagë të pashëruara.
Por edhe shtypja e një farë kuptimi të cilin secili e mat me masat vetjake, ku
lëvaret pesha e rëndë apo e lehtë e disa kuptimeve. Të jetës. Të lirisë. Një poemë
që përfaqëson, ndoshta, një vizion të të gjitha atyre që i thamë më lart, është
edhe „Liria”. Pasojnë pastaj subjekte që ndërlidhen me largësinë, me botën, që,
ja, gjendet në vizionin e tij, e madhe sa një dritare, ku njerëzit hyjnë dhe
dalin përmes saj. Ka madje, edhe shumë për të thënë për këtë libër të mirë. Kam
dhe unë njerëz të afërt që kanë vajtur përtej kufirit, dhe nga një herë përpiqem
të imagjinoj se çka mendojnë, se si e shohin derdhjen e ditëve, se çfarë erëtime
ka nata, se si shkëlqen buka e kujtimeve...
Ndoshta
se atëherë, kur „nata kafshon/ qeshjet e ditës” dhe kur „tryeza mbushet me fjalë”,
edhe Dedë Preqi, shqiptari i vajtur në Zvicër, mendon për pragun e shtëpisë,
dhe shkruan vargje si këto, të një ndjeshmërie të lartë, të një sinqeriteti të veçantë,
dhe të një hijeshie të rrallë. Ndoshta e interesojnë mendimet tona për vlerat e
tij, se si janë të „kantaruara” (matura në kantar), faqet me vargjet e tij, por
unë, këtë herë, i kam „kantaruar” duke i lexuar si pasqyrimin e mallit të një njeriu
larg shtëpisë së tij, dhe aq. Këtë e them gjatë lekturimit të dorëshkrimit, për
të cilin, shpresoj se të tjerët do të shkruajnë më shumë se unë. Por, tani për
tani, për gjëra të këtilla më shkoi mendja, për njerëzit që nisen rrugëve,
pluhuri i të cilavet është dehur me mjegull, dhe i cili, gjatë kohës shndërrohet
në zogj, duke e shuar etjen e ballit me kujtime, derisa e puthin diellin e
brigjeve të huaja.
(P.S. Titulli i reçensionit në origjinal: „Kur fjalët kafshojnë nga mishi i ditëve me erëtimë shtëpie”)