| E diele, 19.08.2012, 04:48 PM |
Shqiptari
i Bukureshtit kushtuar shpirtit shqiptar
Nga Baki Ymeri
Pas Zemrës
Shqiptare që botohet rregullisht dhe vullnetarisht, mbrëmje për mbrëmje, pas
Botës sot e disa mediave tjera javore si Nacional etj., në spektrin e revistave
më të bukura shqiptare është edhe Shqiptari i Nikolla Naços, serinë e re të së cilës
e themeloi Dr. Xhelku Maksuti, kryeveteran i komunitetit shqiptar të Rumanisë. Pas
disa numrave kushtuar Osman Cakës, Neki Lulajt, Asllan Dibranit, Xhevat
Muqakut, Sadulla Zendeli Dajës, disa krijuesve tjerë rumunë e shqiptarë, duke i
dhënë prioritet numrit jubilar kushtuar 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë,
në numrin më të ri (nr. 8/2012, edhe ky botuar në kolor, format libri që mbetet
në bibliotekë), Shqiptari boton në faqet e para fotografi të rilindësve tanë në
Bukuresht (1912), disa figura legjendare të kombit shqiptar (Gjergj Kastrioti e
Adem Jashari), artikujt “Ambasadori i Shqipërisë që i bashkoi shqiptarët në Bukuresht”,
“Shenjtërimi i Kishës Më një Ditë, ku u mbajt mesha e pare shqipe”, me dëshmi
historike të krishtërimit shqiptar, fotografi tjera me Fan Nolin në Bukuresht,
si dhe me studentët e Shqipërisë dhe komunitetin shqiptar të këtij vendi.
Pason
studimin e Mr. Merxhan Avdylit nga Kosova “Figura e krahasimit në poezinë e
Ismail Kadaresë”, poezitë e Ali Podrimjes në gjuhën rumune (Ishulli Albania,
Populli, Beteja e askujt), një reçension (në gjuhën rumune), i poetit dhe
eseistit Lucian Gruia, me titullin “Dhoma e qëndresës shqiptare”, kushtuar vëllimit
bilingv të Vezir Ukajt “Dhoma numër katër” (botuar në Bukuresht, 2010),
reportazhin “Braila e rilindjes shqiptare në zemër të Bukureshtit”, disa
fragmente nga mesazhet e shprehura gjatë përurimit të tre poetëve nga Braila (Nicolae
Grigore Marashanu, Sterie Bukovala, Constantin Gherghinoiu), të rikënduar në gjuhën
shqipe, ballina e revistës “Kosova” etj. Përndryshe, Shqiptari i Bukureshtit i
ka dhënë prioritet në numrat e saj të fundit edhe prezantimit të poetëve tanë të
mirëfilltë, si Sali Bashota, Basri Çapriqi, Ibrahim Kadriu, Miradije Ramiqi,
Jeton Kelmendi, Sabile Keçmezi Basha, Ibrahim Berisha, Nuri Plaku, Vilhelme
Vranari-Haxhiraj, Pal Sokoli, Albina Idrizi, Mëhill Velaj, Halil Haxhosaj,
Remzi Limani, Sarë Gjergji etj.
I përmendëm vetëm disa, pa i anashkaluar të tjerët, ngase numri i tyre është i madh, ndërsa hapësira tipografike për prezantime revistash të ndryshme letare e kombëtare, është e vogël, por kjo nuk don të thotë se është e vogël rëndësia e rikëndimit të letërsisë shqipe në një gjuhë të huaj, apo hapësira tipografike e revistave rumune të tirazhit të lartë, që u ofrojnë krijuesve tanë. Përfundimisht, me rëndësi është fakti se në shtypin e shtypur dhe elektronik të Rumanisë, falë përkushtimit tonë (na falni për mospërfilljen e modestisë), defilon Kosova e engjëjve që ka krijuar admirim te pala rumune, një botë e huaj që i përqafon mendimet, aspiratat dhe vlerat e krijuesve shqiptarë. Jo më kot, poetë dhe kritikë të njohur të këtij vendi, jo vetëm parathënie e reçensione shkruajnë për krijuesit tanë, por edhe vëllime eseshë kritike me do tituj të bukur si “Me shpirtin në buzë”, “Kosova letrare”, “Dardania e zemrave tona” etj. Në to jehon zëri i martirëve tanë, shpërthen kushtrimi i shqiptarëve për liri e pavarësi, defilon shpirti i shenjtë i krijuesve tanë që ndërlidhet me zjarrin e madh të divinitetit, respektivisht të botës hyjnore. Për të justifikuar këtë shenjtëri, duke e ndërlidhur Shqiptarin e ditëve tona me zërin e rilindësve tanë, krahas ballinës së Shqiptarit, po ia japim për here të pare shtypit shqiptar, edhe një nga veprat e panumërta që i kanë rikënduar rilindësit tanë, duke i botuar në 10 mijë ekzemplarë, siç është Ungjilli pas Matheut në gjuhën shqipe, Bukuresht 1889.