Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Daniel Gazulli: Qeverisje në formën e grushtit të shtetit

| E diele, 19.08.2012, 05:05 PM |


Egjipt: Qeverisje në formën e grushtit të shtetit

Nga Daniel Gàzulli

Në një shkrim të disa kohëve ma parë me titull “Egjipti: Nga do të randojë balanca?”, si të gjithë ju, shpresoja se  gjilpana e balances do të randonte në kahje demokratike, qoftë për të miren e popullit egjiptian vetë, ashtu edhe për të ardhmen e gjithë popujve arabë, për vetë peshen e madhe e specifike që ka Egjipti në rajon.

Nuk kaloj as një muej dhe një fazë e re, e të ashtuquejtunës pranverë arabe, po njeh të paprituna të rrezikshme për të ardhmen.

Presidenti i ri Muhammad Morsi, para zgjedhjeve një personazh anonim, edhe mbas zgjdhjeve u duk se do të hidhte hapa të matun, jo të llojit të shesheve, pse nuk gëzonte as ndonjë mandat të posaçem e me peshë, kur dihet roli i randësishëm që kanë pasë gjithmonë në Egjipt Forcat  Armatosuna, ose ma saktë, i ashtuquejtunit Këshill i Naltë i Forcave të Armatosuna. Nuk pritej pra ndonjë ndryshim i madh, pse Kushtetuta (inegzistente) apo ligje të tjera në fuqi nuk i njihnin atij të drejta të posaçme.

Po ja që në pak dit Morsi u ba Presidenti i gjithëpushtetëshëm i Egjiptit, me fuqi të plotë e të pakontrolueme e të pakontrollueshme nga asnjë institucion, pse Kushtetuta nuk egziston (e asht në dorën e tij nëse do të ketë një Kushtetutë), me një parlamentet të deligjitimuem, por sidomos me marrjen e funksionit të Komandantit të Përgjtihëshëm të Forcave të Armatosuna, ose ndrysh e thanë, me eliminimin de facto të Këshillit të Naltë të Forcave të Armatosuna.

Jo ma larg, po pikërisht me 17 gusht Morsi largoi nga detyra të gjithë gjeneralët e fuqishëm të Këshillit të Naltë, përfshi ministrin e mbrojtjes, gradoi gjeneralë dhe emnoi aty oficerë pranë forcës së tij politike, Vëllaznit Muslimanë, anulloi çdo masë që kufizonte pushtetin e Presidentit dhe ruente ekuilibrat në mes legjislativit, egzekutivit, Presidentit dhe pikërisht Forcave të Armatosuna, me tradita diçka ma demokratike në shetet si Turqia dhe Egjipti, të paktën me frymë laike. Jo vetëm për nevojat e tij, por edhe tue pasë përvojen paraprirëse të Erdoganit në Ankara, që praktikisht u ka heqë çdo pushtet politik forcave të armatosuna, Morsi nxori në pension kontrolluesit e mundëshëm të veprimtarisë së tij.

Por rreziku i një rebelimi të ri, i një rikthimi kësaj radhe të kundërshtarëve të tij në Sheshin Tahrir janë ma se të mundëshme.

Masa e tij e papritun, dërgimi në pension i oficerëve të naltë, tue i dekorue të gjithë parapraksiht me dekoraten ma të naltë në Egjipt, Kollaren e Nilit (ironi tipike arabike), një masë e paparashikueme në legjislacionin egjiptian, ngjan si grusht shteti nga nalt. E kur grushti i shtetit vjen pikërisht nga presidenca, rrziqet mund të jenë nga ma të paparashikueshmet.

Asht intrigues fakti se gjithë këto masa, shkarkime e ndryshime, u priten në heshtje, pa ansjë kundërshtim. Papritë, noteri teknokrat i Kajros u ba një president i gjithëpushtetëshëm pa e përligj pushtetin e tij të pakufizuem nga asnjë bazë ligjore, sa që tashti analistët pyesin: Cili asht afati kohor i presidences egjiptiane?.

Sigurisht, gjeneralët e fuqishem egjiptianë, të vjetrit qofshin apo të rijtë, nuk premtojnë asgja të mirë në favor të demokracisë, por kalimi i çdo pushteti në dorën e një njeriu të vetëm rrezikon ta kthejë vendin shumë vite mbrapa e të sjellë edhe ngjarje ndërkombtare jo pa rrezik, sidomos në fushen e shahut të Lindjes së Afërme, ku rregullat e lojës kanë pak vlerë.

Probleme ende ma të randësishme e ma të rrezikshme janë të ngutshme në qeverisjen e vendit. Marrja prej Morsit të një pushteti me premisa diktatoriale ka shumë mundësi që së shpejti të mos kënaqë jo vetëm popullin egjiptian, jo krejt pa tradita demokratike, veçanarisht opoziten, por edhe vetë forcen politike që e mbështetë, Vëllaznit Muslimanë. Sheshi Tahrir mund të marrë përsëri flakë. Aq ma tepër tashti premisat janë edhe ma të mëdha për shkak përkeqësimit rrënimtar të gjendjes ekonomike.

Nëse presidenti nuk gjet rezistencë në xhveshjen e Forcave të Armatosuna nga pushteti i tyne politik, kjo nuk do të thotë se nuk do të ndesh rezistencë tek forcat përparimtare, kritike ndaj pushtetit të egzagjeruem të forcave të armatosuna, por njëherësh edhe të vetëdijshme se këo forca ishin barrierë e randësishme ndaj rrezikut të ekstremizmit islamik në pushtet. Por tashma gjeneralët e rijë të gaduem e të emnuem nga Morsi në funksionet ma të nalta, konsiderohen njerëz afër Vëllazënve Muslimanë, tue humbë kështu mbas 60 vjetëve karakterin laik të Forcave të Armatosuna, çka po ngjet edhe në Turqi. Ky asht një hap mbrapa me pasoja të paparashikueshme.

Mbas pak ditëve, me 24 gusht, pritet një manifestim i ri e i fuqishëm në Sheshin Tahrir; kësaj radhe parashikohet që protesta të mos jetë e përqendrueme vetëm përballë pallateve të pushtetit, por në mbarë vendin. Opozitarë të regjimit të ri, por edhe nostalgjikë të regjimit të vjetër të Mubarakut, nuk do ta kenë të vështirë ta akuzojnë raisin e ri të Kajros: Në pak muej vendi ka humbë mbi 30% të forces ekonomike me bazë turizmin, tashma i pasigurtë qoftë sot, ashtu edhe për një të ardhme të afërt.

Vallë Egjipti do të gjendet para thanjes së vjetër: Ra mbreti (Mubaraku), rroftë mbreti (Morsi)?

Vështirë që një popull jo pa tradita të lejojë rikthimin e një regjimi diktatorial të tipit të shteteve të Afrikës Qendrore.

Troku i Morsit nuk mund të mos jetë i rrezikshëm edhe për atë vetë, por mbi të gjitha me ndikime aspak pranverore në të gjithë rajonin.