| E marte, 14.08.2012, 07:18 PM |
Historia
e shpëtimit të dy pilotëve amerikanë në rajonin e Kërçovës
“Po binte muzgu. Ne ishim ngjitur lart në shkëmb. Ç’njerëz të çuditshëm ishin këta shqiptarët? Ngjiteshin në shkëmb e zdirgjeshin si djalli. Na morën e na çuan në fshatin e vogël të Kërçovës - Llapkindoll”, kështu e përshkruan momentin e takimit më shqiptarët, piloti amerikan
Nga Safet Hyseni
Rrëfimi
nis në majin e vitit 1944. Atë ditë kishte marrë një mot i keq, i përcjellë me
frymë e rrebesh shiu. Mbi qiellin e Zajazit do të kalonte një skuadër aeroplanësh
luftarak, që fluturonte në drejtim të malit Drenovë. Dhe, në çast, një nga këta
aeroplanë do të ndahet nga skuadra dhe do të kalojë mbi fshatin Llapkidoll,
duke nxjerrë shtëllunga tymi. Pak më vonë, aeroplani i cili kishte qenë i
goditur nga artileria gjermane, do të përplaset aty pranë shkëmbinjve të malit
Bistra. Ndonëse aeroplani do të pësojë dëmtime të rënda, megjithatë, fati do të
jetë në anën e dy pilotëve, të cilët do të arrijnë t’i fshehin gjurmët dhe t’u
shmangen forcave gjermane. Tre ditë më vonë, piloti amerikan Harold Helfrich
dhe bashkatdhetari i tij, oficeri David Ficher, do të arrijnë të takohen me çobanët
shqiptarë të fshatit Llapkindol, të cilët do t’ua hapin dyert e strehimit. “Ishte
babai im, Shefkiu dhe xhaxhai Mislim, që i takuan dhe i strehuan amerikanët
kuptohet bashkë më shumë fshatar të thjerë”, tregon Milaim Saliu, djali i
Shefkiut.
Rrëfimi i
pilotit Harold Helfrich është përfshirë në librin “Shqiptarët e Amerikës” të Vehbi
Bajramit, i cili kishte arritur ta takojë Haroldin. Dhe ja ç’i kishte thënë piloti
z. Bajrami: “Më 18 maj 1944 po ktheheshim nga misioni ushtarak në Ploesht të Rumanisë,
ku hodhëm bombat. Një gjuajtje nga toka e artilerisë së armikut ishte fatale për
ne. Ishte goditur një motor i avionit dhe një bidon nafte. U mundova që ta
drejtoja avionin nga deti Adriatik për të zbritur në bazën ushtarake në Italinë
e Jugut, por kjo ishte e pamundur, për arsye të motit shumë të keq. Po kalonim
nëpërmjet një rrebeshi të tmerrshëm shiu e tufani. Si të mos mjaftonin të gjitha
këto, edhe motori tjetër u bllokua nga akulli. Duke parë rrezikun ne vendosëm të
hidheshim me parashutë. Njëri nga mitraljerët nuk arriti të hidhej. Ndihmës-piloti
im, që u hodh pas tij, poashtu pati një fund tragjik. Parashuta e tij nuk u hap.
Unë që isha pilot, komandant i skuadriljes, u hodha i fundit në ajër. Disa çaste
para se të bija në tokë, parashuta e ime mezi u hapë. Presioni i fort që u
shkaktua nga përplasja e avionit në tokë ndikoi që ajo të hapej dhe të shpëtoja
nga kthetrat e vdekjes. Mora plagë të rënda në brinjë e në gju”, i kishte thënë
piloti Helfrich autorit të librit. Ata, ndonëse me plagë dhe pa ushqim, do të strehohen
në mal. Të parët që i takuan ishin barinjtë e fshatit.
“Ishte
hera e parë që ne takonim amerikanë. Të gjithë u zotuan se nuk do të lejojnë që
të bien as në dorë të gjermanëve dhe as të partizanëve. Mislimi, xhaxhai im,
sjell një mjek që do t’i mjekojë, duke u dhënë edhe ilaçet e duhura. Amerikanët
shumë shpejt do ta marrin veten. Nuk kanë qenë vetëm mysafirë të shtëpisë sonë,
por edhe të familjeve tjera të fshatit. Kështu, për çdo natë ata ftoheshin në darkë
nga bashkëfshatarët tanë”, rrëfen Milaimi.
Momentin
e takimit më shqiptarët, piloti amerikan po në të njëjtën libër, në vitin 1993
e përshkruan kështu: “Po binte muzgu. Ne ishim ngjitur lart në shkëmb. Ç’njerëz
të çuditshëm ishin këta shqiptarët? Ngjiteshin në shkëmb e zdirgjeshin si
djalli. Na morën e na sollën në fshatin e vogël Llapkindoll. Pastaj u ngjitëm
shkallëve të një shtëpie, lartë në katin e sipërm. Në podrum kishte bagëti, mbi
të ishin një a dy dhoma. Nuk e kuptova se cila ishte kuzhina, cila dhoma e
fjetjes dhe e ndejës. Nga rrëfimet e fshatarëve, përmes mimikës e figurave të vizatuara,
morëm vesh se gjendeshim në tokat shqiptare të Maqedonisë. Ne rrinim tërë ditën
si të ngujuar në atë shtëpi, për të mos na hetuar gjermanët. Natën shkonim nga
një shtëpi në tjetrën. Bisedonim, për aq sa kuptoheshim, duke mos ditur gjuhën
e njeri-tjetrit. Ndaj dhe bisedat nganjëherë merrnin ngjyra humori për shkak të
këtyre barrierave gjuhësore”, kishte thënë piloti Helfrich.
“Asaj
kohe”, thotë Milaim Saliu, “isha 10 vjeç. Nuk me lejohej të hyja në odë të burrave,
por përgjoja kur flitej për mysafirët se janë amerikanë. Dëgjoja burrat që thoshin
duhet t’i ruajmë nga gjermanët dhe partizanët. Vëreja që në vizitë te ne vinte
Rexhep Xhama (Zajazi), i cili asaj kohe dhe më vonë ishte me partizanët. Babai
i tij, Xhemë Abazi, iu dilte në ndihmë ushtarëve të “Ballit Kombëtar”. Por, ky
Rexhepi, u kujdes shumë bashkë me babain dhe xhaxhain tim për t’i dërguar
oficerët amerikanë në Shqipëri. Për çdo mbrëmje vinin burra për të biseduar se
si t’u ndihmojmë. Bisedat zhvilloheshin në grupe të vogla dhe, dihej, me besë. Amerikanët
asaj kohe ishin aleat të partizanëve, por as atëherë të tanët dhe as unë sot
nuk mund ta kuptoja se përse nuk deshën që të bien në dorë të partizanëve. Vëreja
gjatë gjithë kohës se të gjithë donin në një mënyrë t’i ndihmonin dhe për ta përgatitej
ushqimi më i mirë”, tregon Milaimi.
Mikpritja
shqiptare është çmuar dhe lavdëruar nga shumë të huaj anekënd hapësirës ku
jetojnë shqiptarët, por edhe besa. Këtë e ka vlerësuar edhe piloti amerikanë në
librin “Shqiptarët e Amerikës”. Ai kishte shkruar një ditar për ditët që kishte
kaluar në mesin e shqiptarëve, por i vinte keq që ditari i ishte djegur bashkë me
shtëpinë e tij. Por, autorit të librit i kishte thënë se: “Më habiste mikpritja
dhe çiltërsia e atyre njerëzve aq të dashur, të shoqërueshëm e inteligjentë. Kishin
sens të thellë humori dhe më vinte keq që s’i kuptoja mirë, se do isha kënaqur
edhe më tepër duke qeshur. Uleshin rreth meje e bisedonin. Ata për ne vunë në rrezik
jetën, sepse nuk qe e lehtë në atë kohë të strehoje të huajt që i ndiqnin
gjermanët. Hanim e pinim bashkë. Ç’kishin ata, kishim edhe ne. Sa të shijshme e
kishin groshën! Ky ishte ushqimi më i zakonshëm i shqiptarëve. Fisher, një natë
hëngër aq shumë grosh, sa u sëmurë nga stomaku. Sollën një doktor maqedonas që i
dha ilaç dhe ai u bë më mirë. Gjatë udhëtimit që bëmë më vonë në Shqipëri,
banorët e atij vendi më dukeshin si njerëz të Biblës. I shihnim rrugës ashtu të
varfër, duke udhëtuar me gomar. Burrat uleshin nën hije pemësh me pushkë në gjunjë
dhe bisedonin vetëm për politikë, ndërsa punët i bënin gratë. Ato ishin aq të angazhuara,
sa nuk i pashë asnjëherë duke ndenjur ulur. Kjo ishte diçka e ndryshme nga ajo
që ishim mësuar të shihnim në Amerikë. Njëra nga temat më impresionuese të shqiptarëve
ishte ajo për Amerikën. Flisnin me admirim për këtë shtet të madh, mbase edhe
nga fakti se Amerika e kishte ndihmuar Shqipërinë”, kishte thënë Helfrich.
Milaim
Saliu nuk mban mend se sa kohë kishin qëndruar amerikanët në shtëpinë e tyre,
por ai thotë se ishin bërë përgatitje për përcjelljen e tyre deri te Misioni
Anglez në Shqipëri. Tre veta duhej që t’i dërgonin ata deri atje. E di që me ta
është nisur Shefki Saliu, Rexhep Saliu dhe Rexhep (Xhema) Zajazi. Rexhep Saliu
ishte nipi i Shefki Saliu dhe ishte shumë i ri, kështu që ata e kishin zgjedh që
ai të prijë i pari, pasi që e dinte edhe terrenin, sepse një kohë kishte bërë edhe
jetën e bariut. Ata u nisën për në Shqipëri duke hedhur shikimin pas. Aty
kishin lënë dy shokë të vdekur, njërit nuk i ishte hapur parashuta, ndërsa
tjetri nuk kishte arritur që të hidhet nga avioni. Përveç dy të vdekurve, ata
kishin lënë edhe 6 shokë të cilët i kishin zënë si robër lufte gjermanët.
Për
largimin nga fshati Llapkindoll, Harold Helfrich do të deklarojë: “Ç’fat! Ndërsa
kishim bërë një copë udhë, Davidi u ndal. Kishte harruar këpucët në katund. Sa
dëgjoi për këtë, njëri nga fshatarët që po na përcillte, u nis me kalë drejt
fshatit dhe si vetëtima u kthye shumë shpejt me këpucët e David-it. Vëzhguam
rrugën. Nëpër ato monopateve gropa e gur udhëtuam tri javë dhe më në fund arritëm
në Shqipëri, ku ndodhej Misioni Anglez. Nuk kishim ushqim e nuk gjenim edhe
ndonjë burim për të pirë ujë. Ujin e shiut, që mbanin gjethet, e kemi pirë për
të shuar etjen. Shumë herë jeta jonë ka qenë në rrezik gjatë atij udhëtimi. Ngjiteshim
në majat e larta të maleve, ku s’kishte shkelur këmbë njeriu. Edhe zbritja
poshtë faqes së malit për të arritur në lugina, nuk qe më e lehtë. Në një moment,
po të mos ishte shoqëruesi, ai bariu i ri (Rexhep Saliu), unë do të kisha përfunduar
në greminë e do isha bërë copë-copë. Jo vetëm kaq, por ai më barti edhe në krah
disa milje, derisa arritëm në një pllajë diku përtej kufirit me Shqipërinë. Më në
fund pas disa ditësh udhëtimi, arritëm te misionarët anglezë që banonin në një tendë
të improvizuar”, kishte treguar Helfrich.
Në vitin 1993
piloti amerikan ka pasur 76 vjet, ndërsa në kohën e shërbimit si pilot, ai ka
pasur vetëm 27 vjet. Në vitin 1971, kur Harold Helfrich kishte punuar në Uashington,
në Departamentin e Transportit dhe Administratës Federale të Aviacionit, është takuar
me disa shqiptarë të fshatit Llapkindoll: me Rexhep Zajazin, Muadin e Xhevit
Saliu dhe disa të tjerë. Xhevit Saliu djali i Shefkiut, këtë takim e mban mend
dhe shprehet: “Ishte një takim miqësor. Ai e njihte mirë Rexhep Zajazin, i cili
e kishte përcjellë për në Shqipëri, bashkë me babin dhe kushëririn tim. Në dhomën
e tij të pritjes, ai ruante si kujtim kësulën shqiptare të rrethit të Kërçovës,
të cilën ia kishte dhënë babai im, Shefkiu. Ai kishte thënë se kësula i ka shpëtuar
zjarrit që ia kishte djegur shtëpinë. Na ka nderuar shumë dhe na ka bërë një pritje
me adete shqiptare”.
Harold
Helfrich, asaj kohe, mysafirëve ua ka treguar edhe letërkëmbimin që ka patur me
Rexhep Zajazin si dhe disa letra të tjera drejtuar Zyrës së Emigracionit
Amerikan si dhe Ambasadës Amerikane në Beograd dhe Vjenë për të ndihmuar
shqiptarët e Llapkindollit, për të rregulluar statusin e qëndrimit në Amerikë.
Autorit të
librit “Shqiptarët e Amerikës” z. Vebi Bajrami, Harold Helfrichi i kishte thënë:
“Unë do t’ia besoja pa frikë jetën çdo shqiptari. Shqiptarët më shpëtuan”. Ndërsa
gruaja e tij, Getrude Helfrich, ka bërë lutjen: “Zot, shpëtoje këtë popull
fisnik! Ndihmoi që të gëzojë të gjitha të mirat e kësaj bote”!
Historia e familjes Saliu nga viti 1945 merr një drejtim tjetër. Shefki Saliu dhe Rexhep Saliu arrestohen me akuzën se kanë qenë kundër kolektivizimit. Ata lëshohen shumë shpejt nga burgu, por kjo zgjat shumë pak dhe sërish arrestohen. Akuza e dytë do të jetë shumë më e rëndë. Ata akuzohen si organizator për kryengritje dhe nxirren para gjyqit në Manastir. Shefki Saliu dënohet më 16 vjet burg të rëndë, ndërsa i nipi i tij, Rexhepi, me 8 vjet. Në vitin 1946 kur të burgosurit i nxjerrin në fushë për të punuar Shefkiu dhe Rexhepi shfrytëzojnë rastin dhe ikin për në Greqi. Në Greqi ata qëndrojnë deri në vitin 1955 prej ku largohen për në Amerikë. Shefki Saliu në vendlindje kthehet në vitin 1966, kur nga shteti i atëhershëm komunist bëhet amnistia e përgjithshme...