| E hene, 13.08.2012, 07:28 PM |
Tregim
Ngjyrat e jetës: “Ai duhet të ekzekutohet!”
Bajrush Morina
Ai tash është
i gjallë. Më parë ka qenë ushtar i UÇK-së. Pas luftës me vetëdëshirë është mobilizuar.
Ka kohë që i ka bërë kërkesë UNMIK-ut për një pasaportë udhëtimi për t’u
bashkuar me gruan dhe fëmijët në Zvicër. UNMIK-u ende nuk i ka lëshuar asnjë document,
kurse Ai është betuar për jetë të jetës
se nuk do të marrë më pasaportë jugosllave. Për kohën e luftës flet rrallë,
shumë rrallë… Madje sa herë e kthen “filmin” e kësaj jete Ai bëhet nervoz, mërzitet,
bile shpeshherë edhe i mbushen sytë me lot…
****
“Merreni”
është ndëgjuar një zë i rreptë lart nga zyra e komandantit të Zonës, ndërsa kur
dy ushtarë e kanë hapur derën e podrumit të errët ku qëndronte, Ai brofi
papritmas në këmbë. Ashtu, me duar të lidhura, ka ecur drejt tyre pa pritur që ata
ta marrin për krahësh. Tashmë ishte pajtuar me fatin. Pak orë më parë i kishin
kumtuar lajmin se Shtabi i Zonës Operative kishte marrë vendim për ta
ekzekutuar. Arsyeja: ka fakte të dëshmuara se Ai kishte bërë gabim të pafalshëm,
spiunim me fotografi te forcat e armikut në dëm të UÇK-së. Ai tash e disa ditë rresht
ishte përpjekur që të hedhte poshtë këtë akuzë, por kot. Ata kishin “argumente”
kurse Ai nuk mund të mbrohej ndryshe pos me fjalë. Të gjitha fotografitë që Ai
i kishte bërë para ofensivës së parë të forcave serbe në Zonën e Anadrinit,
kishin rënë në duart e policisë serbe. Policia kishte identifikuar pjesën
dermuese të pjesëtarëve të UÇK-së dhe tash pas ripozicionimit të tyre, dhe
kthimit të popullatës nëpër shtëpitë e djegura, ajo kishte shtuar dhunën mbi
popullatën civile e posaqërisht mbi familjet e ushtarëve të UÇK-së, të cilët
policia serbe i kishte identifikuar përmes këtyre fotografive. Madje policia
serbe kishte marrë peng edhe dy prindër të ushtarëve të UÇK-së, në mungesë të djemve
të tyre.
Kjo ishte
“aktakuza” e Shtabit të Zonës.
Por tjetër ishte “mbrojtja” e tij.
Udhëtimi
prej Zvicre për të luftuar në Kosovë
Ai kishte
ardhë nga Zvicrra në Kosovë që në fillim të marsit të vitit 1998. Në Zvicërr
kishte lënë gruan, tre fëmijët dhe punën. Ishin nisur nga Cyrihu bashkë me
shokun e tij më të ngushtë. Së bashku kishin ardhë në Tiranë me aeroplan, kurse
“pajisjet” e tyre të luftës i kishin nisur përmes lidhjeve të tjera. Pas dhjetë
ditësh qëndrimi në Tiranë, bashkë me një grup bashkëvendasish të rrethit të tyre
ishin nisur për në Kosovë. Tri ditë e tri netë kishte zgjatur udhëtimi për në Kosovë.
Me vëtëdëshirë ishte ndalur në territoret e lira, të Zonës së Anadrinit. Që në fillim
të inkuadrimit në radhët e UÇK-së ishte zgjuar për guxim dhe shënjëtari të saktë
në përdorimin e minahedhësit të dorës nga largësia.
Në ofanzivën
e gusht-shtatorit të vitit 1998, të policisë serbe në territoret e Zonës së Anadrinit,
ishte tërhequr bashkë me pjesën dërmuese të pjesëtarëve të kësaj zonë. Bashkë me
shokun e tij, me të cilin kishte ardhë në Kosovë për të luftuar, kishte arritur
që të kalojë kufirin dhe të kalojë në Shqipëri. Pas disa ditësh do të trokasë pa
paralajmërim në dyert e banesës së tij në Cyrih. Do të befasohen e madje do të qajnë
prej gëzimit më të dashurit e tij. Të vetmet kujtime që kishte marrë me vete
nga koha e shërbimit në radhët e UÇK-së në
Kosovë ishin tre “negativa” të filmeve të aparatit fotografik. Kishte filmuar
një pjesë të jetës së tij, në “poza” të ndryshme, me shokë të ndryshëm, në uniforma
të UÇK-së. Gjithëçka tjetër kishte mbetur atje, edhe uniforma, edhe armët, edhe
shokët…
Por, vetëm
një muaj kishte zgjatur qëndrimi i tij në Zvicërr. Një gulçim i brendshëm
shpirtëror nuk e lente të qetë, te familja e tij në Cyrih. As lutjet e të shoqes,
as vaji i fëmijëve, as sygjerimet dhe ngurrimet e shokut të tij më të ngushtë nuk
kishin mundur ta ndalin në rikthimin e tij në Kosovë, në frontin e luftës. Disi
e ndjente veten si dezertor. Vetëm rikthimi atje mund t’ia shlyente nga ndërgjegja
e tij këtë “nofkë”. Në Tiranë kishte takuar mjaft bashkëluftëtarë të tij “civilë”
të cilët pos që habiteshin me idenë e tij për t’u kthyer në Kosovë,
interesoheshin për mënyrat nga më të ndryshmet për të kaluar detin dhe për t’u
hedhur diku në Perëndim. Insistimi i tij se të gjithë duhet të kthehemi përsëri
në Kosovë për të luftuar shkaun, nuk pinte ujë! Madje kishte edhe asish që e
tallnin. Pothuaj i vetmuar ai ia kishte mësyrë kufirit. Pas disa ditësh përsëri
kishte shkelur tokën e Kosovës të fshatarave të Anadrinit, por kësaj radhe të djegur. Të gjitha rrugët e kishin quar drejt celulës
së re të Shtabit të Zonës.. Pjesën dërmuese të anëtarëve të Shtabit e njihte më
herët. Ishte një organizim paksa tjetër. Nuk vërehej entuziazmi dhe euforia e mëparshme
te pjesa dërmuese e luftëtarëve. Bisedat mes ushtarëve ishin tepër të rralla
dhe të ftohta. Dukej sikur secili prej ushtarëve kishte nga një hall a brengë. “Si
je, ça po ban? Qe valla, ti si je? A je mirë? Eh, mirë mirë….!”
Njëherë tek po bisedonte me një bashkëluftëtarë e bashkëvendas të tij, nga ai kishte ndëgjuar edhe reagimin:”Ai lehtë është për ty dhe shumë të tjerë si ti. Familjet i keni shëndosh e mirë në Zvicërr, shpijat e djegura i ndërtoni për një muaj sepse keni pare, e vet këtu ku rafsha mos u vrafsha! Çka të bëjmë ne familjet i kemi në duar të shkijeve, shtëpitë e djegura e vet po fshehemi prej shkurre në shkurrë. Bon luftë pastaj me shkaun!” Ishte prekur mjaft nga ky reagim. Ishte përmbajtur. Nuk kishte folur fare.
“Zvicerrani” që dëgjonte muzikë serbe dhe dyshimet e zëvendëskomandantit!
“Vëllezër,
në mesin tonë kemi spiunë të armikut”, kishte dëgjuar bërtimën e zëvendëskomandantit
të Zonës, një pasdite në një mbledhje të Shtabit ku kishte asistuar edhe Ai. Tërthorazi
Ai kishte ngritur paksa kokën dhe ishte përballur me shiqimin e rreptë të zëvendëskomandantit.
Ky shiqim e kishte trembur paksa por, e kishte marrë veten menjëherë ngase e
ndjente veten tepër të pastër e të sigurtë për këtë gjë. Dy ditë më vonë derisa
po kryente ndërrimin e rojeve, një bashkëluftëtar i kishte dëftuar lajmin se
policia serbe kishte në dorë të gjitha fotografitë e luftëtarëve të Zonës. Madje
ajo kishte marrë peng dy prindër të bashkëluftëtarëve të njësitit të tij. Për
lirmin e tyre policia serbe kishte kërkuar dorëzimin e këtyre dy luftëtarëve. Ishte
shtangur nga ky lajm i keq.
Për një moment
kishte sjellë në mendje bërtimën e zëvendëskomandantit, shiqimin e tij të rreptë
drejt Tij, fotografitë e tij. U zverdh e u bë dyll kur kujtoj çastin e dorëzimit
të fotografive në një nga fotostudiot në Cyrih. Krejt rastësisht kishte hyrë brenda
në këtë fotostudio për të rregulluar fotografitë dhe, për habi nga brendia e
studios kishte ndëgjuar tingujt e një melodie serbe. “Nuk e di…Rastësisht solla
frekuencat e radios dhe u ndala te kjo muzikë!… Pse është muzikë serbe?!” Kështu
ishte përgjigjur në “një qind për qind gjermanishte” punëtori i kësaj
fotostudioje kur ky e kishte pyetur se pse ndëgjon një muzikë të tillë. “Oh
shajze, shajze…!” kishte shfryrë “zvicerrani” si i hutuar dhe me një sjellje sa
gjentile aq edhe në kërkim faljeje kishte rrëmbyer nga dora të tre negativat e
filmave dhe i kishte dorëzuar një fletëporosi duke i thënë edhe me gojë: “Nesër,
nesër në këtë kohë fotografitë janë gati!” U rënqeth i tëri kur kujtoj këtë “ngjarje”
në Cyrih, por përsëri mori veten sepse ishte tepër i bindur se muzika serbe e dëgjuar
në fotostudion e “zvicerranit” ishte vërtetë një rastësi e momentit.
Të nesërmen
Ai u thirr me urgjencë në Shtab nga shefi i Policisë Ushtarake për Zbulim dhe
Kundërzbulim. Arsyeja: prej nga fotografitë që ai i kishte bërë në kohë para
ofensivës së armikut në duart e policisë serbe?! Në këtë “bisedë informative” kishin
marrë pjesë edhe mjaft ushtarakë të lartë të Shtabit të Zonës. Ata pyetnin
gjithëçka e Ai dridhej nga befasia, pa dhënë ndonjë përgjigje të saktë e të besueshme.
Tri javë rresht po merrej në pyetje. Herë natën e herë ditën. Ata të njëjtat
pyetje e Ai të njëjtat përgjigje.
Kur në Shtab
kishte ardhë njoftimi për mbytjen në qelitë e burgjeve serbe të dy prindërve të
bashkëfshatarëve të marrë peng kohë më parë, vendimi për fatin e tij të mëtutjeshëm
gati kishte marrë formën e prere: “Ai duhet të ekzekutohet!” Ky njoftim i ishte
bërë i njohur edhe Atij. I strukur në një skaj të një podrumi të errët, Ai po
numëronte çastet e fundit të jetës së tij. Kujtonte momente të ndryshme të kësaj
jete: vendimin për të ardhë për të luftuar në Kosovë, takimet e para më luftëtarët
e UÇK-së në Shqipëri, kalimi i kufirit, roja e parë në pikën vrojtuese,
fotografimet…ah, fotografimet me shokët, kohën e ofensivës serbe, , largimin
nga Kosova, takimin e befasishëm me gruan dhe fëmijët, lutjet dhe vaji I tyre për
të mos i lënë vetëm në Cyrih, rreshtimi i sërishëm në radhët e UÇK-së, pritjet
e ftohta dhe optimizmi i tretur i bashkëluftëtarëve, britma dhe shiqimi i rreptë
i zëvendëskomandantit, arrestimi, marrjet në pyetje të gjata e të njëpasnjëshme
dhe :”Merreni….!”
Ky zë i rreptë i ardhur nga zyra lart e komandantit të Shtabit të Zonës, aty pas mesit të natës i kishte ndërprerë Atij të gjitha këto meditime. Ai tashmë po i thoshte lamtumirë jetës së tij sa i mallëngjyer aq edhe i dëshpruar për faktin se nuk po e merrte vesh se përse saktësisht po ekzekutohej!
“Ndaluni! Nuk ka ekzekutim!”
Kur po
futej në veturë me duar të lidhura për t’u dërguar në vendin e ekzektuimit, një
“xhip” po hynte me shpejtësi në oborrin e Shtabit. “Xhipi” u ndal dhe në qetësinë
e asaj nate u ndëgjua një mbyllje e rrëmbimshme e dyerve të “xhipit”. “Ndaluni.
Nuk ka ekzekutim!” Tash më shumë sesa një vit pas këtij “urdhër ekzekutimi” nuk
po ia falte vetes gabimin. Si i kishte dorëzuar filmat në fotostudion ku kishte
dëgjuar me veshët e tij muzikë serbe. Si nuk ishte treguar pak më i kujdesshëm
dhe më i vëmendshëm në ato çaste. Nuk ka qenë dashtë t’i rregullonte fotografitë
te “zvicerrani” që “rastësisht” ndëgjonte muzikë serbe. Ai në fakt kishte qenë serb
“ i shtetëzuar” me nënshtetësi zvicerrane. Kur kishte bërë pastrimin e filmave
dhe kur kishte parë pamjet e fotografive, si serb që ishte, kishte menduar që t’i
bëjë një “shërbim” konzullatës jugosllave në Cyrih, ndërkaq ata prej andej të gjitha
fotografitë i kishin shumëzuar, i kishin
dërguar në Kosovë dhe i kishin shpërndarë në të gjitha pikat e policisë serbe të
ripozicionuara pas ofensivës serbe.
Prej
andej kishin ardhë fotografitë në duart e policisë serbe. Prej andej e kishte
prejardhjen edhe gabimi i tij. Prej andej e kishte prejardhjen edhe “keqkuptimi”
dhe “urdhër ekzekutimi” i tij. Ai tash është i gjallë Njëherë në javë flet në telefon
me gruan dhe fëmijët në Zvicërr. Ka kohë që i ka bërë kërkesë UNMIK-ut për një pasaportë
udhëtimi për t’u bashkuar me gruan dhe fëmijët në Zvicërr. UNMIK-u ende nuk i
ka lëshuar asnjë dokument kurse, Ai është betuar për jetë të jetës se nuk do të marrë më pasaportë
jugosllave. Për kohën e luftës flet rrallë, shumë rrallë… Madje sa herë e kthen
“filmin” e kësaj jete Ai bëhet nervozë, mërzitet, bile shpeshherë edhe i
mbushen sytë me lot…Po, po, qan!