| E diele, 12.08.2012, 06:15 PM |
Efekti Ringelmann dhe debati për gjuhën
Nga Entela Binjaku
Si një pjesë njerëzish, personalisht ndjej se jam “e pushtuar” nga fjalët e huaja, të cilat edhe pse më janë të dashura dhe shumë të rehatshme në përdorim, kanë zënë një pjesë jo të vogël të fjalorit, duke jua marrë padrejtësisht këtë vend fjalëve shqip. Vitin e kaluar me dëshirën për të nxjerrë një botim tërësisht shqip, pa përdorur asnjë fjalë të huaj, plotësisht sipas rregullave të standardit, ju drejtova për redaktim një mikeshe, redaktore e njohur dhe ish punonjëse e shtëpisë botuese “8 Nëntori”. Pas disa ditësh mora materialin e redaktuar. U trondita!!! Shqipja ime ishte “operuar” në të gjitha gjymtyrët e saj nga mikesha ime!! Të gjitha fletët ishin të nxira nga korrigjimet.
E vetmja gjë që më lehtësoi ndërgjegjen ishte se sipas
saj unë bëja rreth 5 tipe gabimesh dhe këto përsëriteshin shpesh.. ndoshta
ngaqë unë ashtu i kisha mësuar.
Në ditët në vazhdim befasia ime u shndërrua në emocionin
e të zbuluarit të fjalëve shqip në vend të fjalëve të huaja, të cilat edhe pse
i dija, asnjëherë nuk i kisha përdorur si për shembull, fjalët “shoqërore”,
“ndikim” “prejardhje” “përvojë” etj., filluan të zëvendësonin fjalët sociale”,
“influencë”, “origjina”, “eksperiencë” etj.
Emocioni i të mësuarit dhe kërshëria sesi do të ishte në
shqip kjo apo ajo fjalë që kisha përdorur shoqërohej edhe me trishtimin për ato
rregulla të drejtshkrimit që vite më parë mendoja se i kisha të ngulitura siç
duhej si dhe me pasigurinë për përdorimin e tyre në të ardhmen.
Ndërkohë mezi ç’prisja të dija sesi i thuhej shqip “fenomenologjisë”...por
u lehtësova kur mësova se në shqip nuk gjendej një fjalë që e
zëvendësonte, kështu që mbetej njëlloj... ashtu sikundër edhe e njihte
literatura e fushës.
Debati nga pikëpamja teorike është procesi i
rrahjes së mendimeve ndërmjet dy a më shumë vetave rreth një çështjeje të
caktuar, politike, shoqërore, ekonomike etj. Debati si diskutim i gjerë dhe i
hapur për një çështje me rëndësi, siç është gjuha shqipe, mund të jetë i lirë,
i gjallë apo i ashpër, shkencor apo shoqëror, dhe të shumtë mund të jenë ata që
hyjnë në të apo që e mbyllin atë. Gjuha shqipe ka rregullat e saj, të cilat
duhen kuptuar si ligje me hartimin e të cilave merren vetëm specialistët dhe
pjesa tjetër e shoqërisë ka për detyrë t’i zbatojë. Orientimi i
duhur për gjuhën shqipe i nevojitet kaq
shumë shoqërisë sonë veçanërisht në këtë kaos që po jeton. Larmia e qëndrimeve
dhe pozicionimi i pjesëmarrësve, diskutimi mbi përdorimin e zanores ë,
entuziazmi për gegërishten apo dyshimet për instrumentalizimin e saj, përdorimi
i paskajores gegë, e ardhmja e standardit,
pa harruar sigurisht edhe krijimin i komisionit ndërakademik për gjuhën shqipe e shndërron këtë diskutim
në një privilegj të vërtetë kur mendojmë se problemet me gjuhën shqipe janë
shumë më të thella.
Çdo diskutim që çelet ndaj gjuhës bën të aktivizohen
profesionistët, diletantët dhe të gjithë të shqetësuarit për të. Në fushën e
studimeve shoqërore është shumë i njohur i ashtuquajturi efekti Ringelmann
ose efekti i kohës së humbur. Sipas këtij efekti, kur grupit i ngarkohet një
detyrë, përpjekja individuale që bën secili për zgjidhjen e saj ndodh të jetë
në përpjesëtim të zhdrejtë me numrin e pjesëmarrësve.
Efekti Ringelmann nuk do ta linte mënjanë edhe
këtë debat, si dhe shumë të tjerë që hyjnë e dalin në “skenën” e shoqërisë sonë
duke menduar pjesëmarrësit në të, të cilët nuk gjenden për herë të parë kaq
aktivë dhe nëse do të kishin sjellë një produkt, ndoshta situata e gjuhës tonë nuk do të ishte kjo.
Ky efekt duket edhe në debatet televizive që vendosin
përballë njëra tjetrës palën e profesorëve të nderuar dhe kaq të devotshëm ndaj
punës që bëjnë dhe të përdoruesve të tjerë të gjuhës. Por këto debate shpejt të
bëjnë të kuptosh, veç këtij efekti, sjellja komunikuese dhe komunikimi racional
janë dy elementë për të cilët ne si shoqëri pavarëisht se kemi shumë nevojë i
kemi kaq pak të pranishëm.
Komunikimi racional të cilin po e ndeshim çdo herë e më
rrallë, nuk lidhet dhe aq me pronësinë e dijes, sesa me mënyrën se si njerëzit
si subjekte, të pajisur me dhuntinë e fjalës dhe të veprimit, përvetësojnë dhe
vënë në punë dijet e marra. Roli i sjelljes komunikuese është i pazëvendësushëm
çdo herë që bëhet fjalë për çështje shumë të rëndësishme siç është gjuha
shqipe.
Dihet se sjellja komunikuese mes palëve të përfshira në
diskutim orientohet nga qëllimi i mirëkuptimit dhe karakterizohet nga ndërveprimi duke përdorur
gjuhën si mjet komunikimi. Në sjelljen komunikuese njëra nga palët motivohet,
në mënyrë të arsyeshme, nga pala tjetër, për një veprim të përbashkët: përdorimi
i gjuhës sonë në mënyrë sa më korrekte. Mirëkuptimi i arritur përmes
komunikimit, në qoftë se do të arrihet, duhet të ketë një bazë racionale: ai
nuk mund të detyrohet prej asgjëje tjetër, pasi bazohet mbi bindjet e
përbashkëta. Duke mbetur brenda këtij lloji të sjelljes, mund të pohojmë se
vlefshmëria e çdo argumenti të propozuar lidhet me: të kuptuarit; vërtetësinë,
saktësinë, të pranuarit. Këto argumente mbi vlefshmërinë
tregojnë racionalizmin e përbashkët për të gjithë folësit, pavarësisht se kush
përfshihet, cilit nivel kulturor i përket apo cilin pozicion mbron. Në
përgjithësi të gjitha strukturat e jetës, që orientohen nga logjika
gjuhësore-komunikuese, natyrshëm të çojnë drejt mirëkuptimit reciprok që
nënkupton një gjendje më të qartë dhe më të qëndrueshme.
Shoqëria aktuale shqiptare ka specifikat e veta të cilat
lidhen me transformimet e thella që kanë përfshirë shumë fusha duke nisur me
shfaqjen e informatikës, përdorimin e internetit, teknologjinë e komunikimit
apo shtimin e mjeteve të transportit. Sigurisht këto transformime nuk
përjashtojnë edhe elementë themelorë të formimit të personalitetit të
shqiptarit, të pranuara për rëndësinë që kanë, strukturën dhe funksionet që
përmbushin në çdo shoqëri. Gjuha si një ndër simbolet më të rëndësishme të
kombit në këto dy dhjetë vjeçarë të fundit ka njohur vërtetë ndryshime të
rëndësishme, por jo çdokush mund të kontribuojë në ruajtjen, pasurimin dhe
lëvrimin korrekt të saj, pavarësisht dëshirës dhe dashurisë për të.
Diletantizmi në këtë rast do të sillte dëme të pakthyeshme, por profesionalizmi
do t’i vinte aq shumë në ndihmë duke u bërë udhërrëfyes i së ardhmes së saj.
Debati për gjuhën duke qenë kaq delikat nuk mund e nuk duhet të pranojë
gjithkënd që nuk ka formimin e duhur, por ai duhet të mbetet një fushë veprimi
për specialistët e afirmuar mendimet e të cilëve të jenë një siguri për të
gjithë shqipfolësit.
Duke trajtuar shoqëritë post-moderne Habermas, e lidhte
krizën e demokracisë me faktin se mekanizmat shoqërorë, që do të duhej të
lehtësonin shkëmbimet dhe shpjegimet e komunikimit racional, funksionojnë
tashmë si të pavarura. Këta mekanizma kryejnë qarkullimin e informacionit por
njëkohësisht vështirësojnë marrëdhëniet komunikuese, që do të thotë se
vështirësojnë aktivitetin e të interpretuarit të individit dhe të grupeve
shoqërore. Si zgjidhje të problemit të shoqërisë bashkëkohore Habermasi
propozon konceptin e një programi për një komunikim pa kufij dhe joautoritar.
Në këtë kuptim edhe debati për gjuhën tonë i konceptuar si një sjellje komunikuese,
i mbizotëruar nga sjellja racionale, larg autoritarizmit dhe si një komunikim i
pakufijtë mes profesionistëve të gjuhës, do të bënte që gjuha shqipe të
shmangte shumë prej shqetësimeve që sot diskutohen.
Nëse këto debate do të ishin kryer kohë më parë, ndoshta dhe unë do të kisha kursyer shumë mund e kohë duke anashkaluar shumë nga gabimet që përmenda në fillim dhe do të isha më e sigurt në përdorimin e rregullave të drejtshkrimit edhe në këtë shkrim.
Mapo, 29/07/2012