Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gëzim Llojdia: Thirrja e e lidërve të emigracionit

| E diele, 12.08.2012, 06:49 PM |


43 VJETORI I PAVARËSISË - thirrja e e liderve te emigracionit

NGA GËZIM LLOJDIA

1.

Në ndjekje të fakteve historike ramë në gjurmët  e librit : Russia, the Soviet Union, and Eastern Europe: A Survey of Holdings at the Hoover Institution on Ëar, Revolution and Peace (Hoover Press Survey, 6) by Joseph D. Dëyer and Revolution, and Peace Hoover Institution on Ëar (Nov 1980).Ky botim  në përmbajtjen e tij përfshinë edhe Shqipërinë ku editori në 8 faqet e tij paraqet historinë e këtij vendi .Në faqen 8 të këtij vëllimi përmendet për herë të parë edhe gazeta Flamuri mes 21 revistave dhe 14 gazetave në gjuhën shqipe apo gjuhë të ndryshme. Gazeta Flamuri ishte një periodik mujor e shqiptareve e botuar nga bashkimi agrar demokrat dhe partia e BK me artikujt në gjuhët shqip,anglisht,frëngjisht,italisht.

2.

Gazeta “Flamuri”  me një mori shkrimesh publicistike  sjell të dhëna historike rreth datës historike të 28 nëntorit dhe festimit të saj nga mërgimtarët shqiptarë nëpër botë. Në artikullin 28 Nëndor shkruar nga prof. Abas Ermenji botuar në nëndor 1953 është një thirrje ku shkurtimisht thuhet se : I dimë vuajtjet e theroritë e panumurta të Shqiptarëvet gjatë errësirës së shekujvet për t'arritur në çlirimin e Shqipërisë, në 28 Nëndorin e 1912-ës. E dimë se ç'gëzim kombëtar zgjoi ajo ditë, se ç'shpresa e ç'enthusiazmë ngjalli për një t'ardhme kombëtare të lirë, të ndritur, të lumtur. E prandaj, sa m'i madh që ishte gëzimi e besimi në pamvarësinë e Shqipërisë, aqë m'i thellë u-ndie edhe dëshpërimi i Shqiptarëvet kur Flamurit t'onë i u-mbërthyen si vegla robërie, më parë "shenjat e Liktorit", e pastaj "ylli i kuq", ylli i tiranisë gjakësore. Populli i ynë që e pat fituar lirinë me sakrificat më të rënda, që e pat provuar më fort se kushdo tjetër zgjedhën e plumbtë të robërisë, u-gjend i bashkuar grusht rreth Flamurit të tij, në të dy çastet historike që kërcënuan ekzistencën t'onë kombëtare në këto kohët e fundit. Dhe në të dy rastet u-përpoq për vetëmprojtje me të tëra fuqitë e tij, gjersa u-shkel e u-doq me zjarr e me hekur prej forcash të papërballëshme.Ka dhjetë vjet që Shqipëria është ndërruar në një burg mizor, në një ferr të përgjithshëm torturash e urije. Ka dhjetë vjet që populli Shqiptar ndodhet i lidhur këmbë e duar me vargojt e tiranisë komuniste. Që anë e mb'anë Vendit t'onë s'pipëtin gjëkundi, jo një shenjë lirie, por as hija e mugët e së drejtës njerëzore. Që Dita e Flamurit, si çdo tjetër kujtim kombëtar, merret me tallje prej xhelatëvet të kuq. Por jemi të sigurtë se populli i ynë fatkeq, i kërcënuar siç është ndënë grushtin e tmerrit, i rrahur nga kamzhiku, nga e ftohta, nga urija, e ndjen Ditën e Flamurit me dridhje mallëngjimi, ashtu siç e ndjeu në Vlorë më 1912, e përshëndet në heshtje shenjën e lirisë dhe pret orën e çlirimit ndënë palët e tij.Mundimet dhe torturat i kanë paralizuar trupin, por nuk i a kanë thyer shpirtin popullit Shqiptar, nuk i a kanë shuar vullnetin as shkëndijën për jetesë. Ai, me forcën e qëndresës dhe durimin e zakonshëm, ka kapërxyer shumë shtigje të vështirë gjatë historisë së tij, e prandaj është i vendosur t'a kalojë edhe këtë. Kësaj here është m'i fortë akoma, sepse vuajtjet e pashembullta e kanë bërë t'a ndjejë më mirë nevojën e bashkimit, t'i shohë më larg interesat e tij dhe të paraqitet në skenën e vepërimit kombëtar me një vetedije politike të re. Populli Shqiptar sot nuk është me një rezervë rekrutimi për merçenarët dhe politikanët e tregut të zi, as bëhet mish për topa për hesap të tjetërkujt. Gjaku i derdhur, peripecitë e kohëvet të fundit, rrahjet e përpjekjet në ferrin e tiranivet, i kanë dhënë eksperiencën e duhur dhe e kanë bërë t'a shohë sigurimin, lirinë dhe dinjitetin njerëzor të tij vetëm e vetëm në bashkimin kombëtar, rreth Flamurit t'onë të nderuar, dhe mb'udhën politike që e çon në çlirimin e vërtetë të Shqipërisë. Ai udhëhiqet vetëm prej idesë së lartë të interesavet të tij, të vetë-mprojtjes së tij, dhe do t'eci i bashkuar drejt çlirimit të tij.Në nëntor të vitit 1954 gazeta “Flamuri “sjell këtë mesazh të mesazhi i Komitetit kombëtar demokrat " Shqipëria e lirë "Dita e Flamurit, për ne, përfaqëson luftën mijëvjeçare që ka bërë kombi i ynë për vetë-mprojtje, përfaqëson gjakun e derdhur si gurrë gjatë shekujvet, përfaqëson ahet e një populli në hekurat e robërisë dhe hovet e tij heroike për të dalë në jetë të lirë.Flamuri i ynë nuk është një maskë gënjeshtare për të fshehur

Abas Ermenji ...

trathëtinë e atyre që na shkelin me fuqi të huaja, që na përdorin si plaçkë tregu, që na përbuzin, që na shtypin. As nuk është një rreckë për të mbuluar fitimet e koncesionerëvet dhe spekullimet e fajdexhinjvet.Flamuri i ynë, Shqiptarë, është simboli i përgjakur i jetës s'onë kombëtare, është flakë e pa-shuar e etjes për liri. Është fjala e fundit e dëshmorëvet, është besimi i atyre që dergjen burgjevet, është shpresa, është shikimi drejt s'arthmes, është gazi ose zia e një kombi të tërë.U-mbushnë plot dhjetë vjet qëkur komunistët gjakësorë e rrëzuan edhe një herë Flamurin e lirisë. U-mbushnë dhjetë vjet qëkur populli i ynë ra përsëri në robërin' e skëterrtë, në robërinë më të tmerrshëme që njeh histori tij. Por shpirti kombëtar qëndron i pamposhtur. Dhe Flamuri ynë është për ne, sot sikurse dje e si gjithmonë, shkronjë e zjarrtë e bashkimit.Mbahuni ! Shqiptarë : Ju që, n'Atdhen' e robëruar, ju bluan mokër e Kremlinit, që kalbeni nëpër llogoret e ujshme e ju rreh kamzhiku i tiranisë, e ju kput skami e mjerimi, dhe ju që silleni udhëvet të mërgimit me mallin e Atdheut, me mallin e të dashurvet në zemër, bashkohuni të gjithë tok ! se tek bashkimi është fuqia dhe tek fuqia është shpëtimi !Asgjë e madhe s'është bërë në botë pa besim të fortë. Duhet të besojmë në vehten t'onë, në bashkimin t'onë, në luftën t'onë, n'është se duam të jetojmë si popull e si komb.Bashkimi i ynë, Shqiptarë, forca e jonë, e shoqëruar me atë të popujvet liri-dashës, do t'a mposhti më në fund trathëtinë, do t'a shkeli intrigën, do t'a përmbysi tiraninë. Dhe atëhere Dita e Flamurit do të kremtohet në kuptimin e vërtetë dhe Flamuri i ynë i lirë do të valojë mbi një popull të lirë.

Në po këtë numër të gazetës Abas Ermenji shkruan artikullin “Rreth flamurit t'onë “

Në mes të mjerimevet kombëtare, 28 Nëntori vjen, si gjithnjëj, të ngrerë lart zemrat e Shqiptarëvet duke u ngjallur shpresën dhe forcuar besimin në t'ardhmen e Atdheut. Është Dita e Jonë kombëtare, Dita e çpalljes së pamvarësisë.E dimë se me sa mundime, mbas një periudhe aqë të gjatë vuajtjesh e mjerimesh nënë zgjedhen e huaj dhe mbas sa e sa luftrash e kryengritjesh të mbytura në gjak, Shqiptarët arritën më në fund të ngrehin Flamurin e tyre, më 28 Nëntor 1912. Ky ish kurorëzimi i therorivet të pashembullta, realizimi i ëndrrës shekullore të Shqiptarëvet. Pse me të vertetë, nuk ka popull në botë që të ketë vuajtur aqë shumë sa populli i ynë. Prandaj Dita e Flamurit është e shenjtë për ne.Me të gjitha turbullimet dhe rreziqet që kaloi Vendi i ynë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe mbas mbarimit të saj, Shqiptarët mundën përsëri t'a sigurojnë pamvarësinë e tyre dhe të venë bazat e Shtetit. Në pakë vjet, arritën t'organizojnë administratën, arsimin, drejtësinë, të ndërtojnë shkolla e rrugë dhe të bëjnë hapat e para drejt një vetqeverimi Shqiptar.Të gjitha këto përpjekje drejt mëkëmbjes së një Shteti me të vërtetë të lirë, ndeshën në shumë vështirësi, qoftë të brendëshme, të natyrës ekonomike e shoqërore, qoftë të jashtëme, sepse fqinjët e Shqipërisë s'pushuan kurrë së bëri intriga dhe ndërhyrje drejt për drejt ose tërthorazi. Dhe, siç ngjan gjithnjë në politikë, këta dy faktorë, i brendëshmi dhe i jashtmi, ishin të lidhur bashkë për t'a mbajtur jetën dhe urinë e Kombit t'onë në një gjendje të pasigurtë. Me gjithë atë, Shqiptarët dhanë provën e guximit dhe të pjekurisë politike duke u-munduar t'imposhtin pengesat. Por sidomos dhanë provën më të qartë të bashkimit kombëtar të tyre më 7 të Prillit 1939, kur i qëndruan me armë shkarkimit t'ushtërisë fashiste, n'atë kohë që s'kish plasur akoma asnjë pushkë kundër divizionevet të Hitlerit që po shkelnin kufi e shtete.Gjatë Luftës së Dytë Botërore, qëndresa Shqiptare, më parë pasive dhe pastaj me armë, tërhoqi vërejtjen e gjithë botës. Aqë sa, qysh në Dhjetorin e vitit 1942, të tre Ministrat e Jashtëm të Shtetevet të mëdhej aleate - Amerikë, Angli dhe Rusi - bënë nga një deklaratë zyrtare ku siguronin pamvarësinë e Shqipërisë.Por fatkeqësitë e Vendit t'onë nuk mbaruan me aqë. Sepse mbas disfatës së militarizmit fashist, një tjetër valë e rrezikshëme e mbuloi Evropën, duke ardhur nga Lindja : komunizmi. Dhe e keqia është që komunizmi, me anën e ideologjisë së tij të gënjeshtërt por që gjen mbështetie në konditat ekonomike dhe shoqërore të kohës s'onë, mund të krijojë më çdo vend baza të brendëshme - kollona të pesta - që i a kanë bërë të mundur Rusisë pushtimin e gati gjysmës së botës. Shqipëria u-ndodh në një pozitë gjeografike dhe në një gjendje shoqërore t'atillë që s'munt t'i shpëtonte këtij rreziku. Lufta civile plasi tek ne, sikurse gjetkë, e rreptë, e tmerrshëme midis forcavet të lirisë dhe veglavet të verbëta të tiranisë. Dhamë gjakun më të mirë për të mprojtur pamvarësinë, të drejtat dhe liritë kombëtare. Por komunizmi, i ndihmuar prej rrethanash ndërkombëtare, mundi t'a ngulë në Tiranë yllin e kuq të Moskës, më 29 të Nëntorit 1944. Dhe dorë-vrasësit e Atdheut 28 Nëntorin e pamvarësisë kombëtare i a nënshtruan 29 Nëntorit të trathëtisë së tyre. Sot mbushen dhjetë vjet qëkur Flamuri kombëtar u-rrëzua përsëri dhe populli i ynë vuan në robërinë më të përgjaktë dhe më shtypëse që ka njohur njerëzia. Por edhe po qëndron me një heroizmë të pashembullt, duke i falur ditë për ditë të tjerë Dëshmorë dhe të tjera viktima Atdheut dhe kauzës së lirisë. Ne Shqiptarët e mërgimit, në këtë Ditë të shenjtë, e çojmë mendjen dhe zemrën tek populli i ynë i robëruar e i mjerë. Ndjejmë bashkë me 'të dhe betohemi bashkë me 'të se do të luftojmë gjer në fund rreth Flamurit t'onë për t'i siguruar Shqipërisë pamvarësinë, tërësinë dhe te drejtat që i përkasin si komb i lirë.

Ky është gjykimi i Prof Ermenjit për ditën e flamurit kombëtar, 28 Nëntorit 1912.