| E premte, 10.08.2012, 09:07 PM |
Daniel Gàzulli
Nga blloku i shënimeve
E gjithë bota
e sotme, e ashtuquajtun e intelektualëve, ka një shkëputje të frikëshme nga
rranjët. Joqë, gati gati e konsiderojnë arkakike kërkimin e lidhjeve me rranjët.
Po sjell një shembull të thjeshtë, që më ka ndodhë me një “intelektual” me
origjinë nga Skrapari vite ma parë.
Tue u përpjekë
të shtjelloja idenë se Luftën Antifashiste e bani populli shqiptar, kurse PK
vetëm sa e shfrytëzoi ate për interesa të saj e në shumë drejtime në interesa të atëherëshme të Beogradit, ai
reagoi rrëmbyeshëm, si gjithë lloji i tij, që as lodhet të të kundërshtojë me
argumenta, po me etiketime.
Atëherë u
zhvillue në mes nesh kjo bisedë:
- A e di
ti Hajredin Kondin e Tomorrit? – i them.
- E kam dëgjuar
– përgjigjet shpërfillës.
- Jo,
Hajredin Kondin nuk mjafton “ta kesh dëgjuar”, atë duhet ta dijsh. Se ky
Hajredin Kondi, mor djalë, rrinte si shqiponjë atje shpateve të Tomorrit dhe u
thonte turqëve: “Suz, ju, zhaba, atje në Berat! Këtu jam Zot unë!”. Po përsëri
kishte një marak të madh. Kishte marakun ky i bukuri Hajredin Kondi që çunat
nuk dinin “të këndonin” shqip. Nuk ishte i kamun, megjithatë, bani si bani, dhe
më 1905 mori udhën e Bukureshtit që të blinte Alfabetarë për çunat, që të mësonin
“të këndonin” libra shqip.
Pak mbasi
doli turku, ra një ditë në Berat të blinte ndonjë metër beze për gra e kalamaj,
të visheshin, se nuk i shikonte dot ashtu tek mardhnin. Atje mori vesh se Mali
i Zi kishte rrethue Shkodrën. U kthye në shtëpi pa humbë kohë, mori disa fishekë
hua tek fqinjët, se nuk kishte me se t’i blinte, dhe u gatit të nisej për në Shkodër.
Kur u kthye në darkë në shtëpi i vëllaj, Muhameti, e gjet të rrethuem me armë e
me fishekë. I tregoi se çfarë po ndodhte në Veri. “Jo, - i tha i vëllaj – kjo është
rradha ime”. Dhe u nis që me natë për në Shkodër ku luftoi për katër muej bashkë
me luftëtarë të tjerë. Katër muej askush nuk e dinte nëse ishte gjallë apo
kishte përfundue tek të shumtit i bukuri Muhamet Kondi.
Kur më 1939
ra zija e fashizmit në Shqipni, si ishte në nderin e Kondëve, mori armën në krah
e u bashkue me luftëtarët e lirisë Avniu, djali i Muhametit.
Nuk i tha
“Partia” më 1905 Hajredin Kondit të shkonte deri në Bukuresht e të blinte
Alfabetarë për çunat. As Muhametit të shkonte në Shkodër e të kthehej me plagë.
As Avniut, nuk i tha “Partia”, po atdhetarizmi i bukur i Kondëve, të ngjeshte
armë e të luftonte kundër fashizmit. Ja, këte bani pseodohistoria që ke mësue
ti, u hoq shqiptarëve shpirtin liridashës që e kanë tregue në mijëvjeçarë, aq
sa jemi ndër të paktë popuj të lashtë që flasim ende gjuhën tonë”.
Kështu i
thash “intelektualit” nga Skrapari, që nuk ngurroi të ma bante pyetjen
trashamene:
- Po ju,
nga i dini këto?
- Sepse
Shqipninë, more djalë, e kemi të paktë e të vuajtun, prandaj duhet ta duem edhe
ma shumë. Po që ta duem, duhet ta njohim, duhet “ta dijmë”, jo ta “kemi dëgjuar”.