| E enjte, 09.08.2012, 08:39 PM |
AUTORSIA
E NJË KRIJIMTARIE TË ARRIRË LETRARE
(Bajram Sefaj : « Ani çka » , roman, « Botimet Rozafa » Prishtinë, 2012)
Me konsideratë respekti për lexuesin dhe kujdesë të veçantë ndaj letrave shqipe, romancieri ynë Bajram Sefaj, ndërtoi romanin e tij duke i vargëzur dyzetë tregime margaritarësh në një tërësi romanore, të mbështjella me autorsinë e një fryme veçane në kuptimin e shtjellimit artistik e një krijimtarie të arrirë letrare.
Nga Remzi Limani
Romani më
i ri « Ani çka » i shkrimtarit tonë, Bajram Sefaj, hapet me peripecitë
e një fëmijërie anonime, duke e hap zinxhirin e tregimeve të ndërtuara mbi hidhësitë
dhe ëmbëlsitë e jetës. Proza tregimtare në rrëfimet e zotit, Sefaj, natyrshëm
merr formën e saj artistike, e një krijimtarie me veçoritë dalluese si forma të
projektuara mbi bazat e ekzistencës reale nëpër kohë dhe hapësira të ndryshme,
të zhvillimeve dhe dëshirave për t`i jetësuar idetë mbi jetën dhe kërkesat e
subjektit... Pra, ngjarjet e veçuara me frymë narrative, si dhe ato të përjatuara
si frymë jete sa të ëmbël aq edhe të hidhur, na japin një pasqyrim real të nxjerrë
nga kujtesa dhe kuadrot e sintetizuara nga përditshmëria jonë.
Se jeta është
roman më vete na dëshmojnë rrefimet e merenduara në prozën e z.Sefaj, e cila
shtrihej gjithandej shtigjeve të njerëzimit deri në kubenë qiellore. Këtu, me të
drejtë, autori nis me etjen e njeriut për ta shuar zjarrin e tij, ngase, njeriu
natyrshëm lind së bashku me etjen, duke e bart atë deri tek burimet e mbështjella
me kristale akulli – siç thotë, autori, këtu në brendinë e romanit në fjalë. Andaj,
jo rastësisht, z. Sefaj, jetën e percepton dhe e ndanë në tri pamje kryesore, në
ETJE, LOJË dhe IDE, me të cilat e ndërton prozën e tij, duke i vargëzuar dyzetë
tregime margaritarësh, të mbështjella me autorsinë e një fryme veçane në kuptimin
e shtjellimit artistik e një krijimtarie të arrirë letrare. Në kontekst të etjes
– jo vetëm të asaj të zakonshmës, krijuesi ynë shpalos etjen edhe në dimensionin
e së bukurës, si kërkesë fiziologjike, për ta fikur etjen e epshit... Pra, Etja
e shpirtit, na vjen si synim për ta pushtuar të bukurën që del nga ideja për
t`u kredhur brenda bardhësive të fshehura nën mbretëritë e virgjëra... Pastaj,
vjen Loja si zë kushtrimi i Etjes dhe Idesë për ta shtrydh të bukurën në dhëmbin
e burrërisë... Në këtë kuptim, Loja dhe Ideja, nxjerrin në pah simbolikën e
Etjes duke e sendëzuar në trajta dhe seanca konkrete...
Pra, në brendinë
e prozës në fjalë, Bajram Sefaj, nëpërmjet narracionit figurtiv, nxjerrë në shënjestër
të bukurën dhe simbolikën e ndjenjës me simptoma të brendhëm dhe të jashtëm, të
cilët nxisin Etjen, Idenë dhe Lojën shpërthyese, si ndjenjë dhe prirje e
natyrshme që na bën të ndihemi të çliruar...
Së këndejmi,
në vazhdën e rrëfimeve plot domethënie të kësaj proze, ngërthehet edhe
etnokultura si formë e letërsisë kallëzimtare, e cila, nëpërmjet legjendave
pasqyron edhe fiziografinë lapidare që shtrihej anepranë trojeve të banuara me
etnosin indigjen shqiptar.
Dhe,
krejt në fund të këtij vështrimi modest, autorit të romanit, zotit, Bajram
Sefaj, tashmë me 72 vite peshë mbi supe, i urojmë shëndet, krijimtari të vazhdueshme
dhe gjithë të mirat në mendjen dhe trupin e Tij.