| E hene, 06.08.2012, 07:47 PM |
NJE
UTURAK PER MBRETIN
Sa më shumë
tradhtarë kombëtarë në Panteon aq më lehtë është për tu ngjitur atje.
- Fejton për Pseudombretin dhe Mbretërucët e rinj -
NGA KOLEC TRABOINI
Një fare
satrapi me emër shpendi, që nderohet sot nga qeveria e Efëndëmit të Madh,
ka qënë i vetmi shtetar në Europë që ka varur një prift në litar. Merreni me
mend një prift me ungjill e veladon i varur në litar me urdhër të Kryelalës me
5 mars 1927. Ky fare satrapi me mendjen litar e kobure, me këtë akt
të pashëmbullte e la Europën e Vatikanin pa gojë, ndërsa shqiptarëve ua mbylli
gojën fare. Një vit më pas u vetshpall mbret në Parlamentin e Lalëve
mbetur peng që nga koha e çorbaxhijëve osmanë. Dëshira e tij më e madhe ishte të
vetshpallej Sulltan Ahmedi, madje për tu lidhur me derë sulltanore ai me
vone martoi motrën e vet Sanijen me djalin e Sulltan Hamitit , por pati një
sinjal kundërshtimi nga ata që e katapultuan nga Beligradi e që kishin alergji
për sulltanët. Bëje si Karagjeorgjeviqët e Serbisë i thanë dhe je OK!
E la ëndrrën
e vet me sulltanë e thuri intrigën me mbretëri.
Ky farë satrapi
tërë kohën e mbretërimit është marrë me një karakuçkë ruso franceze tavernash (
i vetmi tipar moderniteti te tij mbretëror), e cila e ropi arkën e
qeverisë nga parat dhe ky në zabarosjet e tij delirante, shtetin e kish lënë në
dorë të një injoranti anadollak pa shkollë. Abdurrahman Krosi i
mbiquajtur Lalë. Një tip jagoje që bënte intriga agallarshe dhe e drejtonte
shtetin si të ishte një çiflik mesjetar.
Kryetarëve
të klaneve, pseudombreti u jepte ndonjë ofiq, një dorë para dhe ndonjë pisqollë
te ndryshkur mbetur syndyqeve të nënës se vet turko-katundare që nga koha e
turqisë së vjetër, kur bënte hamam sevda me pashallarët persianë.
Ky ishte
shteti modern i Ahmet Mbretit, i cili, si të ishte një spurdhjak
e sikur ta kish pjellë turko-katundarja e Xhemal
Zogollit në ferrë, krisi e iku në Greqi pasi vodhi thesarin e
shtetit. Kjo pasi e pa se me ushtarët italianë që po e sulmonin Shqipërinë nuk bënte
dot shakara si me sejmenët e vet bashibozukë, që ju
daroviste pisqolla të ndryshkura e orë xhepi çarkisuf.
Ky farë fodulli i
vetshpallur mbret i kish thënë popullit të shtetit të tij “modern” siç thonë ca
historianë pilafi mbretëror, i kish thënë pra se do
vishte opingat nëse e sulmonte ndokush Shqipërinë.
Më 7
prill 1939 mbreti vërtetë i veshi opingat por ama mbushi edhe brekët, për të ikur
kështu nga sytë këmbët e me bisht ndër shalë si të ishte një dhjeraman
orjental. Iku e më nuk ja pa bojën Shqipëria. Shpëtuam thanë njerëzia
prej kësi zogj kurvash që dalin në krye si kryeparë e kumandarë, por
në ditë të zezë të lënë në baltë.
Por
dardha e ka bishtin prapa. Paska keq e më keq. Sepse vjen një gazep kohë edhe
atëhere kur mendon se qielli nuk ka asnjë shtullungë re e krejt
papritur ja plas shiu. Se ja, 20 vjet pas ardhjes së demokracisë e
shëmbjes së idhujve bosh në krye të shtetit e në kokë të njerëzve, na kanë dalë
ca që duan ta ringrejnë kërmën nga varri e ta vënë në një shesh në mes të Tiranës.
Duam Zog
thonë. Ku e kanë hallin një Zot e di. Por gjasat janë se duke motivuar një tradhtar
me damkë e një vrasës si Zogu, ata duan të gjejnë një alibi për vetën e tyre
sepse duke i vënë gjithë tradhtarët me damkë në panteon, kur të vijë
radha, siç ja falën Zogut krimet e tradhtitë kombëtare mendojnë se
do tua falin edhe atyre. Pra që tani në të gjallë këta që gjoja flasin për Zog
mendojnë vetëm për monumetin e vet, madje edhe sheshin me bar të blertë
që vaditet përnatë, e kanë krijuar kasten në mes të Tiranës për tia
bërë monumentin Efëndëmit të Madh.
Kështu
funksionon platforma, sa më shumë tradhtarë kombëtarë në panteon aq më lehtë për
tu ngjitur atje është. Jemi një vend me mentalitet otomano-anadollak të kohës së
para tanzimatit. Tani që Efëndëmi i Madh e ka bërë punë të kryeme monumentin e
qafirit Zog, nuk rrimë dot pa i dhënë ca këshilla anipse e dimë se nuk i dëgjon.
Por ama ca spiun me rrogë e pa rrogë nga ata që ai ka me bollëk që nga kohët e
vjetra do ta dëgjojnë fjalën e do tia çojnë petull të nxehtë.
Pra e këshillojmë
Efëndëmin e Madh, që mirë është të shënohen aty pranë monumentit që po
i bën Qeveria e Tiranës ymërmadhit Zog I, mbret i Lalëve, edhe emrat
e atyre që ka vrarë ky farë Zogu, pra Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Hasan
Prishtinën, Zija Dibrën, Dom Gjon Gazullin e të tjerë.
Natyrisht
jemi në kontakt të përditshëm me përditshmërinë e
daljen në Media TV të Efëndëmi të Madh ku jep direktiva si
e pse e kur duhet rishkruar historia, por nuk e kemi të qartë se me
cilën dorë duhet shkruar? Me majtën apo të djathtën, në karrike apo
ungjur në bythec të kalit,. Jemi si të thuash ne
emergjencë civile e pse jo ushtarako policore që për shtetin anadollak "modern"
të Lal Krosit dhe Osman Gazepit duhet folur e rishkruar historia siç do
qeveria, dhe ca studiues matufër që u ka rënë në hise grafomania duhet të mos
flenë as ditë e as natë sa të kryhet edhe kjo punë.
Patjetër
duhet folur dhe gjërë e gjatë, sepse shteti i Lalës ka qënë pardje, dje, por
shteti i Lalës është edhe sot e kësaj dite. Kurrgjë nuk ka ndryshuar.
Mendoj që
kësaj statuje që po i bëjnë qeveri-tartarët tanë ( të cilët i kanë anashkaluar
Imzot Nikoll Kaçorrin dhe trimin e maleve shqiptare Ded Gjo
Lulin, ne 100 vjetorin e Pavarësisë), ti vënë afër Zogut të tyre
anadollak edhe një uturak të madh që të shkojnë njerëzija pasi
të jenë dëndur me birrë e të kenë festuar duke thurur lavde për
Lartmadhninë e perënduar; pra të bëjnë atë që si mbretërit e
varfanjakët e bëjnë njësoj.
Të pshurrin
pra lirshëm se mos ta bëjnë në brekë se kësisoj rrezikohet ti shkimet lavdia
Mbretit të Lalëve dhe Balëve, Zogjit të I të shqiptarëve.
Se në këtë
shtet modern që kemi nuk ka shurrtore. Vazhdojmë të pshurrim si në kohë të Zogjit
të I, si qentë në bythë të drurit.
Rroftë Zogu
dhe mëllënja tha një herë një fanolist kur i kërkuan të thërriste me çdo kusht “Rroftë
Zogu” ndryshe do ta çartnin e ta nisnin në atë botë, e ai pa ç’ pa tha “Rroftë Zogu
dhe mëllënja!”.
Ashtu
edhe ne po thërrasim Hosana! Bashkë me të gjithë Lal Krosat e shtetit,
pushtetit e të politikës, rrofshin e mbretërofshin!
Lavdi M-L!
- Mos lexo Marksizëm-Leninizmit por Mbretit të Lalëve, megjithëse e njëjta gjë
është! Një mender i ndarë për gjysëm në mes të vapës së korrikut. Zgjidh
e merr. Në kuadër të festimeve të mëdha euforike të piramidës shtetrore është xhaba. Gratis
fare. Menjëfjalë ha e mos paguaj. Paguan qeveria e Efëndëmit të Madh të shqiptarëve.
Zog edhe ky si gjithë shpend-zogjtë që klithin si korba të zinj në qiellin
shqiptar.
Hosana
Ali Baba!