| E diele, 05.08.2012, 03:30 PM |
RILEXIME
Nga Arif KUTLESHI
Alice Mead, Kryqi i Ademit, roman, botoi ´Faik Konica´, 2002 Prishtinë
NË VEND TË HYRJES, NJË POEZI
Fatmira, nuk arriti t´i lexonte vargjet e saja mbi urën e Bistricës në Prizren, në ditën fatale për të dhe për shumë të rinj të tjerë, sepse u kositen nga soldateska serbe. Por këto vargje ruajnë gjithë historinë e dhimbjes së saj, si një pjestare e një brezi të ri që gjakonte diturinë dhe lirinë.
Fëmijë,
rrini urtë
lumi ynë me
fytyrë të zezë
e i
rrethuar mes lulesh / po thahet.
Si këmbë të
shkatërruara mbi shtratin e tij
bijnë yjët.
Plumba
armiqësorë fishkëllejnë
mbi
plisat e gurëve të kalldrëmtë.
Përpiqen
të na bëjnë të shurdhër
por ne
jemi fëmijë
që në çdo
pranverë sërish
vijmë.
Dhe do të
vrapojmë mbi urat e gurit
me zëra të
larmishëm
duke
thirrur duke qeshur
nën shiun e ri.
Vargu i parë ´Fëmijë, rrini urtë´ tingëllon si një mesazh ironik i të mëdhenjve ndaj fëmijëve, është ky refreni i rëndë i asokohshëm i diplomacisë së huaj ndaj shqiptarëve të Kosovës. RRINI URTË!
LUMI YNË
Kush e mbajti gjallë Kosovën në vitet e rënda të dhunës, në vitet për të cilat flitet në këtë roman, përveç fëmijëve, nxënësve, shkollarëve, studentëve, zogjëve të kësaj hapësire gjeografike që kurrë nuk e ndalën as cicërimën, e as fluturimin. Dhe cicërima e fluturimi nuk bëhen në kafaz, por në qiellin e lirë, në hapësirat e pafundme të dëshirave, të synimeve, të ëndërrave, dhe të gjakimeve.
MBI SHTRATIN E TIJ BIJNË YJET.
Po, mbi shtratin e lumit tonë, e mbi shtretërit e lumenjve tanë vërtetë u këputen nga qielli i jetës e ranë shumë yje, yje që kishin lindur të pafajshëm si çdo yll i galaksisë, që rritet çdo ditë ngapak me dritën qumështore të Universit, duke projektuar vizionin e së ardhmes, e duke lënë mbrapa vazhdën e gjurmëve si shenja të gjëllimit njerëzor e galaktik. Yjët tanë që u këputen aq pamëshirshëm nga udha e tyre QUMËSHTORE ranë ndoshta për të mos e lënë LUMIN TË THAHEJ. Lumin e jetës sonë që e deshi rrjedhën ta ketë gjithmonë të GJALLË të LËVIZSHME deri në finalen e DETIT TË VET.
PLUMBAT
FISHKËLLEJNË
MBI PLISAT E GURËVE TË KALLDRËMTË.
Plisi dhe guri janë simbolet tona të moçme të ndeshura kaherë tek poetët tanë, të cilat dihet tashmë se simbolizojnë pastërtinë dhe krenarinë, përkatësisht durimin, ngulmimin, dhe autoktoninë, e njeriut tonë në arealin e etnisë së vetë. Plisi mbi ballë në kohën e fishkëllimës së plumbave, dhe plisat e gurëve, një lidhëshmëri e tyre e pakëputshme, midis qiellit/lirisë, dhe tokës/autoktonisë. Njeriu ynë i gjallë i lëvizshëm nëpër kohë dhe hapësirë duke tjerrur me sakrificë jetën, e duke ndërtuar historinë e vetë me njëqind e njëmijë ngjyra. Njeriu ynë i kthyer në permendore si shenjë kujtimi për ekzistencën e tij të djeshme, për hapërimin e tij të sotëm, e për xixat vizionare të së nesërmes. Njeriu ynë që foli zëshëm JI!, e që me praninë permanente mundi frikën, theu heshtjen, dhe trimëroi gjethimin dhe gurgullimën e natyrës tonë. Brezi më i ri, porse, brezi i shkollarëve tanë, shkruajtën më shumë se një dekadë poezinë e qendresës e të dashurisë sonë për gjuhën, dhe gjakun tonë.
PËRPIQEN
TË NA BËJNË TË SHURDHËR.
Të na
pamundësojnë të SHQUHEMI!
POR NE NË ÇDO PRANVERË SËRISH VIJMË.
Të vetmit
që kurrë nuk u pajtuan ishin shkollarët tanë. Të vetmit që guxuan në çdo stinë të
vitit e në çdo cep të vendit, ishin shkollarët tanë. Të vetmit që ngritën zërin
gjithmonë me spontanitetin e tyre të organizuar, ishin po këta shkollarë. A i çonte
toka peshë kah lartësitë qiellore e hyjnore ku do të preheshin parakohshëm
shpirtërat e tyre?
Ranë pranverë për pranverë fushave, oborreve të shkollave, shesheve e parqeve tona. Ranë pranverë për pranverë në kohën kur lulëzonin lulet e para, dhe erdhen sërish, në çdo pranverë, si tufë pëllumbash që sjellin beharin dhe gëzimin e fluturimeve. Ranë dhe erdhen sërish, më të zëshëm, më të bukur se zemrat e luleve, më skofiarë se skofia e zërit të tyre. Erdhën sërish, dhe ranë. Dhe prapë erdhen. Vazhdojnë të vijnë. Vijnë. Vetëm vijnë...Dhe kurrë më nuk do të shkojnë...!
DHE DO TË
VRAPOJMË NËN SHIUN
Shiu i ri është shiu i shkollarëve tanë që do të shkruajnë e lexojnë vjershat pranverore pa pasur frikë nga PLUMBAT FISHKËLLUES.
Edhe këto vargje të ngjeshura metaforike janë përplot dramaticitet siç është gjithë romani fillim e mbarim.
ROMANI.
Romani ka
gjithësejtë pesëmbëdhjetë kapituj, ndërsa fabula e tij përshkruan dramën
familjare të një shqiptari të rendomtë të Kosovës, i cili në vitet e nëntëdhjeta,
mbasi që dhuna e Beogradit kish tre katër vjet qysh se e kishte suprimuar
autonominë e Kosovës, dhe si rezultat i kësaj, kishte suprimuar dhe pamundësuar
faktikisht, edhe zhvillimin normal të sistemit, ku njëra ndër hallkat kryesore
këtu, arsimi, po ballafaqohej, me jetë a vdekje. Maltretimi i personelit,
burgosjet dhe vrasjet e drejtorëve, përzëniet nga shkollat dhe helmimi me gaz
lotësjellës, ishin gjëra normale tashmë.
Familja e heroit tonë narrator, Ademit, është një familje gjashtëanëtarëshe, ku bëjnë pjesë përveç prindërve, edhe dy motrat, Fatmira dhe Pranvera, dhe vëllai i vogël, që është i retarduar. Anipse familje patriarkale, në fshehtësi të secilit bën qerdhe një ËNDËRR: SHKOLLIMI I FATMIRËS!
1. Fatmira duke dashur ta lexojë vjershën
mbi urën e Bistricës në Prizren vritet. Në varrimin e saj marrin pjesë mijëra
njerëz nga të gjitha viset e Kosovës.
2. Babai i saj burgoset dhe torturohet me
pretekst se kinse ka organizuar varrosjen e të bijës, ku një numër i aktivistëve
kishte mbajtur fjalime të ngjyrosura qëllimisht me patosin e kohës.
3. Ademi katërmbëdhjetë vjeçar vuan shpirtërisht,
sepse një kohë të gjatë e mban fshehur çështjën e vjershës së Fatmirës.
4. Njohja me djaloshin rom, Fikelin. Planet
për arratisje.
5. Një pjesë të shtëpisë së tyre e zënë ushtarët
serbë.
6. Arratisja e Besimit, djalit shtatëmbëdhjetë
vjeçarë të tezës që sapo kishte vdekur, Lindes,
që jetonte në familjen e Ademit.
7. Policët serbë ia tetovojnë një kryq
serb midis gjoksit Ademit.
8. Djaloshi rom me emrin Fikel dhe me
ndihmën edhe të një të riu serb ia mundësojnë Ademit arratisjen në Shqipëri.
9. Fikeli vritet duke kaluar kufirin.
10. Ademi dhe ariu i Fikelit mbesin gjallë. Këta vazhdojnë rrugën.
ROMANI KRYQI I ADEMIT I AUTORES AMERIKANE ALICE MEAD
Ky roman në gjuhën shqipe u botua në Prishtinë në vitin 2002, mbasi që ishte botuar më parë në Amerikë, në Gjermani, dhe në disa vende të tjera, por tek ne nuk pati kurrfarë jehone, anipse trajton temën ende të freskët të dhunës shovene mbi etnikumin shqiptar të Kosovës në vitet e rënda para 99/tës. Ky roman shtjellon një formë monologu klasik, dhe monologu të dialogizuar një rrëfim ekspresiv të një të riu katërmbëdhjetë vjeçar nga një lokalitet i Kosovës, dikund afër Prizrenit. Rrëfimi i Ademit, brenda 142 faqeve është drama personale e shkollarit shqiptar, dramë kjo e ngërthyer me fatet e të tjerëve, siç është motra e tij Fatmira, e vrarë duke lexuar vjershën e saj, mbi urën e Kristalorit, në Prizren. Dora autoriale ndërkaq mbetet pothuajse nën hijen e kryepërsonazhit/narrator, në të vërtetë, ky roman është dokumentari autentik mbi njerëz dhe ngjarje të arealit tonë kosovar. Instrumentariumi i mekanizmit të dhunës shtetërore të Beogradit është po ai i moçmi, të cilin njeriu ynë e ka provuar edhe më parë gjatë fërkimeve e tutelës së shekullit të fundit. Ironia e fatit, ndërkaq tashti qëndron tek një shpresë iluzore jonja, simbas së cilës, shpresohej të prolongohej ajo më e keqja, nëse jo, të shmangej tërësisht. Defilimi i figurave reale publike, shoqërore, në roman, ndërkaq, sikur e intertekstualizon kontekstin letrar imagjinar të romanit, për të cilin as vetë autorja amerikane, nuk bën përpjekje ta letrarizojë, e të shpallej vetë si shkrimtare. Jo, përkundrazi, ajo bën vetëm inçizimin e terrenit, ajo krijon kushtet për një topografi të historisë së dhimbshme, të kryeheroit të saj.