| E marte, 31.07.2012, 07:34 PM |
Dhe
ideologjia vazhdon…
Nga
Gjergj
U bënë disa
herë rresht që profesor Pëllumb Xhufi intervistohet mbi çështje të rishikimit të
historisë në këtë 100-vjetor të shpalljes së pavarësisë. Me të drejtë gazetarët u drejtohen historianëve
dhe atyre që historinë e japin mësim. Megjithëse një profesor i imi i Filozofisë
teoretike në Itali më thoshte shpesh: “Është një gjë të japësh mësim filozofi,
e është një gjë tjetër të jesh filozof”. Ndoshta në rastin e prof. Xhufit gjërat
përkojnë, por unë dua t’i jap vetes mundësinë e një hapësire dyshimi krejt
subjektive e ndoshta paragjykuese për të cilën kërkoj ndjesë qysh në krye të këtij
shkrimi.
Në dy
intervistat e fundit, njëra e botuar te gazeta “Shqip” e datës 8 korrik 2012
dhe tjetra te gazeta “Mapo” e datës 20 korrik 2012, ndër të tjera, profesori bën
disa pohime që krijojnë një farë hutimi tek ata që i lexojnë. Unë për vete bëj
pjesë në atë brez njerëzish që historinë e ka studiuar deri në klasë të tetë në
shkollat e komunizmit, e kam bërë përsëri në shkollë të mesme në kohën e
demokracisë 1990–1994 dhe më pas në të lartën, 1994-2000, por jashtë Shqipërisë,
më saktësisht në Itali. Kur dëgjoj dhe lexoj prof. Xhufin më duket vetja nxënësi
i klasës së tetë, ku historia ndahej në partizanë dhe gjermanë, të mirë dhe të këqij,
kulakë dhe fshatarësi e thjeshtë, borgjezë dhe proletarë. Këtë përshtypje më japin
intervista të tilla. Ndoshta sepse historiografia ajo “është” dhe ashtu “duhet
të jetë”, por ama ka disa aspekte që në këtë vendin tonë nuk mund dhe nuk duhet
të jenë sikur atëherë kur unë isha në klasë të tetë. A mund t’i zëmë besë një historiografie
e cila është themeluar në ideologjinë e luftës së klasave dhe këtë e ka ngritur
në statut të sajin epistemologjik për pothuajse 50 vjet? Kjo ideologji e ka
penguar shkencën jo vetëm në funksionalitetin e saj, por edhe në bazën e saj,
pikërisht në statutin e saj epistemologjik. Kur një shkencë preket pikërisht në
një pikë të tillë nevralgjike, humb forcën e saj argumentuese dhe ka nevojë për
rithemelim. Kjo nevojë rithemelimi duhet të nisë pikërisht në rrënjën e saj për
t’u shtrirë më pas në të gjithë objektin e saj të hulumtimit, e deri në përfundimet
që duhen nxjerrë. Ky ideologjizim i këtij statuti ka ndodhur në historiografi,
në letërsi, në art e madje tek-tuk arritjet e Partisë dhe të pushtetit popullor
i shikoje edhe në libra të fizikës. Ka pasur një letërsi të realizmit
socialist, ka pasur përkthime të cilat bëheshin të cunguara ose nuk bëheshin
fare nga autorë të mëdhenj. E gjithashtu, ka pasur një art pamor e
kinematografik shërbyes dhe skllav të një regjimi me aty-këtu ndonjë disidencë të
fshehur, por që nuk i ka hequr asnjë grimcë granitit partiak dhe ideologjik. Në
vazhdimësi të kësaj prekjeje ideologjike të statutit epistemologjik është edhe
shkenca e historiografisë, dhe nuk kishte se si t’i shpëtonte kësaj gjëje. Sigurisht,
për të gjykuar punën e një historiani duhen parë veprat e tij, dhe këtë mund ta
bëjë vetëm një historian, i cili, po me aq argumente apo edhe më shumë,
kritikon, ripohon apo hedh poshtë tezat e kolegut të tij. Për të polemizuar p.sh.
me prof. Xhufin duhet të jesh një medievist, por ama, kjo bëhet atëherë kur ai
shkruan për mesjetën, dhe jo për modernitetin dhe bashkëkohësinë. Por, meqë studime
të mirëfillta të modernitetit dhe bashkëkohësisë mungojnë me autorësinë e
profesor Xhufit, atëherë po kapemi pas rreshtave të intervistave të gazetave.
Një historian
apo profesor historie që lëshon edhe intervista në të përditshme dhe ia dorëzon
ato publikut që lexon gazeta, duhet t’i nënshtrohet edhe kritikës së këtij
publiku të thjeshtë në të cilin bëj pjesë edhe vetë.
Nga dy
intervistat e sipërpërmendura
Ja një citim
tjetër nga intervista e prof. Xhufit në gazetën “Mapo”: figurat për t’u nderuar
“…jo rastësisht përzgjidhen nga shtresat sociale të bejlerëve, pashallarëve,
bajraktarëve, klerikëve: pikërisht ato shtresa të regjimit të vjetër (dovletit),
aksioni politik e produkti historik i të cilave është karakterizuar nga
egoizmi, pavendosmëria, krahinarizmi, kolaboracionizmi dhe deri te tradhtia e
hapur ndaj interesave të atdheut” (gazeta “Mapo”, 30 korrik 2012). Profesori
rikthehet me sulmin e tij ndaj disa figurave e ndër ta edhe klerikëve, e përsëri
këta klerikë mund të jenë për par condicio të të gjitha feve, por autori e di
mirë se kujt i referohet. Për analogji (dhe një analogji bindëse) janë po ata
klerikë që para do kohësh bënë bujë nga libri i prof. Putos, veçanërisht Harapi
dhe Fishta, dy “hala në sy” të regjimit komunist. Ende historia, sipas
profesorit, ndahet në pashallarë, bejlerë, bajraktarë e klerikë nga njëra anë,
e rilindës, përparimtarë, e iluministë nga ana tjetër, a thua se pikërisht
Hasan Prishtina, Vaso Pasha, Abdyl vej Frashëri e vëllezër, vetë Ismail Qemali,
Dom Ndre Mjedja e Nikoll Kaçorri, Papa Kristo Negovani, At Stath Melani etj.,
nuk vinin pikërisht nga klasat dirigjuese dhe nga klerikët e kohës. Edhe njëherë
duket qartas një shikim bardhezi i historisë, i ngurtësuar, që përveç atyre
figurave tashmë të njohura dhe të pranuara nga e kaluara ideologjike, nuk
pranon të tjera në panteonin e saj, se përndryshe asaj i bien themelet dhe
muret e zbulohet lakuriqësia e atyre që banojnë brenda këtyre ngrehinave
ideologjike. Dialektika marksiste dhe lufta e klasave bëhet kriter dhe themel i
gjykimit mbi gjithçka, madje edhe mbi objektivitetin e arkivave.
Në intervistën
e fundit profesori jep edhe një leksion të vlefshëm shkence historiografie. Ai
flet për distancën historike nga ngjarje dhe personazhe, e nevojshme për një hulumtim
sa më objektiv. Ja citimi: “Që ngjarjeve të sotme t’u jepet një sens historik,
duhet më parë të hyhet në rropullitë e brendshme të tyre, të zbulohen motivet
dhe arsyet e mëdha, që përcaktojnë veprimet dhe ngjarjet historike. Për arsyet
që sapo përmenda, kjo kërkon një distancë të arsyeshme kohore, kur mund të gjykohet
me qetësi e pa paragjykim për ngjarje e personazhe të caktuara historike. Dhe,
mbi të gjitha, kërkon ballafaqimin me aktet dhe dokumentacionin përkatës,
konkretisht me atë të viteve 1944-1990, për të cilën ligji parashikon kufizimet
përkatëse” (gazeta “Mapo”, 30 korrik 2012.) Nëse ju profesor kërkoni një distancë
historike, atëherë, në të mirë e në të keq, përse nuk e ruani këtë distancë për
Patër Anton Harapin, për Mustafa Krujën, për Fan Nolin, i cili ka vdekur shumë vonë
e brenda atyre viteve që thoni ju, e për të tjerë për të cilët ju në intervistat
tuaja jepni gjykime absolute? Edhe një herë, ne që jemi më të rinj, shohim me
keqardhje se ka shumë vrer dhe inat dhe aspak objektivitet dhe qartësi. Apo
ndoshta kështu ndodh sa herë që shkenca hyn në politikë dhe anasjelltas?