| E diele, 29.07.2012, 07:10 PM |
Muzika
dhe dhembja e poezisë së Mirko Gashit
Nga Fatmire Duraku
Secilën fjalë, varg, poezi, secilën shenjë në mbarë krijimtarinë e vet artistike poeti dhe boemi Mirko Gashi e ka matur një kohë të gjatë mirë e mirë, ia ka dëgjuar ritmin dhe muzikën e brendshme, ia dëgjuar secilin tingull dhe vetëm atëherë do ta ketë hedhur në letër, që të bëjë jetë jashtë shpirtit dhe gjakut të tij, të bëhet pjesë e pandarë e lexuesit. Dhe kjo, padyshim, ka bërë që poezia e tij të rrjedh siç rrjedh lumi herë fare i qetë, herë me shkulma dhe gurgullima, deri në bubullimë, deri në vërshimë. Ai, vetë është ai lumi, i cili ndonjëherë rrjedh qetë, ndonjëherë shpërthen. Kështu, poeti shpreh botën e vet të brendshme, shqetësimet, dilemat, zhgënjimet. Në këtë sferë të rrethit nëpër të cilin ecën dhe shkruan poeti gjithherë është i pranishëm uji dhe zjarri. Ndërmjet këtu ndonjëherë të shfaqet edhe thatësia.
“pa ujë
na është mulliri
Pa ngjyrë do të mbetet ulliri”
Ose, vargjet monumentale,
“
(“Thatësia”)
Vargje, të cilat me ndonjë ndërrim apo ngjyrim tjetër sado të vogël do të bëjnë ndikim të madh në krijimtarinë poetike sot dhe këtu. Hijen e vargut të tij do ta hasim edhe te poetë të tjerë me emër. Ndonjëri paturpësisht edhe e vodhi! Ndoshta kjo edhe qe e pashmangshme, ngaqë Mirko Gashi qe gjithherë burim i fuqishëm i lidhjes së vetëtimës nga poezia popullore dhe e vetëtimës së gjakut të vet dhe me fuqinë e vet kreative bëri ndikim të madh në rrjedhën e poezisë së gjithmbarshme te ne.
Për këtë ai e bluante me durim secilin varg, siç e thamë, duke bërë përpjekje dhe duke ia dalë me sukses që secila fjalë të ketë peshën e vet, të ketë shpirt, të jetë e përjetuar deri në pafundësi. E këtillë, e krijuar nga përvoja, mendja dhe ndjenja, poezia e tij do t`i bëj ballë
kohës, do të mbijetojë, do të jetojë dhe nuk do të mund të injorohet, siç po tentohet të bëhet nga ndonjëri, bile edhe nga profesorë universiteti! Kjo gjë është kaq e mjerë dhe e papërgjegjësi. Me këtë ata vogëlsinë e tyre duan ta rrisin, por - tash apo më vonë, një gjë e tillë do t`u kthehet bumerang.
Nuk krijohet pesha në letërsi duke përjashtuar dikë, duke mohuar, veçse duke krijuar vargje me përkushtim dhe përjetim deri në dhembje dhe kënaqësi. Mirko, edhe për të gjallë i ka hetuar krrokëritjet e këtilla, vetëm ka shikuar punën e vet, pa ua vërë veshin. Megjithatë, ndonjëherë i ka identifikuar, ka bërë me gisht nga ata.
Në kokë
korbat çerdhen kanë thur
Nuk
dallojnë kurrfarë stine as mur
( “Sëmundja”)
S`ka
sopran alt tenor e bas
Atje ka
vetëm krrokatje
Që
vdekjen e lë pas
( “Klithma e Kasandrës”)
Ata, që përpiqen ta minimizojnë tash, ata edhe për të gjallë të tij e lanë të shëtit rrugët, pa i ofruar mundësinë të ketë një kulm mbi kokë dhe të shkruaj. Vargjet, pjesën dërmuese i krijoji në erë të verës dhe të rakisë së rrushit. Vetëm aty e nderonin, e ai – i dëshpëruar, nuk e lakoi kurrizin, t`u lutej atyre që nuk kishin as kanë kurriz as sot, as do të kenë ndonjëherë.
II
Autori i mirënjohur ndonjëherë krijoi ritëm mahnitës të jashtëm dhe të brendshëm. Shfaqi mjeshtri të rrallë të shkrimit poetik, me të cilin mund të maten vetëm ata që e njohin deri në fshehtësi jetën dhe filozofinë e saj të mbyllur nën shtatë dryna. Ja pse duhet kohë, durim dhe mendje ta çelës arkën ku fshihet, ndërsa dhe më vështirë ta lexosh dhe ta zbërthesh, ta shkruash.
Te e njëjta vjershë në disa raste autori ka krijuar edhe rimën. Ndoshta jo me qëllim, veçse në shumë raste ajo bëhet pjesë e krijimit të tekstit. Siç është edhe rasti te vjersha “Kujtimi”, “Zogut i dhemb zemra”, “Vala e zezë”, “Thatësia”, etj. Rima, të cilën, siç e cekëm, autori e përdorë herë-herë në fillim apo në mes apo në fund të ndonjë poezie, të shumtën e herës krijohet në mënyrë spontane dhe është mjaft e efektshme, sado që unë mendoj se ajo (rima) nuk ia shton aspak cilësinë tekstit poetik. Së paku kështu e thonë njohësit dhe analistët më të shquar të botës kudo në botë.
Te Gashi
kemi gjithherë vargun e lirë, në të cilin gërshetohet mendimi dhe muzika dhe të
gjitha komponentet e domosdoshme, që poezinë e bëjnë princeshë mes arteve të bukura. Ka dhembje në vargun e
tij, të shumtën e herës. Prapë dhembje, revoltë dhe prapë dhembje. Mwgjithatë
mes dhembjes dhe revoltës, ai nuk ia ndalon vetes t`i këndojë dhe të bukurës,
lirisë, dashurisë. Sepse, ndryshe, pa të bukurën -
Thuaj
fëmijës
le ta
vrasë
gjarprin
e shtëpisë
le të mos
presë
sepse kur
të zë gjarpri i shtëpisë
në loçkë
të zemrës të nxën
varra të
është e thellë
sa një
shpellë
e dhembja
zog në
qiell
(“Gjarpri
i shtëpisë”)
III
Asnjë poet tjetër, me jetën e veprën e vet, nuk e bëri të gjallë, nuk e rishkroi poezinë e Azem Shkrelit “Mos u bën poet nëse s` mund të lindësh/ me secilin varg me secilën fjalë” dhe “Mos u bën poet nëse s` mund të vdesësh/ për secilin varg, të vdesësh për secilën fjalë”. Mirko Gashi mbetet një, i papërsëritshëm, i cili lindi me secilin varg, me secilën fjalë, i cili vdiq me secilin varg, me secilën fjalë. E rikujtova poezinë Shkrelit, ngaqë është shembulli më i mirë që e flet krijimtarinë e Gashit, të vetmit poet që e krijoi me shpirt dhe me shpirt e jetoi secilën poezi, të vetmit që s`e shkroi asnjë varg-fjalë pa u flijuar për të deri në fund, pa e përjetuar me gjakun e vet, të vetmit poet që me dhembjen e vet të pafund, me krenarinë e patundur, e mati secilën fjalë. Dhe, natyrisht, një krijues si ky, që çdo gjë që e krijon e mat me dhembjen e shpirtin e vet, nuk do as nuk mund të jetë i uritur për sasi, për volum. Ai krijoji pak, veçse ajo që krijoji mbet të jetojë. Pse veproi kështu? Mendoj se ai gjithherë qe i vetëdijshëm se një tekst i mirë poetik, i cili do t`ia dalë t`i bëj ballë kohës dhe të jetë etje për brezat, vlen më shumë sesa libra të tërë të shkruara për t`ia bërë qejfin vetes. Ja pse Gashi është i vetmi poet yni, shpirti dhe gjaku i të cilit ndihet nga rrjedh nëpër vargje edhe tash e sa vjet pas ndarjes së tij nga ne. Dhe, kështu, lexuesi e përjeton atë që e shkroi, që na e la në trashëgim, deri në fund. Ka raste, megjithatë, që ndonjë pjesë nga poezia e tij të jetë e ftohtë. Ngjet të mos arrish ta kuptosh, ta zbërthesh në tërësi, veçse kjo nuk të shkakton ndonjë pakënaqësi, sepse vargu i tij jeton te ti me ritmin e vet të brendshëm dhe kështu s` mund t`i ikësh. E përjeton në mënyrën tënde të veçantë. Poezia e tij është në çdo lexim të ri poezi e re. Është ndonjë herë edhe pikturë, e krijuar nga gjaku, nga shpirti i tij i shqetësuar. Këtë pikturë të tij sa herë ta shikosh asnjëherë nuk e përjeton njëjtë. Secilën herë e ndien ndryshe, secilën herë të pushton ndryshe me thellësinë e vet, secilën herë heton aty figurë me domethënie tjetër, kompozicion dhe ngjyrë të re, nga e cila rrezatojnë mesazhe gjithnjë të veçanta. Mirko gashi aq shumë e përjeton gjithë atë që e formëson, që e krijon, sa të shumt]n e herës ai bëhet viktimë e krijimit të vet.
Zatën, tërë jetën shkroi siç jetoi. Pa poza, pa parulla, pa kurthe. Dhe, prandaj, e pati kaq të vështirë rrugën nëpër të cilën eci. Veçse ai ashtu e zgjodhi dhe ashtu e përfundoi jetën e vet të begatë me vargje kulmore, të cilat sa ia thernin shpirtin po kaq edhe e fuqizonin. Padyshim, poezitë qenë ngushëllimi i tij, ngaqë tjetër kush – madje as mik, as mike, e as shoqëria, në të cilën jetoi e veproi, nuk i ndihmuan në asnjë çast! Dhe, ja i zhgënjyer çfarë shkruan:
“Unë thur
urata
Që ta
qetësoj detin e tërbuar
Ai fryn së bashku me shtrëngatat
Që m`i
pushton ëndrrat
Pse je i
atillë o njeri...”
(“Ylli
im”)
Ai, njeriut që ia pushtonte ëndrrat dhe që ia mbyllte rrugën e njihte nga fytyra dhe nga gjaku, sepse ishte njeriu i vet, i fisit dhe popullit të tij, por këtë nuk dëshironte ta pranojë... E duronte atë gjendje, e ecte udhën “nën zgjedhë” e prapë nuk mund t`ia kthente shpinën njeriut të vet. Ja pse qe e mbeti i veçantë. Ja pse të shkruash për të do të thotë të shkruash për një jetë të rëndë, plot shqetësime. Do të thotë të shkruash për një poezi me një leksik të veçantë. Këtë gjë do ta hetojë edhe kritiku Anton Berisha, i cili në parathënien e librit me vjersha të përzgjedhura “Plagë uji” do të cekë “''Tek ky poet mund të vërhet që nga leksiku dhe togfjalëshi që përdoren e përsëriten në disa krijime si,fjala vjen: dhembjet e verdha ,dhembjet e blerta,kroi i hienave,varrag lumi, syri pa gjelbërim, uji i verbër, lumi i zi, dielli i verbuar, kohë gjarpri, verbim i zogjve,gjarpri i fatit, uji njerkë, uji nëperkë, njeriu sysopatë, polipët e vdekjes deti i tërbuar, uria, vdekja, zogu i urtë i marrisë, oj natë e ditë kuçedër,laraska, hakmarrja e ujit, ushujza, bushtra, reja e zezë,vdekja troket, vala e zezë qyqja, korbi , kali i varreve,etj.''
Ai qe poet, ai qe veiktimë e rrethit kaq sa edhe e poezisë së vet.
IV
Dhembja dhe shqetësimi, zhgënjimi në njerëzit dhe besimi i dikurshëm se e nesërmja do të jetë më e mirë zbehen brenda rrjedhës së të përditshmes, bëhen gjithnjë më të theksuara. Kjo bën që edhe pesha e fjalës së poetit të jetë gjithnjë më e rëndë. Godet dhe vret. Kuptohet me armën e vet, me fjalë.
“E
vështirë qenka jeta
Kur ta
Tashmë poetin e ndjek edhe hija e dhembjes së dashurisë, e cila në të vërtetë kurrë nuk i është ndarë . Ja si i drejtohet të dashurës së vet të ikur dhe kohës së ditë më ditë ikën, e ky e ndien me thellë vetminë, zbrazësinë.
Ti një
lule
Unë një
bletë
Në këtë
jetë
Kudo që
të gjendemi
Zogjtë na
ëndërrojnë
Varret na
ftojnë...”!
(“Arbor vitae” II)
“E lindur
është diku një grua
Ka hyrë
si kob i zi në mua...
E theu
pjatën
Mbetëm pa
drekë”.
(“Kasantipes” I )
Mirko Gashi, padyshim, mbetet poeti më i lidhur me veten. Poeti më tragjik dhe më i paepur në stuhitë që s`e kursyen. Ai, secilës poezi që e shkroi - qoftë me këtë apo me atë motiv, njëjtë, i fali dhe një pjesë të vetvetes, duke e bërë kështu atë shumë të afërt dhe të gjallë. Këtë, besoj, do ta hetoj secili lexues, që do ta ketë ndjekur me përqendrim shkrimin e tij poetik. Poezia e tij për shumë kohë do të përjetohet si e veçantë, e përshkuar me plot ritëm dhe mendim, e përshkruar me dridhje të thella shpirtërore, e përshkuar me realitetin e hidhët, të cilin mund ta luftonte vetëm përmes vargjesh, e kjo qe pak për ta ndryshuar. Aq më pak për ta rrënuar, e – sidomos, pasi atë realitet e ushqenin njerëzit e kombit të tij, mediokër. I mbetej vetëm të shkruante, e shkroi – përfundimisht, ashtu si e ndjeu dhe e jetoi jetën, me të gjitha stërkalat, me dhembjet dhe zymtësitë. Në çaste të rënda, tejet të rë rënda, krijoji vargje të jetojnë kohën që vjen, vargje që ngërthejnë në vete gjithçka që tmerron –
“Sa
vështirë e kam im bir
Kur breshka shqelmon yllin”.
Është shumë e vështirë të shkruhet për lidhjen e secilit poet me poezinë e tij, e sidomos për lidhshmërinë e Mirko Gashit me vargjet e veta, ngaqë ky – deri në fund, është një me krijimin poetik. Gashi, më mirë se secili nga poetët lirik, zbret plagës së vet dhe digjet Ujit e Zjarrit, për t`u ngjitur prapë hirit të vet, për t`u ringjallur si feniksi dhe për të fluturuar qiellin kombëtar, i ndërlidhur me tingujt e fyellit me brezat e ikur, me ata të kohës së vet, por edhe me ata që do të vijnë. E bën këtë me fyellin, i cili bie nga gjyshi, dëgjohet te djali dhe tingëllon pavdekshëm te nipi. Ky rreth, kjo lëvizje në kohë, lidhet dhe formësohet vetëm me pak vargje, të cilat në vete ngërthejnë historinë-humbjet dhe fitoret, djepet dhe varret –
“Babai im
i bie fyellit
Nga ashti i birit tim të palindur punuar”!
Ose
”Ai
Llullën
ngjesh
Unë eshkë
e tij”.
(“Elegjia”)
Diçka e
brendshme me shtyn, që me konstatimin e fillimit ta përmbyll këtë shkrim . Dhe,
po e dëgjoj tiktakun tim: Secilën fjalë, varg, poezi, secilën shenjë në mbarë
krijimtarinë e vet artistike poeti dhe boemi Mirko Gashi e ka matur një kohë të
gjatë mirë e mirë, ia ka dëgjuar ritmin dhe muzikën e brendshme, ia dëgjuar
secilin tingull dhe vetëm atëherë do ta ketë hedhur në letër, që të bëjë jetë
jashtë shpirtit dhe gjakut të tij, të bëhet pjesë e pandarë e lexuesit, sot dhe
mot.