| E hene, 30.07.2012, 07:56 PM |
Nga folklori ynë burimor:
KËNGË TË DHËNDUERVE NGA MALËSIA E GOLLAKUT
Mbledhur nga : Demir KRASNIQI
Pjesë
e pandarë e këngëve të riteve dasmore në trevat e Malësisë së Gollakut, pa
dyshim se është edhe cikli i këngëve të
cilat u janë thurur e kënduar edhe dhëndurëve .
Cikli
i këngëve të dhëndurëve ndahet në dy kategori :
Përmes këngëve që i këndohen
dhëndrit në shtëpinë e vajzës e cila do të bëhet nuse, dhëndri do të
ironizohet, satirizohet dhe thumbohet me figurat më të ashpra, përmes të cilave
femrat që i këndojnë – do ta shprehin mallin, dhembjen, indinjatën dhe
xhelozinë ndaj dhëndrit , i cili po ua merr dhe po ua ndanë për gjithëmonë :
motrën, kushërirën, mbesën, tezën, hallën….!
Kurse në familjen e djalit –
dhëndrit që do të martohet, motrat, kushërirat, bijat e shtëpisë… do t’i
këndojnë këngë me të cilat do ta lartësojnë figurën e vëllait të tyre, i cili
tani do të martohet dhe do të bëhet
dhëndër i dikujt .
Këngët e dasmave në
përgjithësi, por edhe cikli i këngëve të dhënduerve , janë krijuar gjatë etapave të ndryshme kohore, nga femrat
këngëtore të cilat kanë qenë të pa arsimuara, pra që nuk kanë ditur shkrim e
lexim.
Kënga e parë , të cilën po ua sjellim nga ky cikël,
këndohet në shtëpinë e dasmës së djalit, i cili do të martohet dhe do të hyjë
dhëndër, apo siç thuhet në popull: “Do të hyjë në xherdek”. Këtë këngë, e
këndojnë vajzat, motrat, kushërirat dhe bijat e familjes së djalit që do të
martohet, në kohën e pasdarkes , kur ato mendojnë se është koha për ta shti
dhëndrin në xherdek dhe për t’i alarmuar dasmorët se është koha për t’u kryer
kjo ceremoni:
BJERNE DHANDRRIN SE U BA AKSHAMI
(Slivovë-Prishtinë)
Rrang e dang, po ban sahani –
Bjerne dhandrrin, se u ba
akshami!
Rrang e dang, po ban kusija –
Bjerne dhandrrin, se u ba
jacija!
Gy, gy, gy, po ban kënata –
Bjerne dhandrrin, se shkoj
nata!
Gy, gy, gy, po ban ibrigu –
Bjerne dhandrrin, se u kput
verigu!
Slivovë, 1979
Kënga vijuese, përshkruan ceremoninë e shkuarjes së
dhëndrit për herë të parë në familjen e nuses së tij .Pra, atje do ta presin
këngët satirike dhe ironike, të cilat do t’ia këndojnë motrat, kushërirat dhe
bijat e shtëpisë së nuses së tij.
Lojërat të cilat përmenden në vargjet e kësaj kënge, janë
të vërteta, nga se dikur ka qenë traditë, që dhëndrit i cili vjen për herë tëë
parë në familjen e nuses së tij, t’i organizohen lojëra, humore, kurthe dhe
tallje ndër më të ndryshmet, me qëllim që të verifikohen aftësitë e tij psiko –
fizike :
KA SHKUE DHANDRRI S’ PARI NËR MIQË
( Slivovë – Prishtinë )
Ka shkue dhandrri s’ pari nër
miqë,
Ja kan rrehë bothën me çekiç !
U ungjë dhandrri te xhygymi –
Ja kan kepë bothtë për qylymi
!
U ungjë dhandrri te takami –
Ja kan kepë bothën për jani !
Ka shkue dhandrri me e pa
vjehrrën –
N’ prapanicë ja kan kepë
çergën !
Ka shkue dhandrri me e krye
nevojën –
Ja kan mushë kundrat me voe !
Po rrin dhandrri me krye ulë –
Çka ki dhandërr, mos je çkulë
?!
Ka shkue dhandrri mas ni lisi
–
Ja ka çkye bothën orizi !
Ka shkue dhandrri te pojata –
Ja ka ça bothën sallata !
Slivovë, 1979
Edhe kënga vijuese , bënë fjalë për alarmin se ka ardhur
koha për ta shti dhëndrin në xherdek tek nusja e tij. Pra, këndohet në shtëpinë
e dhëndrit natën e martesës .
Në vargjet e kësaj kënge, pos të tjerash, përmenden edhe
disa elemente karakteristike si: tepsia, sahani, ibrigu, knata ,legeni, pehari
etj.
Këto elemente (vegla) na e bëjnë të qartë kohën kur
pastrimi higjenik i njerëzve bëhej përmes ibrikut, knatës , legenit, peharit,
lekës ...etj.
BJERNE DHANDRRIN SE U BA JACIJA
(Kishna Pole-Gjilan)
Rring e ding, po ban tepsija –
Bjerne dhandrrin, se u ba
jacija!
Rring e ding, po ban sahani –
Bjerne dhandrrin, se u ba
akshami!
Ki, ki, ki, po ban ibrigu –
Bjerne dhandrrin, se na ra
tligu!
Ge, ge, ge, po ban knata –
Bjerne dhandrrin, se na shkoj
nata!
Rrang e dang, po ban legeni –
Bjerne dhandrrin, se u ba
veremi!
Rrang e dang, po ban pehari –
Bjerne dhandrrin, se u ba
bezari!
Rring e zhing, po ban
xhamparja –
Bjerne dhandrrin, se u ba
belaja!
Rram e bam, po kërset defi –
Bjerne dhandrrin, se u prish
çefi!
Prishtinë, 1979
Në vazhdim, po ju sjellim një këngë të cilën e këndojnë
motrat dhe bijat e shtëpisë së dhëndrit , i cili para se të hyjë dhëndër tek nusja e tij, bijat e shtëpisë dhe
të gjitha gratë e pranishme, duhet ta lirojnë dhomën e nuses dhe të dalin
përjashta. Këtë “përzënie” nga dhoma e nuses, gratë, bijat dhe motrat e
dhëndrit, do t’ia atribuojnë nuses, se gjoja , ajo po i përzenë nga dhoma e saj
:
BYLBYL NË BUJASHKA
(Kukavicë-Slivovë)
Bylbyl në bujashka, në
bujashka,
Po na çet Lula përjashta!
Lujë Lulije, lujë,
Me djalin e hujë!
Bylbyl sharavina, sharavina,
Çilma derën, Luli, se u
mërdhina!
Lujë Lulije, lujë,
Me djalin e
hujë!
Bylbyl sharavina, sharavina,
Çilma derën, o vlla, se u
mërdhina!
Lujë, vllavi i jem, lujë,
Me çikën e hujë!
Vllavi i jem në krye t’ venit
–
S’po m’ len me çelë derën, kjo
e bija e qenit!
Lujë, Lulije, lujë,
Me vllavin e hujë!
Është zakon që në ditën e parë
të martesës së çiftit të ri, në orët e para të asaj dite të shtrohet “Kulaçi i
nuses”, ku do të marrin pjesë të gjithë anëtarët e familjes së dhëndrit ,
farefisi dhe miqtë e rrethit të ngushtë . Në atë ceremoni, pas ngrërjes së
“Kulaçit të nuses” , është zakon që nusja t’ua merr dorën të gjithëve me rend,
kurse pjesëmarrësit e pranishëm duhet që t’i japin dhurata, para e gjësende të
ndryshme me vlerë:
U UNGJË AGAJ BABA N’ KRYE T’ VENIT
( Kukavicë – Slivovë )
U ungjë agaj-baba,
N’ krye t’ venit –
Qitja pesë mijë banka,
T’ bijës qenit!
U ungjë Rrustem-aga,
N’ krye t’ venit –
Qitja dy mijë banka,
T’ bijës qenit!
U ungjë babgjysh-daja
N’ ball t’ oxhakut –
Qitja ni lirë t’ kuqe,
T’ bisë s’ presnjakut!
Slivovë, 1974
Edhe kënga në vijim , i kushtohet momentit të shtirjes së
dhëndrit në xherdek në dhomën e nuses, kur të gjitha femrat tjera të pranishme
duhet të dalin përjashta dhe t’ua lirojnë dhomën çiftit të ri :
DERA ME BUJASHKA
(Prishtinë)
Dera me bujashka, me bujashka,
Na ke qitë, o vëlla përjashta!
Dera me kushak, me kushak –
Na ke qitë, o vëlla, n’ sokak!
Dera me shinra, me shinra –
Çilma, o vlla derën, se u
mërdhina!
Dera me zingjirë, me zingjirë,
A po t’ doket, o vlla, nusja e
mirë ?
Prishtinë, 1974
Ja se si e tallin dhe ironizojnë ardhjen e dhëndrit së
pari , në familjen e nuses së tij, vajzat, motrat dhe të afërmet e nuses, nga
mllefi që dhëndri ua ka marrë motrën, kushërirën dhe shoqën e tyre :
FRYNI ERA E NA E RRXOI TALLËN
(Surdull-Llap)
Fryni era e na e rrxoj tallën,
Na e ka nxanë
dhandërr-budallën!
Fryni era e na e rrxoi
hamarin,
Na e ka nxanë
dhandërr-magarin!
Fryni era e na e rrxoj avlijen,
Na e ka nxanë dhandërr-surrlaxhijen!
Fryni era e na e rrxoi tarabën,
Na e ka nxanë
dhandërr-barabën!
Fryni era e na rrxoi kapixhikun,
Na e ka nxanë
dhandërr-pishpirikun!
Prishtinë, 1974
Mllefin dhe pezmin ndaj dhëndrit , i cili ua ka marrë motrën,
kushërirën dhe shoqën me të cilën janë rritur bashkë, do ta shprehin përmes
këngës edhe vajzat këngëtore të shoqëruara me defet e tyre, ku përmes vargjeve
satirike të këngës, do t’ia përgatisin edhe specialitetet ushqimore dhëndrit të
tyre, në rastin kur ai do të vijë për të parën herë mysafirë në shtëpinë e
nuses së tij :
KUR T’ NA
VINË DHANRRI S’ PARI
(Tugjec-Gollak)
Kur t’ na vinë, moj dhanrri s’
pari-
Do ta lidhum si qen për
gardhi!
Do ta ungjum te duvari,
Do t’i çesum mish zagari!
Kur t’ na vinë, moj, dhanrri s’ dyti-
Do ta lidhum si qen për fyti!
Do ta çesum te oborri –
Le t’ ja lpijnë gojën maçorri!
Kur t’ na vinë, moj
dhanrri s’ treti –
Do t’ i çesum xhellë për s’ nxeti!
Do t’ ja çesum me koritë –
Mos t’ i jesin xhella n’ fyt!
Kur t’ bajnë dhanrri për me
shkue –
Ni samar kem me ja vnue!
Do ta çojmë në mal për dru’ –
S’i lam kijet me u mundu’!
Për t’ia tallur e përqeshur sa më shumë burrin, motrës,
apo kushërirës së sapomartuar , bijat dhe vajzat e shtëpisë së vajzës që është
bërë nuse, do t’ia këndojnë këngën burrit të saj – dhëndrit, duke e përshkruar
atë si një budalla të varfër, i cili nuk di t’i ruaj as rrobat, as të mbathurat
e tij :
NA KA ARDHË DHANRRI TE LAMA
( Tugjec – Gollak )
Na ka ardhë dhanrri te lama –
Oj Lulije, m’ ka hupë apanga!
-Shujë çyçan, mos t’ niejn katuni,
Ta maroj ni apangë pej druni!
Shujë çyçan, mos t’ niejn mahalla,
T’i maroj ni parë sandalla!
Tugjec, më 1967
Edhe në vargjet e këngës vijuese , përshkruhet ardhja e
dhëndrit në shtëpinë e nuses , si mysafir për herë të parë, me ç’rast do
t’i përgatisin specialitete ushqimore
nga mishi i qenit, lëkurën e të cilit do t’ia shtrojnë në odë në vend të
postaçisë , kurse bishtin e tij, do t’ia varin në vend të mastakëve :
KUR T’ NA VJEN DHANDRRI I RI
(Kalaticë-Llap)
Kur t’ na vjen dhandrri i ri –
Do t’ ja prejmë qenin e zi!
Se kur t’ shkojnë në odë me hi –
Ja shtrojmë lëkurën – postaçi!
Si n’ ju doktë postaçija e keqe –
Do t’ ja bajmë bishtin –
musteqe!
Prishtinë, 1974
Një
këngë karakteristike që iu këndohet dhëndurve , e që ka një porosi humane,
është kënga në vijim, përmes të cilës dhëndri porositë nusen e vet që të mos
mërzitet dhe të mos qajë, nga se ai kurrë në jetë nuk do ta shajë, as nuk do ta
ndajë nga të parnit bashkë me bijat tjera të familjes së saj :
NA I RA
DHANDRRI NËPËR MAHALLË
(Kalaticë-Llap)
Na i ra dhandrri, nëpër
mahallë –
Na i la qeni, nja dy-tri fjalë!
-Mos ma bani Lulijen,me vajë –
Kurrë prej
t’ parnit nuk ja u ndajë!
-Thujmi nusës, hiç mos kajë –
Kurr s’e rrehi, as s’e shajë!
Prishtinë, 1974
Kënga
në vijim, i këndohet dhndrit pos a të hyjë në xherdek tek nusja e tij, nga ana
e motrave dhe bijave të shtëpisë, të cilat e këshillojnë dhëndrin (vëllain) e
tyre, që të jetë syçelë e të mos e mashtrojë nusja me veprime të ndryshme, nga
se tani do të tallen me te i gjithë rrethi :
ORE DHANDËRR,DJALË I RI
(Kishna Pole – Gjilan)
Ore dhandërr, djalë i ri –
Kqyre mier, ku kie me hi!
Rueju mier, se po t’ mashtron
–
Derën me çivi ta ngujon!
Ta mshelë derën me çivi –
E nuk t’ len mrena me hi!
Kqyre mier derën me sy –
Se do t’ keshin hallki me ty!
Prishtinë, 1974
Në vijim, po ju sjellim vargjet e një kënge provokative ,
përmes të cilës bijat e shtëpisë së dhëndrit, do ta provokojnë atë, duke e
pyetur se a mos ka fjetur gjatlë natës së parë të martesës me nusen dhe a mos
ka pa ndonjë ëndërr ?!
Në rastin kur nuses nuk i është dërguar ari me bollëk,
sidomos pesëlirëshi i qafës, ajo do të tregohet e hidhëruar ndaj dhëndrit dhe
do t’ia kthejë shpinën duke mos folur asgjë me te :
ORE UKË, ORE DHANËRR
(Cfircë-Gollak)
Ore Ukë, ore dhanërr,
A e ke pa ndo ni anërr?
-E kam pa, mu ka diftue –
Nusja n’ strehë, mu kish
palue!
Zgata dorën për me çplue –
Ma kthej krahin, ish idhnue!
Ish idhnue, s’foli me mue –
Për pesëlirëshin qi nuk ja kam
vnue!
Tugjec, 17. 11. 1973
Për ta shprehur mllefin dhe indinjatën ndaj dhëndrit , i
cili po ua merr motrën, kushërirën dhe shoqën e jetës, ato do të shfryhen
përmes vargjeve të këngës, duke pyetur se çfarë pune punon dhëndri – burri i
motrës së tyre? Por, njëkohësisht, ato do ta japin edhe përgjigjen se çfarë
pune punon, ai, duke e përshkruar si një lopar që ruan lopët dhe ua heq plehun
atyre ! Pastaj, do ta përshkruajn si një rojtar që ruan pelat dhe gomarët, si
një çoban që rri në pyll duke i rënë fyellit dhe surles :
SA E KA BURRI I LULËS RROGËN
(Grashticë-Prishtinë)
Sa e ka burri i Lulës, rrogën?
-E hjek plehin, e lshon lopën!
Ati ja japin rrogën ma t’
parit –
I lshon pelat, i qet magarit!
Kah t’ shkon udhës n’ mjedis
t’ pyllit –
I bjen surrlës, i bjen
fyellit!
Prishtinë, 1974
Një satirë shumë e fortë ndaj dhëndrit , i cili do të
vjen për ta marrë nusen e vetë së pari tek familja e saj, do t’i këndohet nga
motrat, kushërirat dhe bijat e shtëpisë së nuses, ku dhëndri do të përshkruhet
përmes figurave ironike, si një budalla që nuk di t’i ruaj opingat e veta dhe
si një fukara i cili do të vjen me gomar për ta marrë nusen e vet. Por, gjatë
rrugës, ai do ta humbë edhe gomarin e vet dhe nuk do të ketë se me çka ta merr
nusen :
SILLET DHANDRRI NËPËR LAMË
(Batllavë-Llap)
Sillet dhandrri, nëpër lamë –
I kish hupë njana apangë!
-Hajt, more dhandërr, mos ki
dert,
Se apnga t’ blejnë apet!
Sillet dhandrri, rreth mullari
–
Kuku nanë, m’ ka hupë magari!
-Hajt, more dhandërr, mos ki
dert,
Se magari t’ vjen apet!
Sillet dhandrri, nëpër mahallë
–
Do me m’ metë nusja pa e
marrë!
Sillet dhandrri, nëpër mal –
I ka çue Lulës, fjalë:
“Hajt moj Lule, ti mos kajë,
Se magarin s’ mun po e gjajë!
N’ koftë kysmet, magarin me
gjetë –
Unë khehna e t’ marr apet!”
Prishtinë, 1974
Zakonisht, në këngët që iu këndohen dhëndurve nga ana e
të afërmeve të vajzës e cila bëhet nuse, kritikohet , përqeshet dhe ironizohet
dhëndrri, duke e përshkruar atë si një njeri të marrë, si një budalla, si njeri
të humbur, i cili nuk di të kontrollojë vetin dhe veprimet e veta, si njeri që
nuk di t’i ruaj as veshmbathjet e tij, por i humb ato në çdo hap që do të niset
diku për të udhëtuar, e sidomos gjatë rrugëtimit për ta marrë nusen e vet :
U DALË DHANDRRI E PO KAN TU LISI
(Rimanishtë-Prishtinë)
U dalë dhandrri
E po kan tu lisi –
Kuku nane,
M’ ka hupë plisi!
-Shujë çyçan,
Se po t’ niejnë katuni,
Se ta maron nana,
Ty, ni plis pej zhguni!
U dalë dhandrri
E po kan te sana –
Kuku nane,
M’ paska hupë apanga!
-Shujë çyçan,
Se na lmerove,
Se ta maron nana,
Ni apangë prej love!
Prishtinë, 1974
*****
Demir
Krasniqi :”LIRIKA POPULLORE E GOLLAKUT” – Gjilan, më 2008.