| E shtune, 28.07.2012, 07:27 PM |
MBRETËRESHA
E FRANCËS DHE KRYEMINISTRI YNË
Nga Elvin Luku
Kur shpërtheu
kriza e bukës në Francën e shek. XVII dhe uria nxiti vetvetiu revoltë ndaj
pushtetit, të shqetësuar, oborrtarët nxituan në pallatin mbretëror për të vënë në
dijeni madhërinë e saj, Marie-Antoinette.
- Madhëri, bukëpjekësit s’kanë më miell,
populli është i uritur, duan bukë.
- Si?! Nuk ka bukë?!
- Jo madhëri. Çfarë të bëjmë?
- Nëse s’ka bukë, atëherë, jepuni
biskota.
Deklarata,
sigurisht, sot shkakton ilaritet. Por, është kuptimplotë kur mëson se ajo vjen
nga kulla e fildishtë, ku meraku më i madh dhe i vetëm i mbretëreshës ishin
ceremonite, festat dhe mbrëmjet mondane.
Do apo
nuk do, kjo historia e mbretëreshës së Francës, shqiptarit të sotëm i kujton
deklaratat e kryeministrit të tyre, Sali Berisha kur flet për vendet e para, të
dyta apo të treta që, sipas tij zë Shqipëria në Evropë, apo në botë për një aspekt
apo tjetrin të zhvillimit.
Ndërsa
fliste këto ditë në mbledhjen e qeverisë, ku prezantonte vendimin për rritjen e
rrogave dhe pensioneve për vitin 2012, kryeministri theksoi edhe një herë se,
Shqipëria është vendi i parë në rajon që shënon një rritje katër herë më të madhe
se vendet fqinje: “Siç fakton Komisioni Evropian, në raportin e tij të fundit,
rritja ekonomike në Shqipëri, në katër vitet e fundit kulmore të krizës, është 4
herë më e madhe se mesatarja e rajonit. Sipas KE-së, rritja mesatare e rajonit
tonë në këto katër vitet e fundit ka qenë 0.8 për qind, rritja mesatare e
ekonomisë shqiptare ka qenë mbi 3 për qind. Pra, rritja mesatare në Shqipëri ka
qenë 4 herë më e madhe sesa rritja e rajonit”.
Ka
arritje të tjera: “...në rrafshin tjetër, në rast se rritja ekonomike ka qenë 4
herë më e madhe sesa mesatarja e rajonit dhe 5 vitet e fundit të marra së bashku
ajo ka qenë 22 për qind, më e larta në Evropë, inflacioni në Shqipëri ka qenë 2
herë më i ulët sesa në mesataren e rajonit.”, - një rritje ekonomike që do ta
kishte zili Merkel, Hollande, Cameron, Monti, të cilët kanë nga 2008-ta që nuk
po shohin një ditë të bardhë.
I
verifikuam të gjithë këto shifra në raportin e fundit të Komisionit Evropian
dhe na rezultuan plotësisht të vërteta. Por, po i njëjti raport, të cilit i
referohet kryeministri, në konkluzionet për Institutin e Statistikave në Shqipëri,
pra për INSTAT, shkruan se ky institucion “nuk gëzon pavarësi”, duke hedhur dyshimin
për manipulim të shifrave. Ja se çfarë thuhet në këtë dokument: “Ka patur
progres në modernizimin e infrastrukturës për statistikat. Megjithatë, dobësia
qëndron veçanërisht në statistikat për agrikulturën, statistikat sociale, për
biznesin dhe shifrat makroekonomike. Duhen ndërmarrë hapa të tjerë për të plotësuar
këto boshllëqe. Pavarësia profesionale e INSTAT nuk është e plotë, ndaj duhet të
rriten burimet njerëzore dhe financiare.”
Dhe pikërisht,
INSTAT-i që citon kryeministri, ndonëse zotëron statistika vetëm pozitive,
mbajti në terr shifrash mediat, publikun dhe institucionet ndërkombëtare. Në raportin
e fundit të Bankës Botërore të publikuar në qershor, me titull “Evropa
Juglinore: Raporti i zhvillimeve ekonomike”, i cili bën një analizë panoramike
të situatës ekonomike në rajonin e Ballkanit, në më të shumtën e rasteve i
linte bosh shifrat për Shqipërinë, me shënimin se “të dhënat e Shqipërisë nuk
janë të disponueshme që nga viti
Ndërkaq, siç pohon vetë, kreu i qeverisë ka këmbëngulur
me insistim në kancelaritë e huaja që qeveria e tij të rrisë rrogat e
pensionet, - thua se ky është çelësi magjik i rritjes ekonomike: “...të ardhurat pensionale minimale, që në vitin
2005 kanë qenë 8 mijë e 350 lekë, në korrik të vitit 2012 do të jenë 13.656 lekë,
pra në harkun kohor 2005-2012 është një rritje prej 64 për qind...Pensionet
rurale të cilat kanë qenë qesharake (tani janë dinjitoze!), ku ata merrnin të ardhura
pensionale gjithsej 3 mijë e 630 lekë. Me rritjen që bëhet, në korrik 2012 ata
do të marrin 8 mijë e 731 lekë, apo një rritje 140 për qind, krahasuar me vitin
2005.
Le të marrim
një pensionist, të cilit qeveria ia ka rritur me 64% pensionin dhe që në total përfiton 13.656 lekë
në muaj.
Pas kësaj
“llogarie optimiste” të kryeministrit, mbi 500 mijë pensionistëve të Shqipërisë
iu duhet thënë të lënë stolat e parqeve; lojrat e dominosë, tavllat; të braktisin
lokalet periferike ku kafja kushton 50 lekë e më pak, dhe të pushtojnë Rognerin,
Sheratonin, plazhet; të blejnë makina etj., etj.
Ëndërr e
bukur, apo jo!
Sipas
raportit të fundit të Bankës Botërore, në Shqipëri, janë 62.1% ata që jetojnë në
të ashtëquajturën “varfëri të përkufizar”, pra me 5 $ në ditë. Shifra që citohet
për Shqipërinë është ajo e vitit 2008, ndërsa për Bosnjen ajo e vitit 2007,
pasi që prej asaj periudhe mungojnë statistikat e varfërisë ekstreme dhe varfërisë
së përkufizuar vetëm për këto dy shtete në raport me fqinjët.
Ndonëse
me një realitet të tillë të pasqyruar në pjesën më të madhe të raporteve ndërkombëtare,
kryeministri ynë nuk nguron që në vendet nga kanë dalë këto dokumente serioze,
Bruksel apo New York, të japë leksione për lirinë ekonomike, ekonominë e lirë,
dhe sidomos “modelin shqiptar të ekonomisë” etj., etj.
Ju
lutemi, zoti kryeministër, jo gjer këtu!...
Është e vërtetë
që ndërkombëtarët tanë të “Treshes” apo “Trojkës”, siç i quajnë vllezërit
kosovarë, ose ndërkombëtarët e tjerë të shumtë që venë e vinë, kanë kohë vetëm
për takimet në selitë shtetërore, dhe sa për të ngrënë një copë bukë, në Rogner,
Sheraton etj...
Por, ne,
vendalinjtë i njohim mirë fletoret me listat shumëvjeçare në dyqanet e
ushqimoreve. Tanimë, nuk qahen më vetëm blerësit veresie, por pronarët e
dyqaneve që nuk i vjelin dot paratë, se nuk kanë as zyrë të tatimeve e taksave
të vënë gjoba.
Por edhe
nëse nuk kanë kohë të dalin nga kulla e fildishtë e mbretëreshës e të hyjnë në dyqane
e kafe, si nuk gjejnë pak kohë këta miqtë tanë ndërkombëtar, t’i hedhin një sy
të shpejtë, së paku, “Shqipërisë tjetër” të opozitës apo të gazetarit Marin
Mema të Top Channel?
Ka edhe
një çudi tjetër. Edhe kur nga DASH, Freedom House, FMN, TIA e ndonjë tjetër
vijnë raporte kritike, që të nesërmen dhe po para ndërkombëtarëve, kryeministri
ynë gjen guximin që tabelën ta lexojë nga poshtë-lart, domethënë, vendin e
parafundit ku është Shqipëria, ta lexojë, si vend të dytë; reklamon nga e para “modelin
shqiptar” i cili lë pas disa shtete evropiane etj., etj.
I
I fortë apo
i dobët është e vështirë t’i japësh udhë; vihesh përpara dilemës “hamletiane”,
dhe kujton përsëri mbretëreshën Marie-Antoinette të Francës.
Pra, ose
kryeministri ynë është i mbyllur në kullën e fildishtë si mbretëresha dhe flet
për biskota, ose e di mirë që njerëzia mezi e shtyn ditën e duan jo biskota po
bukë, dhe kësisoj, ai tallet me popullin e vet.
Këtë, të dytën,
ky popull nuk ta ka borxh zoti Kryeministër.