| E hene, 07.04.2008, 06:23 PM |
Në Marcianise të Kazertës u arrestua trafikanti ndërkombëtar i drogës Xhevair Malaj
Në Marcianise të Kazertës (Caserta) karabinierët arrestuan trafikantin ndërkombëtar të drogës, të kërkuar nga organet e ndjekjes plot dy vjet
ME 104 PERSONA TË TJERË NËN PRANGA SHQIPTARI I SHUMËKËRKUAR – XHEVAIR MALAJ
Engjëll KOLIQI
Marcianise (Caserta), 7 prill 2008 – Siç ka njoftuar dje agjencia rajonale e lajmeve "Caserta News", mbas përcjelljes profesionale dyvjeçare, karabinierët e atjeshëm kanë ndërmarrë një akcion të furishëm kundër trafikantëve të drogës, të njohur në tregun ndërkombëtar të narkomanisë. Akcioni i karabinierëve ka pasur diapazon të gjërë – që nga Napoli e deri në Lecce. Në rrethinat e Lecce-s e deri në Caserta janë arrestuar 79 trafikantë ndërkombëtarë të drogës, në mesin e të cilëve edhe shefi i tyre, i shumëkërkuari për plot dy vjet, nga organet e ndjekjes – 26 vjeçari shqiptar – Xhevair Malaj, i akuzuar për bashkim mafioz, për qëllime të trafikimit ndërkombëtare dhe të shpërndarjes së kokainës dhe të heroinës. Në të njëjtin akcion, në rrethinat e Napolit janë arrestuar edhe 26 trafikantë të tjerë të drogës.
Kapjen e Xhevair Malaj-t, siç njofton agjencia e lartëpërmendur, e ka mundësuar arrestimi i mëparshëm i një grupi trafikantësh, të cilët kanë dëshmuar shumë gjëra, sigurisht deri te vendndodhja e të kërkuarit Malaj – përfundon agjencia. Ai është kapur në një banesë të qytezës Marcianise, në rrugën Donizetti, bashkë me katër bashkëpunëtorë të ngushtë – dy gra ukrainase dhe dy burra shqiptarë. Tre burrat janë dërguar në burgun e Santa Maria Capu Vetere (në afërsi të Caserta-s), kurse gratë në burgun e femrave në Pozzuoli.