| E enjte, 26.07.2012, 07:34 PM |
In memoriam
ALI PODRIMJA (1942-2012)
Nga Don Lush GJERGJI
Ishim së bashku dekada të tëra nëpër manifestime kulturore, akademi, seminare, simpoziume, përvjetore... Sidomos ishim së bashku nëpër sprova, vuajtje, pësime, batica-zbatica të kohës dhe hapësirave tona, shpesh të sharë dhe të nëpërkëmbur, të kërcnuar dhe të rrezikuar, së bashku me Popullin tonë... Ishim dhe njiheshim si dy “bashkëudhëtarë” të cilët ecin secili rrugës së vet, por jeta, rruga, njerëzit, ngjarjet shpesh i “kryqëzojnë” ...
Gjatë vitit 1981, pra, gjatë demostratave studentore, punëtore, gjithëpopullore në Prishtinë, më vonë edhe në mbarë Kosovën, Ali Podrimja, së bashku me Rifat Kukën, Fahredin Gungën, Azem Shkrelin, Anton Pashkun e shumë të tjerë..., shqyrtonim vëllazërisht gjendjen e posakrijuar. Mendonim shumë e flisnim pak, sepse gjendja e tillë ishte tejet e rrezikshme dhe pa ndonjë perspektivë të qartë...
Dikush prej të pranishmëve ndërhyri dhe profetikisht tha:
“Burra, jemi të dënuar në Liri!”. Dhe
prapë heshtje, shikime, përshpëritje, ofshamë. Pyetja më e shpeshtë, gati
refren, për të gjithë ishte kjo: Deri kur kështu?
Ali Podrimja ndër të tjera tha: “Kjo është vetëm nisja, hyrja, në “dasmë”. E ju e dini se dasmë pa mish nuk ka... Kam frikë se kjo dasmë po i ha bijtë dhe bijat tona më të mira... Çmimi i lirisë është tejet i lartë dhe paguhet shumë shtrenjtë...”.
Ishte një vizion i qartë dhe një përcaktim jetësor. Ai, gjatë gjithë këtyre dakadave ishte me ne, me Popullin tonë, si shkrimtarë i angazhuar, gati-gati si “kronist” i ngjarjeve, kuptohet, në mënyrën më të lartë poetike dhe estetike, me porosi të qarta dhe të thella, me figura metaforike dhe stilistike të qëlluara, me guxim heroik dhe profetik.
Një ngjarje që e kishte karakterizuar jetën dhe krijimtarinë e tij, ishte pa dyshim edhe sëmundja dhe vdekja e djalit, vogëlushit, apo siç thoshte ai “Engjëllit tim – Lumit”, nëpërmjet të cilit Aliu kishte zbuluar një botë të re, atë të vuajtjes së motivuar dhe të ofruar, në stilin e Nënës Tereze.
Shpesh më thoshte: “Unë jetoj me Lumin, krijoj me Lumin dhe për Lumin, për të gjithë ata që vuajnë, pësojnë, tashmë jetojnë në amshim... Lumi më ka bindur dhe më ka dhënë shumë, përvojën e Zotit, të fesë, atë të amshimit...”
Ja shkrimi i Ali Podrimjes kushtuar Lumit:
FLET? E BARDH?:
Mbi tavolinë
Fletë e bardhë
Aty do shkruar:
Lum Podrimja vdiq më 29
Shtator 1982.
Të ndjej në qënie si lëviz si merr frymë
Të shoh në jetë gjithkund të prek
Vdekjen tënde nuk mund ta nënshkruaj j voglush
Varrmihësit le ta qesin emërin
Ose bardhësia të më mbulojë
Edhe mua të tërin.
Ulpianë,
tetor, 1982.
Gjatë vitit 1985, punoja monografinë “Lule për Nënën” kushtuar 75 vjetorit të lindjes së Nënës Tereze, një libër me poezi, prozë, pikturë, skupturë, muzikë. Pas marrjes së shumë punimeve nga të gjitha viset shqiptare, përjashtuar Shqipërinë, e cila ishte ende hermetikisht e mbyllur, duhej ndonjë dorë mjeshtrore për përzidhje dhe rënditje.
Dhe prapë ishim së bashku, Fahredin Gunga, Rifat Kuka,
Ali Podrimja, tre “redaktorët” , pa emër të kësaj Monografie, sepse ishte ende
koha e monizmit dhe komunizmit. Punuam së bashku dhe me zemër e frytin e kësaj
pune le ta vlerësojë Zoti dhe Populli.
Pas disa orëve pune në redaktimin përfundimtar të librit,
në banesën e Fahredin Gungës, Rifat Kuka më tha: “Don Lush e ke bërë një mrekulli... Ali Podrimja disa orë është i ulur
së bashku me ne... Kjo ndodhë rrallë, mos të them kurrë (duke menduar në
temperamentin e Aliut, vr. ime)...”.
“Mrekullia, nëse është e tillë, është e Nënës Tereze, jo e imja” u përgjigja unë. Ali Podrimja më shikoj ëmbël dhe tha: “Nuk mund të ndahem më prej Nënës Tereze... I lumi ti që e ke takuar dhe njohur personalisht... Unë tashmë jetoj dhe krijoj së bashku me atë... Ajo përpara Çmimit Nobel për Paqe ka merituar Çmimin Nobel për Letërsi... Çdo resht, fjalë, uratë e saj është e mrekullueshme, frymëzuese për mua...”.
Ishte viti i sprovave të jashtëzakonshme (1989), heqja e
të “ashtuquajteres” Autonomi, rrënimi
sistematik i çdo gjëje shqiptare, arsimit, kulturës, shëndetësisë, mos të
flasim për politikë, ekonomi e shumçka tjetër.
Ishim rishtas së bashku në “Pallatin e Shtypit” në Prishtinë. Brengosja, shqetësimi, rrezikimi merrte hov dhe s’kishte më të ndalur. Njerëzit “strukeshin” dhe e ruanin kokën dhe shpinën. Në tavolinën e bisedës ishim diku afro njëzet krijues dhe gazetarë. Unë i thashë mendimet dhe qëndrimet e Kishës në Kosovë, të Imzot Nikë Prelës, duke nënvizuar se takimi, afrimi dhe bashkimi ynë është parakusht i çdo suksesi, i shpëtimit tonë kombëtar.
Ali Podrimja më shikonte me një vëmendje të posaçme dhe
nuk fliste asgjë. I thashë: “Fol, Ali i
dashur! Çka mendon ti?”. Ai më tha kështu: “Unë mendoj krejt si ti... Ti po mi merrë mendimet dhe fjalët, po i
thurr aq mirë, sa që unë s’kam çka të them!”.
U përgjigja: “Është gjendja që na detyron të mendojmë dhe të veprojmë së bashku, një... Ti e ke mjeshtrinë e fjalës së shkruar, veçmas të poezisë, e unë, aty-këtu të fjalës...”. U përqafuam vëllazërisht dhe u kuptuam me pak fjalë, mos të them pa fjalë.
Ishim në Romë për Lumturimin e Nënës Tereze. Ali Podrimja ishte shumë aktiv në përgatitjen e vëllimit të poezive dhe uratëve të Nënës Tereze “Mësomë të dua” në gjuhën anglishte, shqipe dhe gjermanishte. Ndër të tjera më tha: “Populli shqiptar është si një Foshnje në duart dhe zemrën e Nënës Tereze dhe ka vetëm një kërkesë: Mësomë të dua! Nëse e mësojmë dhe e praktikojmë këtë, shpëtuam, jemi të lumtur...”.
Pas Meshës së Lumturimit ai ishte shumë i lumtur, si rralë herë. Më përqafoi dhe më tha: “Sot, Ti don Lush, duhet të jesh i lumtur... Ta them të drejtën sot për herë të parë e pashë, e përjetova dhe e kuptova këtë: Jam i lumtur që jam Shqiptar, bir shpirtëror i Nënës Tereze... A e ke parë gjithë këtë mori njerëzish, kombesh, feve të ndryshme... Të gjithë na kanë lakmi se jemi Shqiptarë... Kujdo ia kam dhuruar librin “Mësomë të dua” e ka pranuar me shumë nderim dhe falënderim...”.
Ja përshkrimi i tij për këtë ngjarje: “Shkelnim në javën e fundit. Njëmijë ekzemplarët ishin paketuar për destinacion në Itali. Lumnimi i Nënës Tereze mbahej nga data 18 deri 21 tetor 2003. Më 18 tetor aeroplani me pelegrinët nga Kosova ishte ngritur nga Sllatina në drejtim të Romës. Mendoja për librat dhe ç'do të bënte qeveria e zotit Trajkovski, sapo të ketë një ekzemplar të librit tonë, a do të skuqej nga fjalët e Papa Gjon Palit II, që fliste me admirim për "bijën e popullit shqiptar që i ka dhënë nder dhe shkëlqim kombit të saj…". Maqedonia ishte shtet e unë isha vetëm individ, që plasoja të vërtetën për Nënën Tereze…
Unë kisha kryer një punë të ndershme për të mposhtur një falsifikim tipik
sllav dhe për t'u treguar të tjerëve nga ishte Nënëmadhja. Kryeja, pra një punë
atdhetare. Bindesha se njerëzit tanë kur ia mësyjnë botës, më tepër u intereson
levërdia e xhepit se çështja nacionale . Mendoj kështu dhe tani. Mjafton të
përqendrohesh në bisedat e paraqitjet e tyre në masmedia e të bindesh se kush
na mbron nga e liga. Atdheun e konsiderojnë para dhe asgjë tjetër. Nuk më
habit, pra nëpërkëmbja jonë edhe nga ata që nuk kanë identitet ende. Ështe
tmerruese kjo.
Më 19 tetor pelegrinët nga Kosova gjendeshin në rendin e pare, meqë vinin
nga vendlindja e Nënës Tereze. Papa Gjon Pali II, i cili do e mbante meshën për Lumnimin e të Shenjtës
sonë, nuk ishte as dhjetë metra larg nesh. Masmediat gumëzhinin në sheshin e
madh të Vatikanit, ku ishin tubuar afër një milion njerëz. Atje në fund ishte
shpalosur skaj më skaj një flamur shqiptar. Nga stacionet e huaja televizive e
sidomos nga CNN nuk hiqej kopertina e librit "Teach me to love" e Nënës
Tereze, të cilin tanimë e kishin të gjithë burrështetasit e masmediat. Një i
kishës sonë po ashtu kishte arritur t'ia dorëzojë dy ekzemplarë dhe Papës Gjon
Palit II.
Personi që më kishte
informuar nga Roma për dredhinë maqedone, më kishte gjetur në mesin e pelegrinëve
dhe më kishte thënë: falsifikatorët e tërhoqën librin, e kishin lexuar se
ç'thoshte Papa për bamirësen tonë. Ky ishte fundi i një ëndrre sllave. Nuk
besoj se kishte njeri më të lumtur se unë atë moment. Kisha kryer një punë të
vogël për një çështje të madhe. Nga muri i lartë i Katedrales së Shën Pjetrit
vazhdonte të buzëqeshte Nëna Tereze. Ishte zbrazur dikur sheshi i pafund i
Vatikanit, ku fitues ishte populli im që kurrë nuk u nda sipas besimeve. Dikur
vonë isha larguar nga aty. Në ekranet televizive vazhdonte filmi për jetën e
Nënës Tereze” (Ali Podrimja, Historia e një
libri, 1 maj 2008).
Dhe prapë ishim së bashku në Këshillin Organizativ për 100 – vjetorin e
lindjes së Nënës Tereze në vitin 2010, Ali Podrimja si përfaqësues i Akademisë
së Shkencës dhe Arteve e Kosovës, unë si përfaqësues i Ipeshkvisë së Kosovës
dhe si biograf i saj. Punuam me shpirt dhe zemër dhe mendoj se doli mirë,
kuptohet, në kushtet tona.
Në takimin e parë zyrtar në Ministrinë e Kulturës së Kosovës, Ali Podrimja
ndër të tjera tha: “Shpirti i saj arriti edhe në poezi.
Ai tha se duhet të dimë se madhështia e Nënës Terezë është vërtet e madhe. Kjo
më së miri shihet nga fqinjët tanë, të cilët bëjnë përpjekje për të grabitur
një nënë që nuk iu ka takuar atyre...”.
Do ta përfundoj këtë shkrim me disa kujtime
lidhur me Ali Podrimjën, Nënën Tereze dhe ndërtimin e Katedrales “Nëna Tereze”
në Prishtinë. Pasiqë kishte dëgjuar zërin e Nënës Tereze në recitimin e uratës
tradicionale “Puna e pendimit” në gjuhën shqipe, që e kishte incizuar Gjekë
Gjonlekaj, gazetar i “Zërit të Amerikës”, ai kishte shkruar kështu: “Ngritjen e Katedrales në Prishtinë e
kisha bërë çështje. Ajo duhet ta mbajë dhe emrin e Nënës Terezë. Kisha hedhur
idenë se zëri i kësaj të Shenjtëruere të dëgjohet në çdo meshë edhe në Kishën
shqiptare, pra menjëherë pas Ungjillit, Fjalës së Zotit. Pas leximit të
teksteve që disponoja isha përcaktuar për uratën "Puna e pendimit",
që Nëna Terezë e kishte thënë vazhdimisht dhe në vetminë e madhe e skutat
varfanjake të Kalkutës. Bile dhe në momentin e fundit, kur po kalonte në botën
e tejme.
Arsyet se kjo
uratë dhe zëri i saj duhet të dëgjohen në Kishën shqiptare janë: së pari, urata
ngërthen në vete një sinqeritet dhe respekt ndaj Zotit. Së dyti, në religjion
zëri është i veçantë, pra mund të jetë dhe zëri i vendit. Ç'është e vërteta,
lutjet as uratat në gjuhën shqipe Ajo nuk i kishte harruar për të gjallë, as
nuk mund t'i thoshte në një gjuhë tjetër. Nuk e kishin atë bukurinë që e kishte
ndierë që në fëmijëri, as nuk mund t'ia përkujtonin vendlindjen, prejardhjen.
Kemi të bëjmë me kujtesën dhe respektin ndaj të kaluarës, pra nuk kishte
pranuar të shkëputet nga diçka e shenjtë që e lartësoi dhe në rrafshin
kombëtar” (Ali Podrimja, Nënë Tereza dhe Kisha
shqiptare, 19. 11. 2007).
Pak kohë para ndërrimit të jetës, apo si do të thoshte e
Lumja Nëna Tereze, “kthimit në Shtëpinë e
Atit”, shprehje kjo që i pëlqente shumë Ali Podrimjes, u takuam në Sheshin “Nëna Tereze” dhe ecëm së bashku deri te
Katedralja. Në përshendetje më tha: “A po
rritet Katedralja?”. Unë u përgjigja: “Ajo
tashmë ka lëshuar shtat, mungon edhe një këmbanare... Më tepër se po rritet,
ajo po zbukurohet, Ali i dashur...”.
Para se t’ma shtrëngonte dorën në mënyrën e tij
karakteristike më tha: “Me këtë Katedrale
do të rritën fëmijtë tanë, nipat dhe mbesat e Nënës Tereze!”.
Për këto dhe shumçka tjetër, Ali i dashur, nga zemra të falënderoj dhe uroj që të jesh tashmë në “shoqëri me Engjëllin tënd – Lumin”, me miqët tanë të përbashkët që kaluan në amshim, me Nënën Tereze, në lumturinë e amshuar! Pusho në paqe!