| E merkure, 25.07.2012, 07:11 PM |
Xhavit Gasa
CIKËL POETIK
VETËM PËR NËNAT.
NËNËMIRAT
Kur jemi të lodhur,
Thërrasim ju o nënëmira,
Lodhja largohet,
Mer arratinë e zë lemeria
Kur jemi të sëmurë,
Thërrasim ju o nënëmira,
Largohet sëmundja,
Arratiset dhimbja.
Edhe kur t'na trokasë
Në derë pleqëria,
Të gjithë do të thërrasim,
Ju o nënëmira.
O nënëmirat tona,
O nëna-zemër ngrohta,
Dashurinë që keni mbjellë,
Ju do të korrni për jetë....
DUART E NËNËS
Duart e nënës,
Sa herë u dogjën,
Në prushin e zjarrtë,
Duke pjekur bukën,
...............me çerep e saç.
Sa herë u gjakosën,
Prej majës së gjilpërës,
Kur rrobat na arnonin,
...............duart e nënës.
Duart e ëmbla,
Të nënave tona,
S'u ankuan nga puna e rëndë,
...........................as nga lodhja,
Sa herë na ledhatojnë
Si me magji lodhjen na e largojnë....
NË PREHËRIN E NËNËS
Sa më ka marrë malli,
Ta mbështes kokën,
Në prehërin e ngrohtë të nënës,
E nëna t'më ledhatojë ballin,
Me dorën e saj të ëmbël.
Sa më ka marrë malli,
Për aromën e mirë të nënës,
Për ninullat e ëmbla të sajë.
Për frymëmarrjen e ngrohtë.
Dhe t'ja dëgjoj tiktaket e zemrës.
Ta mbështes kokën,
Në prehërin e ngrohtë te nëna,
Gjumi sytë t'më pushtojë,
Në krahë të më marrin ëndrat,
Ëndra kurrë t'mos mbarojnë....
DIALOG ME NËNËN
Kur po shkruaja këto vargje për ty,moj nënë,
Më thotë një shok që kisha pranë,
Kjo poezi do të jetë pa vlerë,
Poezi për nënën,
Kanë shkruar plot të tjerë.
Sikur poetë,
Të ishin të gjithë njerzit,
Në këtë planet,
Poezia për ju nëna,
Kurrë fund s'do të ketë.....
SYRI DHE ZEMRA E NËNËS.
Kur sytë e nënës,
Lotojnë prej gëzimit,
A s'ngjajnë me rrezet e diellit,
E me ujin kristal të burimit?
Eh, zemra e nënës,
Det, ngrohtësi!
Dhe rrezet e diellit,
E kanë zili...
Eh, nëna,nëna,
E shtrejnta, e mira,
Fjalë-mjalta,
Zemrën-trëndafila.