| E merkure, 25.07.2012, 07:59 PM |
Një nismë
që nuk i dihet fundi!
Shkruan: Shaban Peraj
Detyrë e
gazetarëve është të thonë qartë se kush janë përgjegjësit për situatën e krijur
në skenën politike të shqiptarëve në Mal të Zi. Disaherë aktorëve politik u është
bërë me dije se situatat e krijuara dëmtojnë komunitetin tonë dhe se diçka
duhet bërë sa nuk është vonë. Që të mos përsëritet e kaluara jo e largët duhet
ndërmarrë diçka në drejtim të sforcimit e bashkëpunimit pa shikuar interesat
personale të atyre që merren me politikë.Gati çdoherë para zgjedhjeve dalin të njëjtit
persona me ide për bashkim e bashkëpunim të subjekteve politike shqiptare në Mal
të Zi, dhe po të analizohet kjo në kronologji duket se asnjëherë ideatorët e
tillë nuk e kanë pasur seriozisht, ç’e do se në këtë zinzhir nuk kanë arritur të
bëjnë as edhe një hap më tej. Për këtë është dëshmi edhe mënyra se si u
organizua dhe kush e organizoi takimin e përfaqësuesve të subjekteve politike
shqiptare para ca ditësh në Ulqin, nga ku u hodhën mendime se si duhet të dilet
në zgjedhjet e ardhshme parlamentare pa ofruar një plan të detajuar, së paku
nga ajo që lexohet në mjetet e informimit.Prezenca e tyre në vend që ti japin
dritë ekzistencës tonë, na bënë të dyshojmë në sinqeritetin, devotshmërinë e
tyre, duke e ditur se është Lidhja Demokratike në Mal të Zi njëra nga ato që ka
dorë në themelimin e partive të tjera politike shqiptare në Mal të Zi, dhe
sipas një logjike të arsyeshme ai që njëherë i “shtyri me bërryla”, e i shpërndau
të gjithë shqiptarët nuk mund të ketë të
drejtën politike e morale t’i ftojnë të tjerët për veprim e bashkëpunim, qoftë me
një listë apo dy lista, për të dalur në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ata
që i shkaktuan dëm popullatës së këtushme, që stagnuan demokratizimin e shoqërisë,
kësaj here mund të jenë rreziku kryesor për një realizim të një projekti të paqenë.
Dikush mund të mendojë ndryshe, mund të fajsojë të tjerët, por ajo që është provuar
disaherë e që nuk ka dhënë rezultat “kallauzë nuk do”. Të tillët kot e kanë të merren
me makinacione të paqena, kot e kanë të bëjnë përpjekje për kontrollim të situatës
aktuale, ndaj edhe reagimet e para kanë filluar. Se ku duan të dalin të gjithë e
kanë të qartë, të gjithë vetëm për karriga “luftojnë”, askush nuk interesohet për
popullin, për të drejtat e tij fundamentale, dhe nëse ka aty-këtu ndonjë deklaratë,
ajo bëhet sa për “sy e faqe”, nga rasti në rast duke vepruar me “pushkë qorre”,
pa dhënë ndonjë siguri të plotë.
Kur lexon
në medie se kush ishin pjesëmarrësit e këtij takimi, me çfarë rangu dhe ku u
organizua, është e qartë se nuk kanë qasje serioze për situatën së cilës i kanë
kontribuar ata vetë, se një dialog parimor në mes tyre mungon edhe në këto
momente, gjë që takimet e tilla dëshmojnë për të satën herë se besimi për të ardhmen
po humbë gjithnjë e më tepër, mungojnë marrëdhëniet njerëzore për të mirat e përbashkëta
ku secili nga ne do të përfitonte. E vetmja mundësi që u është dhënë atyre në atë takim ka qenë sa për t’i bërë qejfin
njëri-tjetrit, ose për të kundërshtuar njëri-tjetrin. Nuk lexuam se aty janë hedhur
ide të reja, ide që do t’i ofroheshin komunitetit për të dalë nga kriza e
krijuar politike. Se a do të formohet një front i përbashkët i subjekteve
politike shqiptare mbetet të presim, bazuar në praktikat e deritashme vështirë të
ndodh kjo, sidoqoftë përpjekjet duhet bërë, mundësitë janë, ndoshta kësaj radhe
nuk u mungon vullneti. Prapë, fjala atyre u takon, dhe duke e pohuar edhe një herë
këtë, do të përpiqemi,që, në përputhje me fjalët e tyre të tregojmë se mund të arrijmë
të bëjmë diçka, dhe tani duke i pranuar të çarat e hapura tonat kemi të drejtën
t’i pyesim për çdo gjë për t’u dhënë zemrave tona shërim. Këtë favor e kërkojmë
prej tyre, jo për të shpëtuar prej pabesisë tonë, por pse kemi aq shumë nevojë për
bashkim e bashkëveprim në këto momente.