| E diele, 06.04.2008, 03:00 PM |
SHQIPËRINË DO TA BËJMË! ...
Nga Kristina Rasi
"Shqipërinë e pa bërë bëje të bërë, bëje ose vdis!...
( Mr.Ukshin Hoti ).
Përkundër përpjekjeve të pareshtura të armiqve tanë, dhe të qarqeve të brendshme reaksionare; që popullin tonë ta mbajnë të pushtuar, pasi e kishin copëtuar në gjashtë pjesë, shtresat e ndryshme popullore, atdhetare shqiptare, të udhëhequra nga FBKSH-ja dhe strukturat e saj; janë shumë të vendosura që amanetin e Kryetarit të Nderit të FBKSH-së, Mr. Ukshin HOTI, i cili na mëson me moton e tij revolucionare; ashtu si edhe Baca Adem JASHARI (Komandanti i Nderit të AKSH-së) dhe e gjithë plejada e tyre, që luftën çlirimtare e bënë realitet, ta çojnë deri ne fund dhe Shqipërinë e pabërë ta bëjnë të bërë, ta bëjnë; ose te vdesin!..
„Shqiptar, mos rri po duku , shqiptar“
( Andon Zako Çajupi )
Ky kushtrim i poetit të madh atdhetar shqiptar, duhet të hyjë thellë në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve, kjo na obligon të gjithëve që të zgjohemi nga gjumi shekullor, sepse , kur dihet që armiqtë tanë që janë të shumtë; natë e ditë po punojnë për të dëmtuar dhe për të shkatërruar gjenin shqiptarë dhe për ta penguar kombin tonë ta ribashkojmë Shqipërinë Natyrore..
Nuk mundem pa përmendur këtu deklaratën e kryetares se parlamentit të Shqipërisë administrative zinj. Jozefina Topalli dhënë në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), menjëherë pas marrjes së ftesës së Shqipërisë Londineze për të hyrë në NATO.
...Ndër të tjera ajo deklaroi: „ky është një vit i shqiptarëve , më 17. shkurt 2008 “fituam” Kosovën e pavarur dhe tani më 3 prill 2008 Shqipëria u mori ftesën për në NATO“ !
Por , zonj. Topalli harroi të përmendi se kanë mbetur shumë gjëra ende pa u bërë, ajo anashkaloi krejtësisht , fatin e trojeve të tjera shqiptare të mbetura jashtë trungut amë; ajo e harroi domosdoshmërinë e ribashkimit të trojeve shqiptare, kur dihet që ajo si kryetare e parlamentit duhet të jetë e gatshme që në çdo kohë dhe në vend t´i mbrojë të drejtat e shqiptarëve kudo që gjenden ata; dhe t´i mbrojë ligjet shqiptare, për këtë atë e detyron Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë Londineze.
Në anën tjetër z. Berisha shprehi keqardhje të madhe që „Maqedonia“ nuk mori ftesën për në NATO!!!
Kjo, natyrisht është dhe një hipokrizi dhe verbëri e tij politike!
Shumë më mirë do të ishte që z. Berisha të shprehte keqardhjen për popullin e tij që me shekuj po vuan nën sundimet sllavo-greke.
Aty, në tavolinën e diplomacisë botërore , ta demaskonte politikën reaksionare shoviniste maqedonase !
Por, s´ka se si të ndodhte ndryshe!
Prej të pabesit, nuk pritet nderë dhe besnikëri!
Përkundër këshillave, presioneve, paralajmërimeve të aleatëve të NATO-s, dhe në fund dhe vet shpresës të kryetarit, Bush, se “Maqedonia do të merr ftesën në NATO”, , shteti grek për shkak të emrit nuk pranoi që Maqedonia të merr ftesën për të hyrë në NATO.
Ndërsa, “politikani largpamës” i Shqipërisë Londineze nuk kishte guximin qytetar , nuk ishte i gatshëm të thoshte asnjë fjale te vetme për padrejtësitë që po ua bënë „Maqedonia“ shqiptarëve të Iliridës!!!
Nga kjo me të drejtë konstatoj që: përderisa, vet udhëheqja shqiptare nuk e respekton Kushtetutën e shtetit tonë amë; atëherë edhe bashkësia ndërkombëtare siç është Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB-ja) po e ka lehtë që t´i shkelë të drejtat dhe liritë tona kombëtare , dihet që vet (OKB-ja) ka miratuar shumë Rezoluta dhe shumë ligje për të drejtën e popujve dhe kombeve; vlen të theksohen këto Rezoluta:
1. REZOLUTA Nr. 1514 e datës 14.12. 1960 në të cilën theksohet: „ Integrimi i një territori etnik duhet te jetë rezultat i shprehjes se vullnetit të lirë të popujve të atij territori“
2. REZOLUTA Nr. 2625 e datës 20.12.1970 mbi parimin e barazisë dhe vetëvendosjen se popujve: „Krijimi i shteteve të pavarura dhe sovrane, bashkimi i lirë me ndonjë shtet tjetër të pavarur varet nga vendimi i miratuar politik i atij populli që mbështetjen e ka ne realizimin e se drejtës së vetëvendosjes, prandaj çfarëdo forme tjetër shtetërore që imponohet me forcë ndaj një populli të territorit të caktuar, duke e sjellë kësisoj atë në pozitë të pabarabartë dhe të varur; përbën shkelje flagrante të vetëvendosjes dhe të drejtave të barabarta të atij populli“
- Pra, OKB-ja vet i ka e miratuar këto dokumente të rëndësishme të cilat garantojnë lirinë dhe shprehjen e lirë të popujve nëpërmjet një Referendumi.
- Tani me të drejtë shtrohet pyetjet: pse nuk vlejnë këto Rezoluta për kombin shqiptar?!
- Pse OKB-ja, po e klasifikon kombin shqiptar si komb i dorës së dytë?!
- Pse , kombit shqiptar t´i mohohet e drejta e ribashkimit?!
Prandaj, konsideroj që ne, shqiptarët duhet t’i dimë të drejtat tona, të këmbëngulim deri në fitore për të drejtat tona, të luftojmë me të gjitha format dhe mjetet që i lejon e drejta ndërkombëtare ; për mbrojtjen e lirisë dhe të pavarësisë dhe të ribashkimit të kombit.!
Të mos lejojmë më tutje askënd t´i kolonizojë tokat tona, të mos lejojmë askënd të na asimiloj e të na përçajë me dinakëri , por të jetojmë dhe të vdesim shqiptarë dhe të bëjmë për Shqipërinë Natyrale.
Është domosdoshmëri historike dhe jetike që Shqipëria të bëhet një dhe e pandarë , që Shqipëria të ribashkohet, që Shqipëria të përparojë si vendet tjera të rajonit të Ballkanit dhe më gjerë!...
Zvicër, Më 6 Prill, 2008