| E shtune, 21.07.2012, 08:04 AM |
Në kërkim
të mitikës së një kombi
-BISEDË PËR LIBRIN “STOLI NË PARKUN E VJETËR” , TË POETIT ADEM ZAPLLUZHA-
Nga: Fatmir Minguli
Po mbushet gati një vit që Vladimir
Muça, poet dhe njëkohësisht nënkryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe
Artistëve të Durrësit më njohu me dy libra poetikë të autorit kosovar nga
Prishtina, Adem Zaplluzha. Me kalimin e muajve dhe vetë u njoha nga afër me këtë
poet si dhe me shumë libra të tjerë të tij .Për disa kam patur kënaqësinë t’i
redaktoj e t’i paraqes me parathënie.
Një i tillë është dhe libri me
poezi “Stoli në parkun e vjetër”, botuar në muajin qershor të këtij viti
në Prishtinë. Duke qenë një libër i veçantë në subjektin e tij dhe me risi të
dukshme në stilin poetik, mendova që një bisedë me poetin durrsak Vladimir
Muça sikur do të rifreskonte më shumë perceptimet për dukuritë e këtij
libri.
Fatmir Minguli: -Mendoj se një paraqitje e vizitës suaj në festivalin
poetik të Kastriotit vitin e kaluar do kishte vlera të mira për lexuesit jo
vetëm në Shqipëri.
Vladimir Muça—Makina e nisur nga Prishtina sapo kaptoi Kodrën e
Trimave dhe vrulltazi u zhyt në mjegullnajën e smogut të elektraneve të Kosovës
në Kastriot. Të ftuar nga shoqata e shkrimtarëve “Fahri Fazlliu” të Kastriotit
(Obiliq), Nikolla Spathari, unë dhe Agim Bajrami po shkonim me një përkushtim
dhe dëshirë prej vëllau tek kolegët krijues të kësaj treve që ushqen me
elektronë gjithë Kosovën, e duke mbajtur për vete smogun mbytës të qymyrit të
djegur. E të mendosh që në këtë smog që të merrte frymën, bulëronte si zambak i
Prizrenit një Festival poetik i mbështetur me shumë dëshirë nga autoritetet
vendore .Për ne të ardhurit nga qyteti bregdetar i Durrësit, ky festival
thoshte shumë gjëra.
Që nga organizimi i
festivalit me emrat konkurentë të
koduar, pjesëmarrja e gjërë ,anëtarësimi në këtë klub i shumë krijuesëve të
LSHK-së nga Prishtina, tregonte për seriozitetin e punës si dhe përkushtimin që kishin
drejtuesit e shoqatës, me një eksperiencë tashmë dhjetëra vjeçare. Festivali u
zhvillua në unison me aktivitetet historiko–përkujtimore të zonës, të pandara nga letërsia si përjetim shoqëror. Festivale si ky janë
oaze ku bulërojnë shpresat poetike në shkretëtirat e sotme të botës shpirtërore
mbarë shqiptare.
F.M: -Shpesh keni folur për disa karakteristika të poezisë së sotme kosovare, e
kështu ç’mund të thuash shkurtazi?
V.M: - Në diskursin e sotëm letrar poezia kosovare përfaqësohet
nga dy grupime: Njëri është tani në mazhorancë sasiore që deklamon në
botime e media një poezi skeletike pa nerv, mbarsur me një hermetizëm të
importuar shabllon, mbetur në arkaizmin e dikurshëm poetik. Me reklamime
komerciale, ky grupim faktikisht po i bën një dëm të madh poezisë kosovare
sepse po ç’rrënjos themelet e vendosura nga dishepujt e poezisë kosovare si
Esat Mekuli, Sabri Hamiti, Din Mehmeti, Agim Gjakova, Azem Shkrei, Ali
Podrimja. Në kontrapunkt me këtë shumicë të poetëve komercialë po lufton një grup-target
tjetër si Agim Vinca, Agim Desku, Adem Zaplluzha, Beghzat Balili, Sabile
Keçmezi-Basha, Flora Brovina, Bedri Neziri etj. Këta poetë kanë stature të re
estetike , ku mbizotëron koncepti filozofik, moderniteti i natyrshëm ku poezia
dhe shpirtëzimi i saj janë së bashku. Si grup i bie që ky të jetë në minorancë
(sasiore) po në maxhorancë cilësore, por që po shtron shinat e një
konceptualiteti të ri poetik, të një poezie inteligjente. Por në tërësi poezia
kosovare sot po vuan konsegencat e drejtshkrimit me gabime jo vetëm në
ç-në me q-në por dhe në vendosjen e
shenjave të pikësimit si themel i të shkruarit drejtë. Këto të fundit në
poetikë japin tonalitetin muzikor të vargut. Ata janë si shenjat e solfezhit
apo sinjalistika rrugore .Ndërsa për atë që i takon stilistikës, kuptohet se
“beteja“ mes dy grupeve të mësipërme do ti jap fitoren njërit apo tjetrit grup.
F.M: -Pa u futur në diskutimin e librit më të fundit të Adem Zaplluzhës: ”Stoli
në parkun e vjetër”, cili ka qenë fillimisht mendimi juaj për poezinë
e Zaplluzhës?
V.M -Poeti Adem Zaplluzha i takon një brezi të
hershëm, atij brezi që vunë bazat e
poetekës kosovare bashkë me Azem Shkrelin, Ali Podrimen, Agim Gjakovën etj, por
çuditërisht Ademi ka kryer një evolucion, një katarsis estetik në vetvete ,
duke trashëguar më jetësoren , mitikën epike. Duke e veshur staturën e tij me
kostum të ri që i shkon përshtat kërkesave të sotme të poezisë në një rrafsh të
gjerë etniciteti. Kjo poezi në të shumtën e saj vjen si një poezi që ecën me kohën ku si në një kinematikë apo si në shkrepjet e blicit në
terene të mirëprojektuara fotografitë e
të cilave japin pamje zemre. Nga tematika dhe problemet që ai ngre në librat e
tij të shumtë, Adem Zaplluzha me të drejtë mund të quhet poeti në kërkim të
mitikës së një kombi.
F.M: - Më falni për një ndërhyrje të vogël. Me sa di unë Adem Zaplluzha ka
filluar të botojë që në vitin 1974, kohë kur nuk ishte kollaj për autorët
kosovarë , ndonëse libri i tij i parë u titullua me emrin e butë “Puthje”. Ka
shkruar vazhdimisht poezi pa fund që dritën e botimit si libër të dytë e panë
vetëm në vitin 1995, libër që u titullua”Ecjet e viteve të mëdha”.
Gjithashtu ai ka qenë aktiv në problemet e poezisë duke marrë pjesë në konkurse kombëtare të ish
Jugosllavisë .Në vitin 1968 komisioni i konkursit të Beogradit i dha Adem
Zaplluzhës çmim të pare, konkurs që u organizua me shifra koduese për emrat e
autorëve. Kur u kuptua se autori ish shqiptar, ishte tepër vonë. Poezia
titullohej “Për dorën e thyer” dhe u kërkua që në ceremoninë e
ndarjes së çmimeve autorët fitues të recitonin poezitë e tyre., veçse në
serbisht. Kryetare e komisionit ishte poetja serbe Desanka Maksimoviç e ndër
anëtarët ishte dhe Miroslav Kërlezha. Ademi kërkoi ta lexoj poezinë e tij në
shqip, meqë konkursi ishte mbarëkombëtar, por u kundërshtua nga Desanka që në
atë kohë ish poetja e pare e Serbisë. -Nuk do të kuptojmë- i tha ajo –teksa
Ademi ja kthen se –nuk ka nevojë të kuptosh , por të ndjesh! Por Kërlezha
ndërhyri duke i thënë- Si fëmijtë ,bir
,lexoje në gjuhën e nënës-, Ai e lexoi shqip dhe duartrokiti vetëm Ademi!! Por
le të kthehemi në kohën tonë.
V.M. -Është e saktë! Ademi i përket
tashmë një brezi të vjetër poetësh por me zemër e mëndje të re , i cili ka një
veçori dhe individualitet tepër dallues. Ai me thjeshtësinë që e karakterizon
diti të jetë kalorës i denjë i kohërave duke përqafuar më të mirën e trashëguar
.Duke qenë mjeshtri i metaforave ai u veçua nga shumica e poetëve komercialë me
një shpërfillje natyrale ndaj pseudo hermetizmit të tyre. Në poezitë e tij
,sidomos në librin:”Kur pemët i ndërrojnë këmishët” shfaqen sisteme të
reja estetike. Në këtë proces të ideimit evolues, kapjes fort pas Kosovës dhe
halleve të saj, mesazhet dhe vlerat artistike që mbartin i vendos në
pararojën e re të poezisë së tij
inteligjente.
F.M. -Ju keni redaktuar një libër të Adem Zaplluzhës, titulluar”-Kur pemët
ndërrojnë këmishët”. Cilat janë impresionet tuaja nga kjo punë e
veçantë, për një poet nga Kosova?
V.M. -Në parathënien e këtij libri të
redaktuar nga unë, në sfondin e një polemike mirëkuptuese me poetin Zaplluzha
mbi disa probleme të drejtshkrimit, nënvizova se aty gjeta:”hedhjen e valles
të vargjeve të lira në truallin
dardan.”Adem Zaplluzha me krijimtarinë e viteve të fundit merr personalitetin e
bardit të ri që me tupanët e shpirtit po hedh vallen jo vetëm kombëtare por
ritmet e forta të saj dëgjohen tashmë edhe jashtë Kosovës. Ai kështu nuk i
këndon vetëm mitikës por po i trajton të gjitha problemet e jetës .
F.M. -Po në librin
“Stoli në parkun e vjetër “ që sapo e keni lexuar, ç’farë gjeni si novitet jo vetëm në poetikë?
V.M. -Poezitë e vëllimit më të
fundit”Stoli në parkun e vjetër”, po ti shikosh me syrin e një gjeologu
palimpsestesh nën xeherorët e viteve e të absurditeteve që e kanë ndjekur
autorin ,motivet e këtij libri marrin trajta nga etnosi ynë duku u përqendruar
në temën e përqasjeve etno- psiqike të kohës. Ademi, si mjeshtër i imagjinatës
dhe vizionit pa kufi, na sjell fletëza të historisë dhe miteve ku persekutimi
fizik dhe shpirtëror jep kinematikën e ngadaltë të moshës së tretë. Ai
sjell ato si çaste decisive në gjurmë
shpirtërore, si një autosugjestionim, si vetëshprehje e lirë duke na dhënë
individualitete të stilit të ri. Universialiteti i këtyre prurjeve me thellësira infinite në hapësira e kohë në vende të mirëpërcaktuara, të bën ta
ndjesh poezinë, të perceptosh çdo gjë pavarësisht se për ç’kohë flet.
F.M. --Pra, ka disa ndryshime të krahasuara me poezitë e viteve më parë.?
V.M. -Sigurisht që ka një estetikë tjetër lloj nga poezitë e kohëve të mëparme.
Adem Zaplluzha tashmë po frymëzon një
estetikë të re, një poetikë me teknika inteligjente. Tani në moshën e tretë
fizike por krejt rinore në krijimtari ai vjen më i pjekur ,vjen si ato boçat e
gështenjave të pjekura, nga zhguni pak
si të ashpër me ato gjembaçet (e krenarisë) alegorike i rrahur në ”STOLIN E
PARKUT TË VJETËR”:
Një
pëllumb një ditë
E
ndali fluturimin
Dhe
si një zgalem
U
lëshua mbi stol.
Në
sytë e plakut
E
lexonte dëshpërimin
Kurse vjetët e kafshuara
Pa
mëshirë mbyteshin në gjol.
Një lirizëm tepër i shpirtëzuar,
një kombinim i përsosur i rimës klasike dhe muzikalitetit të brendshëm.
Gjithçka vjen e ashpër por edhe e ëmbël me siguri e me shije estetike, e
ndërkohë, me mesazhe të fuqishme.
Poezitë vinë të veshura me tallaganin e një seri temash dhe idesh ku spikat
mbarësia në mendim, ku nuk është pathosi dhe lirëshmëria e lirizmit, por
është konceptimi filozofik i poetikës që
mbisundon. Tashmë Adem Zaplluzha ka në preferencë një unison lirik gjë që i shkon për shtat
poetit apo trendit moral dhe shpirtëror të tij por të lidhura me aktualitetin
shoqëror ku gjithçka vjen me kantilenë meditimi, ëndërrimi, dëshire.
F.M: - Ju faleminderit
-Durrës, 16 korrik 2012-
(Për ZemraShqiptare, nga redaktori ynë në USA, Zeqir Lushaj)