| E shtune, 21.07.2012, 09:55 AM |
Kostandin
Kristoforidhi (1827-1895) - Jeta dhe vepra e tij për të rritur dhe fëmijë, perkëthyes
i Veprave Ungjillore; “Dhjata e Vjetër” dhe “Dhjata e Re”.
Kontributi letrar i Kristoforidhit në periudhën e Rilindjes Kombëtare
Nga Jahë Sadrija
Letërsia për fëmijë është një degë e vaçantë e
letërsisë së përgjithshme artistike të një kombi, që krijohet posaqërisht për
të vegjëlit dhe të rinjtë, me qëllim që të ndihmojë në edukimin e tyre. Duke
pasur normat, tematikën, rendësin si dhe lexuesit e pasionuar, letërsia për
fëmijë tashmë është bërë realitet, ndaj të cilit shumë kush hesht, por askush
nuk mund ta mohoj. Vitrinat e librarive
dhe bibliotekave si në qytet, ashtu edhe në fshat janë përplot libra, që
botuesit ua kushtojnë fëmijëve. Dritë po
shohin edhe revista të ndryshme për fëmijë,
të cilat madje, diferencohen sipas moshës së fëmijëve.
Radiostacionet
dhe studiot televizive çdo ditë e më shumë rezervojnë për emisionet
kushtuar të vegjëlve. Shumë shkrimtarë sot merren posaçerisht me shkrime për fëmijë, duke u bërë të njohur si poetë, tregimtarë,
novelistë apo romansier për fëmijë.
Që nga shekujt e kaluar, një interesim i tillë nuk
ka munguar, qoftë me shkrime apo edhe përkthime me të vetmin qëllim, që të
vegjëlit ta kenë sa më afër thesarin e diturisë. Një punë të rendësishme e serioze në këtë
drejtim, që heret e bëri Rilindasi i shquar dhe i dashur për të rinjë e të
rritur, e posaqerisht për të vegjëlit i madhi, Kostandin Kristoforidhi.
Letërsia artistike shqipe për fëmijë zë fillme
përkthimet nga fabulat klasike. Këto
përkthime qenë bërë me qëllim që t’i shërbenin përdorimit të gjuhës shqipe
nëpër shkolla.
Të këtij karakteri kanë qenë : Përkthimi në shqip i
disa fabulave të Ezopit, të shkruara me alfabetin e Todrit, ose ndonjërit nga
nxënësit e tij, aty nga fundi i shekullit XVIII. Më vonë në shekullin e XIX me këtë punë u
muar edhe Anton Santori (1819-1894), i cili përktheu e përshtati 112 fabula të Ezopit dhe të fabulistëve të
tjerë. Pikërisht për këtë kontribut edhe
Santori, duhet të quhet dhe të njihet si një nga lëvruesit e pare të letërsisë
shqipe për fëmijë. Për fat të keq, ky
punim mbeti dorëshkrim dhe i panjohur për të vegjëlit deri në vitet
(1924-1943). Disa fibula të Santorit u
botuan vetëm pas çlirimit në gazetën “Pionieri” nga viti 1955.
Pavarësisht nga kjo, letërsia origjinale artistike
shqipe për fëmijë me sa unë di gjer tani, e në bazë të botimeve të njohura,
fillon me veprën e Kristoforidhit.
Kostandin Kristoforidhi është një nga themeluesit e kësaj letërsie. Vepra e tij për fëmijë, e shkruar gati para
një shekulli e dy decenje, ka qenë e përhapur gjerësisht në leximin e të
vegjëlve.
Kostandin
Kristoforidhi- Jeta dhe vepra
U lind në
Elbasan në vitin 1827, ani pse disa shenime të mëhershme si vit të lindjes e
japin vitin 1830. Ishte i biri i Anastas
Nelkos, një tregtari nga Elbasani.
Mësimet e para i mori në shkollën e qytetit dhe i përfundi kur ishte 14
vjeç. Më pas, i ati e dërgoi në
gjimnazin e famshëm të Janinës, këtu ndërtoi miqësi me shumë atdhetarë, me të
cilët punoi tërë jetën e tij për qështjen shqiptare, si në Stamboll ashtu edhe
kur u kthye në Shqipëri. Në Mars të
këtij viti u mbushën 117 vjet, që kur ndërroi jetë Kostandin Kristoforidhi,
lëvruesi dhe punëtori i pare i Gjuhës shqipe.
Pas vdekjes, me nderime të mëdha, e sa të mundshme, është varrosur në
oborrin e shkollës, ku ai u kishte mësuar për shumë vite me radhë fshehurazi
shkronjat e shqipes, të vegjëlve e të mëdhenjëve, pleqëve dhe të rinjëve.
Në Janinë
u-takua me konsullin e Austro-Hungarisë, Von Hahn i cili merresh me studimin e
gjuhës shqipe dhe, për një kohë të gjatë, mori mësime të gjuhës s'onë nga
Kristoforidhi.
Pasi kreu
gjimnazin e Janinës shkoi e i plotësoi mësimet në Maltë dhe u-kthye në Shqipëri
si mësonjës në shkollën fillore greqishte të Tiranës. Studimin e gjuhës Shqipe
që e kish filluar kur ish nxënës në Janinë, e thelloi edhe më tepër në atdhe
duke i u-vënë me zell e zgjuarësi.
Pas disa
vjetësh si mësonjës, shkoi për studime të larta në Londër, më 1856 dhe atje
pati takimet e para të një marrëveshjeje me Shoqërinë Ungjillore Britanike për të përkthyer shqip Dhiatën e Vjetër
dhe të Re. Kaloi katër vjet në Londër dhe në Tunis si mësonjës i greqishtes dhe i
italishtes. Atje u martua dhe qëndroj deri më 1864, kur e mori Shoqërija
Ungjillore si përkthyes të Libravet të Shenjta.
Për dy
vjet me radhë e studjoi imtë gjuhën shqipe duke shëtitur nëpër Shqipëri dhe
sidomos në krahinat e Elbasanit, të Beratit dhe të Shkodrës. Më 1866 shkoi në
Stamboll, dhe filloi punën e përkthimevet. Përktheu dhe botoi veprën e tij pjesë
pjesë gjatë 20 vjetëve, dhe më 1884 u kthye në Shqipëri, në Elbasan, ku punoi
prap si mësues i shkollës së qytetit në greqishte dhe, më vonë, si anëtar
gjygji, deri sa vdiq.
Kostandin
Kristoforidhi ka ishte një nga punëtorët kryesorë të Rilindjes sonë Kombëtare ,
në Stamboll ka bashkëpunuar me vëllëzërit Frashëri, me Vaso Pashën, Jani
Vreton, Hoxha Tahsinin e të tjerë, në të gjitha lëvizjet e atëherëshme për
zgjimin e Kombit tonë. Puna e këtyre burrave për t'a bërë gati Vendin tonë për
një të nesërme të sigurtë dhe të pavarur ka qenë e rëndë dhe e shumanëshme, Kristoforidhit i ra, sipas prirjes që kishte,
barra e punimit të gjuhës. Kësaj detyre ai i ishte vënë me zjarr që në djalëri
dhe nuk e la asnjëherëe mënjanë. Si pumë të mundimeve të tija të gjata, na ka
lënë dy kryevepra, njërën më me rëndësi se tjetrën ; Përkthimin e Biblës dhe Fjalorin Shqip-Greqisht.
Në veprën
e parë shohim dhe shijojmë gjuhën e gjallë, marrë nga goja e popullit me tërë
pasurinë dhe bukurinë e saj, jo vetëm të fjalëve por edhe të mynyrave të të
folurit që janë krejt shqipe. Në të dytën kemi thesarin e gjuhës sonë të
radhitur e të rregulluar ashtu si duhet.,” Dhiata e Vjetër dhe e Reja”, të
përkthyera në toskërisht dhe gegërisht.
Fjalori
ka qënë puna e tërë jetës së tij, por nuk mundi ta botojë sa ish gjallë. U botua
më vonë në Athinë, dhe jo aqë i plotë sa besohet të ketë qënë dorëshkrimi.
Megjithëkëtë është i vetmi fjalor i mirë
i shqipes qe kemi dhe një thesar i vërtetë për gjuhën e Kristoforidhit..
Dy vepra
të tjera me rëndësi të shkrimtarit janë,” Gramatika e Gjuhës shqipe” dhe “Abetarja.”.
Kristoforidhi
ka shkruar gjithnjë prozë dhe shumë rrallë ndonjë vjershe, aty këtu, sikur
"Yll'
i vogël nalt ndë qiel,
Duket
porsi zjarr në pyll ",
në të
cilën ai me” Yllin” përsonifikonte Atdhenë, dhe u thoshte atyre që u mësonte se "Ylli asht Shqipnija, vendi i
ynë ku kemi lemë".
Zotësija
e tij e madhe në tregimin e ngjarjeve të kaluara shihet në tregimin "Gjaja
e Malësorëvet", I njohur si “Gjahu I malësorëve”,në të cilën përshkruan
shumë bukur dhe gjallë ,se si gjuajnë malësorët në Malin e Shenjtë të Tomorrit.
Lexuesit i duket sikur po i sheh me sy dhe po i ndëgjon me veshë, gjahtarët dhe
qentë, nëpër shkëmbinj e pyje.
Veç
këtyre janë edhe letrat e shumta që Kristoforidhi u ka shkruar shokëve të tij.
Në këto letra dalin mirë në shesh cilësitë e rralla të tij si njeri dhe si
shkrimtar.
Kristoforidhi
ka shkruar në të dy dialektet edhe dallohet zotësija e tij si në njërin ashtu
edhe në tjerin dialekt. Proza e tij është si të folurit e një plaku që e mat
mirë atë që do të thotë,” E thotë shumë
thjeshtë, si e tillë” Zë vënd mirë aty ku bije”. Gjuha shqipe e
Kristoforidhit rrjedh vetë dhe është e kulluar dhe e pastër, e qëruar nga
fjalët e huaja. Për këtë arsye, gjuha e tij duhet të jetë kurdoherë themel e
shembull për shkrimtarët tonë. Kjo është rëndësija që ka Kristoforidhi në punën
e gjuhës sonë.
I nisur
nga këto pikëpamje , ai solli kontribut në lëmin e krijimit të librave
shkollore për fëmijë. Kishte besim të
madh te brezi I ri. Ky besim duket qartë në letrën që I dërgonte
patriotit Nikolla Naço, në vitin 1888, ku midis të tjerave I shkruante:”Në u
shkoftë gjuha e shqipesë ndë këto kohë që gjendemi sot dhe të futetë ndëpër
skolirat e Shqipërisë, kemi shpresë se do të na njohën për komb…e do të kemi
pjesë e vend në rrethet e shoqëritë e kombeve të tjera, që gjenden në Evropë”.
Zhvillimet
e shpejta të ekonomisë kapitaliste ndër
disa vende të Evropës nga njëra anë, dhe nga ana tjetër prapambetja e shoqërisë
shqiptare nën Turqinë feudale, ushtruan ndikim të madh për rritjen e lëvizjes kombëtare
në Shqipëri, e cila mori emrin ,”Rilindje”.
Shkrimet për fëmijë- I nisur nga pikëpamjet e lartëcekura,
Kristoforidhi solli kontribut në lëmin e krijimit të librave shqip për shkollarët
e vegjël. Veprat më të njohura për të
vegjlit janë: përkthimi I dy librave për
mësimin e fesë, “Alfavitar shqip”, gegërisht, botuar më 1866 dhe 1872,
“Alfavitar shqip”, toskërisht, botuar më 1872, “Systema diellore” dhe “Jetëshkronja
e njerëzvet të ndriçim”, shkruar më 1885.
Të gjitha këto vepra, përveç të parave me karakter fetar, u shkruan për shkollat. “Alfavitari shqip” është vepra e pare origjinale e Kristoforidhit për fëmijë. Përveç pjesës së abetares, aty përfshihen edhe copa këndimi me karakter letrar, tregime fetare të ilustruara me skica dhe këshilla për të vegjlit. Kjo vepër I kalon kufijt e librit shkollor. Që këtu Kristoforidhi na shfaqet si prozator për fëmijë. Edhe tregimi I pare në prozën shqipe për fëmijë, “Gjahu I malësorëve “, I shkruar në dy dialektet , është një vepër karakteristike për fëmijë, si në pikëpamje të formës dhe stilit, ashtu edhe në pikëpamje të përmbajtjes. Karakteri dinamik I dialogut e bën veprën interesante për të vegjlit.