| E premte, 20.07.2012, 05:00 PM |
Kuvendi i Vlorës, pjesëmarrësit në të dhe firmëtarët e Aktit të Pavarësisë
Nga Aleksandër Meksi
Kuvendi i Vlorës dhe Shpallja e
Pavarësisë së Shqipërisë kanë tërhequr gjithnjë vëmendjen e studiuesve por edhe të publikut të gjerë, për rëndësinë
dhe përmbajtjen historike, si mbledhja që hodhi themelet e krijimit të shtetit
shqiptar, të Shqipërisë së “mosvarme”, siç e thotë vetë Akti
Shpalljes së Pavarësisë.
Jashtë çdo dyshimi; janë kryer
studime dhe publikime të shumta për këto ditë historike, Kuvendi i mbajtur nga 28 nëntori deri në 7
dhjetor 1912 njihet nga botimi i proces-verbaleve të shtatë ditëve të tij në
gazetën “Përlindja e Shqipërisë” (numrat 6-11, janar-shkurt 1914)
drejtuar nga Dhimitër Beratti dhe ribotimin pas tij nga Lef Nosi në fletoret e tij “Dokumenta
Historike” nr. 1(1924)-nr. 12(1925). Të dy këta burra të shquar kanë qenë
pjesëmarrës të Kuvendit qysh nga dita e parë dhe njëherazi dhe firmëtarë të
Aktit të Pavarësisë. Më vonë, janë të shumtë studiuesit që u muarrën me
Shpalljen e Pavarësisë dhe aspektet e shumta të asaj ngjarje madhore për
historinë e popullit shqiptar. Ndër ta do të veçonim punimin monografik të
Bardhosh Gaçes “Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare” në vitin 2002, ku
jepen procesverbalet e Kuvendit, jetëshkrimet
e pjesëmarrësve si dhe kujtimet e shumë prej figurave të shquara të
kohës. Kuptohet që ajo ngjarje ka zënë vend përherë në studimet me temë
historinë e asaj periudhe, Po kështu, duhet përmendur nisma për hulumtimin dhe
botimin e dokumentacionit historik që ndodhet në arkivat e huaja. Kjo do të
ndihmojë për të kuptuar më mirë dhe me saktësi ato ndodhi, në aspektet e tyre
politike e sociale.
Ka pasur vazhdimisht në dhjetëvjeçarët
fundit vërejtje, mospranime të pranisë së personave të veçantë në atë Kuvend si
firmëtarë apo pjesëmarrës, me mjaft gjasë, si pasojë e paragjykimeve politike.
Po kështu, ka dhe botime të plota të listave të firmëtarëve me foto dhe
jetëshkrime të shkurtra nga Niko Kotherja dhe Admirina Peçi, si dhe shpjegime
për ngjarjen.
I përfshirë në një punim
kolektiv, që lidhet dhe me këtë ndodhi, menduam ta shohim me vëmendje gjithë
dokumentacionin e ruajtur për Kuvendin, punimet e tij, pjesëmarrësit, Aktin e Shpalljes së Pavarësisë dhe
firmëtarët e tij si dhe vendimet e marra, të nisur nga dëshira për të qenë të
saktë. Ishte e nevojshme që mbi materialin dokumentar dhe kujtimet e
pjesëmarrësve e bashkëkohësve, të studiohet në mënyrë të plotë ky akt historik,
tepër i rëndësishëm për këdo që është krenar se është shqiptar, dhe 100 vjetori
është një rast i tillë.
Nëntori i viti 1912 i gjeti
trojet e shqiptarëve si fushë lufte; nga Veriu sulmuan trupat serbo-malazeze
dhe rezistenca e ushtrisë së rregullt
turke, rezervistëve e bashkë me ta dhe vullnetarët shqiptarë, nuk arritën t’u
bënin ballë. Në Jug në territoret e prefekturës së Janinës po luftohej me
ushtrinë greke, ndërsa në lindje trupat bullgare. Në kurriz të shqiptarëve të
gjithë përpiqeshin të copëtonin atë që kishte mbetur nga Turqia e xhonturqve.
Në të tilla rrethana atdhetarët
nuk qëndruan duar kryq e të bënin sehir
por u lidhën me njeri-tjetrin, kudo që ishin dhe vendosën t’i dilnin zot
atdheut të tyre. Në kujtimet e tij Ismail Qemali jep një tablo të shkurtër të
veprimtarive të atdhetarëve për
mbrojtjen e atdheut. Ai tregon, se duke parë veprimet e “Turqve të Rinj”
shqiptarët u ngritën në këmbë në Kryengritjen e përgjithësime që triumfoi me
hyrjen e tyre në Shkup. Por fillimi Luftës Ballkanike i bindi shqiptarët, siç
vëren Ismail Qemali, “që të marrin masa të rrepta për shpëtimin tonë”.
Ai nuk pranoi propozimin që të bënte pjesë
në qeverinë e re turke dhe u nis nga Stambolli për në Bukuresht ku u
takua me shqiptarët e shquar të kolonisë dhe së bashku vendosën të kthehen hë
Shqipëri për të mbajtur një mbledhje të përgjithshme e të shpallnin Pavarësinë.
Prej andej Ismail Qemali me shokë shkuan në Vienë e Budapest ku pati takime në
nivel të lartë me ministrin e Punëve të Jashtme
të Austro-Hungarisë Berthtold dhe siguroi përkrahje për Shqipërinë e
pavarur.
Ismail Qemali nga Viena më datë
9 nëntor njofton me telegram se është nisur për në Shqipëri “me të parin
vapor”. Ai bën të qartë se “E ardhmja e Shqipërisë është e sigurt”.
Më datë 18 nëntor Paria e Vlorës
merr një telegram nga Ismail Qemali i
cili ju thotë se ”përpara së premtes jam atje. E mbledhmja e përfaqësuesve
në Durrës apo në Vlonë është krejt e nevojshme. I thirni të gjithë. Gjer sa të
mbërrijë un, mbani qetësien e bashkimin. Çashtja jonë politike u sigurua fare.”
Ky njoftim, me një telegram të firmosur “ N’emër të gjithëve” nga Xhemil Bej Vlora, Elmas Kanina e Leonidha
Bezhani, ju dërgohet : Kryetarëve të bashkive e të Klubeve, Parësisë dhe
Popullit të ndershëm të Janinës, Gjirokastrës, Filatit, Reshadies, Tepelenës,
Delvinës, Përmetit, Margëlliçit, Leskovikut, Kolonjës, Korçës, Dibrës,
Manastirit, Resnies, Kosturit, Strugës, Ohrit, Beratit, Pogonit, Skraparit,
Lushnjës, Elbasanit, Kavajës, Durrësit, Tiranës, Kruës, Matit, Shkodrës, Peqinit,
Fierit.
Në atë njoftim ata ju thonë ”....Lutemi
për shpëtim të atdheut, që përfaqësuesit në fjalë tyke e bamë natën ditë të
gjinden në mbledhjet të Përgjithshme Kombëtare që do të bahet këtu në
Vlonë....”.
Në botimin e Lef Nosit jepen
shkëmbimet e shumta telegrafike për përgatitjet, dërgesën e mjeteve të
transportit në Durrës, njoftimet për emrat
e përfaqësuesve nga gjithë viset shqiptare, ku veç atyre të krahinave që u
përmendën më lartë, nga një telegram i firmosur prej Midhat Frashërit mësojmë
për delegatë që do vijnë nga Kosova. Thuhet se do vinin dhe të tjerë, por, për
shkak të pushtimit serb, angazhimit në luftime
dhe arrestimeve të krerëve nuk mundën të vinin.
Në vëllimin me dokumente
historike ka telegrame të shumtë që paraqesin luftimet e pushtimet nga të
huajt, gjendjen e trazuar e të pasigurt të vendit, peripecitë e udhëtimeve të
delegatëve për në Vlorë, zëvendësimin në rast pamundësie me të tjerë, por në
çdo rast, ishte parësia që me letra apo telegrame e vërtetonte këtë.
Më 21 nëntor Ismail Qemali dhe
pasuesit e tij zbarkuan në Durrës, pasi ju nënshtruan kontrollit të personelit
të dy anijeve luftarake greke që kishin bllokuar portin. Në Durrës ndenjën një ditë për të biseduar me
popullsinë e atyshme për shpëtimin e Atdheut, por pasi nuk pati një pritjen e
duhut u dërguan telegrame Parisë së Beratit dhe Elbasanit, që të bëhej Vlora
qendër e mbledhjes. Këtë e mësojmë edhe nga një telegram me datën 25 nëntor
1912 (12 vjeshtë e tretë 1328 H),
që Prefekti i Durrësit Mahir i dërgon Komandës së Trupit Ushtarak në Janinë dhe
Portës së Lartë, ku thuhet se Ismail Qemali ka zbritur në Durrës ditën e parë
të Bajramit. Prej andej erdhi urdhri që ta arrestonin dhe Ismail Qemali me
shoqëruesit e vazhduan udhëtimin në brendësi të vendit. Siç dihet ata mbrrijtën
në Vlorë më datë 25 nëntor dhe caktuan të mblidhen më datë 28, ditë e enjte,
siç na kumton Qemal Bej Karaosmani, që
të mund të mblidheshin gjithë delegatët. Letërkëmbimi tregon se Pavarësia
tashmë ishte e vendosur dhe dy ditët e fundit atë e shpallën, duke ngritur
flamurin kuqe zi ma shkabën dy krenare, qytetarët e Tiranës, Durrësit,
Elbasanit, Kavajës, Peqinit e Lushnjës.
Mbledhja e parë e
Kuvendit u hap më 28 nëntor 1912 në ora 4
pasdreke në shtëpinë e Xhemil Beut, kushëririt të Ismail Qemalit.
Mbledhjen e hapi Ismail Qemali
si “nisjator “ i saj duke treguar rëndësinë e Kuvendit.
Më tej “siç e kërkon rregulla
e zakoni” u bë kontrolli i përfaqësimit për secilin delegat. Ne po i japim
më poshtë emrat duke shtuar në kllapa
mbiemrat ose emrat me të cilat edhe njihen.
Berati: Iljas Be’ Vrioni, Hajredin Be’ Cakrani,
Xhelal Be’ Skrapari (Koprencka), Dud (Jorgji) Karbunara, Taq (Dhimitër)
Tutulani, Sami Bej Vrioni, që mungonte.
Dibra: Myfti Vehbi Efendiu (Agolli),
Durrësi: Abas Efendiu (Çelkupa), Mustafa Agai (Hanxhiu). Jahja Efendiu (Ballhysa)
që pritej të vinte, si dhe Dom Nikoll Kaçorri si “i dërguar i Arqipeshkopit
për gjithë shqiptarët katolik që ndodhen nën urdhrin e tij”.
Elbasani: Shefqet Be’ Daiu, Lef Nosi, Qemal Beu (Karaosmani dhe
Midhat Be’ Frashëri.
Gjirokastra: Aziz Efendiu (Gjirokastra). Veli Efendiu (Harçi) ,
Elmas Efendiu (Boce).
Ipeku (Peja): Rexhep Beu (Mitrovica), Bedri Beu (Pejani), Salih Xhuka (Gjuka),
Midhat Frashëri, këta delegatë janë dhe të Gjakovës, Plavës e Gusinjës.
Kruja: Abdi Be’ Toptani, Mustafa Asim Efendiu (Kruja).
Lushnja: Kemal Beu (Mullaj), Ferid Be’ Vokopola, Nebi Efendi Sefa.
Ohri dhe Struga: Zyhdi Beu (Ohri), Dr Myrtezai (Ali Struga), Nuri Efendi
Sojliu.
Sh’jaku (Shijaku): Xhemal Beu (Deliallisi), Ymer Beu (Delallisi),
Ibrahim Efendiu (Ali Shahini).
Tirana: Abdi Be’ Toptani, Murad Be’ Toptani.
Vlona: Ismail Kemal Beu, Zyhni Efendiu (Kanina,Mustafarai), Aristidh Ruci,
Kjazim Kokoshi, Jani Minga, , Ekrem beu (Vlora).
Shqiptarët e Bukureshtit: Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja (Emanuil),Dhimitër
Beratti, Dhimitër Ilua që pritet të vij.
Më tej Salih Xhuka kërkon që të
quhen delegat të Korçës së rrethuar: Pandeli Cale, Athanas Floqi, Spiro Ilua që u pranua. Po kështu, Mustafa
Asim Efendiu kërkoj për të njëjtën arsye, që Luis Gurakuqi të njihet si delegat
i Shkodrës çka u pranua.
Një telegram nga Përmeti thotë
se në se nuk ka ardhur aty Veli Bej Këlcyra ta zërë vendin e tij Surja bej
Vlora e Midhat Bej Frashëri. Po kështu njoftohet se nga Ohri e Struga vijnë
Mustafa Barotçiu e Hamdi Beu (Ohri).
Me përfundim të kësaj procedure
Rexhep Mitrovica kërkoi që Kryetar i Kuvendit të jetë Ismail Kemal Beu e si
shkronjës i parë Luis Gurakuqi e shkronjës i dytë Shefqet Daiu, çka u pranua me
duartrokitje.
Pas këtyre procedurave Ismail
Qemali mbajti një fjalë për gjendjen e Shqipërisë dhe çka duhej bërë. Kuvendi
“...pasi pëlqeu fjalët e Z. Së Tij Ismail Kemal Beut vendosi që : Shqipëria
të bëhet që sot më vethe e lirë dhe e mosvarme nën një qeveri të përkohëshme”.
Delegatët pastaj zgjodhën
Kryetar të Qeverisë së përkohëshme Ismail Kemal Beun dhe nënkryetar Dom Nikoll
Kaçorrin.
Pas kësaj delegatët “dualën
jashtë të përshëndesin flamurin që u ngrit në orën 5 e gjysëm pasdreke”.
Mbledhja e dytë u bë më datë 30 nëntor. Delegatët dëgjuan procesverbalin
që e miratuan. Luis Gurakuqi tha se ata që do vinë më vonë do t’i firmosin në
fund këto shkresa përkujtimore, gjë që nuk ndodhi.
Këtë ditë erdhën si delegatë të
rinj nga Kosova Mehmet Pashë Dëralla (Tetova), Isa Beg Buletini, Ajdin Be’
Draga, Dervish Be’ Ipeku, Sami Be’ Vrioni, Dervish Be’ Elbasani (Biçakçiu) e
Mahmut Efendi Kaziu nga Peqini.
Me propozim të Aziz Efendi
Gjirokastrës u njoh si delegat i Tepelenës Kristo Meksi, ndërsa me kërkesë të
Lef Nosit, Sherif Efendi (Langu) si delegat i Dibrës. Pasi Ismail Qemali ishte
zgjedh Kryetar i Qeverisë ai u tërhoq nga detyra e Kryetarit të Kuvendit dhe me
propozim të Luis Gurakuqit u zgjodh në këtë post Myfti Vehbi Efendiu si dhe Lef
Nosi nënkryetar.
Mbledhja e tretë u mbajt më datë 1 dhjetor nën kryesinë e Myfti Vehbi
Efendiut. U caktuan dhe dy shkronjës të tjerë
Mustafa Kruja dhe Dhimitër Beratti. U bë mbi bazën e propozimeve një
votim për numrin e anëtarëve të Pleqësisë dhe pati debate për këtë votim dmth
të votonte nga një për çdo kaza apo gjithsecili. Për sa i përket zgjedhjes së
Qeverisë dhe Pleqnisë u la kur të vinë
dhe delegatët e tjerë.
Mbledhja e katërt u thirr në datë 3 dhjetor. Nga Gjirokastra me telegram u
caktuan delegatë Myfit Bej Gjirokastra (Libohova) dhe Fehmi Efendiu
(Mezhgorani) e Kristo Meksi me Aristidh Rucin. Edhe Kavaja kërkon të
përfaqësohet nga Abdi Bej Toptani. Delegatë të tjerë që erdhën ishin nga
Gjirokastra Petro Poga, Jan Papadhopullo,
Hysen Efendi Gjirokastra (Hoxha) si dhe Veli Bej Klisura. Me propozim të Myfit
Bej Gjirokastrës (Libohova), u quajtën delegatë të Çamërisë Veli Gërra
Reshadija, Vesel (Jakup Vesel) Margëlliçi, Aziz Tahir Ajdonati (Tahir Mete) dhe
Rexhep Demi nga Filati. Si delegat i Ipekut u pranua Qerim beg (Begolli).
Në këtë mbledhje Ismail Qemali
foli për konditat që duhet të plotësojë një ministër që të kënaqet dhe Evropa
dhe Stambolli: duhet të jenë emra të njohura brenda e jashtë Shqipërisë. Ai
propozoi këtë listë: Mehmet Pashë Tetovën, Myfit Bej Gjirokastrën (Libohova),
Aziz Pashën Vehbi Efendiun, Abdi Be’ Toptanin dhe Midhat Frashërin. Këtë e
kundërshtoi Dud Karbunara me pretendimin se nuk ishte asnjë i krishterë në
listë, mendim që e mbështetën Pandeli
Cale, Dhimitër Beratti e Qemal Be’ Elbasani (Karaosmani). Kështu votimi u la
për të nesërmen.
Mbledhja e pestë u bë më datë 4 dhjetor në prani të 57 delegatëve
(mungonin 6). Në të Ismail Qemali ja la të drejtën e zgjedhjes së 8 ministrave,
Kuvendit, me propozimin,që të jenë 4 të krishterë dhe 4 musulmanë. Ky propozim
u kundërshtua dhe përzgjedhja ju la votimit. Me votat që u morrin fituan
fillimisht 5 veta:Luis Gurakuqi me 54vota, Mufit Be’ Gjirokastra (Libohova) 52,
Mehmet Pashë Tetova 42, Abdi Be’ Toptani 34,
Midhat Bej Frashëri 35. Këta u zgjodhën sepse fituan më shumë se gjysmën
e votave. Prandaj u bë dhe një votim i dytë, me një listë ku ishin 12 emrat që
kishim marrë vota, nga e cila u
zgjodhën fitues Petraq Poga me 40 vota, Pandeli Cale me 39 dhe Lef Nosi me 37.
Pas kësaj u bë zgjedhja e Pleqësisë,
ku sipas propozimit të Dhimitër Berattit u bë vetëm një votim. U zgjodhën:
Iljas Be’ Vrioni me 55vota, Sami Be’
Vrioni 54,Dud Karbunara 48, Mustafa Asim Kruja 42, Murat Be’ Toptani 42, Eqrem
Be’ Vlora 40, Myfti Vehbi Efendi 39,
Kristo Meksi 39, Dhimitër Berati 38, Dhimitër Zografi 35, Bedri Be’ Ipeku 35,
Sali Gjuka 35, Veli Be’ Klisura 32, Hajredin Be’ Cakrani 32, Xhelal Be’
Skrapari (Koprencka) 30, Shefqet Daiu 30, Dervish Be Elbasani 29 dhe Ajdin Be’
Draga 27. Shënojmë se procesverbali jep edhe si u ndanë votat e tjera për
ministrat, ndërsa për Pleqësinë për të
gjithë ata që morën mbi 10 vota.
Mbledhja e gjashtë u mbajt më 6 dhjetor. Në këtë mbledhje vendoset që
Qeveria ka si barrë të saj mbrojtjen e çështjes shqiptare përpara Evropës.
Ismail beu thotë se qeveria ka ndërmend të jap një falje. U fol për çështje të
tjera procedurale dhe u tha se me qenë se tashti Qeveria filloi punën Kuvendi
të zgjas dhe dy ditë.
Mbledhja e shtatë u mbajt më 7 dhjetor. Në fillim të saj u lajmërua se nga
Mati kanë ardhur delegatët zotërinjtë Ahmet Muhtar Beu (Zogolli), Riza Beu dhe
Kurt Agai si dhe Mustafa Efendiu (Barotçiu) nga Starova dhe Hamdi Beu (Ohri)
nga Ohri, ndërsa priten të vinë edhe Dervish Hima i Ohrit dhe Hajdar Blloshmi i
Starovës, të cilët me sa duket nuk arritën të paraqiten. Mbledhja diskutoi disa
çështje procedurale të marrëdhënieve të Pleqësisë me Qeverinë.
Mbas kësaj Kuvendi i mbylli
punimet.
Qeveria e formuar në Vlorë
kishte këtë përbërje:
Kryetar i Qeverisë dhe ministër
i Punëve të Jashtme Ismail Kemal Beu;
Nënkryetar i Qeverisë Dom
Nikollë Kaçorri;
Ministër i Arsimit Luis
Gurakuqi;
Ministër i Punëve të Brendshme Myfit
Bej Gjirokastra (Libohova);
Ministër i Financave Abdi Bej
Toptani;
Ministër i Luftës Mehmet
Pashë Dëralla (Tetova);
Ministër i Drejtësisë Petraq
Poga;
Ministër i Punëve Botore Midhat
Frashëri;
Ministër i Bujqësisë Pandeli
Cale;
Ministër i Postë-Telegrafëve Lef
Nosi
Qysh nga ato ditë historike ka
kaluar një shekull dhe ne, të gjithë shqiptarët që jetojmë sot në trojet tona e
kudo në botë, kemi fatin ta festojmë këtë përvjetor, duke kujtuar të gjithë ata
burra që në shekuj u përpoqën për një Shqipëri të lirë e të shqiptarëve dhe që
më në fund ja arritën edhe pse kjo pavarësi qe e mangët. Para 13 vitesh fitoi
pavarësinë edhe Kosova ndërsa vitet e ardhshme sigurisht do ketë ndodhi të
tjera që varen jo vetëm prej nesh por dhe prej nesh.
***
Lista e pjesëmarrësve në Kuvendin e Vlorës nga 28 nëntor më 7 dhjetor
1912.
Ne po i rendisim sipas ardhjes
në punimet e Kuvendit, por , duke bërë dy sqarime : ditën e parë ishin të
pranishëm dhe dy delegatë që nuk kanë firmosur Aktin, me sa duket janë larguar
ndërkohë që të tjerët firmosnin; gjithashtu na rezultojnë katër delegatë të
shpallur gjatë mbledhjeve të Kuvendit si të tillë nuk kanë mundur të mbërrijnë
para se punimet të mbyllen më datë 7 dhjetor, shtojmë se ka dhe raste që ka delegatë (dy), që përmenden me emër kur ata mungojnë ose kur
ata kanë marrë vota si në rastin Pleqësisë, por, që nuk është shpallur ardhja e tyre. Pra,
mund të ketë ndonjë rezervë par saktësinë e procesverbaleve. Ne nga ana jonë e
quajmë të rregullt atë procesverbal.
Firmëtarët :
Ismail Kemal Beu, Ilias Be’
Vrioni, Hajredin Be’ Cakrani, Xhelal Be’ Skrapari (Koprencka), Dud (Jorgji) Karbunara, Taq (Dhimitër)
Tutulani, Myfti Vehbi Efendiu (Agolli),
Abas Efendi (Çelkupa), Mustafa Agai (Hanxhiu), Dom Nikoll Kaçorri, Shefqet Be’
Daiu, Lef Nosi, Qemal Beu (Karaosmani),
Midhat Be’ Frashëri, , Veli Efendiu (Harçi), Elmas Efendiu (Boce), Rexhep Beu
(Mitrovica), Bedri Beu (Pejani), Salih Xhuka (Gjuka), Abdi Be’Toptani, Mustafa
Asim Efendiu (Kruja), Kemal Beu (Mullaj), Ferid Be’ Vokopola, Nebi Efendi
Sefa(Lushja), Zyhdi Beu (Ohri), Dr. Myrtezai (Ali Struga), Nuri Efendi Sojli,
Xhemal Beu (Deliallisi), Ymer Beu (Deliallisi), Zyhni Efendiu (Kanina,
Mustafaraj), Aristidh Ruci, Kjazim Kokoshi, Jani Minga, Dhimitër Zografi,
Dhimitër Mborja (Emanuil), Dhimitër Beratti, Pandeli Cale, Athanas Floqi, Spiro
Ilua, Luis Gurakuqi.
Pjesëmarrësit e
tjerë, sipas datës së paraqitjes në Kuvend:
Aziz Efendiu (Gjirokastra),
Ibrahim Efendiu (Ali Shahini), këta të dy ishin të
pranishëm qysh më datë 28 por nuk firmosën; Mustafa Agai (Hanxhiu), Jahja Efendiu (Ballhysa), Mehmet Pashë Dëralla (Tetova), Isa Beg
Buletini, Ajdin Be’ Draga, Dervish Be’ Ipeku (Begolli), Surrja Be’ Vlora, Sami
Be Vrioni, Dervish Be’ Elbasani (Biçakçiu), Mahmut Efendi Kaziu, Kristo Meksi,
Sherif Efendiu (Langu), Myfit Bej Gjirokastra (Libohova), Petro Poga, Jan
Papadhopullo, Hysen Efendi Gjirokastra (Hoxha), Veli Bej Klisura, Veli Gërra
Reshadia, Vesel (Jakup Vesel) Margëlliçi, Aziz Tahir Ajdonati (Tahir Mete),
Rexhep Demi, Qerim Beg (Begolli),Avni Bej Delvina, Hamdi Be’ Ohri, Mustafa
Efendiu (Barotçiu), Ahmet Muftar Beu (Zogolli), Riza Beu, Kurt
Agai, Zenel Be Ipeku (Begolli), Riza Beg Gjakova.
Delegatë që nuk mbërritën në kohë :
Ekrem Be’ Vlora, Dervish
Hima, Hajdar Blloshmi dhe Dhimitër Ilo.
Nga të dhënat që na japin proces
verbalet, duke plotësuar emrat me të dhënat e Bardhosh Gaçes dhe studiuesve të
tjerë, e sidomos kujtimeve të bashkëkohësve mendojmë se kemi një tablo të plotë
të punimeve dhe pjesëmarrësve të Kuvendit Historik të Vlorës që shpalli
Pavarësinë e Shqipërisë. Kemi pra 40 firmëtarë të Aktit, 42 pjesëmarrës të tjerë dhe 4 delegatë që
nuk erdhën në kohë, gjithsej 76 emra burrash, që historia duhet t’i
përmendi e nderojë. Siç tha në një nga seancat Luigj Gurakuqi procesverbali dhe
akti do të firmoheshin në fund duket kjo nuk u bë, mbase ata nuk i jepnin atë
rëndësi që ka për ne sot. Mendimi ynë është se të gjithë këta burra të shquar
janë të barabartë përpara Kombit për Shpalljen e Pavarësisë, e ngritjen e
Flamurit Kuq e Zi dhe njësoj duhen nderuar. Ata erdhën për të bërë Aktin zyrtar
në emër të popullit që i zgjodhi ta përfaqësojë, se vendimin e kishin marrë me
kohë, madje disa nga qytetet e lira e
kishin ngritur flamurin e festuar pavarësinë.
***
Së fundi duam të trajtojmë dhe
pamjen e vërtetë që kishte Akti i Shpalljes së Pavarësisë. Ne e njihnin deri
pak kohe sipas fotos tradicionale të botuar nga Lef Nosi ku shihen të gjitha
firmat. Para do kohe studiuesi i
pasionuar i historisë dhe i fotografive të vjetra Niko Kotherja botoi atë Akt
në pamjen në të cilën qe ekspozuar në vitin 1937 në 25 vjetët e Pavarësisë. Ajo
foto i takon mjeshtrit të shquar Kel Marubi, i cili e pat fotografuar me atë
rast. Fotografia ka një rëndësi të veçantë për të krijuar pamjen e vërtetë deri sa një ditë të
dali në shesh origjinali.
Sipas saj është e qartë se në
anën e përparme të fletës ishin vetëm
Deklarata e Pavarësisë dhe 34 firma, ndërsa në anën e prapme të fletës 6 firmat
e fundit. Këtë na e tregon vetë fotografia e fletës së ekspozuar në shpjegimin
e së cilës thuhet se “Në faqen e tjetër ndodhen dhe këto nënshkrime: Mustafa Asim Kruja- Ferid Vokopola - Ymer
(Deliallisi) - Xhemal Bej (Deliallisi) - Nebi Sefa Lushja – Zuhdi Ohria”.
Falënderojmë Fototekën Kombëtare “Marubi” në Shkodër që na mundësoi ta kemi këtë fotografi. Duke pasur atë si bazë, rindërtuam pamjen e faqes së prapme, duke e kthyer atë, pra kemi ruajtur dëmtimet e palosjet në vendet e tyre, kemi vendosur ashtu siç janë bashkërisht të gjashtë firmat e fundit, ato për të cilat diçitura dhe foto tregojnë se janë në anën e prapme të fletës së ekspozuar. Në një shikim të vëmendshëm të fotos duken dhe vizat që ka fleta si në fletoret shkollore. Me sa duket Lef Nosi ka montuar në një foto të vetme të gjitha firmat, duke shtuar poshtë ato që ishin në anën e prapme, për të pasur një vizion të plotë të dokumentit. Mendojmë se ai duhet të zëvendësohet nga ky rindërtim i tij, që është më pranë të vërtetës.