| E merkure, 18.07.2012, 07:22 PM |
“Poezia
dhe zëri i shkrimtarit na shoqëron gjithë jetën”
Flet shkrimtari Dritëro Agolli, një nga më të njohurit në magnetofonin e nxënësve të shkollës “Asim Vokshi”
Në “Nderim të shkrimtarëve”, gjimnazistët
vijojnë të mbledhin zërat e emrave të njohur të letërsisë shqiptare. Kësaj
radhe grupi i madh i nxënësve të shkollës së mesme të gjuhëve të huaja në
Tiranë; Fiona Kopali, Klaudia Hasanllari, Patrisa Çaçi, Viola Shaba, Dhurata
Nurçe, P. Llanaj, Besi Bajrami, Jurgen Hoxha, Xhesika Hoxha dhe Erilda Kurti
kanë biseduar me të mirënjohurin Dritëro Agolli dhe kanë biseduar me të për orë
të tëra rreth letërsisë.
Ju
kërkojmë ndjesë juve dhe zonjës Sadie, që po ju marrim kohën tuaj…
Përkundrazi,
dhe faleminderit që erdhët në shtëpinë time! Është gëzim për shkrimtarin dhe
për gjithë shoqërinë që letërsinë e duan dhe e lexojnë, sidomos adoleshentët e
të rinjtë – mosha juaj. Thuhet, se i pengon kompjuteri e televizori, por ju
tregoni se jeni të zotët ta bëni edhe njërën, edhe tjetrën. Dua të them, se
“teknologjia” e letërsisë është gjithmonë moderne dhe nuk vjetrohet kurrë.
Ne
kemi ardhur për “Albumin” tonë, për zërin dhe fjalën e shkrimtarit...
E kam
dëgjuar, dhe e keni punë të bukur këtë të “Albumit” tuaj. Ju lexoni, por edhe
mblidhni zërin dhe fjalën e poetëve dhe shkrimtarëve. Te ne, por dhe në gjithë
botën kështu ndodh. Poezia dhe letërsia lexohet e dëgjohet: nga librat, nga
këngët, nga recitimet, nga spektaklet. Kështu ka ndodhur e ndodh me njeriun. Ai
lind me poezinë te koka e djepit a krevatit; me poezinë e me librat rritet, po
edhe me poezinë vdes. Pse them kështu? A nuk i këndon ninulla nëna fëmijës së
vockël në djep a në krevat? Ninulla është ajka e poezisë, apo-jo? Libra lexon e
filma shikon njeriu tërë jetën. Në shkollë, doemos, sepse e ka edhe detyrë, por
edhe kur
Ne,
zoti Dritëro, po shkojmë në shumë shtëpi shkrimtarësh...
Unë them,
se e keni punë të bukur edhe këtë, që shkoni dhe i takoni shkrimtarët në
shtëpitë e tyre, apo në lokale dhe bisedoni me ta. Dikur, ka qenë muaji tetor
ai, kur shkrimtarët ftoheshin nëpër shkolla, fabrika e institucione, dhe
bisedonin me lexuesit. Ju e dini që tetori është muaji i vdekjes së Naim
Frashërit, poetit tonë kombëtar, prandaj dhe tetori quhej muaji i letërsisë dhe
i arteve. Pra, në qoftë se dikur shkonim ne shkrimtarët te lexuesit dhe i takonim e bisedonim me ta,
jeni ju, tani, lexuesit e rinj që duke shkuar nga katër apo pesë vetë për të takuar
shkrimtarët në shtëpitë e tyre apo në lokale, po krijoni një traditë të re. Kjo
gjë e bukur, siç thashë, ka edhe shumë anë të mira. Dikush nga ju tha, se në
jetën e tij, nuk kishte takuar kurrë ndonjëherë nga afër ndonjë shkrimtar.
Duket, sikur shkrimtarët janë diku, sipër në qiell apo maleve me dëborë, apo
sikur jetojnë në Antarktidë a Himalajë, dhe nuk janë njerëz si unë e si ju, që
jetojnë në një apartament a pallat. Domethënë, duken si perëndi, apo –jo!
Prandaj, e mira e parë e punës tuaj, mendoj unë është, se e zhvishni poetin a
shkrimtarin nga një vello mistike, misteri. Sepse, duke e menduar kështu, jo
njeri po Perëndi, ti nuk arrin të besosh se mund të bëhesh si ata. Kurse, e
kundërta, kur e shikon si njeri, si ti e si unë, me të mirat, por dhe me huqet
e veta, ti atëherë e beson, dhe mjaft që të punosh dhe bëhesh edhe më i zoti.
Kohët
e fundit, në gazeta ka lindur një debat, nëse në gjimnaze, lënda e letërsisë
duhet të jepet bashkë me gjuhën shqipe, apo secila veç e veç? A mund të na
jepni mendimin tuaj?
Kam
lexuar kalimthi ndonjë artikull nga ky diskutim. Doemos, gjuha është goja e
letërsisë; njihen lidhjet dhe raportet mes tyre, dhe nuk më duket ndonjë çudi
që ekzistojnë mendime të ndryshme. Por, unë them se ndoshta është më mirë që
trajtimi i këtyre raporteve të vështira mund të bëhet më mirë në Degën e
Letërsisë të Fakultetit për studentët dhe në kurse speciale. Kurse për
gjimnazistët, them se është më mirë, që lënda e gjuhës dhe e letërsisë të jepen
veç e veç. Kjo, sepse, mendoj unë, letërsia në gjimnaze ka qëllime e funksione
më të përgjithshme e që lidhen më tepër me edukimin e shijeve, me formimin e
përgjithshëm qytetar dhe me kulturën e njerëzve.
A mund
të na tregoni, për adoleshencën dhe rininë tuaj? Kur e keni filluar poezinë e
letërsinë, dhe a keni pasur vështirësi?
Poezinë,
ti nuk e di kur të vjen dhe nuk e di kur të lë. Poezia nuk ka moshë. Poezia
them unë, të vjen në buzë qëkur je fëmijë dhe ti e mendon apo e belbëzon. Është
tjetër gjë kur ti boton për herë të parë e për herë të fundit. Hedhja në letër
dhe botimi kanë datë, ardhja e poezisë nuk ka datë. Vjershën e parë unë e kam
bërë kur isha në shkollën unike, dhe mësuesja ime e parë e letërsisë është
Virgjini Pepo. Ajo është 93 apo 94 vjeçe dhe jeton akoma. Kur mbushi 90 vjeç,
ajo më mori në telefon. Për fat të keq, unë nuk e dija. Virgjinia ishte mësuese
e mrekullueshme, edhe njeri i shkëlqyer. Ajo na inkurajonte të lexonim sa më
shumë dhe të shkruanim. Ajo ma lexoi vjershën e parë, u gëzua shumë dhe më tha:
“
Në
gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës kur shkova, pastaj, kishte një “rreth
letrar”, siç quhej atëherë, të organizuar shumë mirë. Kryetar të “rrethit
letrar” kishim profesor Vehbi Balën. Ai nuk e quante “rreth letrar”, por
“Akademia letrare”, rrethin tonë. Ne kishim profesorë shumë të zotë dhe kishin
mbaruar jashtë shtetit. Fejzi Dika, për shembull, poet i njohur i viteve ’30,
kishte studiuar në Francë. Edhe profesori i matematikës, Gaqo Harrilla, po në
Francë kishte studiuar. Vehbi Bala, poeti dhe studiuesi i njohur i letërsisë,
po ashtu, jashtë shtetit kishte mbaruar, në Rumani. Ata ishin jo vetëm të aftë
shumë, por edhe të rreptë. Me autoritet, me hije, si i thonë dhe nuk bëhej
shaka me ta. Duhej të mësoje, që të merrje klasën. Klasën duhej ta merrje në
dërrasë të zezë. Ta merrje ti dhe jo babai apo mamaja me ndonjë gjë nën dorë.
Unë them, se roli dhe autoriteti i mësuesit në shkollë është i jashtëzakonshëm
për fatet e një kombi, dhe shteti e ka detyrë që, me të gjitha mënyrat të
ngrejë autoritetin e mësuesit. Kam dëgjuar që vitet e fundit, gjithmonë e më
pak studentë shkojnë në degët e mësuesisë. Kam dëgjuar, edhe se shumë mësues e
kanë braktisur profesionin e tyre për t’u marrë me tregti. Ndofta, kanë të
drejtë, por kjo është turp për shtetin që nuk u jep rroga dinjitoze, që edhe
ata të jenë dinjitozë: të jetojnë normalisht, por edhe të rrisin normalisht
fëmijët, e të mund të blejnë librat që u duhen. Përfytyrohet dot mësuesi që nuk
blen dot e nuk lexon libra? Kurrë!
Ne
shqiptarët, jemi një popull arsimdashës dhe kemi një traditë të mrekullueshme
të respektit dhe nderimit të mësuesit. Pyesni prindërit e gjyshërit tuaj dhe
ata do t’u thonë se, dikur në qytet, në krahinë e në fshat, mësuesi, hoxha e
prifti kanë qenë njerëzit më të rëndësishëm, më të respektuarit dhe më të
diturit. Ndoshta, ju nuk e dini, por edhe fjala “hoxhë”, mësues do të thotë.
Shumica, në mos të gjithë njerëzit më të shquar të botës, nga mësuesit kanë
dalë.
Cili
është mendimi juaj për marrëdhëniet mësues-nxënës apo student? Profesori ynë i
letërsisë, Arshin Xhezo, na ka treguar, për ju...
Arshinin
e kam mik të vjetër...(Zonja Sadie- Ka bërë shumë mungesa Arshini...)
Ashtu?!
Por, te ne, ai vdes për mungesat. I vë të gjitha...
Me
Xhevahir Spahiun, Spiro Deden, Arshinin, Ludmilla Xhabinë e të tjerë, që janë
brezi më i ri i gazetarëve, u bëmë edhe miq, edhe kolegë në gazetë, se punuam
bashkë. Vemi e vijmë te shtëpitë e njëri-tjetrit, dhe derën e kanë të hapur...
Marrëdhëniet me nxënësit e studentët, unë them, se duhet të ishin njerëzore, se
të dyja palët, një qëllim kanë. Si të jenë ndryshe?! Siç u thashë, duhet të
afroheni e të njiheni me shkrimtarët, ashtu edhe me mësuesin e profesorin, se
ndryshe, e shikon si perëndi në qiell, e krijohet frikë e ftohtësi. Kurse, e
kundërta duhet të ndodhë: të krijohen marrëdhënie miqësore.
Në
gjimnazin e Gjirokastrës, ne kishim marrëdhënie shumë të lirshme e njerëzore me
mësuesit tanë. Ju, mund të çuditeni, por ne bënim edhe humor me disa nga ata,
kur vinim re ndonjë të metë a problem. Kishim një “orë gazmore”, siç e quanin
atëherë, dhe atje bëhej humor, skeçe, recitoheshin poezi e plot gjëra. Program
shumë i bukur. Doemos, nuk kishim as magnetofonë që t’i regjistronim zërat
tanë, as mikrofona. Ishin thjesht, ca altoparlantë lëvizës që vihen te goja dhe
transmetonin zërin në ambientet e shkollës në kohën e lirë, apo të konviktit.
Në
shumicën e rasteve, ne, doemos, në këtë emision gazmor letrar, bënim humor e
vinim në lojë ata nxënës që nuk mësonin mirë e bënin mungesa, por edhe ndonjë
mësues, siç thashë. Për shembull, një herë, bëmë humor me një mësuesin tonë të
fizikës i cili, kur vajti te berberi, te Qafa e Pazarit, siç quhet, i ndodhi
diçka për të qeshur. U ul profesori për t’u rrojtur, dhe berberi e rrojti. Por,
në fund, pasi berberi i tha: “Me shëndet, profesor!”, profesori vazhdonte të
rrinte në karrigen e berberit.
-Më fal,
se më kishte zënë pak gjumi, - i tha profesori berberit.
Në një
emision tjetër, imituam profesorin e zoologjisë, në orën kur ai provoi të bënte
operacion macen, për të na treguar ku është e si është zemra e maces. Mirëpo,
sa ia nguli pak thikën, macja, i shpëtoi nga duart, dhe ashtu e përgjakur nga
profesori, u vërtit nëpër shkollë e nëpër lagje, deri sa ngordhi e dha shpirt e
shkreta. Gaqo Veshi ishte i fortë në këto gjëra.
Në “orën gazmore”
u imitua një ditë edhe profesori i historisë. Ai, kur shpjegonte, kishte zakon
t’i mbante duart te banka e parë, ku rrinte Gaqo Veshi. Mirëpo, Gaqua, si
Gaqua. Në vend që të dëgjonte mësimin, i trazonte profesorit qimet e dorës.
-Gaqo,
mos m’i trazo qimet! -i thoshte profesori dhe vazhdonte shpjegimin. ...Koha dhe
mosha e gjimnazit është kohë dhe moshë e artë dhe letërsia është lënda më e
bukur. Të gjitha lëndët janë të bukura, po, doemos, unë letërsinë do të
lëvdoj...
Ju
ndihmonte shkolla dhe mësuesit për të botuar libra apo në gazeta?
-Jo,
shkolla apo mësuesit nuk mund të ndihmonin me para për të botuar vjersha,
tregime në gazetë apo libra. As mund ta bënte e ta bëjë sot një gjë të tillë,
se ka një buxhet vetëm sa për hallet e shkollës. Unë ju kujtova punën plot
pasion të mësuesve tanë të zotë dhe të kulturuar. Ata, të frymëzonin të bëheshe
edhe ti i zoti dhe i kulturuar. Me punën tënde dhe me ndihmën e tyre, t’i mund
të dilje nga fëmijëria e të maturoheshe, të dilje nga provincializmi dhe të bëheshe
qytetar i metropolit, qendrës, edhe pa qenë banor i Tiranës, metropolit të
Shqipërisë. Ne mund të shkruanim dhe shkruanim boll atëherë.
Si
ishin kushtet në gjimnazin tuaj?
Nuk mund
të prisje kushte ideale në gjimnaz, në kohën që e fillova unë; menjëherë pas
Luftës, më 1947-n. Gjatë katër-pesë vjetëve luftë, u mbyllën shkollat në
krahinat ku lufta ishte më intensive. Nuk them në Tiranë, në Shkodër e në disa
qytete kryesore. Unë i kam humbur katër vjet nga shkaku i luftës, kështu që kur
vajta në gjimnaz, unë isha djalë i rritur, 17 vjeç. Të tjerët ishin 18 vjeç e
lart. Veçanërisht, ne konviktorët e liceut të Gjirokastrës e kishim më shumë
vështirë se ishte ftohtë. Është i hidhur dimri i Gjirokastrës dhe konvikti
ishte një shtëpi gjirokastrite dhe jo ndërtesë e posaçme për konvikt. Një vit
bëri dimër i egër shumë e me ngricë dhe ne, katër vetë në një dhomë nuk kishim
dru të ngroheshim. Desh vdiqëm nga të ftohtët dhe vendosëm të digjnim në
zjarrin e oxhakut një nga krevatet tona. Hodhëm short, kujt t’i binte. I ra
njërit shorti i keq, ai la krevatin, ne e shqyem dhe e hodhëm në zjarr, në
oxhak. E dogjëm një krevat atë natë dhe u ngrohëm. Mbetën tre krevate. Erdhi
shërbyesja në mëngjes, po nuk e vuri re. Natën e dytë, shorti i ra Gaqo Veshit.
E dogjëm dhe krevatin e Gaqos dhe e hodhëm edhe një natë, po kur mbetën vetëm
dy krevate, shërbyesja vuri duart në kokë. Ajo pa hirin në oxhak, e kuptoi
ç‘kishte ndodhur, dhe me vrap te drejtori. Ne na nxorën para gjithë konviktorëve
duke na thirrur: “Sabotatorë”! “Sabotatorë!”. Mirëpo, fati ynë, ai drejtori i
shkollës, nuk qëlloi as si kujdestari, as si ai drejtori i shkollës te filmi i
Anagnostit, “Lulëkuqet mbi mure”. Drejtori ynë, që ishte dhe gjahtar, qëlloi
burrë i mirë, nuk na përjashtoi dhe na fali duke u thënë atyre të tjerëve: “E
mo, t’i falim se kanë ngrirë nga të ftohtit”. Edhe ushqimi, për faqe të zezë
ishte. Ne, që nuk vumë mend nga djegia e krevateve, u ngritëm një ditë kundër
preshëve, domethënë kundër gjellës me presh që na bënin pesë herë në javë në
mensën e konviktit. Na erdhi në majë të hundës nga preshtë dhe, një ditë, sapo
u ulëm në tavolinë-tavolinë e madhe për 16 vetë, u ngritëm të gjithë në këmbë
dhe zumë të thërrisnim me të madhe: “S’duam presh! S’duam presh! S’duam presh!”
U tund mensa dhe vrap erdhi kujdestari. -Ç’bëni kështu, more të çmendur?!
-thirri. -Demonstratë po bëni ju? Kryengritje është kjo? -Jo, Imzot,
revolucion! -ia priti Gaqua, duke perifrazuar një nga personazhet e
Revolucionit Francez. Me sy të shqyer nga ç‘i panë sytë, kujdestari vrapoi
te drejtori që, sa hap e mbyll sytë, u
gjend në mensë. Dhe ishte drejtor tjetër ky, se ai i pari kishte vdekur.
-Ç’bëni, mor maskarenj! - thirri. –
Me
gjithë këto vështirësi e pengesa në diktaturë, si keni arritur, zoti Dritëro,
të shkruani aq shumë libra me poezi dhe romane të bukura?
Në këtë
rast, edhe ju në pyetjen tuaj, edhe unë në përgjigjen time, duhet të jemi
gjithmonë të ndershëm, seriozë e të saktë.
Doemos,
liria është liri, dhe liria e ushqen edhe poezinë e letërsinë. Por, po ju them
se, -dhe nuk jam unë i pari që e them, -lulja lind edhe në shkëmb. Dua të them,
se talenti dhe poezia e letërsia e vërtetë është bërë e bëhet në çdo sistem e
regjim.
Kujtoni
poetët e shkrimtarët më të mëdhenj që njeh bota e njerëzimi. Në diktatura kanë
jetuar e shkruar. Kanë qenë perandori, apo mbretëri, njëlloj është. Kështu ka
ndodhur me Dante Aligerin, kështu me Shekspirin apo me Dostojevskin që e dënuan
me tetë vjet burg në Siberi, por edhe atje shkroi kryevepra Dostojevski.
Pastaj, ju me siguri e dini, që shkrimtarë mediokër dhe libra mediokër, ka edhe
në vendet me demokraci të zhvilluara. Letërsia dhe arti, dihet, ndjekin ca
rrugë e ca shtigje të tjera për t’u furnizuar me lirinë që u duhet.
-Mua
më pëlqejnë shumë poezitë tuaja, por veçanërisht ajo me titull “Gjyshi i
rrahur”, që ia kushtoni mbesës suaj, Anës. E mbaj mend përmendësh atë poezi:
Ana e vockël më prishi a më grisi diçka/Dhe unë i hoqa shpejt një shuplakë...
/Ana e vockël ishte e rrahur vetëm një çast/Unë isha i rrahur vërtet tërë
ditën/. Zoti Dritëro, e kemi mësuar se kjo poezi është për të gjithë gjyshërit
e për të gjitha Anat, po Ana juaj ku është tani?
Faleminderit
që më pyesni për mbesën! Ana është 18 vjeç tani dhe po hyn te 19-ta. Ka shkuar
në
Mund
ta dimë, ç‘po shkruani dhe ç‘libra keni ndërmend të botoni?
(Zonja
Sadie: Dritëroi vazhdon të shkruajë poezi, por më shumë merak ka për biografinë
e tij, librin për jetën e tij.)
-Atë
libër ia kushtoj gruas sime.
Mund
të na tregoni ndonjë poezi të pabotuar?
Faleminderit,
edhe për humorin tuaj. Dhe, meqë jeni të rinj, po ju lexoj një poezi të
pabotuar, që ka titull: “Për dashurinë”:
Dashuria
fillimisht është e turbullt/Dashuron, po cilin, aspak s’është e qartë/Dhe agimi
kur vjen është i mugët/Sendet s’kanë as formë e as trajtë/Dita zbret, dhe
gjërat dalin të plota/Forma, trajta, konture e vija/Dalëngadalë e tillë vjen
bota,
Ja,
fytyrën, kështu e zbulon dashuria!
Ju
falënderojmë shumë dhe ju jemi shumë mirënjohës që na pritët dhe na dhatë këtë
kënaqësi.
-Ju
falënderoj unë, që na erdhët për vizitë në shtëpi!
(Zonja
Sadie - Faleminderit, se edhe neve na thyet monotoninë e ditës.)