Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Jahë Sadrija: Filip Shiroka (1859-1935) - Jeta dhe vepra

| E shtune, 14.07.2012, 01:21 PM |


Faza e tretë e Rilindjes Kombëtare në Shqipëri

Filip Shiroka (1859-1935) - Jeta dhe vepra

Nga: Jahë Sadrija

Filip Shiroka i përket grupit të romantikëve shkodran siç janë: Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Hil Mosi etj.  Filipi lindi në Shkodër më 1859.  Fëmijërinë e kaloi në vendlindje.  Aty edhe mbaroi shkollën italiane të qytetit. Punoi edhe si libërlidhës, ku përhapte idetë patriotike.  Si i ri u inkuadrua në lëvizjen përparimtare të kohës.  i ndjekur nga qeveria turke, më 1880 mërgohet nga qyteti i lindjes në Egjipt.  Atje vazhdon veprimtarinë patriotike. Një kohë ishte kryetar i klubit,”Vllaznia shqiptare”. Ra në kontakt me shumë patriotë për t’i thelluar edhe më tej idetë atdhedashëse. Lidhi miqësi me Milo Duçin dhe Çajupin.  Bashkëpunoi me revistën “Albania”të Faik Konicës. Shkruante me pseudonimin, Gegë Pastrippa.  Në vitin 1900, me të shoqen egjiptiane u kthye në Shkodër. I dëshpruar nga gjëndja e rendë e popullit, ikën prap në Egjipt, ku sërish vazhdon punën dhe aktivitetin e tij patriotic e atdhedashës. Brenda viteve 1920-24, së bashku me Luigj Gurakuqin e të tjerë, përkrahin opoziten demokratike.  I shtyrë nga malli për vendlindje , kthehet edhe një here në Shqipëri më 1933.  Po atë vit boton veprën e tij , “Zani i zemrës” në Tiranë  Pastaj kthehet përsëri në Bejrut të Libanit, ku edhe vdes më 1935.

Vepra e Filip Shirokës,”Zani i zemrës”- është botuar në Tiranë më 1933.  Ajo përfshin motive të ndryshme dhe nis me moton:

Janë këto vjersha të këhës së djelmnisë,

Janë”Zani I zemrës” të kohës së rinisë…

Vargje këto që dëshmojnë kohën e frymëzimit dhe të krijimit të poezive të autorit.

Vepra e Shirokës, sipas temave dhe motiveve që trajton mund të klasifikohet në disa grupe.  Secili grup ruan qasjen dhe tonin specific të autorit.  Në grupin e pare poeti shpreh raportin e tij ndaj poezisë dhe artit. Të këtilla janë vjershat:”Vjershtori”dhe “Bukuria e vjershës”.

Te poezia titulluar “Vjershtori”, kushtuar Milo Duçit, Shiroka shpreh kredon e tij poetike. Figurën e poetit dhe misionin e tij, ai e jep perms krahasimit, i cili zgjerohet në një paralelizem figurative.  Gjendja e krijuesit është e lidhur ngusht edhe me pamjet dhe me ndryshimet e natyrës.  Kur poeti është i qetë, krahasohet me liqenin në verë, kur është i gëzuar përafrohet me pranverën, kur është i trishtuar ngjan me lulen që tretet. Ndërsa kur është i revoltuar përngjan në detin e trazuar. Bota e poetit, sipas Shirokës është e pleksur me jetën e gjallë dhe me çastet që sjellë ajo në rrjedhën e kohës.

Poezia, “Bukurija e vjershës”, që i kushtohet Çajupit, shpreh qëndrimin e Shirokës ndaj artit dhe këngës. Sipas tij, arti ka misionin e vet mobilizues.  Poeti konstaton se është magjia e këngës, e cila e shkëput krijuesin nga realiteti i hidhur dhe e fut ndër sfera të kulluara shpirtërore.   Poeti duke kënduar për njeriun, bashkohet me fatin e tij, me këngën apo vajin e tij.  Kënga ndryshon sipas gjendjes shpirtërore të krijuesit.  Ajo kur shpreh dhembje është e butë, kur shpreh revoltë është e rreptë, si përroi i malit.

Në grupin e dytë të vjershave të Shirokës, mbizotron tema e vendlindjes dhe ajo e lirisë së atdheut.  Ato përbëjnë një dialog poetik, në mes të Shirokës dhe Luigj Gurakuqit. Vjershat e këtij grupi janë: “Shko dallëndyshe”!, “Dallëndyshe eja”dhe “Bylbylit”. Në këto vjersha poeti e përdor figurën e personifikimit.  Shiroka e porositë dallendyshen të shkojë në Shqipëri e pikërisht në Shkodër, të takoj shokët, shkollën ku ka mësuar dhe kishën ku ka bë uratë.  T‘i shoh malet dhe fushat, e kështu ta heqë mallin nga shpirti.  Ka dëshirë që edhe vetë të niset për Shqipëri, por nuk ka mundësi, është i mërguar.

“Por ti shko atje flutrim,

E ti qajma fatin tim”…

Poashtu poeti e lut dallendyshen , që të ndalet në fushë të Ramajit, ku I kishte varret e prindërve dhe qajë mbi to.

Te vjersha tjetër,”Dallëndyshë eja”, poeti sikur prêt përgjigjen prej saj, por edhe më tej thellohet heshtja dhe vetmija.  Janë trajtë fiktive, që nuk e lidhin jetën reale të poetit me viset dhe njerëzit e tij të dashur.  Në këtë shtegtim shpirtëror humbet vazhdimisht shpresa e poetit:

“Dëshiroj shum, por…nuk po dij

A kam prap fat t’mirë me shkue

Një here tjetër në Shqypni

N’Shkodër t’ime me kalue

Atje du t’shkoj fluturim

T’vdes, aty n’gjytetin tim”…

Ndërsa, poezia e titulluar, “Bylbylit”, simbolizon vetë poetin, përbëhet nga tri njësi poetike.  Në tabllon e pare shqiptohet ankimimi i bilbilit, që është vetë poeti, në të dytën spikat gjendja e rendë shpirtërore e poetit për të mërguarit, dhe në të tretën shprehet , nostalgjija dhe dyshimi i tij , se ka për të vdekur e të mbes në dhe të huaj.

“M’qaj bylbyl, o mbret i kangës

Se n’dhe t’huej kanë me m’vorrue”…

Në grupin e tretë radhiten vjershat e Shirokës, siç janë:”Një lules së veshkun”,”Lulja qi m’ddergoi nana e eme”dhe “Nanes sime”.  Këto vjersha përbëjnë një raport të veqantë të poetit dhe ndaj vetëvetes dhe nënës.  Një raport të dhembjes së thellë shpirtërore të përvluar nëpër kujtime të shumta. Një vend të rendësishem e zënë edhe vjershat,”Burri i Pyrros”,”Gjergj Kastriotit” dhe “Te vorri i Skander Begut”, këtu autori kthehet në të kaluarën historike, qoftë në atë ilirike, apo në epokën e Skënderbeut.

Ponoshec, 14.07.2012