| E shtune, 14.07.2012, 04:12 PM |
Recension
EDHE NJË KOPSHT I LULËKUQEVE TË LIRISË
(Bedri TAHIRI, FLAKADANËT E LIRISË 4, SMS, Prishtinë 2012)
Nga Zenun GJOCAJ
Këto ditë
doli nga shtypi e njëzetenjëta vepër e Bedri Tahirit me titull: “Flakadanët e lirisë
Vepra
fillohet me portretizimin e heroit shqiptar, Milosh Kopiliqit, me të cilin
autori, pos tjerash, e letrarizon atë me mjeshtri, pa iu shmangur fakteve
historiografike, duke ia shtuar edhe një dëshmi historisë kombëtare për
autenticitetin e figurës së këtij heroi të aleancës ballkanike kundër pushtimit
osman më 1389, me të cilin mitologjia dhe pseudohistoriografia serbe ndër shekuj u përpoq ta përvetësojë,
duke e shfrytëzuar mungesën historiografike shqiptare. Autori këtu gërshetoi
fakte historike, dokumentuar kryesisht me dëshmitë toponimike dhe arkeologjike,
të stolisura me elemente artistiko-letrare, duke rrëxuar kështu pseudo-historiografinë
serbe, që pati qëllim zhbërjen e popullit e trollit shqiptar. Dhe më tej,
autori e mishëroi artistikisht figurën e këtij heroi shqiptar me tipare të
cilësive kombëtare të vërtetuara ndër shekujt vijues, sidomos që nga
Skënderbeu, A. Pashë Tepelena, Mic Sokoli, Isa Boletini, deri te Adem Jasharët
etj., të luftës së fundit shqiptaro-serbe.
Për
argumentimin e kësaj dëshmie, autori u bazua edhe në historiografinë më të re
jo vetëm shqiptare, sidomos të Q. Haxhihasanit, A. Qeriqit, N. Qitakut, M. Rukiqit,
N. Malkolmit, Anna di Lelio etj., duke i gërshetuar kështu me elemente letrare,
ashtu si autori ia kishte vënë vetes për detyrë.
Siç
shprehet vetë autori, kokëfortësia e fakteve, dëshmive e dokumentimeve të
ruajtura me kujdes nga të dhënat gojëdhanore reale të mjedisit shqiptar, desh e
çmendin edhe pseudo-historianin serb të fillimishekullit 20, J. Cvijiqin, i
cili pat ndaluar në Kopiliq dhe u gjet i zhgënjyer, duke i parë jo vetëm të
dhënat topononimike e arkeologjike drenicake, ku autori përfundon: “…po çmendej fare i ziu. Mbretëria e tij, kot
së koti, paskësh shkrirë florinj për trillime e falsifikime”. (22)
Në vazhdim autori zgjodhi dhe i trajtoi disa figura historike kombëtare periudhash të ndryshme, sigurisht sipas kriterit zgjedhor, ashtu si në veprat e tjera me të njëjtin titull, ndoshta edhe për të zhdukur monotoninë te lexuesi, ashtu si gjellërat e ndryshme në sofër, që e shtojnë oreksin. Kështu ai artistikisht trajtoi figura të ndryshme, të Rilindjes e pas saj, si ajo e Bajram e Xhemë Tërnafcit, e Mursel Ahmetit të Ahmet Delisë, bashkëluftëtar e shoqërues i denjë i kryetrimit legjendar i fillimshekullit 20, Azem Galicës, pinjoll i familjes Delia, “që s’e ndali këngën e grykëhollave liridashëse, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit…” (25), ku bija e tij, në luftën e fundit, pati të vrarë tre djem e tre nipa, pastaj të Sadri Kapitit, Zenel Hajrizit (1961) me pasardhësit e gjakut të vet: Naserin (1981) e Hamdiun (1998-9), e Ruzhdi Hysenit të pranverës së ’81-shit, deri te figurat e luftës së fundit çlirimtare, si ajo e Bektesh e Abdullah Halitit, Bahri Haxh?s, Selatin Gërxhaliut me mbarë familjen, Hamdi Sheremetit, deri te Rrahman Dini, komandant BALI, me të cilët u kurorëzua edhe liria e Kosovës. Të gjitha këto figura heroike, bashkë me qindra të tjera, janë shtylla të luftës shekullore për mbrojtjen e kombit ndër shekuj e dekada, me të cilët sot krenohet atdheu, që u përjetësuan për ta shpëtuar vendin nga pushtimet, në veçanti nga terrori sllav i programuar nga ideologë të njohur serbë, sidomos që nga I. Garashanini (1844) e i zbatuar me metodat më çnjerëzore.
Kështu,
autori i lidh luftërat e periudhave të ndryshme historike kombëtare, trimat,
idealet e brezat, prej të cilave del se familje të veçanta ndër breza e
trashëguan luftën heroike çlirimtare, pa pasur gjithaq mundësi ta shpiegojë
edhe shkakun e këtij trashëgimi, por e lë të nënkuptohet se, së pari ishte geni
i tyre familjar i trashëguar, rrëfimet e brezit të përparmë, ritregimet e
anëtarëve të familjeve për heroizmat e veta e bashkëluftëtarëve, folklori i
kënduar në dasma, që kanë ndikuar në përcjelljen e trashëgimisë heroike ndër
breza, punë kjo që kërkon studime të gjithanshme filozofike, bio-psiko-etnike
etj.
Vepra
është kryesisht përjetësim luftëtarësh e prejardhjesh të tyre familjare, që
lanë nam ndër beteja. Ata gjithë jetën ia kushtuan luftës për çlirimin e
atdheut. Disa nga ta, u përjetësuan pak pa e parë Kosovën e lirë (si Xh.
Ternafci më 1993, Sadri Kapiti 1997 e
tjerë, si dhe të gjithë dëshmorët e
luftës së fundit)
Realiteti te Bedriu gjithnjë vihet në planin dinamik.
Motivet gërshetohen përmes elementeve stilistike vetjake, të dala më tepër nga
jeta, se sa nga përvoja leximore, në rrethana të caktuara situative jetësore
që, dashur e pa dashur, të tërheq dhe të magnetizon. Thjeshtësia e shprehjes,
pak a shumë, e sakrifikon metaforën, për të depërtuar në shtresat e gjera të
lexuesve nivelesh të ndryshme, madje ndër më të thjeshtat..Si e tillë, proza e
B. Tahirit karakterizohet nga perceptimi kryesisht biografik, i gërshetuar me
fakte historike e mjete stilistike, përcjellë me tinguj lirizmi e humaniteti,
që të josh. Ai rreket me situatat luftarake e pasojat e tyre nga pikëpamja e
invencionit të hollë të një lloji të veçantë shprehës përmes përballjeve, që
krijojnë ngjyrime kontrastive. Tregimtaria biografike e personazheve të B. Tahirit është e thjeshtë për nga
motivi, subjekti, ngjarjet, shtjellimi e personazhet, por e ndërthurur dendur
për nga perceptimi psiko-meditativ.
Veprën e stolisin edhe citate mendimtarësh të shquar,
poezish e prozash letrare, proverba, si: “Kush
nderon historinë, krijon ardhmërinë”,”Zogu i parë këndon më së miri” etj.
Veçori stilistike e B. Tahirit, pos tjerash, është edhe
ndërlidhja e përshkrimit të natyrës me ngjarjet e kohës: “Vendbanimet rrëzë Qyqavicës…të freskuara me ujin bilur të Krojeve të
Bardha e të mëkuara prore me qumështin dëborë dhe me këngët e bukura të
shtojzovalleve belholla, përherë qenë të gatshme për t’u kacafytur me
pushtuesit sojzinj, që synonin vatrat tona…”. (63) Secili tregim së brendshmi përshkohet përmes
njëj shkallëzimi të logjikshëm të trajtuar stilistikisht me mjeshtri
Mesazhi i tregimeve kryesisht është farkimi i fatit të
njeriut, i mirë a i keq, gjendet në duart e vetëvetes së tij. Pasojat tragjike të rënies
së dëshmorëve të veprës nuk përshkohen me tone vajtuese, qofshin ato edhe të
dhimbshme, sepse për të ardhmen e popullit janë krenare. Në vend të tyre autori
u qaset perceptimeve heroike, humane dhe
bujare, me gjithë tragjiken e humbjes së tyre fizike, lënies së jetimëve,
vejave që, pa u hamendur, sakrifikuan vetën për t’u ndejtur pranë jetimëve deri
në vdekje. Është ky edhe një heroizëm mjaft suptil. Në këto tregime spikaten
episodet luftarake që e karakterizojnë luftën çlirimtare, dashurinë e sakrificës
për njëri-tjetrin dhe të të gjithëve për atdhe, përmes të cilave rritet
madhështia e sakrificës sublime. Ngush?llim për autorin është krenaria e luftës
që solli lirinë, që e gëzojnë të tjerët, përgjithësisht, brezat që vijnë.
Vepra zgjon kureshtje te lexuesi, ku çështjet e
parashtruara i lënë vend gjykimit. Episodet kanë domethënie dominante në jetë.
Në të shumtën e tregimeve, mesazhet të shpiejnë në përfundime optimiste reale.
Ndryshe nga disa shkrimtarë, rrëfimet janë trajtime më tepër të vëzhguara nga
jeta, se sa nga veprat. Si të tilla zgjojnë interesim të gjallë te lexuesit
Bedri Tahiri i percepton ndodhitë së jashtmi nga një poetikë realiste. Tregimet ndërtohen me gjuhën e ndjenjave të pastra, për ta zbërthyer fatin e njerëzve në rrethana të ndryshme situative, tërheqëse për të gjitha nivelet intelektuale. Ato përshkohen nga laryshia stilistike, gërshetuar me dimensionin psikologjik e vizionin letrar në një vijë rrëfimore vetjake, që e karakterizon individualitetin krijues të autorit, të fokusuar në shumë raste nga struktura e re ligjërimore.