| E premte, 13.07.2012, 08:56 PM |
INDIVIDUALITETI
KRIJUES DHE SHOQËRIA
(Instikti i superioritetit)
Nga Remzi Limani
Barra e përditshmërisë
së njeriut është arsyeja e shëndoshë për të mënduar se si të zhgarkohemi nga
mbingarkesat e panevojshme të kohës. Shpeshherë pa të drejtë bëhemi të paarsyeshëm
dhe me nguti sa bën flurudha e plumbit, kërkojmë të çlirohemi nga hijet e një kohe
të vrarë dhe shtrëngimet e errësirës së pa frymë e cila na mban shpirtin peng. Për
t`u çliruar nga e keqja e huaj duhet ta fusim në funksion të mirën tonë, e cila
rri e fjetur në kokat e të zgjuarëve, të cilëve nuk u jepet rasti që mendjet e
tyre t`i fusin në funksion të së mirës dhe njerëzores. Pra, nuk duhet të mashtrohemi
me imazhet e një jete të rreme, ngase, jeta është si një borgjeze e llastuar. Na
bën të mendojmë për monedhat që hidhen tregjeve gjithandej, ndërtesave shumëkatëshe
e në komoditet mbretërish. Në këtë kuptim, shumë prej nesh, pa e lodhur mendjen
vrapojmë pas imazheve mashtruese, duke harruar se jeta ndërtohet me durim e
shpresë, me falje e pendime për gabimet tona nëpër kohë e hapësirë. Të bësh
budallallëqe është njerëzore thotë një fjalë e urtë popullore por, të këmbëngulësh
në budallallëk është djallëzore. Për këtë budallai ndihet krenar pasi ta ketë bërë
budallakinë e tij.
Njeriu i
kohës, në vazhdimësi duhet studiuar peshën e barrës së tij – gjithmonë në pajtim
me arsyeshmërinë, kohën dhe hapësirës për hulumtimin e zgjidhjeve të reja, më të
avancuara në kërkim të së mirës për ta mposhtur barrën e së keqës nëpër kohë. Prandaj,
duke i shfrytëzuar të gjitha energjitë e mendjes krijuese dhe kreativitetin e
pafund të të mirave materiale dhe kulturore që mund t`i prodhoj mendja e
njeriut, duhet dhënë vetes detyrat themelore për krijimin e një shoqërie
polivalende dhe fuksionale në disponim të individit krijues, vlerave nacionale
dhe ideve të dala nga fryma jonë dhe forca e të menduarit pozitiv. Pra, nëqoftëse
nuk ndryshohet formanti i individit, logjika dhe mënyra e ritmit të punës për
krijimin e një shteti funksional dhe të vërtetë, atëherë do të jetë dëshpruese
dhe tej mase depresive të jetosh pa ndjesinë e të ardhmes.
Mendimi
superlativ për vetveten i mbështjellë me megalomani, adhurimi dhe gritja e
kultit ndaj personalitetit vetjak të tipit egocentrik, s`është asgje tjetër përveçse
sëmundje e individit – që e bën ta konsideroj vetveten qendër të gjithçkaje. Ky
mendim destruktiv i dëmshëm për të dhe gjithë shoqërinë tonë, vjen si pasojë e
egoizmit dhe vetadhurimit. Pra, vetadhurimi i sëmurë që nxjerrë në pah vetëkënaqësinë
e individit flet qartazi për individin pushtetar dhe politikën e tij si pjesë e
superstrukturës shoqërore, që në fakt pasqyron paaftësinë e tij për t`u lidhur
me botën që e rrethon. Në këto rrethana me frymë prej mendjetrashëve dhe bindja
e tyre se janë të vetmit që mund ta drejtojnë botën me bindjn se të gjithë të tjerët
duhet të sillen rreth tyre, është çmim i lartë të cilin duhet ta paguaj shoqëria
për pasojat e shkaktuara nga individi shkurtpamës. Individët e tillë duhet ta
kuptojnë sa më parë se: bota është e madhe dhe brenda saj frymojnë miliarda
njerëz, karshi të cilëve mund të dukemi askushi në raport me vlerat njerëzore
dhe ato intelektuale. Në këtë kuptim, sa më parë që ta njohin vetveten tonë, aq
më shpejt do t`i njohin të tjerët dhe vyrtytet njerëzore në funksion të së mirës,
që superstruktura shoqërore të jetë konstruktive dhe të funksionoj si një familje
e mbarë dhe, gjithë të tjerët t`i konsideroj anëtarë të barabartë të saj, t`i
shpërblej sipas kontributit të dhënë dhe t`i sanksionoj sipas peshës së gabimeve
të bëra...
Në shoqëritë
e pasluftës, aty ku qëllimisht ngulfatet zëri i qytetarisë dhe i individit
intelektual në kuptimin e mirëfilltë të njeriut krijues me vlera dhe ide
progresive dhe, në vend të tij, na servohet tipi i individit anonimus si
produkt i shoqërisë në pushtet, natyrshëm vjen deri te pakënaqësitë e ndryshme...
Prandaj, akomodimi i individit anonimus në fronin e pushtetarit, pa
kualifikimet e duhura përkatëse dhe intelektuale, verbërisht fillon të ndërtoj
instiktin e superioritetit ekstrem karshi të tjerëve. Fatkeqësisht, e tërë kjo
gati se ndodh në mënyrë legjitime, ngase në garat për pushtet, në frymën e
votimeve dhe manipulimeve me votën e qytetarit dhe vota tradicionale, të cilën
e rrumbullaksojnë militantët e partive politike, individit pushtetar sërish ia
sigurojnë pushtetin e tij. Prandaj, individët në shërbim të partive politike,
na servohen si eprorë ekzekutiv nëpër shumë institucione publike, të cilat
funksionojnë nën ombrellën e pushtetit. Kjo dukuri është pjellë e frikës nga
humbja eventruale e pushtetit dhe elektoratit tradicional. Partitë në pushtet,
me nguti i bëjnë improvizimet e infrastrukturës me “kuadro” të cilat parësisht
i mbrojnë interesat partiake dhe më pastaj i realizojnë edhe ato personale. Në këto
situata, zëri i popullit, nga mospërfillja e pushtetit përjeton një afoni nga
tmerri i kohës, duke mos u dëgjuar zëri i tij dhe i arsyes për të qenë të pranishëm
në ndërtimin e institucioneve me kuadro profesionale. Këtu, pashmangshëm vjen
deri te përplasjet dhe antagonizmave ndërmjet individit krijues dhe individit
mediokër, ndërmjet shkencëtarëve dhe alkimistëve diletantë, që synonin ta
zbulonin të ashtuquajturin “Gurin filozofik”, çudibërës me anë të cilit
kujtonin se do t`i shndërronin metalet e tjera në ar e argjend. Prandaj, beteja
për lirinë e vërtetë dhe promovimin e vlerave të mirëfillta pason si rrjedhojë e
së keqës nga pushteti muskulator!…
Kjo
situatë ma kujtojn filozofin Erazmo Roterdamin dhe librin e tij “Lavdërim
marrisë”. Tani, vërtet krijohej absurdi i kohës dhe i hapësirës, kur lajkatarët
dhe të korruptuarit i quajnë të “zotët”, për faktin se ata i krijuan të gjitha
brenda natës pa asnjë mund. Ndaj, këtu krijohen hendeqet midis njerëzores dhe
egoizmit, midis individëve të arsyeshmëm dhe të marrëve, të cilët po ashtu ma
kujtojnë poezinë e shkrimtarit, Ali Asllani, të cilën e shkroi këtu e gjashtëdhjetë
vjet më parë, të cilën me disa vargje më duhet t`ua rikujtoj lexuesve në këtë shkrim
të kohës së sotme:
HAKERRIM
Që nga
Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër
fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o
burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin,
nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!
Hani,
pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’
ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani,
pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa
populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!
Ai rron për
zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
ësht’ kafshit
për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr
zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur
vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!
Hani,
pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani,
pini e rrembeni, ësht’ bot e maskarenjve;
Hani,
pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca
dhe shkelqesa, tuti quanti come vuole!
Së këndejmi,
individualiteti krijues duhet të zhvillohet dhe krijohet në kuadër të shoqërive
të zhvilluara qytetare dhe brenda dimensioneve edukative ku kompetenca
akademike verifikon dhe vlerëson vlerat njerëzore dhe krijuese. Andaj, jo rastësisht,
veprimtaritë shoqërore dhe institucionet e mirëfillta lindin dhe zhvilloohen
nga bazat e mendjeve të ngritura të individëve në cilësinë e përfaqësuesëve të një
shoqërore të denjë. Në këtë mënyrë, lindin konceptet e reja të moderuara,
principet dhe normat mbi pozicionet e shoqërisë së re dhe afirmimet e vlerave
intelektuale. Pra, kjo është mënyra më e mirë dhe qasje adekuate e një politike
të sofistikuar sociale në funksion të qytetarëve dhe individit krijues. Për këtë
arsye, qasja e një politike ndryshe, eleminimi i dobësive shoqërore dhe
identifikimi i vlerave të reja për një të nesërme të avancuar dhe zhgarkimi nga
barra e të marrëve është domosdoja e jonë – nëse mendojmë të jemi aty ku qëndrojnë
të merituarit. Pra, ideja themelore dhe kërkesa legjitime e individit krijues është:
që kreativiteti i tij të zë vendin e duhur dhe të ketë status të mirëfillt shoqëror
si pjesë përbërëse e një shoqërie me vyrtyte demokratike. Përndryshe,
margjinalizimi, denigrimi dhe trajtimi joadekuat i shoqërisë ndaj individit nuk
mund të kuptohet ndryshe veçse koncept i një shoqërie të devijuar.