| E enjte, 12.07.2012, 07:43 PM |
Neki Lulaj
OQEAN DASHURIE
Mbi oqeanin e dashurisë
Fluturojnë zogjët
E kthehen
Zemrës së bjeshkëve
Të bekuara
I thurin çerdhet
Mbi lisat e atdheut
Krojeve të kristalta
E burimeve
I freskojnë sqepat e bardhë
Me qumshtin e zanave
Që pikon si mjaltë...
E lisat nga era
I përkundin kujtimet
E fjetura
Zogjtë pehaten
Si klekat
Dhe e mundin heshtjen
Duke e kalamendur
Me këngë
E balada...
Eshkë e ndezur
Mbi flatrat e tyre
Të praruara
Kur bie muzgu
E nata thurrë kurorën
Praruar me rrezet e hënës
Parajsë përjetësie...
Bukuri përrallore
Veshur me tirq shekulli
E kanarinat e bekuara
Këndojnë himnin
Një shkull dritë...
NË MBRETËRINË E ËNDRRËS
Lajmet pushtojnë
Aortën
Mes grykave të zemrës
Kapërcejnë shtigjet
E pa shkelura
Pa u lodhur
Pa këmbësore
Pa autoudhë
Shpojnë shkëmbinj
E brigje
Kapërcejnë oqeane e detra
Kalojnë kufinj e shtete
Ato i zgjojnë
Epshet e fjetura
I ndezin telat
Dhe dritat e jetës
Së harlisur
Në mbretërinë e ëndrrës
Mbi kepin e gëzimit
Dielli që s’perëndon
Kurrë
Vjen e rritet
Me ritmin e ngazëllimit
Fytyrë engjëlli
Që gjallëri
I jep jetës
E gjeneratave u thotë
Pa ju
Mos u plakshim kurrë
TINGËLLIMË
Më përcjell tingëllima
Që shkrepëtin
Nga gjuha e fjalëve
Të harlisura
Afër e largë
Testament i ngarkuar
Mbi supe
Që kurrë nuk kotet
Edhe kur vij te ti
Nuk më mbetet kohë
Për t’u çmallur
Hej ore
Ku ta shartoj sonte bekimin
Shkallëve të qiellit
Të bardhë
Ku t’i pushoj
Këto grushta eshtrash
Eshkë e tharë
Në prehërin e artë
Të përjetësisë
STËRKALË
Ku t’i përkundi sonte
Ëndërrat e mia
Rozafë
Princesha ime
Mbi Dri, mbi Bunë
Mbi Valbonë
Mbi Sitnicë
Apo mbi lumin
E vedekur a të tharë
Ku ta thej shtegun
E gardhit të krisur
E t’i gris
Petkat e pikëllimit
Tesha apo rroba
Të shkyera
Copë-copë...
Ku ta përkund jetën
Atje buzë lumit
Ku lahen Dielli e Hëna
E yjet bëjnë roje
Në Univers
Shuplaka ere
E stërkalave të kristalta
Freski e pa parë.