| E enjte, 12.07.2012, 06:34 PM |
NJË
REPLIKË, ME SHUMË DRUAJTJE, PROFESORIT
TË NDERUAR, Zotit PASKAL
Nga Mërgim Korça
Tek e
lexova intervistën e të nderuarit profesor Paskal Milos, ndërmjet katër
intelektualëve të ndryshëm të intervistuar për “Gazeta SOT”, (lidhur me
vlerësime figurash personalitetesh të së kaluarës), nisur nga jo pak kundërshtí
që mu ngjallën rreth pohimeve të tij, një mëdyshje e theksuar më kaploi : të replikoja ndaj thënjeve të profesorit apo
më mirë të heshtja ? Por, nga ana
tjetër, vetë mënyra e pahijëshme se si profesori i nderuar, i cili dikur ka
qenë jo vetëm mis (anëtar) qeverije por edhe hiç më pak se sa kryediplomat
i vëndit tonë, i drejtohet personit të Kryeministrit duke nëpërkëmbur jo vetëm
normat më fillestare të mirësjelljes qytetare pa lé të etikës diplomatike,
fushë në të cilën profesori është specialist, kristalizoi dhe plotësoi në
syt’e mij livelin e qytetarísë këtij të katapultuari në majat më të larta të
shkencës, kulturës, politikës si edhe drejtimit të vëndit tonë. Pse e theksoj se kësisoji u kristalizua dhe u
plotësua para syve të mij figura e profesorit në fjalë ? Sepse pa dashur aspak t’ia numëroja zotit
Milo atë demonstratë të madhe në Tiranë të të dënuarve dhe të vuajturve nga
diktatura, për t’iu kundërvënë vendimit që mori si edhe zbatoi ish ministri i
atëhershëm i Punëve të Jashtme z.Paskal Milo që vendosi në sallën e hyrjes së
Ministrisë Punëve të Jashtme fotografitë
e ministrave të Jashtëm të Shqipërisë, që në krye të shkëlqente portreti i
diktatorit Enver Hoxha ! As nuk
kisha ndërmënd të merresha me tubimin, me rastin e përkujtimit të Mbledhjes së
Pezës, ku zoti P.Milo doli me … ato teza hymnizuese të tijat që gjithsecili i
di rreth figurës diktatorit. Shtoj këtu
se nuk kisha ndërmënd të merresha as me enigmën kur si deus ex machina
z.Milo nxorri letrën dorëshkrim të ish Kryeministrit Mehmet Shehu, [që kurrë
nuk u muar vesht a ishte fotokopje, sepse origjinali i saj, (me sa jam
unë në dijení), nuk gjëndet në dokumenta arkivore, kurse po të qé ORIGJINALI,
a ka se si profesori i nderuar e ka përvetësuar nga materiale arkivi ?].
Pra,
nisur nga qëndrimi i tij përgjatë intervistës në fjalë, dhe unë prirem t’ia ve
në dukje pa as më të voglin mllef, sepse gjithsecili bën të tijën,
kundërshtít’e mija sa u takon pohimeve të profesor Paskal Milos të cilat
fillojnë që në krye të intervistës tek pohon se “… pa llogaritur këtu Ahmet
Zogun, i cili përveç akuzës për vrasjet e Bajram Currit, Avni Rustemit, etj, ka
shitur tek jugosllavët edhe Shën Naunin. Dhe pa llogaritur faktin tjetër se
ai bëri pakt me jugosllavët për kalimin e Shqipërisë brënda shtetit jugosllav
…” Me sa më rezulton mua, nuk
egziston asnjë pakt as me Sërbinë e as me nëntë njësitë jugosllave të
Karagjeorgjeviçit për t’a inkuadruar Shqipërinë e asaj kohe brënda saj. Aq më tepër sepse, me aq sa di unë, nuk ka
pasë egzistuar asohére akoma një shtet i quajtur mirëfilli Jugosllaví ! (Konfederata e Jugosllavisë është shpallur
zyrtarisht me atributet e një Shteti Jugosllav më 29 Nëntor 1945, së rishmi me
aq sa di unë). Gabim shprehjeje e zotit historian ? Mundet. Mbase ai, duke e
patur disi të mbingarkuar kujtesën historike, pa asnjë mbrapamendim të keq të
na i pështjellojë mëndjet tona, që e ndjekim profesorin e nderuar me
shumë vëmëndje të mësojmë prej tij në këtë lëmë, i ka ngatërruar emrat e dy
drejtuesve të vëndit tonë dhe mënyrën se si u shpreh Enver Hoxha në mbledhjen e
Byrosë Politike të K.Q.të Partisë më 15 Dhjetor të vitit 1947 ku tha
shprehimisht : “…Duhet t’a fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më
shpejtë bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat,
(parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i
pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin, PA
U BASHKUAR ME JUGOSLLAVINË ...” si duket gabimisht dhe pa asnjë keqdashje,
profesori i nderuar i a ka mveshur sikur e ka thënë Ahmet Zogu ! Gabime që ngjasin .
Në
vazhdim jam i detyruar t’ia paraqis lexuesit shprehimisht pyetjen drejtuar
zotit P.Milo nga intervistuesi : “…Berisha thotë shprehimisht se : “Abaz Kupi
nuk ka bashkëpunuar as me gjermanët, as me komunistët”. Ju si mendoni ?” Përgjigja e zotit P.Milo ësht’e prerë,
kategorike :
“Abaz
Kupi është një tradhtar tipik që ka bashkëpunuar me okupatorin”.
Tashti
kemi ardhur në një pikë ku nuk mundem të vazhdoj më gjatë pa ia kujtuar
profesor P.Milos një kriter shkencor themelor historik i cili, përgjatë
analizash të tilla, nuk ka se si të shmanget :
LIDHUR ME ÇDO NGJARJE, KOORDINATAT HAPSINORE SI EDHE ATO KOHORE, JANË
TË LIDHURA MES TYRE, së pari, NË VARTËSI TË ÇVENDOSJES SË VROJTUESIT DHE NË
VAZHDIM, së dyti, GJYKIMET E DHËNA NGA VROJTUESI JANË NË VARTËSI TË VETË
POZICIONIMIT AS HAPSINOR DHE AS KOHOR POR INTERESASH TË VETË VROJTUESIT.
Ku
qëndrojnë pra, sipas meje, dy gabimet themelore të profesorit të nderuar P.Milo
në pohimet që ai bën nisur thjeshtë nga interesat e tija ? Fillimisht, nisemi nga vetë deklarata e bërë
prej tij kohë më parë duke e përcaktuar veten : “… unë jam historian dhe
politikan.” Ky pohim i tij është dukshëm pështjellues, hutues. Ai, me
pozicionimet e tija përgjatë periudhës së diktaturës komuniste, nuk ishte gjë
tjetër veçse zëdhënës, e theksoj bilé, zëdhënës i egër i frymës P.P.Sh.-së
qëndrim të cilin ai fillimisht të maskuar e me ndrojtje e dora, dorës duke e
zbuluar sa vjen e më dukshëm, nuk e ka ndryshuar as sot e kësaj dite. Më falni,
do të shtoja se dishka ka ndryshuar mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste
tek profesori yn’i nderuar, ka ndryshuar forma e të përshtaturit me
mjedisin. Kjo po, pa as më të voglin
dyshim ! Doemos mbas këtij pohimi,
natyrshëm lind pyetja në se konsiston ky kamuflazh i tiji ? Fillimisht ai u tërhoq zvarrë dhe u integrua
me t’ashtuquajturën partí Social-Demokrate.
Pse e quaj kamuflazh ? Sepse në
esencë po ai person, po me bindjet e tija politike pro sistemit komunist, erdhi
edhe u strehua në partinë emri i së cilës kishte një të kaluar bindshëm
demokratike. Si gjeti çerdhe z.Paskal
Milo në të ? Sepse në krye të saj ishte
vënë një komunist fanatik dhe mis qeverije përgjatë diktaturës komuniste, shoku
Skënder Gjinushi ! E në vijim si
vazhdon dhe e thellon përshtatjen ndaj mjedisit profesor P.Milua ? I largohet komunistit tashmë të kthyer në
social-demokrat dhe krijon partin’e tij të ré q’e pagëzon Demokracía Sociale !
(?) Ka më gjë për t’iu shtuar këtij
plani të parë ? Po, ka. Do të doja që lexuesi i këtyre radhëve t’a
shikonte sfondin e përflakur të kësaj ballíne skene të shfytyruar, t’a
mësonte dhe t’a shikonte se ku përfunduan themeluesit në vitin 1943 të partisë
Social-Demokrate Shqiptare, letrarja e talentuar si edhe atdhetarja Muhsine
Kokalari si edhe juristi e atdhetári Skënder Muçua !
Pa e
zgjatur fare, Skënder Muçon e kapën dhe e pushkatuan forcat gjermane.
Po me
Muhsine Kokalarin ç’ngjau ? Fillimisht pushteti komunist më 12 Nëntor 1944 i a
pushkatoi pa gjyq dy vëllezërit, Mumtazin si edhe Vesimin. Pastaj e arrestuan vetë Muhsinenë e cila,
mbas 16 vitesh burg si edhe 22 vitesh internim, duke punuar punëtore krahu në
bujqësí si edhe në ndërtim, i mbylli vitet e punës si fshesáre rrugësh në
Rrëshén ! E në prag të cakut fundor të
jetës së saj që i a shkurtoi sëmundja e kancerit, Ajo qé shprehur me ngashërime
“Kam 38 vite që nuk e di se çdo me thënë FAMILJE !”
Në vazhdim,
e shikoj me shumë keqardhje, se si kujtesa historike Zotit Paskal Milo i bëka
shumë lojëra, duke mos dashur t’a pranoj në asnjë mënyrë, se anashkalimet e
fakteve z.Milo i bën qëllimisht. Por nuk
mundem të mos i a kujtoj profesorit të nderuar faktin se si kur në traktet e
emërtuara gjatë luftës “Zëri i Popullit”, Enver Hoxha shprehej se “… mbështetur
në luftën prej LUANI që po bën Bazi i Canës askush nuk mund t’a nënështrojë
Shqipërinë …” ! Ose në
vazhdim, a nuk qé Abaz Kupi që në Konferencën e Pezës të 16 Shtatorit 1942 u
zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacional Çlirimtar ? (Sa për një kujtesë, shtatë ishin të
zgjedhurit në K.P.N.Çl. prej të cilëve vetëm Enver Hoxha dhe Myslym Peza mbetën
“heronj”, kurse të pesë të tjerët u emërtuan nga E.Hoxha në vazhdim si
TRADHËTARË) ! E kjo gjëndje u
kristalizua qartë mbas Mbledhjes së Mukjes të zhvilluar nga 1 deri më 3 Gusht
1943, kur u rravijëzua qartë vija ndarëse në mes nacionalistëve si edhe
internacionalistëve ! Që nga ajo
periudhë Abaz Kupit jo që filloi t’i mohohej lufta e bërë, por komunistët e
shpallën edhe armik ! Doemos, i gjëndur
para këtyre ballafaqimeve me fakte historike nga njera anë, si edhe pohimeve të
çuditëshme të profesor Milos, nga ana tjetër, i cili vazhdon edhe thotë : “… Berisha me këtë që thotë po më bind
përfundimisht, se ai nuk e njeh fare historinë. Ai duhet të lexojë dokumentet e
kohës, sidomos materialet e arkivave britanike, ku aleatët tanë anglezë
dëshmojnë bashkëpunimin kriminal të Abaz Kupit me pushtuesit gjermanë. Në
qoftë se Berisha nuk i ka këto dokumente, ose në qoftë se ai nuk i gjen dot,
këto dokumente ia jap unë”, pa u nisur fare as nga etika e të shprehurit pa
lé nga konsiderata personale, por thjeshtë nga e vërteta historike, nuk kam se
si mos të ndërhyj edhe të saktësoj se tashti më “shoku Paskal”, mund dhe duhet
t’i bëjë publikë ata dokumenta që disponoka por, edhe duhet t’a ketë mirë
parasysh faktin se si secilido, njohës i historisë së kaluar dhe me logjikë të
ruajtur, duke bërë krahasimet përkatëse, di të arrijë në përfundimin se oficerët anglezë, në
pozicionimin e tyre që nga fillimi i asaj që u quajt L.N.Çl. për asnjë çast, e
theksoj së rishmi se për asnjë çast, nuk janë nisur nga interesat kombëtare
shqiptare por vazhdimisht kanë shikuar, gjykuar dhe vepruar vetëm sipas
interesave të Britanisë Madhe.
Për t’a
ndriçuar këtë fakt, (lidhur me dokumenta të kohës që pretendon zoti P.Milo),
mbas shpalljes së pavarësisë Shqipërisë, Konferenca e Londrës e ambasadorëve,
21 dhjetor 1912 – 23 mars 1913, periudha më kuptimzez’ e asaj konference për
shqiptarët, qé ajo që u dha sllavëve troje banuar vetëm nga shqipfolës ! E sa për t’a nënvizuar këtë SKANDAL, t’a
mësojë lexuesi se vetëm Sërbia mori 20.000 km2 troje shqiptare, (kur e gjithë
Shqipëria sot numron
Në
vazhdim të ndjekjes së fillit të arsyetimeve të historianit tonë z.Paskal Milo
i cili, kur pyetet nga intervistuesi :
“Çfarë shkruhet aty”, (lidhur me ç’kanë shkruar oficerët britanikë),
përgjigjet shprehimisht : “ Çfarë nuk
shkruhet thuaj, më mirë. Të gjitha të zezat e Abaz Kupit janë shkruar mbi të
bardhë. Dhe këto i shkruajnë vetë oficerët britanikë që qëndruan në shtabin e
Abaz Kupit. Bashkëpunimi kriminal i Abaz Kupit me pushtuesit është kaq i
thellë, saqë britanikët nuk kishin se çfarë t’i bënin më për ta larguar nga kjo
rrugë e tradhtisë.”
Dhe ne,
kureshtarë t’a mësojmë të vërtetën e mirëfilltë, ja se ç’gjejmë në librin “The
Great Betrayal”, (Tradhëtia e Madhe), me autor Nicholas Bethel, [anëtar i
Dhomës së Lordëve nga viti 1967-1999 si edhe anëtar i Parlamentit Europian nga
1979-1994 si edhe nga 1999-2003 edhe specialist i politikave ndjekur në Europën
Qëndrore si edhe Lindore], në faqen 13 ai shprehet : “… Shqipëria i u la italianëve, por në vitin 1941 vihet ré fillimi
i një lëvizjeje rezistence ku Abaz Kupi, një luftëtar i shquar dhe mbështetësi
më i fuqishëm i Mbretit Zog, filloi rekrutim forcash për restaurimin e
Monarkisë. Po aty, në faqen 21 thuhet
shprehimisht : “Shtabi i Përgjithshëm i S.O.E.(1)-së qé informuar së rishmi rreth akteve jo miqësore
të E.Hoxhës, por ata vazhdonin t’a mbështesnin.
Kjo ësht’edhe pika kyçe e cila akoma vazhdon dhe e mban të ndezur
shkëmbimin e replikave ndërmjet oficerëve britanikë që morën pjesë në luftë në
Shqipëri … Përse Shtabi i Përgjthshëm i S.O.E.-së nuk e pranoi mbështetjen
e aleatëve të natyrshëm të Britanisë së
Madhe por e mbështeti lëvizjen komuniste ?
A nuk do të kishte qenë ndryshe n.q.se ata do të kishin furnizuar
Legalistët dhe Ballistët ? A do t’a
kishte ndryshuar ky fakt rezultatin e luftës civile në Shqipëri? McLean, Smiley
si edhe Amery e kanë besimin të plotë pozitiv në këtë drejtim dhe janë të
bindur se Britania bëri një gabim duke mos e kuptuar që në krye se si vetë
komunizmi kishte me qenë në një të ardhme kundërshtari për t’u përballuar me të
! Kurse Hibberti, Davidsoni si edhe
Watrousi besuan në të kundërtën … dhe,
(-sipas tyre-shënim M.K.), McLean,
Smiley si edhe Amery po luftonin kundra armikut të gabuar.
… Emery i përshkruan këto ngjarje shumë gjallërisht në librin e tij
“Sons of the Eagle”, (Bijt’e Shqipes), se Abas Kupi kërkonte ndihma të hedhura
me parashuta në një kohë që në Gushtin e 1944-ës nacionalistët kishin filluar
të vepronin ashpër në Verí. Këtë gjë
Amery edhe McLean-i i a kishin raportuar Shtabit Qëndror të S.O.E.-së i cili
kishte lëvizur nga Cairo-ja në Bari … porse ndihmat Britanike nuk po dukeshin
në horizont … Njerëzit në Bari e kishin pasë ndarë mëndjen se me vlerë ishte
furnizimi i partizanëve. Me një
ndërhyrje sado të vogël Britanike ose Amerikane ne mund t’a kishim shpëtuar
Shqipërinë në gjirin e Perëndimit.” Nuk mund të lihet pa përmëndur edhe
fakti se në faqen 41 autori Nicholas Bethel ve në dukje se si McLean-i si edhe
Emery mbas lufte i mbanin lidhjet e tyre me ish shokët e armëve shqiptarë Abaz
Kupin me shokë : “Ne u jemi të
detyruar këtyre njerëzve si në shkallë kombëtare e gjithashtu edhe
personale. Ata kanë shpëtuar jetë
britanikësh si edhe amerikanësh. Po të
mos kishte qenë ana politike e problemit, atyre do t’u jepeshin dekorata
Britanike. Ata pa dyshim që i meritonin
ato” ! Ja pra, këto të vërtetat
e palës britanike të dokumentara, që e përforcojnë tezën se si ata në plan të
parë, edhe pas lufte, kishin interesat e tyre !
E lemë
tashti gjithë këtë ballafaqim me realitetin e atëhershëm të dokumentuar dhe u
rikthehemi pohimeve të z.P.Milo që thotë integralisht : “Më vonë,
britanikët kur panë se rruga e kolaboracionizmit të Abaz Kupit me gjermanët nuk
kishte kthim prapa, u detyruan t’i shkruajnë Londrës, për të hequr bashkëpunimin
me të, në lidhje me çlirimin e Shqipërisë. Unë, por edhe shumë të tjerë
disponojmë letrat e aleatëve, drejtuar Londrës ku vazhdimisht i kërkohej e
njëjta gjë: braktisja e Abaz Kupit nga aleatët”. Dhe atje, më në fund u
diskutua përfundimisht se Abaz Kupi nuk ndreqej më. Prandaj, erdhi urdhri i
braktisjes së Abaz Kupit, meqenëse ai kishte shkuar shumë në thellësi me
lidhjet ushtarake që bënte haptazi me oficerët gjermanë.”
Me që
mendoj se nuk kam më se ç’të zgjatem me referenca për t’iu kundërvënë pohimeve
të natyrës romaneve-historike që historiografë ish komunistë, e sot të shtirë
si demokratë-socialë na paraqisin, nuk kam se si mos t’a ftoj lexuesin e
interesuar të qëmtojë se si ata britanikë q’e kanë njohur dhe bashkëpunuar me
Abaz Kupin e quajnë “Hero Shqiptar,”daç David Smailey, po ashtu Julian Emery
tek libri “Sons of the Eagle” dhe në vazhdim edhe Peter Kemp tek “No colour or
Crest”!
Ja edhe
pyetja e fundit e intervistuesit drejtuar profesor Milos rreth Abaz Kupit si
edhe përgjigja e tij lakonike :
A
është e vërtetë se komunistët e kanë dënuar me vdekje Abaz Kupin, në listën e
tyre? Përgjigja e profesorit të nderuar Paskal Milo
e shkurtë dhe kategorike :
E kanë
kërkuar që të sillej në Shqipëri për të dalë para gjyqit, për ato që kishte
bërë.
Zoti Milo
i vlerëson gjyqet ku K.Xoxi me B.Spahinë fillimisht dënonin atdhetarët,
intelektualët si edhe klerikët nga më të shquarit shqiptarë e pastaj dora,
dorës, ata vetë, kryetari si edhe prokurori i trupit gjykues u dënuan si tradhëtarë ! Shumë konsekuent edhe logjik Z.Milo. A nuk
qenë po ata gjyqe që s’lanë Hero të Popullit komunist pa dënuar? N.q.se nuk i di faktet, unë pa fare përtesë i
a huaj zotit P.Milo dokumentacionin e gjyqeve të T.Sejkos, B.Ballukut, P.Dumes,
A.Këllezit, K.Theodhosit etj. etj. e deri tek vrasja apo vetëvrasja tamam
enigmë e M.Shehut, e në vazhdim edhe gjyqet farsa të K.Hazbiut e Feçor Shehut.
E pikërisht përpara kësaj drejtësije profesori i nderuar, mëton të gjykohej
edhe Abaz Kupi, për të cilin emisarët Britanikë flasin disi shumë më ndryshe,
nga ç’mëton t’a paraqisë historiografía komuniste ! Apo jo ?
Në
vazhdim të intervistës i drejtohet edhe një pyetje tjetër profesor P.Milos :
Po për
Muharrem Bajraktarin çfarë mendoni ?
Sa e
matur, e drejtpeshuar, tamam një përgjigje prej historiani-politikan,
(siç e ka përcaktuar veten e tij z.Paskal Milo), vjen edhe përgjigja e
profesorit të nderuar : “Për të ende nuk kam krijuar një optikë të saktë.
Duhet të thellohem akoma në studime për të thënë diçka të saktë dhe precize.
Përgjigjen për të, do ta jap kur të vijë momenti, pas shfletimit të dokumenteve
ekzistuese të kohës.”
Nga që
Muharrem Bajraktari u largua nga Atdheu i tij 67 vite të shkuara dhe ndërroi
jetë në vitin 1989, tashmë 23 vite të
shkuara, (e sa për kureshtí pikërisht ditën përkujtimore të vdekjes edhe të
Leninit, më 21 Janar), patjetër që profesor P.Milua ka sa të dojë kohë që jetën
edhe veprën e Muharrem Bajraktarit t’a mbulojë sadopak tisi i harresës së
bashkëkohësve të tij e kësisoji, historianët-politikanë i kanë pastaj të gjitha
mundësitë të spekullojnë rreth të vërtetave, t’i fshehin e t’i shpërfytyrojnë
ato sipas interesave të tyre ! Kjo edhe
arësyeja përse profesori ynë P. Milua do kohë t’i studjojë faktet ! Mirëpo për rastin konkret sido që t’a
vërtisin punën historianët të cilët, bashkëpunimet (kolaboracionet) tradhëtare
dhe në dëmin e Shqipërisë të Enver Hoxhës fillimisht lidhur me interesa grupi e
në vazhdim për interesa thjeshtë personale, duke i zhdukur një e nga një të
gjith’ata q’e ngritën, e mbështetën dhe u flijuan verbërisht për të, nuk
arrijnë t’i zhdukin faktet e dokumentuara por që akoma mbamëndja e
bashkëkohësve ka arritur t’ua
transmetojë pasardhësve e kjo trashëgimí verbale, e lidhur edhe me
dokumenta autentikë të kohës, flasin si vijon lidhur me figurën e Muharrem
Bajraktarit :
Ai
kthehet në Shqipëri në 1940-ën dhe menjëherë vihet në udhëheqje të rezistencës antifashiste në zonën e
Kukësit. Në vazhdim të luftës, në
Shtatorin e vitit 1943, Muharrem Bajraktari, në krye të forcave kundraitaliane,
e çliron qytetin e Kukësit.
Më 10
Gusht 1944, në kuadrin e organizimit më të thelluar të luftës pa kompromis ndaj
ushtrive gjermane, Muharrem Bajraktari organizoi me krerët e Lumes si edhe
Hasit atë që u quajt "Beselidhja e Lumes". Duke e parë se si po fuqizoheshin forcat
kundragjermane të udhëhequra nga Muharrem Bajraktari, partia komuniste u përpoq
t’a hidhte ne krahun e saj por ai i kuptoi qellimet e tyre. Duke qene se M.Bajraktari nuk pranoi të
bashkohej me ta, një nga dëshmít’e politikës terroriste që bënte P.K.Sh. në
vazhdën e luftës civile të ndezur po prej saj, qé atentati që u bë kundra tij
në Gostil të Kukësit, (gjëra të cilat kategorikisht mundohet t’i fshehë
profesori yn’i nderuar Paskal Milua).
Mirëpo veç morísë dëshmive të tjera ësht’edhe ajo e Sejfulla Malëshovës
në Plenumin e II-të të Beratit, (23-27 Nëntor 1944), ku Enver Hoxha e pranoi se
metodat sektare të përdorura nga P.K.Sh. të drejtuar prej tij, e kishin kthyer
partinë në një parti TERRORISTE. Me atë
rast E.Hoxha kërkoi ndjesë publikisht para Plenumit !
Që
profesori ynë i nderuar z.Paskal Milo t’a ketë më të kollajtë dhe t’i sqarojë
lehtësisht idét’e tija të mjegullta rreth figurës Muharrem Bajraktarit, po e
adresojmë tek dy dokumenta arkivi :
1-Fjala e
Manush Myftiut në mbledhjen e Komitetit Qëndror të P.K.Sh. Nëntorin e vitit
1944 :
“S’kemi
patur pikëpamje të qartë se si duhej të silleshim me Bajraktarët. Dinim vetëm që Bajraktarët ishin pjesë e
reaksjonit … Për Muharrem Bajraktarin, kur kemi dëgjuar se ky kishte filluar të
luftonte gjermanët, ne u dëshpëruam, se ky element i pademaskuar dhe i
pakomprometuar do të fitonte influencë dhe do të tërhiqte turmat me vete … Ky
qëndrim i rrezikshëm na e forcoi bindjen për t’a zhdukur. Zhdukja e tij ishte e domosdoshme. Ne menduam dhe për mënyrën si t’a zhduknim …
Populli e pa se ne e goditëm Muharrem Bajraktarin prapa krahëve, kur ai kishte
ardhur të na jepte dorën …”
Lidhur me
qendrimin e Muharrem Bajraktarit flet shquar edhe letra e dërguar nga ish
sekretari i pare politik i qarkut Abedin Shehu derguar K.Q. në të cilën
shkruante:
2-"Siç
kemi referuar dhe herë të tjera, Muharrem Bajraktari është një njeri që, duke
përfituar nga moskomprometimi direkt me okupatorin dhe reaksionin në kohë të
mëparëshme, ka influencë të konsiderueshme në Lumë si dhe në zonat e tjera të
Malësive të Veriut, dhe bilé ka filluar të shtrijë ndikimin e tij edhe në
Kosovë".
Për t’a
mbyllur edhe me pyetjen drejtuar z.Paskal Milo lidhur me figurën e Muharrem
Bajraktarit, (duke marrë parasysh edhe përgjigjen e tij), krejtë natyrshëm
më vjen ndërmënd pyetja tejet e sinqertë : Mundësitë janë dy, ose
profesori yn’i nderuar e ka dijenín’e këtyre dy dokumenteve dhe nga që këto në
vënd që t’a diskreditojnë M.Bajraktarin na e ngrenë në atë piedestal që i takon
dhe që e përforcojnë pikërisht tezën se L.N.Çl. u transformua nga P.K.Sh. në
LUFTË CIVILE, fakt që profesor P.Milua mundohet t’a kundërshtojë deri me ofeza
personale duke i quajtur edhe të pandershëm ata q’e mbështesin këtë tezë dhe i
kundërvihen pikëpamjes aq të mbrojtur nga profesori ynë se nuk ka patur luftë
civile. Kurse mundësija e dytë, (të
cilën as nuk dua t’a mendoj se ësht’e mundur), historiani partiak nuk e di
egzistencën e këtyre dy dokumenteve, gjë e cila flet nga ana tjetër, se si
personat e ideologjizuar si zoti P.Milo nuk mund të jenë historianë !
Vijmë
edhe te pyetja e fundit drejtuar profesorit të nderuar Paskal Milos :
Po për
Bahri Omarin?
Edhe
kësaj here z.Paskal Milo, profesor i nderuar por edhe i indoktrinuar, nuk
shmanget dot nga vija e tij ideologjike edhe përgjigjet : “ Sa emra hedh
Berisha në ditë, nuk do të rrimë që t’i analizojmë të gjithë …”
Profesor
P. Milua me përgjigjet e dhëna, e që i trajtuam më sipër, është më se i
lexueshëm dhe i tejdukshëm si sa i takon frymës që mëton të përcjellë nga lart
poshtë e duke u shprehur vazhdimisht EX CATEDRA nëpër mediat televizive që,
(asaj kategorije pseudo-historianësh u a hapin dyert pa kursim tamam si
përfaqësues të denjë të njeriut të ri socialist, krijesa të diktatorit Enver
Hoxha), gjithashtu edhe lidhur me këmbënguljen e tij mbështetur në po atë
ideologjí q’e ka pasë udhëhequr gjatë periudhës diktatoriale. Kështu që ai mundohet t’a anashkalojë një
personalitet si Bahri Omarin pa e përfillur fare, sepse ësht’i ndërgjegjshëm që
kundërvënja ndaj tij nuk është se do të ishte aq e lehtë për profesorin e
nderuar. Megjithatë shkurt, fare shkurt,
i rikujtojmë se Bahri Omari ka qenë zgjedhur anëtar i Parlamentit të parë
Shqiptar. E doemos duhet t’ia
rifreskojmë mbamëndjen historike e t’i rikujtojmë se si i vetmi kusht që të
zgjidheshe mis i atij Parlamenti, si letër kredenciale shërbente lufta dhe
përpjekjet e bëra për t’ia arritur Pavarësisë Shtetit Shqiptar. Nga ana tjetër,
me shumë ndrojtje guxoj t’ia ve në dukje profesor Paskal Milos së nderuar, se
Bahri Omari që nga viti 1915 e deri më1919-ën qe drejtor i Gazetës Dielli të
Bostonit ! Në vazhdim, kur u kthye në
Europë nga Shqipëria, (mbasi e mori pushtetin Ahmet Zogu), ishte anëtar i
Bashkimit Kombëtar. E përgjatë këtyre pak ndalesave, përgjatë këtij fluturimi
simbolik për të treguar pozicionet që ka mbuluar Bahri Omari, nuk mund të mos e
zemë në gojë faktin se si ai ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Shtetit si
specialist në formulimet sa më të sakta të ligjeve. E do t’a ndaloj vrapin rreth një pozicioni
shumë delikat që ka mbuluar Bahri Omari duke pranuar portofolin e Ministrit të
Punëve të Jashtëme në qeverin’e kryesuar nga Rexhep Mitrovica. Dua t’i hedh dritë pikërisht atij pozicioni
sepse, në aq muaj sa Bahri Omari e mbuloi drejtimin e atij dikasteri, (doemos i
mirëkuptuar edhe nga Kryeministri), ka patur një shkëmbim këmbëngulës shkresash
me Ministrín’e Punëve të Jashtëme të Gjermanisë derisa u arrit që të liroheshin
nga burgje e kampe të Gjermanisë shqiptarët që ishin deportuar atje. E për t’u nënvizuar ësht’edhe e veçanta se
kërkesat emërore për personat që kërkohej të liroheshin nuk bënin asnjë dallim
në se subjekti kishte qenë arrestuar dhe internuar si nacionalist apo si
komunist. Bahri Omari i jepte rëndësi
faktit që personi në nevojë mbështetjeje ishte SHQIPTAR ! E kjo një merit’e madhe si e Kryeministrit
Rexhep Mitrovicës e gjithashtu edhe e Ministrit të Jashtëm Bahri Omarit !
E për t’a
mbyllur edhe me personalitetin e patriotit Bahri Omari që u gjykua dhe u dënua
me vdekje nga Gjyqi Special ku pretencën e bëri prokurori Bedri Spahiu dhe
vendimin e dha trupi gjykues i kryesuar
nga Koçi Xoxe, do t’ia ve në dukje profesorit tonë të nderuar z.Paskal
Milo, shënimin në ditarin e tij ku Bedri Spahiu, tashmë i çliruar nga vargonjtë
ideologjikë, më 28 Dhjetor 1969 ka shkruar shprehimisht :
Një çast
po kujtoj vrasjen e Bahri Omarit. Ai
para pushkatimit u thirri shokëve : “Ktheni ballin nga pushkët !
Tradhtarët vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë
gjyqtari i paanshëm”.
Përgjatë
kësaj hullíje nuk kam se si mos t’a vé në dukje faktin se si profesori yn’i
nderuar Paskal Milo, po t’i ishte përgjigjur pyetjes së intervistuesit rreth
Bahri Omarit, së pari duhej të përballohej me vazhdimin e nxirjes, (sipas
stilit komunist). të figurës një atdhetari të shquar por, nga ana tjetër, do të
ballafaqohej edhe me problemin tjetër se si i kunati i Bahri Omarit, Enver
Hoxha, e sakrifikoi burrin e së motrës si edhe mirëbërësin e tij duke e lënë
motrën vejushë si edhe nipat e tij jetimër.
E kjo, vetëm me vetëm që t’a merrnin vesh mvartësit e tij e deri poshtë tek populli i
thjeshtë, se me ç’tiran të pashpirt kishin të bënin ! Mirë këto, po profesori yn’i nderuar duhej
pastaj të ballafaqohej edhe me një problem tjetër i cili, në pamje të parë as
që del në pah : Si duhej t’a përligjte
ai këtë qëndrim kriminal të Enver Hoxhës, nga njera anë, dhe në vazhdim t’a
hymnizonte atë si udhëheqës të ndritur mbështetur në bëmat e tija, siç vazhdon
e bën edhe sot ?!
PËRMBYLLJE
E REPLIKËS : Ndonëse profesori i nderuar z.Paskal Milo me
bindjet e tija komuniste, nuk ka të ngjarë t’ua verë veshin se ç’kanë thënë dhe
si vepronin personalitete të përkushtuar fésë, pavarësisht se besimesh të
ndryshëme fetare, pa lé të vlerësojë thënje figurash vërtet madhore të Kombit
shqiptar. Megjithatë unë do t’u
drejtohem thënjeve të tyre. Mos i
përfilltë profesori ynë, le t’i mësojë lexuesi, (ai që nuk i di), e t’i gjykojë
si profesorin e gjithashtu ato personalitete që diktatura, dhe në emrin e saj
z.P.Milo, i përbalti dhe vazhdon t’i përbaltë !
Nënë
Tereza lutej përditë : “O Zot, bën që
atje ku ka gabime unë të sjell të vërtetën”.
Edhe Baba
Rexhebi lutej e thosh : “ Mua nuk më
takon gjë tjetër veçse të mëshiroj edhe të fal, kurse shoqërisë i takon të
gjykojë në bazë të së vërtetës e të vendosë vetëm duke u bazuar në drejtësí”.
Këto të
vërteta si edhe drejtësí na i predikojnë Nënë Tereza si edhe baba Rexhebi e po
për këto të vërteta si edhe drejtësí vuan edhe ndërgjegja e kombit.
Ndërsa
Mustafa Kruja, nënëshkruesi i Dokumentit të Pavarësisë si edhe ai që aq shumë
sakrifikoi për Shqipërinë duke pranuar të bëhej kolaboracionist i prirë vetëm
nga interesat e vëndit, në kundërshtim flagrant me Enver Hoxhën që u bë
kolaboracionist herë me njerën pal’e herë me tjetrën veç prirur nga interesat e
tija egoistike të sunduesit absolut e duke i nëpërkëmbur haptas interesat e
vëndit, Mustafa Kruja me librin e tij
“Shkrime Historike”, (në citatin e kopertinës pasme të librit), shtron një
platformë thellësisht shkencore lidhur me kriteret themelore që duhen
respektuar nga shkencëtarët që i venë vetes detyrën skajshëm të rëndë t’a
shkruajnë historinë. Ja se si shprehet
ai integralisht :
“Kush
merr pêndën me shkruem historí, ai do të harrojë përkohsisht deri kombsín e
vet, në qoftë se vêhet me shkruem historí për tê, njipërnjí sikur nji gjyqtár
qi kishte me pasun për të gjykuem nji njerí të vetin. Këtu nuk flas për historinë edukative qi
mësohet nëpër shkolla, por për historín’e kombit shkurt. Veçse as historisë edukative gënjeshtra nuk i
lejohet kurrë, mund t’i lejohet vetëm heshtja për ndonji të vërtetë fort
t’idhët qi mundet me lânë gjurmë negative n’edukatën patrijotike të nxânsit
ende të papjekun për me kuptuem rolin e vërtetë të historisë, qi âsht me na
mësuem se s’ka komb, sikur s’ka as individ, pa të meta, dhe me na rrëfyem me
shêmbujt e mirë të saj rrugën se si me i qërtuem këto.”
Jo
rastësisht po e mbyll replikën ndaj një interviste ku mbizotëron fantazíja
keqdashëse e një njeriu i cili, me pretendimet e një historiani dhe shkencëtari
të mirëfilltë, veç me mllef, mëndjemadhësí, si edhe cektësí në lëmin që
trajton, i jep konsideratat e tija, duke e ballafaquar këtë mendësí tipike
komuniste me një mësim tamam shkencor se si ai, që pseudohistorianët dhe
lakéjt’e diktatorit si edhe ideologjisë mbrapshtë proletare e quajtën përgjatë
47 viteve të diktaturës egër komuniste KOLABORACIONIST, FASHIST SI EDHE
TRADHËTAR TË VËNDIT ! Mirëpo populli
e ka fjalën e urt’e cila thotë : E
VËRTETA SI EDHE E DREJTA VONOJNË POR NUK HUMBASIN. VJEN DITA E DALIN NË SHESH !
Kësisoji
lexuesi e ka mundësinë të gjykojë se si Mustafa Kruja, njeri nga e gjithë
Plejada e atyre që luftuan dhe punuan t’a ndërtonin Shqipërinë me përkushtim të
madh atdhetár për të dhe të mirën e saj, i cili tërë jetën ia përkushtoi Atdheut
si edhe shkencave gjuhësore e historike, ku vetëm ndër rezultatet e parë ishte
fakti se qé radhitur me nënëshkruesit e Aktit të Pavarësísë Kombëtare, dhe
vetëm me shtatë radhë Ai vendos e përcakton kriteret mbi të cilët duhet të mbështetet shkruarja e
historisë së një Kombi !
E pikërisht sepse këto kritere janë nëpërkëmbur përgjatë 47 viteve të diktaturës komuniste dhe në vazhdim, e kur sot, me sa duket, 21 vite mbas shkërmoqjes së komunizmit në Shqipëri, janë pjekur kushtet që këto kritere shkencore më në fund të zbatohen me themel dhe tekstet e historisë të paraqesin të vërtetat dhe vetëm të vërtetat historike duke i zëvëndësuar përfundimisht ato të mbushurat me mashtrimet, shtrembërimet, shfytyrimet si edhe fantazít’e gënjeshtërta që për dhjetravjeçarë me radhë u shkruan dhe u publikuan nga ata që rrethanat e sollën të ishin pjes’e fituesve mbas Luftës së II-të botërore ! Me pak fjalë, të shkruhet historija e vërtetë, me fakte të plota dhe dokumenta të kohës, e përfundimisht të zëvëndësohen ata tekste historije ku vetëm botimi i fundit rekomandohej si zyrtari dhe i vërteti, sepse ishte konform masave të fundit partiake në kuadrin e asaj lufte që bënte diktatori brënda përbrënda partisë së tij e me vrap historishkruesit servilë i formulonin tekstet sipas frymës së fituesit !
(1)- S.O.E. ishte një organizëm tepër sekret Britanik përgjatë Luftës II-të Botërore, krijuar më 22 Korrik të vitit 1940 me detyrën të mblidhte të dhëna karakteri ushtarak, të organizonte dhe të udhëhiqte spiunazhin si edhe sabotazhin në Europën e okupuar, kundra fuqive të Boshtit, si edhe të mbështeste lëvizjet e rezistencës.