| E diele, 08.07.2012, 06:21 PM |
Një libër
i goditur dhe i pasur në mendime
Shënime rreth librit “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”, i Ylli Polovinës.
Nga Dilaver Goxhaj
Argumentet
që sjell në atë libër z. Polovina koha vërtetoi se janë jo vetëm bindëse por
edhe të patundshme, pasi asnjë prej autorëve që ai u kundërvihet nuk ka marrë mundimin
ta kundërshtojë, qoftë edhe në një aspekt të veprës së tij. Njëkohësisht në atë
botim Ylli Polovina jep edhe atë anë të panjohur deri më sot të Skënderbeut: përmasat
e tij evropiane, të cilën e shpreh qysh në titullimin e vetë librit.
Plot katër
vjet më pas, në maj 2012, ai na prezantohet me librin e dytë po për atë epokë, “Gjon
Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”. Polovina nuk mundohet të shkruajë histori
dhe as nuk merret me përshkrimin e bëmave të larta të Skënderbeut apo të Muzakajve.
Ai veçse thellohet në njohjen për Skënderbeun, familjen e tij si dhe në marrëdhëniet
e tij me princat e tjerë shqiptarë, e veçanërisht me Muzakajt, duke e analizuar paragraf për paragraf testamentin
e Gjon Muzakës. Por, veç thellimit të njohurive në aspektin e paraqitjes së aspektit
pozitiv të figurës së Gjergj Kastriotit, i cili “është mirëfilli një dardan, si
e gjithë familja prej ku lindi”, ai na prezanton edhe disa nga anët negative të
veprimtarisë së tij si kryekomandant i ushtrisë shqiptare, por edhe si princ i
derës së Kastriotëve, duke e zhveshur në
këtë rast nga mitizimet e deritashme. “Gjon Muzaka, thotë z. Polovina, është i
pari në histori që Skënderbeun e ka vështruar si njeri dhe jo si mit, ndërsa
koha... kërkonte romantizimin e të vërtetës. Pëlqente histori, por edhe
propagandë”. Me këtë libër, në mënyrën më modeste z. Ylli u jep indirekt
historianëve një udhëzim të vogël dhe disa këshilla, dhe kështu edhe ai merr
pjesë në ndërtesën e historisë sonë, duke çikur me majën e gishtave gurët e kështjellës
Histori e Skënderbeut dhe e princave të tjerë shqiptarë.
Metoda që
ka përdorur Ylli Polovina nuk është një punë e lehtë dhe se nuk mund të bëhet
shkel e shko, por ka kërkuar kujdes shumë të madh; dhe mendoj se ia ka arritur
qëllimit. Kam bindjen se ky autor, me këtë prurje të tij ka për t’ua ndërruar
mendjen shumë prej historianëve dhe studiuesve të epokës së Skënderbeut. Por,
nuk përjashtohet mundësia që atyre, të cilët i kanë përfunduar studimet e tyre
për atë epokë dhe i kanë publikuar, sidomos ata që jetojnë ende mund t’u duket
edhe i mërzitshëm. Madje, nga ata që vepra e tyre është pritur mirë, është marrëzi
të presim që të korrigjojnë veprën e tyre. Kështu që libri “Gjon Muzaka i
Beratit përballë Skënderbeut” është shkruar për lexuesin e sotëm dhe historianë
e studiuesit e ardhshëm, duke pasur në tavolinë edhe një model të caktuar se si
duhen analizuar faktet dhe ngjarjet; është një libër që për cilindo që kërkon të
shkruajë histori të mëson se si të zgjedhësh një gjë dhe të mënjanosh një tjetër.
Ylli Polovina nuk ndalet në lëvdata, ai e ndan historinë nga panagjiriku, duke
mos i duruar dot ato. Po të kemi parasysh se Polovina është një romancier,
dikur edhe një poet, mendoj se e ka pasur të vështirë në mbajtjen e këtij
pozicioni dhe vlen të përgëzohet për këtë gjë, pasi nuk ka asnjë lloj lajkatimi
qoftë për Skënderbeun ashtu edhe për Muzakajt e qytetit të tij, Beratin. Çdo
fjalë e ka peshuar ashtu si peshojnë sarafët monedhën e floririt.
Ky lloj
interpretimi e bën librin jo vetëm tërheqës në të lexuar dhe të kuptueshëm për
të gjitha nivelet e lexuesve, por, paralel me prezantimin e Skënderbeut, autori
nxjerr në pah edhe një nga principatat shqiptare më të mëdha të asaj kohe,
sikundër janë Muzakajt, pronarët e tërë Myzeqesë, Tomoricës, Oparit, Skraparit,
duke i bërë një analizë tepër të hollësishme dhe inteligjente testamentit të Gjonit,
ku, në kundërshtim me atë çka thotë Fan Noli, (i cili “shpreh mospërputhje të plotë
me qëndrimin në testament të princit të Beratit”), Polovina argumenton të kundërtën, mbështetjen që Gjon Muzaka i jep historisë së
shkruar nga Barleti. Testamenti i Gjon Muzakës “nuk tregon tjetër veç adhurim të
Gjon Muzakës për biografin e Skënderbeut dhe gëzim për botimin e librit të tij”.
Ylli
Polovina, duke shpjeguar të gjitha lidhjet e princave që morën pjesë në Lidhjen
e Lezhës na e bën të qartë se ajo ishte një lidhje e themeluar midis Miqve. Të gjithë
princat pjesçmarrës në Kuvendin e Lezhës ishin të lidhur mes tyre me krushqi;
asnjë prej tyre nuk ishte pa lidhje me të tjerët. Natyrisht që, në atë lloj
shteti që ata deshën të krijonin, ata vendosën ta kishin të përbashkët gjithçka,
bazuar në kushtin që të gjithë të ishin të barabartë midis të barabartëve. Me
anën e kësaj lloj marrëveshjeje mes miqsh, nuk mund të ishin të kryekomandantit
të gjitha pronat e principatave që pranuan kryekomandant Skënderbeun. Ky lloj
organizimi në shumë gjëra ngjason me
demokracinë e sotme, por që, sikundër e vë në dukje autori, Skënderbeu
pati raste që e theu atë marrëveshje, me synimin që “i gjithë shteti të trashëgohej
brenda Kastriotëve”, dhe këtu fillojnë ftohjet dhe largimet nga Lidhja, ku disa
prej tyre shkuan deri edhe në tradhti. Të gjitha këto lexuesit i jepen qartë si
në një panoramë filmike, dhe kjo është një nga meritat e autorit.
Ylli
Polovina në këtë libër mban qëndrim kritik në shumë aspekte të veprimtarive të Skënderbeut
të prezantuara nga Marin Barleti, Fan Noli, Abas Ermenji, Emanuele Politos,
Sulejman Kylçe, Dhimitër Frëngu etj, por edhe ndaj testamentit të vet Gjon
Muzakës, duke i ballafaquar me një arsyetim tepër logjik dhe duke shfrytëzuar “lajthitjet”
e tyre.
Kështu, për
herë të parë mësojmë përmes argumentit të autorit se marrja e vulës nga
sekretari Sulltanit, nuk është ashtu sikundër e paraqet Barleti, kur thotë se, “Me
t’u shkruar letra, sekretari u vra aty për aty bashkë me shokë të tjerë që po
iknin bashkë me të” dhe “nuk shfryu vetëm
kundër këtyre, por u vranë gjith sa ranë atëherë në duart e Kastriotit”. Y. Polovina
jo vetëm që e quan gënjeshtër por ai na jep mundësinë për ta interpretuar më realisht udhëheqësin
Skënderbe si dhe kohën kur ai jetoi.
Një pjesë
e veçantë e librit trajton shkaqet që e bindën Skënderbeun të ndërmerrte atë rrezik,
shkëputjen nga Turqia dhe kundërvënien ndaj asaj perandorie aq të fuqishme. “Historiografia
jonë, por edhe mjaft albanologë të huaj, thekson Polovina, kanë një të tillë analize
të këtij kapërcyelli të hovshëm të Skënderbeut, i cili nuk e vë aspak në dyshim
sikur ka qenë gjest i pa llogaritur mirë. Gjykohet si veprim racional dhe
historik”. Ylli Polovina, përmes analizës së fakteve dhe referimit të historianëve
të ndryshëm e bind lexuesin se “në fillimet e luftës së Skënderbeut kundër
Perandorisë Osmane ai ka pasur rrethana lehtësuese më shumë nga sa dimë ne”.
Autori,
duke ndjekur hap pas hapi ecurinë e gjithë familjeve të mëdha shqiptare të epokës
së Gjergj Kastriotit dhe lidhjet mes tyre si dhe me Malin e Zi, Serbinë, Italinë
dhe Hungarinë, na sjell një sërë ngjarjesh të cilat të bindin se historia e
Shqipërisë dhe e shqiptarëve nuk fillon me Skënderbeun, por shumë e shumë më herët;
se populli ynë ka pasur trima e kapedanë që i janë kundërvënë jo vetëm
Perandorisë Osmane në mënyrë të pandërprerë para ardhjes së Gjergj Kastriotit,
por edhe Perandorisë Bizantine e asaj Romake. Vepra e Skënderbeut, lë të kuptojë
autori, nuk është rastësi, por një vijim i natyrshëm i rezistencës mijëra vjeçare
të shqiptarëve.
Në mënyrë
të veçantë autori merret me trajtimin e betejës së Beratit, që me të drejtë ai
e quan një dështim të strategjisë së “Rrethimit
të qyteteve”, duke korrigjuar historinë e derisotme dhe duke e bërë të qartë për
herë të parë se ajo betejë nuk u humb për shkak të tradhtisë së Moisi Golemit, (dhëndër
i Muzakajve), apo të ndonjë tradhtie tjetër, por thjesht për faj të Skënderbeut.
Vetëm duke e lexuar këtë libër lexuesi mëson lojën politike që luan Gjergj
Kastrioti dhe bindesh se të gjithë historianët e tij në këtë pikë janë të gabuar.
“Moisi Golemi nuk ka asnjë përgjegjësi,
Interesante
është trajtesa që autori i bën nipit të Gjergj Kastriotit në fund të shekullit
të pesëmbëdhjetë, i cili ka hyrë në kujtesën e të afërmeve të tij me emrin Skënderbeu
i Ri, veprimi i të cilit solli edhe ftohjen e mbretit të Napolit ndaj Kastriotëve
të mërguar në Itali. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për nipin tjetër të Skënderbeut,
(1457-1530), i biri i Ivan Beut Cërnojeviçi, i cili u kthye në fenë islame,
emri zyrtar i të cilit ishte Skënder Bej, por që “në rreth të ngushtë të krishterësh
thirrej edhe Stanko Bushatlliu”, dhe që u emërua nga Sulltani guvernator i
Malit të Zi.
Edhe
Progani i dikurshëm, biri i krishterë i Nikolla Dukagjinit, i myslimanizuar, i
cili mbërrin kryeqeveritar i perandorisë osmane për Rumelinë (1512-1515), ndërsa
dy pararendës të tij Hamid Ali Pasha dhe Koca Mustafa Pasha qeverisën
respektivisht 1509-1511 dhe 1515-1516, përbëjnë një risi tjetër të këtij libri.
Përfundimisht
mund të themi se parashtrimet që bën Ylli Polovina në këtë libër tregojnë finesë
dhe zotësi, cilësi të kultivuara nga puna e tij e gjatë letrare dhe kërkimore. Mendimet
që ai shfaq janë plotësisht të lira, nuk ka frikë prej askujt dhe nuk e ka për
gjë ta paraqesë Skënderbeun thjesht si një politikan autokrat dhe pa asnjë anësi.
Për këtë kemi të drejtë të themi se Polovina nuk mban parasysh lexuesin e
tanishëm, por atë të ardhshëm.
Autorit,
duke vënë përballë Skënderbeut Muzakajt e Beratit, ndriçon jo vetëm origjinën dhe shtrirjen e
Muzakajve, por edhe kontributin e tyre në
aspektin e rezistencës shqiptare në një periudhë jashtëzakonisht të madhe si
dhe zbulon para bashkëkombësve vlerat që i janë harruar Beratit dhe popullsisë së
tij në vite, pa u munduar t’u bëjë qejfin bashkëkohësve. Ai u lë pasardhësve një
dëshmi të vërtetë të ngjarjeve në Berat dhe rrethinat e tij në epokën e
Muzakajve dhe të Skënderbeut. Nëse Ylli Polovina do ta shoqëronte librin edhe
me hartën skicë të principatës së Muzakajve, ashtu si e pat ndarë Andrea Muzaka
i III, si dhe me rrugën që e lidhte Beratin me Pogradecin dhe Stambollin, do të
ishte një shtjellim edhe më i plotë.