| E diele, 08.07.2012, 05:46 PM |
Mendime
rreth antologjisë poetike me përkthime të Ligor Priftit:
‘Në tryezë me poetët.’
Nga Kristaq Turtulli
Çdo
krijues në fillimet e veta gjithnjë ka qenë i tunduar kur ka qëndruar i hutuar
përpara shkallinave të mermerta ku ngrihej dera dy kanatesh me tokëza ari por e
mbyllur hermetikisht e tempullit të letërsisë së madhe botërore. Është zgjatur,
kacavarur, përpjekur të hapë derën dhe të hyjë brenda tempullit, shpesh herë ka
shkarë dhe është rrëzuar, nuk ka mundur mësojë, të fisnikërohet, të mrekullohet
për vlerat dhe madhështinë, sepse i ka munguar çelësi i domosdoshëm për të hapur
atë derë dhe hyrë në tempull: ‘Gjuha’.
Rilindësit
tanë të mëdhenj, Naim Frashëri, Asdreni, Çajupi , dhe më pas të tjerët, të cilët
e ngritën në një stad më të lartë me vlera të pazëvendësueshme si: Fan Noli,
Lasgush Poradeci , Mitrush Kuteli, Jusuf Vrioni, Vedad Kokana, Petro Zheji,
Pertaq Kolevica më të rinjtë Aurel Plasari, Adrian Klosi etj e dinin mirë rëndësinë
e thembrës së Akilit. Për të bërë një popull që të shtyhet të dojë artin dhe
kulturën duhet ti japësh një ‘Peshqesh’ të kushtueshëm për ta joshur dhe
shijuar dhe ata i u futën përkthimit të veprave më të shquara të letërsisë botërore.
Personalitet e artit dhe kulturës me përkushtim me obligim të pa imagjinueshëm
në kushtet në të cilat jetuan dhe punuan, bënë letërsi të rëndësishme dhe njëherësh
hapën dritare të mrekullueshme për të njohur botën dhe dashuruar atë.
Ne kemi
lexuar, përpirë vepra të përkthyera nga letërsia botërore dhe jemi ngazëllyer. Të
marrësh përsipër të shqipërosh një letërsi të madhe nuk është e lehtë, është sakrificë,
është punë e paçmuar dhe e papaguar dhe para së gjitha duhet njohje e thellë,
pra është një rikrijim. Mbasi dihet historikisht në eksperiencën dhjetëra vjeçare
të fatit të artistit dhe poetit, ata gjithnjë kanë dhënë nga vetja dhe nuk kanë
marrë kurrgjë, shpesh herë pas tyre është mbjellë harrimi por fatmirësisht ka
ngelur i pazëvendësueshëm vepra e sjellë e dhuruar, përkthimi.
Në këtë kuadër,
në këtë vazhdimësi është edhe njeriu serioz dhe inteligjent, përkthyesi i
talentuar Ligor Prifti i cili para do kohe botoi antologjinë poetike: ‘Në tryezë
me poetët’. Përkthime nga poetë të shquar të letërsisë botërore, në shtypshkronjën
e mirënjohur edhe shumë vite më parë në qytetin e Korçës: ‘Kotti’. Ligori duket
sikur hyn me ndrojtje, disi me pasiguri, por në realitet përkthyesi ynë hyri me
dinjitet në kurorën e përkthimeve me vlerë të letërsisë së huaj
Autori me
përkushtim, inteligjencë, dashuri dhe guxim na merr për dore dhe na futën në tempullin
e shenjtë ku na hapet përpara syve një kopsht i mrekullueshëm. Ligor Prifti çiltërsisht
e thjeshtësisht dhe me përzgjedhje profesionale, na afron diamante të letërsisë
botërore. Vizioni i tij në këtë libër ka një shtrirje gjeografike të gjerë në pjesën
më të madhe të globit, nga Evropa e gjer në Amerikë, nga Izraeli e gjer në Japoninë
e lindjes së largët. Vargu i ëmbël e
lakonik i këtij përkthimi të tërheq fuqishëm. Ne ecim të hutuar prej magjisë së
artit por ai na shkund dhe na fton të shijojmë
sonetet e më të madhit e më të mëdhenjve, gjeniu i letrave Uilliam Shekspirin,
më pas shijojmë Bajronin, Lermontovin, Edgar Allan Poe-n. Të mençurin Omar
Khajanin me rubairat e tij të papërsëritshme, Emili Dickinson, Pjetër Pavlloviç
Ershov. Bashkëkohësin e Shekspirit, i lindur vetëm dy muaj përpara tij,
Kristofer Marlou. Odat e mrekullueshme japoneze etj. Janë shumë autorë që ka përzgjedhur
përkthyesi i talentuar Ligor Prifti, i cili ecën me kujdes në një fushë të madhe
me lule shumëngjyrëshe, na jep një panoramë të mrekullueshme. Ky libër që në dukje
është shumë modest ka vlera të veçanta.
Qysh në bankat
e shkollës kemi lexuar pjesë nga
tragjeditë e Shekspirit, Hamletit, Makbethit
dhe më pas libra të plotë të përkthyer me mjeshtëri prej Nolit të madh. Ligori
matet me guxim dhe na sjell me mjeshtëri dhe profesionalizëm disa nga sonetet e
mrekullueshme të Kolosit Shekspir si: ‘ Venera dhe Adonis’. ‘Ankohet një vajzë e
dashuruar’. Sa bukur jepet në harmoni dhe mjeshtëri bota shpirtërore të dy të rinjve:
Ajo si
prush në faqe flakëruar,
Ai në turp,
në epsh i akulluar...
Ky hir u
lodh e më tepër po mundohet
Të japë prova
shumë, pa mbarim.
Kjo
dashuri, që de e s’dashurohet
Një tjetër
çmim e meriton shpërblim. ( Venera dhe Adonis)
Baluken
kafe krelë përmbi vetull;
Puhis’ e
lehtë kur vinte nga lumi
Në ato
buz’ parcelën kishte gjetur,
Më e ëmbël
ç’ ish e bënte më së shumti.
Kush sy e
shihte zvjedheshe nga gjumi.
Në atë fytyr’
kur binte mbetej mbytur,
Aty
parajs’ e tërë rrinte zhytur...( Ankohet një vajzë e dashuruar)
Ligor
Prifti përpiqet japë vlera të mirëfillta duke e respektuar metrikën, ritmin dhe
rimën, si një princip besnikërie ndaj origjinalit. Në rastin e poezisë angleze
një handikap ku nuk mund të mposhtë densitetin 11- rrokësh. Në sajë të numrit të
madh të fjalëve një- rrokëshe, veçanërisht në këtë poemë ku mund të përmbajë deri në gjashtë elemente kategori gramatikore
emër, mbiemër, folje etj. Ligor Prifti na ka dhenë me sukses të plotë ndjelljen
e magjishme të Shekspirit.
‘Krahasuar
me tekstet e përfituara në gjuhët gjermanike- anglosaksone, forma e vargëzimit
në këtë poemë shfaqet menjëherë si një formë që nuk nxë më shumë njësi të tilla
gjatë përkthimit në shqip. Përkthyesi e kupton qartësisht se duke u nisur prej
një kriteri poezia kthehet në një problem të fizikës së fjalëve, të shfrytëzimit
sasior të hapësirës metrike të vargut. Ekzistojnë elemente karakteristike
shekspiriane të cilët nuk mund të lihen pa u vëne re në asnjë mënyrë, i të thuash
pa u tradhtuar e madje edhe struktura thellësisht, betimet patetike të poezisë trilli
imagjinar, antitezat e forta, vargjet përmbyllëse proverbiale që japin kolorit
dramatik, mesazh filozofik, timbër sugjestionues dhe nj imponim për tu ngulitur
në kujtesë’, thotë autori në parathënien e librit.
Përkthyesi
Ligor Prifti përkthen me art dhe bukuri poemën: ‘I burgosuri i Shilonit’ vepër
prej ikonës së poezisë angleze dhe botërore Xhon Gordon Bajron. Shumë nga ne
jemi njohur me poemën madhore: ‘Shtegtimet e Çajld Haroldit’. Kjo poemë është e
ndjerë, e trishtueshme dhe e fuqishme. Shkruar me art dhe temp të madh.
Një dritë
më llapsi brenda trurit-
Më bujti
zogu perandor;
Këngën e
pyllit ktu ma pruri
Tek hyn e
del në kraharor.
Kalimi
nga poezia klasike anglofone, e cila e
ndërton poezinë mbi të tjera struktura mbi hapin lambik, mbi një tjetër temp të
krahasuar me shqipen është kryer në mënyrën me të disiplinuar.
Ne i kemi
lexuar dikur në fletë fletoreje të kaluara dorë më dorë ‘Rubairat’ e Omar
Khajanit, të përkthyera me mjeshtëri të lartë nga i madh Fan Noli. Sipas
specialistëve të kohës këto përkthime ishin të dorë së parë. Mund të jetë modeli
i përkthimit të tyre në të gjitha gjuhët e botës, të reja e të vjetra, të gjalla
dhe të vdekura. ‘O Zot, Ti e di, që unë të kam njohur Ty sipas kutit të mendësive
të mia. Më fal, njohja që kam bërë është njohja drejt teje.’ Sipas një legjende
besohet që këto janë fjalët e fundit të Omar Khajanit para vdekjes.
Tani na i
sjell Rubairat e të madhit Omar Khajanit përkthyesi Ligor Prifti, me të njëjtën
temp, intensitet, forcë dhe freski:
Ësht’ fushë
shahu, bota, ja se si;
Një dit’,një
natë, ushtarë un’ e ti.
Na lëvizin,
rrethojnë e na vrasin,
Të prehemi,
na venë në kuti.
Apo:
U
shfletua libri i jetës. Sa keq!
Haretë,
pranverat shkuan për dreq.
Rinia si
zog s’ e kuptova si erdhi,
E si m’u
zhduk, si nga dora një qelq?
Ligori
Prifti na sjell me mjeshtëri Petrarkën, poetin e madh të rilindjes italiane me
sonetin XLVII me një varg të shkathët dhe lakonit që i këndon me aq zjarr dhe
dashuri ndjenjës së lartë:
Kur, i
burgosur në syt’ e tu, një rreze më ndriti...
Ligori
Prifti në antologjinë e tij : ‘Në tryezë
me poetët’, na magjepsën nga faqja në faqe, për rrjedhshmërinë dhe origjinalitetin
edhe pse janë krijues të ndryshëm, me karakteristika të veçanta dhe shumë të mëdhenj.
Përkthyesi na befason dhe ngjan si kërkuesit e arit të cilët kërkojnë, punojnë pa
u ndalur për të gjetur ar të pastër. Ai është i përkushtuar për të na dhenë me realizëm
të gjithë vlerat dhe mrekullinë e artit botëror. Ai nuk ndalet por përpiqet dhe
operon me kolosët e mëdhenj për të përftuar tek lexuesi emocion të fuqishme me
një muzikalit habitës.
Ne e kemi
njohur të madhin Edgar Allan Poe dhe
poemën e tij të famshme: ‘Korbi’ të sjellë me aq art dhe mjeshtëri nga Noli ynë
i madh. Jeta e Poes është më melodramatikja nga të gjithë shkrimtarët e
gjeneratës së tij. Përkthyesi Ligor Prifti e qëmton figurën, fjalën e bukur,
muzikalitetin, dhe na sjell me dinjitet një tjetër perlë të përkthyer me art
prej tij poezinë: ‘Anabela Li’:
Dhe yje në
qiell në mos pastë
Mjaftojnë
syt’ e saj të zes.
Do
shtrihem e do shoh nga deti
Mos del
gjëkundi e do ta pres.
Hëna
kallaj përsipër meje
Më ngjan
me Anabela Li,
Por kjo e
fundit poshtë dheut
Të bëhet
nuse pret e ri...
A ka më të
fuqishme dhe me figuracion të gjetur se kjo poezi kushtuar vajzës që dashuron. Sytë
të së dashurës i krahason me yjet e qiellit por me një figuracion mahnitës. Apo
hëna kallaj përsipër meje ri, më ngjan me
Anabela Li, e cila në një mënyrë apo tjetër pret të bëhet nuse...!
Lexuesi
kalon, lexon me kërshëri nga faqja në faqe të antologjisë poetike, nga një krijim
në tjetrin. Përnjëherësh bindesh se përkthyesi di të përzgjedhë, të krijojë një
larmi të këndshme, di të fokusojë dhe të krijojë emocione të fuqishme, në krijimet
më të mira e më të rëndësishme të krijimtarisë të poetëve. Duke bashkëbiseduar
me ta gjithnjë dhe përcjellë tek lexuesi emocione të mëdha.
Nuk mund
të lihet mënjanë dhe pa përmendur poezia izraelite të Shaull Cernikocski me
titull: ’Ninull’
Është një
ninullë e veçantë gati epoke, i këndon me shpirt nëna birit të saj, i cili është
shumë i vogël dhe që pret të ritet. Të rrëmben dhe të mallëngjen nga patosi,
forca dhe dashuria e nënës për fëmijën, familjen, mëmëdheun, të cilat për të janë
të gjitha të lidhura nyje në mënyrë të pazgjidhshme. Sa bukur e jep në përkthim
Ligor Prifti:
Zogjtë heshtën,
fli dhe ti,
Hijet
kudo ranë.
Mos ki
frik’ nga terr’ i zi,
Fli, se më
ke pranë.
Je hebrej.
Përmban kjo fjalë
Jet’ e
hidhërim.
O filiz
nga lashtësia,
Rritu bëhu
trim..!
Përkthyesi
Ligor Prifti përcjell tek lexuesi poezi nga lindja e largët, të panjohura deri
më parë, ode të fuqishme japoneze, të cilat janë peizazhe për jetën dhe
dashurinë. Këto ode janë shumë të njohura e të pranishme në çdo familje
japoneze. Ato përbëjnë perlat antike të mençurisë dhe të shprehjes personale të
jetës dhe dashurisë.
Ah! Dashuri,
tu binda unë i tëri.
Livadheve
jam bërë arrakat.
Këtë pranver,
për ty jehoi zëri,
Në fushë lule
mblodha e në shpat.
Mbi mëngët
e mia, a se sheh?
Bora bie,
gjurmët e saj le.
Duke parë
dhe ndjekur një krijim nga një tjetër, një autor nga një tjetër, nga një anë e
globit në tjetrin cep. Në tematikën e larmishme të kësaj antologjie poetike me
vlerë dhe nuk mund të mos vihet re se tema që parapëlqen më shumë përthyesi ynë
Ligor Prifti është tema e madhe dhe universale e dashurisë, sepse vetëm këtu
shpërthen forca e artit dhe jep poezi brilante të pa arritshme në artin botëror.
Në secilin autor tema e dashurisë zë një vend të merituar dhe të pazëvendësueshme.
Përkthyesi e di mirë këtë ndaj e parapëlqen dhe na jep përkthime të bukura me
musht poetik.
Një vend
të rëndësishëm në këtë antologji poetike zë dhe krijimtaria e poetit të madh
rus, Mihail Jurjeviç Lermontov. Ikonë e poezisë ruse e botërore. Prozator i
ndritur. Shumë i njohur për lexuesin shqiptar me romanin:’Një hero i kohës sonë’,
me ‘Lirikat’, përkthyer nga Lasgushi ynë
i madh. Gjithashtu dhe poemën:’Demoni’ përkthyer me mjeshtërisht nga
Petraq Kolevica. Lermotovi ka qenë dishepull i Pushkinit dhe vazhdues i veprës
së tij. Lermontovi i ka kënduar dashurisë dhe të zgjedhurave të tij si asnjë tjetër.
Unë pres
i përmalluar,
Veç me sy
marr ushqim;
Kurse ti
, e dëshëruar,
Më bën
shenjë për afrim...( Çast i lumtur)
Apo një tjetër:
O shpirt!
Që sot do jesh jetime!
S’do
gjesh të afërm, as strehim,
As te një
tjetër përqafim!
Të qeshur
kurrë s’do ti kesh sytë,
Kush
gjeti lumturi të dytë:! ( Engjëlli i vdekjes)
Në disa
poezi të tjera shpirti i poetit të madh shpërthen dhe Përkthyesi na i jep me art
në poezitë: ‘Kupa e jetës’,’Mërzi e trishtim’, ‘I burgosuri’ etj
Rusi e
pistë, lamtumirë,
Vend
skllevërish e me sundimtarë,
Ju
uniforma blu me ngjyrë,
O popull,
që të vënë samarë.
Po ta vëresh
me kujdes përkthyesi i jep me intensitet dhe emocion, përcjell me mjeshtëri
shqetësimin, brengën, revoltën e poetit të madh. Bukuria qëndron kudo ,
intonacionet e zërit shtjellohen në izofoni vertikale. Goditja nuk stonon gjatë
gjithë idesë e cila është thellësisht e rrjedhshme. Përkthyesi ynë Ligor Prifti
me elementet e shkathëta artistike që ka përdorur nuk e tejkalojnë dhe as e lënë
pas origjinalin. Për këtë ia vlen ta respektosh dhe ta shijosh deri në fund kupën
e mbushur buzë për buzë të artit të krijuesit të shquar dhe kjo shije e pazëvendësueshme
është një meritë dhe rezultat i një pune të vazhdueshme dhe këmbëngulëse.
Ndërkohë nëpër
faqet e internetit në shohim dhe lexojmë përkthime të reja prej përkthyesit të talentuar
Ligor Prifti nga poetë të mëdhenj. Ai është gjithnjë, natë dhe ditë në tempull,
mes sofrës së pasur të poetëve të mëdhenj. Edhe pse shëndeti shpesh herë nuk e
ka favorizuar. I lexon, i studion veprat e mjeshtret të mëdhenj, i përkthen me
durim, me shumë kujdes dhe dashuri, na i jep neve me zemërgjerësi, ne i lexojmë
i shijojmë dhe e përshëndesim...