| E diele, 08.07.2012, 09:08 AM |
Nëpër faqet e gazetës “Nikajmërtur” (nr.7-korrik 2012)
NISI RIBOTIMIN GAZETA E KRAHINËS, “NIKAJMËRTUR”
Nga: Prof. Murat Gecaj
1.
Para
4-5 vjetësh, Shoqata atdhetare, shoqërore e kulturore e krahinës së thellë, në
Malësinë e Gjakovës (Tropojë), Nikaj-Mërtur, filloi botimin e një gazete
mujore, po me këtë emër. Kjo dukuri, tashmë, është e njohur edhe për krahina të
tjera të vendit tonë. U publikuan gjithësej gjashtë numra dhe, përgjithësisht,
ato u mirëpritën e u pëlqyen nga lexuesit. Sigurisht, bashkëkrahinasit e
Nikaj-Mërturit ishin të interesuar të njihnin, përmes faqeve të saj, dëshmi e
fakte nga traditat e lashta dhe të çmuara të popullit të Nikaj-Mërturit; të
lexonin për luftëtarë trima, për përpjekjet e parreshtura për arsim e dituri,
për kulturë e art dhe të njihnin autorë e botime të ndryshme etj. Por, me
gjithë dëshirën e mirë të redaksisë, nuk u bë i mundur vazhdimi i botimit të
kësaj gazete, kryesisht për mungesë financimi.
Kështu,
mangësinë e këtyre viteve, për të patur dhe për të vazhduar botimin e gazetës
“Nikajmërtur” e mori në dorë sivjet, kryesia e re e kësaj Shoqate, me kryetar
Av.Gjin Niklekaj dhe zv.kryetarë Dedë Malaj e Mhill Gecaj. Të gjithë ishin në
një mendje, që puna e parë e tyre do të ishte dalja e një numri të ri të
gazetës “Nikajmertur”, pra vazhdimi i traditës së nisur kohë më parë. Për këtë
gjë, u përcaktuan anëtarët e redaksisë, me drejtor Pashk Prekën dhe
kryeredaktor arsimtarin Dedë Qokaj. Pastaj nisi puna për mbledhjen e shkrimeve,
nga autorë të ndryshëm. Kështu, më në fund, kjo gazetë mujore e me 16 faqe,
doli nga shtypi këto ditë dhe po shkon
në duart e lexuesve të interesuar.
Për të marrë pjesë, bashkërisht, në kënaqësinë e kësaj ngjarjeje, anatarë të redaksisë së gazetës dhe të kryesisë së Shoqatës “Nikajmertur”, kalun një drekë të përbashkët, në një lokal të Linzës, rrëzë malit të Dajtit të Tiranës. Aty, ndër të tjera, mësuam se njëri nga më aktivët e kësaj redaksie, gazetari i ri Besnik Palnikaj e kishte pikërisht dje ditëlindjen. Me këtë rast, të gjithë ngritëm dolli, si për numrin e parë të gazetës dhe për ditëlindjen e kolegut tonë.
Nga e majta: Prof. M.Gecaj e prof.A.Papleka, D.Qokaj, av.Gj.Niklekaj,
D.Malaj, M.Ndrepepaj e B.Palnikaj (Linzë-Tiranë, 6 korrik 2012)
2.
Pa
hyrë në imtësira, dëshiroj ta njoh lexuesin me shkrimet e publikuara në numrin
7, të gazetës “Nikajmërtur”. Në krye të saj-majtas, është vendosur emblema e
Shoqatës, punuar nga piktori i ri i krahinës, Pirro Pjetërnikaj. Ndërsa, në të
djathtë, është emblema e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Përveç paraqitjes së titujve të disa shkrimeve, që përmban gazeta, gjithë faqja
e parë dhe e dyta janë me shkrimin e kryeredaktorit të saj, Dedë Qokaj, “Fytyra
e Nikaj-Mërturit, në 100 vjet Pavarësi Kombëtare”. Ndër të tjera,
aty evidentohen disa tradita të çmuara, atdhetare e liridashëse etj., të
malësorëve të kësaj krahine.
Për
ta njohur lexuesin me dokumentet përkatëse, në faqen 3 e 4 janë botuar statuti
dhe programi i Shoqatës “Nikaj-Mërtur”, shoqëruar edhe me planin për zhvillimin
e veprimtarive kryesore, në vitet 2012-2015. Në vazhdim, në faqet 4-5 është
botuar artikulli “Shoqata Nikaj-Mërtur, vlerë dhe vizion”, intervistë e
kryetarit të saj, Av.Gjin Niklekaj (marrë nga M.Ndrepepaj). Ndër të tjera, aty
theksohet vargu popullor:” Edhe Zoti e ka dashtë,/ këto dy fise me qenë
bashkë”.
Në
faqet 7-8, është shkrimi i autorit B.Palnikaj, kushtuar “Martirit të
Demokracisë”, Fetë Sadiku i
Palçit. Trimëria e nikajmërturasve është e njohur në tërë historinë e Malësisë
së Gjakovës, por dhe në shkallë kombëtare. Për këtë gjë, dëshmon edhe shkrimi i
Dedë Vukajt, kushtuar aktit të jashtëzakonshëm të Ndue Zenel Paplekës, i
cili ra “Në grykë të topit për Atdhe…”, në luftë kundër pushtuesve
shekullorë osmanë. Por krenarinë e krahinës e ngrenë lart edhe bij e bija të
shquara të saj, në kohët e reja. Prandaj janë botuar shkrime për martirin
Isuf Gërvalla (nga M.Gecaj) dhe për ushtarakun Aleksandër Peci, i cili sivjet “pushtoi mediat
botërore” (nga Ndue Malaj).
Krahina
e Nikaj-Mërturit, e cila shtrihet në gjirin e Alpeve të Shqipërisë, ka bukuri
të jashtëzakonshme natyrore dhe pasuri të mëdha, mbitokësore e nëntokësore. Për
këto ka shkruar poeti i talentuar i krahinës, Gjon Neçaj, i cili i thërret me
zemër të gjithë vizitorët: “Ejani, në Nikaj-Mërtur!” Të shumtë janë edhe
poetët, shkrimtarët, artistët e studiuesit e kësaj krahine. Prandaj kanë gjetur
vend edhe në numrin e kësaj gazete: “Baladë për vendlindjen” (nga Jak
Përpali) dhe skica kuptimplote, “Ankesat tronditëse të kullës sime” (nga
Agim Mërturi). Ndërsa A.Papleka i ka
kushtuar një artikull të veçantë krijimtarisë së shkrimtarit Marash
Mhilli, i cili qendroi disa vite emigrant në Greqi dhe u kthye sivjet,
përfundimisht në Atdhe, duke dëshmuar kështu, “Besnikëri ndaj hapësirës
stërgjyshore”. Një shkrim tjetër flet për librin e Marash Hajatit, “Histori
dhe vizion-Stefani&Co” (nga M.Ndrepepaj). Faqja e fundit e gazetës i
është kushtuar agjencisë së njohur të udhëtimeve “Drita”, me qendër në
kryeqytet dhe me drejtor Pashk Prekën, i cili ka dhënë ndihmesë të pakursyer
edhe në publikimin e gazetës “Nikajmërtur”.
Në
mbyllje të këtyre pak radhëve, e urojmë kryesinë e Shoqatës dhe redaksinë e
gazetës “Nikajmërtur”, për vazhdimin e traditës së saj, pra botimin e këtij
numri të ri. I ftojmë të gjithë bashkëkrahinasit tanë, kudo që ata ndodhen, në
Shqipëri ose në trojet tona amatare, por dhe në diasporë, në shtete të
ndryshme, që ta marrin e ta lexojnë atë. Gjithashtu, me mundësitë e tyre,
presim që ata të ndihmojnë edhe financiarisht, për vazhdimin e botimit të kësaj
gazete.
Kontaktet me gazetën “Nikajmërtur” janë: Adresa (Rruga e Barrikadave”,
Nr.260/3-Tiranë); e-maili: dede.qokaj@gmail.com
Tiranë, 6 korrik 2012