| E shtune, 07.07.2012, 03:45 PM |
Nanë Tereza
Shënim: Rastësisht
lexova dhe rilexova në Google fyemje ndaj Nanë Terezës, që rishtas nuk due t’i
besoj se kishin dalë nga goja e një shqiptari.
Nuk due të
replikoj, nuk e meritojnë. Thjeshtë po reflektoj e ftoj të reflektohet.
Nëse pretendojmë ende se jemi njerëz e shqiptarë.
Nga Daniel Gàzulli
Pothuej
një shekull ma parë, kur Nanë Tereza ishte ende një vocrrake,
vetëm tre vjeçe, e quhej thjeshtë Gonxhja e Kolë Bojaxhiut, tue folë për mizoritë sllave mbi shqiptarë, At Gjergj Fishta
thonte se edhe “ .... vetë historia ka t’keq e turp me i përmendë e me i rreshtue ndër fletët
e veta”. (Kanibalizmi sllav, HD, 1, 1913.)
Ato
fjalë plot dhimbje të Fishtës mund të thuhen edhe për qendrimin barbar që
mbajtën, e jo rrallë po mbajnë disa edhe sot, ndaj Nanës imcake, e Madhe si vetëm ajo, Nobelistes
së ma të vorfënve ndër të vorfën, të atyne që ndjeheshin të përbuzun prej një
shoqnie të pasun në gja e mallë, por të shkretnueme në shpirt; vështirë, pra,
që historia të jetë në gjendje me kuptue se si mohuen bijën e tyne ata “të pa fé e fanatikë”, do të thonte
përsëri At Fishta.
Sa
i trishtueshëm do të mbetët në histori mohimi i asaj, që ishte deri në bebëz të
shpirtit gjithmonë e rreshkun dashunie për Atdhe. Por ndoshta, si thotë prap
Fishta në vdekje të Avni Rrustemit: “ …
fatzeza moj Shqipni – po ishte faj me të dashtë ty” (Revista “Afrimi”, viti II,
maj 1924, Vlonë).
Ata
e mohuen, e disa vahzdojnë ta mohojnë edhe sot, pse Ajo, siç ka me u ngja
brezave të ardhëshme porsi legjendë, Ajo imcakja dhe e Madhja, si askush në
shekull të saj, kishte arrijtë me dashuninë dhe fjalën e Zotit të bahej Mësuese
e 7 500 fëmijëve në 60 shkolla, mjeke e 960 000 të sëmuetëve në 213 dispanseri,
shërbëtore e 47 000 viktimave të lebrozës në 54 klinika, kujdestare e 400 pleqëve
të braktisun, Nanë e 160 fëmijëve jetimë a të mohuem.
E
ja, dikush sot (për turpin tonë) thotë se shtatoren e Nanës të mos e vendosim
këtu apo aty, jo jo, diku ma andej, ma në anë, ma ... për turpin e tyne, pra, e
për turpin tonë. Nësa Presidenti Amerikan Bill Klinton, kryearqitektit i lirisë
së Kosovës, thotë: Nanë Tereza, ishte e para Ajo që më bani me e dashtë kombin
shqiptar. Dhe tashti ndjehem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj
Saj dhe ndaj vlerave të lirisë”,
rrahagjoksave u ban hije Shtatorja e Nanës, prandaj edhe duen ta shtyejnë
diku ma andej.
Thotë
At Mëshkalla: “ ... zelli për Fé, si çdo
gja tjetër e mirë, mundet, me u largue prej qellimit të shénjtë, tue u teprue. Atëherë,
bahët fanatizëm”. Thotë apo e ka thanë? Jo më kot përdora të tashmen
“thotë”. Se ai e “thotë” për dje, për sot e për nesër. Ta marrin mirë vesht
shqiptarët, pavarësisht të ç’besimi janë. Pse kemi shumë nevojë ta kuptojmë
këte. Fanatizmi asht shumë ma i damshëm se ateizmi. Po Ajo, e Madhja, e kishte
kuptue qysh para se të merrte “udhën e Indit”. Prandaj edhe “muslimanëve u lexonte Kuranin, Induve u jepte ujë nga Gange, e katolikët
i kungonte”. Ja edhe fjalët e saj të vlefëshme si kurrë për sot, por edhe për
gjithmonë: “E kam thanë gjithmonë se duhet të ndihmojmë një indù të bahet një
indù ma i mirë, një musliman të bahet një musliman ma i mirë dhe një katolik të
bahet një katolik ma i mirë”. Po shumëkujt, pikërisht ndër ne, vëllaznit
e bijtë e saj, i asht ndryshkë truni e shpirti e birret tue nda në parcela ata
që vetë Zoti i fali një: SHQIPTARË.
Ma
të vorfënit e ma të vorfënve, që Ajo i mori nën mbrojtje, nuk ishin katolikë,
si po duen me thanë disa mendjeshkurtë, po indù, muslimanë, protestanë e gjithëfarë
besimesh e kombësishë. Pse i tillë ishte brumi me të cilin ishte gatue ajo:
prej dashunie për njeriun, pa kurrëfarë dallimi mjeran.
Kur
iu dha Asaj Çmimi Nobel, Akademia pat një ndriçim hyjnor. Mjaft të lexosh
motivaciononi: "per veprën e kryeme në luftën për të mundë vorfninë e mjerimin,
që përbajnë edhe një kërcënim për paqën”.
Vorfëninë
dhe mjerimin. Jo “edhe një kërcënim për
paqen”, por “një kërcënim për paqen”,
pa ate “edhe” të panevojshme. E
fyemje për denjitetin njerëzor. Pse i vorfëni, bashkë me mungesën e kafshatës
së gojës, mungesën e sherbimit mjeksor, të shkollës për fëmijtë, humb, s’do
mend, edhe dinjitetin.
Ajo,
imcakja, e Madhja, Nana jonë, e desht Njeriun NJERI ME DINJITET, të barabartë
para Zotit e në mes gjithë anëtarëve të tjerë, që formojnë atë që na e quejmë
“Shoqni Njerëzore”. Po a asht ajo vërtetë “njerëzore” nëse nuk mposhtim, ma së
pari, vorfëninë e mjerimin?
Sot
njerëzimi asht i untë për dashuni, dhe dashunia asht përgjegja e vetme ndaj
vetmisë dhe vorfnisë, ndaj dëshprimit, humbjes së shpresave; shumëkush ka harrue me buzëqeshë, ka harrue bukurinë e
prekjes njerëzore, ka harrue ç’asht dashunia e njerëzëve. Kanë nevojë që dikush
t’i kuptojë e t’i respektojë.
Shqiptarët,
po të çelin sytë e shpirtit, kanë kah me shtegtue: Udhën tonë e ka ndriçue
përjetësisht AJO me dritë prej bebëzes së një zemre të madhe, që ka vend për
shqiptarë sa janë e mbarë njerëzimin vetë, pse ajo ishte, asht e do të mbesë në
shekuj të shekujve NANA JONË HYJNORE.
Kjo mesazhere e ndritëshme e
dashunisë ndaj Zotit lindi në Shkup, në atë udhëkryq të historisë së Ballkanit,
lindi shqiptare.
E gjithë jeta dhe vepra e Nanë Terezës janë dëshmi gëzimi e dashunie, madhështie
e dinjiteti i çdo qenjeje njerëzore, dëshmi e vlerave të gjanave të vogla, por të bame
me dashuni.
Nanë Tereza na la një testament besimi të patundshëm, shprese të
pamundëshme dhe dhimshunije të jashtëzakonshme.
Asht
e kuptueshme që, mbas aq shekujsh të trazuem, një
pjesë jo e vogël e popullit tonë të përjetojë një krizë shpirtnore tunduese.
Shkaqet janë të njohuna e nuk asht këtu vendi t’i rreshtojmë.
Por
kriza shpirtnore asht një karakteristikë që ka prekë
edhe vetë shejtnit, ndër ta edhe Nanë Terezën, prandaj nuk ka pse të mos
shpresojmë që ta kapërcejë pjesa ma e shëndetëshme e popullit tonë, ajo pjesë
që ndoshta sot edhe ateiste apo fanatike, ruen të shëndetëshme karakteristikat
e identitetit kombëtar e europian. Natyrisht, asht tjetër ajo krizë që të
ngërthen për shkak të vuejtjeve shpirtnore pse nuk je në gjendje me u dhanë
përgjegjegje njëmijë pyetjeve që të lindin kur je përditë në kontakt me
vorfninë ma të skajshem, si ishte Nanë Tereza, por pa humbë kurrë yllin polar
të besimit, tjetër asht kriza shpirtnore që sot ngërthen tek na shtetarë të
pangopun, gjaksorë të papenduem dhe egoista të pafre.
Kush ndjen krizë shpirtnore për shkak të vuejtjes së vuejtjes së të tjerëve (e
nuk asht lojë fjalësh kjo), jo vetëm nuk do t’i humbë lidhjet me besimin e tij,
por do ta çojë kjo krizë, kjo vuejtje, në
një lidhje edhe ma të fortë e të vetëdijëshme me Zotin.
Në figurën e brishtë të kësaj
grueje të duket sikur përjeton njenen prej figurave të mëdha biblike. Figura e
saj mbizotnon shekullin e njëzetë poaq sa ato ngjarje tragjike, teatër i të cilave qè në dy luftna botnore, por me një ndryshim
thelbësor: Nana e kapërcej mijëvjeçarin e me
buzëqeshjen e vështrimin e saj gjithë dritë ngjall përditë
shpresë, e kështu do të vijojë në jetë të jetëve.
Nanë
Tereza jo vetëm ka marrë prej të pasunve për t’u dhanë të vobektëve: e vetëdijshme për karizmën e saj asht përpjekë me
të gjitha forcat të vejë të vorfnit në qendër të vëmendjes në një epokë kur, si dështuen
andrrat revolucionare, shumë njerëz (shtetarë, politikanë, afaristë, konsumatorë) përpiqen
t’ia fshehin vehtes ashtu edhe të tjerëve vorfninë.
Por edhe ma e randë se vorfnia materiale,
qenka vorfnia shpirtnore që ka kapërthye disa prej nesh.
Lutu të çlirohemi prej saj, Nanë.