| E shtune, 07.07.2012, 03:33 PM |
PROF. DR.
ZEF MIRDITA
UDHËRRËFYES I SË VERTETES
SË POPULLIT SHQIPTAR
Në 100 vjetorin e Pavarsisë…
Nga Fritz RADOVANI
Sikur
bota e qytetnueme të kishte një Profesor Doktor të tillë si Shqiptarin Zef
Mirdita, sot do të krenohej Suedia se kujt i ka dhanë Çmimin Nobel, dhe jo
shteti që do ta kishte në gjiun e vet këte intelektual të pakrahasueshem, që ka
lé dhe asht bir’i Nderuem i Popullit Shqiptar.
Ka shumë prej
atyne që ia kanë ndigjue zanin, ka edhe nga ata që e njohin mirë, por ma shumë ka
nga “ata” që nuk dishrojnë me e dijtë kush asht ky Burrë, që në këte 100 vjetor
të Pavarsisë sonë nga turqit, i ka kushtue 30 vjet të jetes një libri me titull
“Krishtenizmi ndër Shqiptarë”, liber të cilin në vitin 2004 ma ka dhurue Don
Ndue Ballabani, me rasen e ardhjes së Tij këtu në Melbourne. Dhuruesi e dinte
me siguri vleren e librit, se ishte nder ata që ka ba me u botue libri. Unë nuk
dijshe gati asgja per vleren e tij, mbasi Prof. Zefin e kishe ndigjue vetem dy
herë tue folë në
Mbrenda
një libri me 441 faqe Autori ka paraqitë para lexuesit Shqiptar historinë e ma
shumë se 2000 vjetëve të Epokës mbas Krishtit të Shqipnisë dhe Paraardhësëve të
saj. Nuk do të hyj në shpjegimet historike dhe as në rrugen e reçensioneve të librit,
mbasi një liber si Ky, kam besimin se duhet të jetë tashma në të gjitha shtëpijat
e atyne që thonë se jemi Shqiptarë. Libri asht botue tash 14 vjetë, pra në pragun
e Mijëvjeçarit të tretë, dhe asht mjaft i perhapun...
Per këte
artikull më kanë dhanë shtysen dy fakte: Në kopertinë Autori i nderuem ka vue
vetem Emnin Zef Mirdita dhe asnjë titull. Shtysa tjeter asht se Parathanja e
librit, e hartueme nga vetë Autori, paraqet modestinë e Tij qytetare. Atëherë,
për cilen arsye ndodhë kështu?
Sepse qellimi
i madh i Autorit asht me ua mësue Vëllazenëve Shqiptarë “Historinë e vet” tue u
bazue në parimin shpirtnor dhe edukativ Atdhetar, të mbështetun në porosinë e
Papës Leoni XIII, dhanë me daten 18 Korrik 1882, plot 130 para: “Ligji i Parë i
historisë është, që mos të guxohet të thuhet diçka e rrejshme, pastaj mos të guxohet
të heshtet e vërteta” (fq. 46).
Ky parim
mbi të cilin asht shkrue çdo shkronjë e këtij libri asht shkaku që Autori
mbetet i përjetshëm për punen dhe mundimin e Tij që ka ba në të miren jo vetem
të historisë, por edhe në zberthimin e enigmave që na duhen me i njohë ata
fakte, që lehen mbas dore (kjoftë me dashje nga fanatikët, ose padashje nga
paditunia), por edhe në kerkimin e rrugës që kemi perpara.
Tue u nisë
nga Titulli i librit “Krishtenizmi ndër Shqiptarë”, ndoshta, ka nga ata që me të
marrun në dorë kujtojnë se libri asht histori e një besimi, që në disa rasa dhe
per disa edhe nuk paraqet “interes”, po kur të fillojnë me lexue dhe të mos
munden me vazhdue pa u rikthye me lexue prap rreshtin që kaloi, atëherë kanë me
kuptue se Libri asht krejt tjeter gja.
Libri
asht esenca e së vertetes historike të Popullit Shqiptar, që tue u ndodhë gjithmonë
në “gojen e ujkut” vazhdon me kenë edhe sot i pagelltitun... e kjo nuk asht e
shkrueme vetem në mbështetje të një fakti apo rastësije, po asht rruga e pafund
e Martirizimit të Shqiptarëve, por me një korajo e guxim që e karakterizon Até pergjatë
shekujve!
Mbrenda
librit asht historia e lavdishme dhe ajo e palavdishme e jona. Aty asht
realiteti dhe irealija e fakteve, që e bajnë edhe ma të besueshem realitetin
tonë, mbasi Autori nuk i mbulon ata fakte që ma vonë u banë shkak që Shqiptarët
me u largue dhe me qendrue me dashje larg e sa ma larg qytetnimit Europjan, per
të cilin edhe ka sakrifikue, po ka derdhë edhe gjak.
– Po ka
dy të mbeta, se asht i shkruem nga një Shqiptar i Dardanisë me emnin Zef...dhe,
se libri duhej t’ ishte sot i perkthyem nder kater gjuhë kryesore të gadishullit
ballkanik e të fqinjëve tanë: Serbisht, greqisht, turqisht dhe italisht...që ata
të mësojnë të gjithë të vërteten e Popullit Shqiptar, për të cilin bajnë sikur
nuk e dijnë, ose edhe ma keq!!..
Nuk shënova
gjuhen angleze, mbasi “ata” ma shumë po merren me kater gjuhët e siperme, sesa
me të verteten e Historisë Heroike të kenjes së sotme të Popullit Shqiptar!
Vlera e
madhe e librit qendron edhe mbi një fakt tjeter, që rinia shqiptare, e ndikueme
ku s’shkon nga ideologjia komuniste e fanatike, ka të vështirë me kuptue këte
thanje të Prof. Zefit:
“Shqiptarët
me Skenderbeun në krye, luftuan kunder pushtuesëve osmanë. Kjo luftë kishte
karakter mbrojtës, çlirimtar dhe asnjëherë fetar, siç duan ta interpretojnë disa.
Kjo luftë padyshim ka qenë dhe mbetet thelbi i nacionalizmit Shqiptar...Besimi
musliman ishte një faktor kryesorë që bëri të mundur të ruhej ndërgjegja kombëtare
nder Shqiptarët e mbetur jashta kufijve...” (fq. 401).
Kjo
thanje e Prof. Zefit asht mirë të lexohet dhe të mbahet mend nga shumë “prof.dr.
e akademikë” që sot nuk e kanë as guximin, as burrninë dhe as kulturen per me
thanë edhe këte që asht e shkrueme në rreshtat e fundit të librit fq. 404:
“Në rast
se ekziston sot një territor i pavarur, i njohur nga bota me emrin Shqipëri, një
meritë e madhe për këte i takon Kishës Katolike Shqiptare dhe Klerit të Saj. Këte
konstatim e dëshmojnë faktet historike të cilat për atë që është vullnetmirë dhe
qellimmirë janë të pakontestueshme.”
Në këte 100
vjetor të Pavarsisë Kombtare nga turqit, Shqiptarit të Dardanisë së Lirë,
Prof. Dr. Zef Mirditës i uroj nga zemra nderimin e Tij me Çmimin Nobel!