Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Muharremi: Karikaturat indirekte të Nekres

| E premte, 06.07.2012, 07:04 PM |


Për ekspozitën personale që u hap ditë më parë në qytetin e Pejës

Karikaturat indirekte të Nekres

Nga Dr. Ilir Muharremi

Nekra, ky emër i shkurtuar sikurse tek Migjeni poeti me ekspresiv, edhe tek Nekra Nexhat Krasniqi, arti është ndjenjë, thellësi, ekstazë, dehje, sinqeritet që bashkëbisedon me absurdin dhe depërton në horizontin e publikut. “Mjerimi është kafshatë që s’kapërdihet” - Migjeni, por arti i Nekres është lule që lëshon nektar për çdo bletë. Ekspozita e tij ishte në Pejë, personale dhe rastësisht dëgjova që ky njeri hap ekspozitën, njeriu i cili qysh në moshën time fëmijërore më ka punuar ballinën e librave  me poezi, më i besuari dhe më i lartësuari në art. Gjithmonë dëgjonte veten, instinktin, ajo që ishte te unë, ai e kapte me lehtësi, dhe e transferonte nën ndihmën e ndjenjës, egos dhe inspirimit. Ishte si një Kadare për veshët e mijë fëmijëror, të stërvitur në atë kohë,  arrija të kuptoja vetëm sipërfaqen e veprave, por me kohë filloja të thellohesha edhe në esencë duke u zhytur në strukturën e karikaturave të punuara dhe realizuara me mjaftë bindje, estetikë, teknikë dhe pedanteri. Nekra ky emër i çuditshëm karakteristik, mbresëlënës, i shkurtër, i vlefshëm për mua, përcjellës i hapave fëmijëror, mësim i artit të përjetësisë, sikurse Zarathusra i Nietzhes. Tri metamorfozat e shpirtit, ngjyrës, lojës, lëvizjes, kompozicionit, animacionit, postmodernizmit, i gjejmë në punimet e mjeshtrit Nekra. Fantazmagoria, sumblimacioni, nganjherë edhe e vërteta e zhytur në një detaj kontrasti shpërfaqet në punime, ku forma, ngjyra, kompozicioni zënë vend kryesor. Po ashtu edhe ngjarja , koncepti rreshtohen në vargjet e artit të Nekrës, gjithmonë duke shpresuar për diçka me ndryshe së që është. Kjo është në të vërtetë arti! Karrikatura e Nekrës është indirekte, metaforike, që shpreh një realitet vendor dhe global. Substrati i motiveve të Nekrës është si magmë krijuese, opak, mistik, lëndë e ngjeshur, që buron apo depërton ngadlë, shndërrohet në pjalm, ajër, ngjyrë, ndjesi, karrikaturë, për të arritur në fund, aty ku e vërteta buçet me një zë të përjetshëm. Lëvizja e personazheve i ngjajnë teatrit të Joneskos dhe Kamysë, absurdit orvatet si një klithmë ëndërrore, shpirtërore artistike mbi veprën. Protagonisti është në kuadro dhe vazhdimësi të ngjarjes. Loja është agnostik, labirint, realitet i mendjes, poezi e shpirtit, aty ku Sharl Bodleri thur vargje për të vërteten e dikurshme. Poezia e Nekrës është fluide, imagjinatave, përtejme, mistike, mirëfilltë tej të rëndomtës e bashkëshoqëruar me surrealen dhe konkreten. Punimet janë të kapluara me shtrëngatë ngjyrore, tonale, ritmike, aty ku shihet dhe nuhatet e vërteta përtej perdes artistike, sikurse në poezinë egjiptiane. Ajo ende jeton në tokë, është bimë, pemë e lodhur nga shqota e poersaikur, sikur sulmohen nga një qiel jo aq i zemëruar, nervoz, idhnak sesa kalamendës, plot trill, mes fluksit të dritës , ngjyrës, dhe perspektivës. Diçka të gjitha këto kanë një lidhje me kozmosin, nga kozmosi në zjarr. Në lundrim qiejsh të rinj yllësish të reja. Zjarri i shpirtit të artistit klith pafundësisht, është ky zjarr i brendshëm në dukje të qetë, fisnike, i heshtur, pa shumë fjalë, i vetmuar e i lodhur nga rëndomësitë e jetës me goditje dhe buzëqeshje të lehtë. Format janë një befasi cudake që zhvillohen nga loja e ngjyrave, zhurma e imazhit dhe ndërfutja e hapësirave kozmogonike. Ajo që shkëlqen tek Nekra është lëvizja, dhe pjesët e ngjarjes që ndërfuten, ndërlidhen, bëhen tokë dhe shkëlqim për ngjarjen në vijim. Animacioni dhe tallja me problemin, realitetin madhështor është e dukshëm, por kjo është loja artistike, ose kuptimi i vërtetë i realitetit. Vjen edhe nga fantazia pjellore ku realiteti i artistit nuk shpërfaqet si ëndërrim, e aq më pak si subjekt, por si vendosje hapësirash natyrore dhe reale apo antropologjike të bashkëlidhura ndaj të panjohurës ose të njohurës, të bardhës dhe të zezës, përtej dhe këndej, halucinacion formash, fantazi me një bazë të sjellshme ëndërrore që thyer rregullat e artit postmodern. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 21 korrik. Kjo do t’i lërë vend “Karikaturës kombëtare”. Ekspozita e autorëve të shquar kombëtarë të karikaturës do të hapet më 1 gusht, e po ashtu do të qëndrojë e hapur tri javë. Do të organizohet në Pejë në qytetin piktoresk, do të aterojnë karikaturistë më të njohur botëror ku si për qëllim është karikatura Kosovare, me atë botërore, prezantimi i vlerave vendore me atë të huaj.