| E enjte, 05.07.2012, 05:02 PM |
Egjipti: Nga
do të randojë balanca?
Nga Daniel Gàzulli
Ka tashma
një vit e ma shumë që flitet për pranverën arabe.
Shtrimja
gjeografike e atyne vendeve ban që stinët të mos kenë ndryshime të mëdha. Zakonisht
atje edhe pranvera asht e thatë.
Ka kalue,
pra, ma se një vit e nuk mund të jemi aspak të sigurtë çfarë solli pranvera
arabe, lule apo ferra. Ç’stinë pritet të vijë mbas kësaj “pranvere”? Në shumë drejtime
faktet e ngjarjet nuk na lejojnë me qenë optimistë.
Askush
nuk e ve në dyshim se ata që sundonin në Tunizi, Libi, Egjipt etjerë, ishin
diktatorë. Ashtu si shihet qartë barbaria e njenit prej atyne që dikur konsiderohej
ma i moderuemi: Presidenti Asad i Serisë. Në ndërgjegjen e tij randojnë ma
shume se 12.000 viktima të pafajshme, shumë prej të cilëve fëmijë e gra shtëpijake.
Mbas
ardhjes në pushtet vite ma parë të partisë islamike të Erdoganit në Turqi,
Egjipti do të jetë ai që do të ndikojë shumë në vendosjen e një bilanci pozitiv
apo negativ në demokracinë arabe. Deri tashti pothuej kudo pushtetin e kanë marrë
partitë me theksim të fortë fetar, të ashtuquejtunit “Vëllaznit muslimanë”.
Një prej
tyne asht edhe presidenti i ri i Egjiptit, Mohamed Morsi.
Përveç predispozites
së grupimit politik që përfaqëson, Morsi do të ballafaqohet me ma shumë se një problem:
Forca tradicionale e ushtarakëve në Egjipt, nevoja për të forcue pushtetin (që asht
krejt ndrysh nga propaganda kur je në opozitë), forcimi i menjëherëshëm i
grupeve intelktuale me kandvështrim përparimtar të shtetit të së drejtës,
grupet e krishtena, sidomos katolikët Kopti, me mjaft konsideratë në Përendim,
e në fund, jo ma pak e randësishme, rritja ose ulja e nivelit të jetesës, që vitet
e fundit ka pasë shenja mjaft negative.
Mbi vështirësitë
e presidentit të ri egjiptian flet edhe betimi i tij i dyfishtë: Ai u betue në fillim
para turmës së mbledhun në sheshin Tahir, e vetëm të nesërmen para trupit te Gjykatës Kushtetuese. Vetiu
kuptohet se nuk do të jetë aspak e lehtë
për të t’i ba ballë, qoftë në plan kombtar e sidomos ndërkombtar, lëvizjes
islamike në vend.
Morsi u
zotue se do të mbrojë demokracinë dhe pluralizmin – jo vetëm atë politik, por
edhe sa i përket besimeve, tue iu referue me këtë rast veçanarisht të drejtës së
katolikëve Kopti për të ushtrue lirisht besimin e tyne e tue shmangë, të paktën
deri tashti, kthimin e Egjiptit në një shtet puro islamik.
Grupimi që
përfaqëson presidenti i ri asht relativisht ma i moderuemi në mes grupimeve të shumta
islamike, mjaft të fuqishme edhe ata e me një impostim ma fanatik të konceptit
të shtetit, si ajo e afaristit ndër ma të fuqishem të Egjiptit, Khairat al - Shater;
ata gjatë zgjedhjeve, por ende ma shumë tashti, duhet t’i bajnë llogaritë edhe
me grupin po islamik të udhëhequn nga radikali Fotouh, kandidat për president
edhe ai në raundin e parë e që pat marrë 17,5% të votava. Por edhe beteja kundër
ushtarakëve nuk duhet konsiderue e mbyllun. Gjeneralët, natyrisht të inspirimit
laik, nga ana tjetër janë përfaqësues tipikë të diktaturave të porsarrëzueme në
vendet arabe. Shkurt, nga pikëpamja politike, në vendet arabe mbas “pranveres” nuk
pritet aspak një stinë e qetë dhe e begatë.
Morsi pat
premtue në mes dy turneve të zgjedhjeve se do të qeveriste bashkë me të mundunit
e turnit të parë, doemos, gjithmonë të rreshtimit islamik, qoftë me Fotouh,
ashtu edhe me një figurë të re që deklarohet ndjekës i ishpresidentit Naser, vra
42 vjet ma parë. Pikërisht mbas zgjedhjeve qarkullojnë zane mbi mundësinë e
zgjedhjes si zevendëspresident të një përfaqësuesi të katolikëve Kopti, si për
të sigurue qoftë opinionin e mbrendëshëm, ashtu edhe ate ndërkombtar se vala
islamike që po pushton vendin do të jetë në limitet e respektmit të normave
demokratike.
Ky asht
edhe guri i provës nga do të randojë balanca: drejt një sundimi inteegralsit
dhe eskluziv, apo një marrëveshje shumëpalëshe, ku do të përfshihen të gjitha
grupimet, me përjashtim të mbështetësve të Mubarakut, aty edhe kudnërshtarët e
tyne, Koptët.
Por çdo
masë e qendrim politik do të bahej i pavlefëshëm pa një ndërhymje të ngutëshme
e të fuqishme në gjendjen ekonomike të vendit. Në të gjithë sektorët e ekonomsië
ka pasë një ramje pothuej vertikale, edhe si rrjedhojë e mungesës së sigurisë në
vend; veçanarisht në sektorin ma vital të Egjiptit të sotëm, turizmit.
Një faktor
i ranësishëm pë të ardhmen e Egjiptit do të jenë grupimet laike e demokratike,
ashtu edhe disa grupe islamike pluraliste, që mund të shërbejnë për të ruejtë ekuilibrat
kombtare ashtu edhe ndërkombtare.
E pame në
planin mbarë arab, fitorja e Morsit i ka te dy anët e medaljes: Më një anë, ajo
asht fitore e Vëllazënve musulmanë; nga ana tjetër do të forconte boshtin sunit
të përbamë në radhë të parë nga Maroku, Egjipti, Turqia e deri në Arabinë Saudita,
çka i ulë shpresat ashtu edhe rrezikun e një supermacie shiite me në krye
Iranin.
Do të jenë
pikërisht zhvillimet në Egjipt ato që do të ndikojnë shumë nga do të randojë bilanca:
Në favor të drejtimit thjeshtë shiriatal, si në Iran, apo të një islamizmi ma të
moderuem, ku rikonstrukturohet shteti i së drejtës, me gjithë kufizimet e tij,
por gjithësesi, i mbështetun mbi pluralizmin dhe respektimin minimal të të drejtave
të njeriut.
Egjipti
ka pasë gjithmonë e do të ketë një peshë të posaçme në fashën në jug të Detit
Mesdhe e deri në Gjiun Persik.
Europa
dhe SHBA nuk duhet të jenë, pothuej si gjithmonë, tepër vonë në kontributin e
tyne.