| E enjte, 05.07.2012, 06:39 PM |
Etërit e Kombit Modern Shqiptar dhe trashëgimia e tyre
Nga Romeo Gurakuqi*
Kush kanë qenë Etërit e mëdhenj të shtetformimit shqiptar në periudhën bashkëkohore dhe cila është trashëgimia që kanë lënë pas?
Kjo
pyetje shumë e rëndësishme po bëhet në prag të 100-vjetorit të krijimit të Shtetit
Shqiptar. Që ky përcaktim të mos jetë serish fryt i preferencave personale të kalimtarëve
të rastësishëm, as i personazheve me njohje të përcipta e të pabazuara, mendoj
se vendimmarrja e vlerësimi duhet të sillen vetëm si fryt i rezultateve serioze
kërkimore dhe studimore. Unë mendoj se tri janë periudhat kur do të duhet të verifikohet
kryesisht ky kontribut nismëtar shtetformues: së pari, është periudha e
Revolucionit Nacional Shqiptar, 1910-1912; së dyti, është periudha 28 nëntor 1912
deri më 3 shtator 1914, që fillon me Shpalljen e Pavarësisë, vendosjen e
Qeverisë së Përkohshme, transferimin e pushtetit te KNK dhe më pas te Qeveria e
Princit të Parë të Shqiptarëve, Wilhelm von Wied, deri në largimin e imponuar
ndaj Tij dhe dezintegrimin material të shtetit të parë shqiptar në epokën bashkëkohore;
dhe së fundi, periudha nga dhjetori 1918 deri më 9 nëntor 1921, që korrespondon
me dy përpjekjet serioze për rithemelimin shtetëror dhe rinjohjen ndërkombëtare,
pas Luftës së Parë Botërore nga Qeveria e Durrësit dhe qeveria e dalë nga
Kongresi i Lushnjës.
Çfarë ishte
Shqipëria e fillimshekullit XX?: Shqipëria e vogël ka qenë një vend me një prapambetje
të thellë të trashëguar nga Perandoria Otomane, prapambetje që e kishte shkëputur
atë nga rrjedhat normale të përparimit ekonomik, arsimor dhe kulturor europian,
e kishte shndërruar në një geto të varfërisë masive në zemër të kontinentit të vjetër,
një vend që e kishte të vështirë të gjeneronte aftësi vetëqeverisëse e të zhvillonte
rende institucionale dhe shtet të bazuar mbi forcën e ligjit dhe konstitucionit
Një problem mjaft i rëndë që paraqitej në tërësi në shkallë vendi ishte
prapambetja arsimore dhe kulturore, e shkaktuar nga ndalimi i arsimimit në gjuhën
shqipe gjatë keqqeverisjes së gjatë turke. Ky nivel i ulët arsimor e bënte
jashtëzakonisht të vështirë vendosjen e një sistemi modern të qeverisjes
demokratike dhe parlamentare, për shkak të përhapjes së gjerë të analfabetizmit
dhe pushtetit të pakufizuar që gëzonin bejlerët e krahinave të ndryshme të vendit.
Dhe pavarësisht
nga kjo situatë mjaft e rënduar, udhëheqësia liberale me formim të dallueshëm
patriotik, jashtë sferave të influencës së agjenturave serbe, greke, turke,
malazeze dhe italiane, e dalë rishtazi në këtë periudhë, e rriti këtë vend nga
asgjë dhe arriti të promovojë pikërisht këtë vetorganizim të munguar deri në atë
kohë.
Shqipëria
e parë është “projektuar” nga udhëheqësit popullorë të kryengritjeve të viteve 1910-1912:
Isa Boletini, Dedë Gjo’ Luli, Bajram Curri, Riza Bej Gjakova, Çerçiz Topulli,
Themistokli Germenji, Muço Qulli, Mehmet Shpendi, me të cilët u bashkëngjitën
liderët politikë: Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Dom Nikollë Kaçorri, Hasan
Prishtina, Aqif Pashë Biçakçiu, Sotir Kolea, Pandeli Evangjeli, Terenc Toçi,
Mit’hat Frashëri etj., dhe udhërrëfyesit ideologjikë: Asdreni, At Gjergj Fishta
etj. Atyre u përket merita e vijimit të punës së nisur me kohë nga Abdyl Frashëri
e Pashko Vasa, merita e udhëheqjes ushtarake dhe politike, e atij çfarë mund të
konsiderohet Revolucioni permanent Nacional Shqiptar. Për këtë, monumentet e
para madhështore, në zemrën e Shqipërisë së vitit 2012, do të duhet t’u përkasin
pikërisht dhe domosdoshmërish atyre.
Shqipëria
politike do të fillojë të formohet në ditë të vështira të vjeshtës 1912 nga një
grusht idealistësh kombëtaristë, në udhëtimin nga Bukureshti, në Budapest,
pastaj Trieshte, drejt Durrësit e Vlorës, sanksionuar më 28 Nëntor 1912, me
ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë nga
Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Dom Nikollë Kaçorri (monumenti i numrit dy të Qeverisë
së Përkohshme nuk do të duhet të vihet në diskutim), Abdi Toptani, Salih Gjuka,
Mustafa Kruja dhe figura të tjera të spikatura intelektuale dhe patriotike të kombit
shqiptar në rilindje e sipër. Shqipëria politike e Vlorës 1912 u mbrojt
diplomatikisht me një mjeshtëri të rrallë nga Mehmet Konica (dua të vë në dukje
rolin e jashtëzakonshëm të Mehmet Konicës, si personaliteti shqiptar më i
pranishëm në Foreign Office (Londër), jo vetëm në periudhën e marrë në shqyrtim
nga ana jonë, por për gati 30 vite me radhë. Në National Archives në Londër janë
disa mijëra faqe dokumente me peticione të hartuara nga i lartpërmenduri në mbrojtje
të Shqipërisë dhe çështjes shqiptare, nga viti 1912 dhe deri në vitin 1944. Një
monument madhështor për atë para Ministrive të Punëve të Jashtme, në Tiranë e
Prishtinë, nuk do të ishte një gjë e tepërt, por një detyrim mirënjohjeje i dy
shteteve shqiptare), Fan Noli, Faik Konica, Filip Noga dhe Rasih Dino.
Shteti i
parë i drejtuar nga Ati politik i Shqipërisë moderne, Ismail Qemali, u
transferua qartësisht nga Vlora në Durrës, në marsin e vitit 1914. Veprën e
Ismail Qemalit e vijoi me përkushtim Princi i parë i shqiptarëve bashkëkohorë,
Wilhelm von Wied, i ndihmuar me devotshmëri nga kryeministri Turhan Pashë Përmeti,
ministri i parë i Jashtëm i Shqipërisë, Prenk Bib Doda, Dr. Mihal Turtulli, Dr.
Adamides dhe Aqif Pashë Biçakçiu, të penguar të gjithë fuqimisht nga figura e
paskrupullt e Esad pashë Toptanit. Në mbrojtjen fizike të Princit Wied qëndruan
deri në fund kapedanët e lavdishëm të Shqipërisë: Dedë Gjo’ Luli, Isa Boletini,
Bajram Curri dhe Prenk Bibë Doda.
Përpjekjet
e para të brendshme më 1912, 1913 dhe 1914, u fundosën nga trazirat sociale,
politike dhe fetare, gjegjësisht nga kryengritja e Shqipërisë së Mesme dhe nga
përpjekjet uzurpatore të Esad pashë Toptanit, si dhe nga zhvillimet që pasuan
fillimin e Luftës së Parë Botërore.
Tre vitet
pas Luftës së Parë Botërore, përbëjnë kohën në të cilën rinis procesi i
rithemelimit të shtetit shqiptar, në aspektin e brendshëm institucional, ashtu
edhe në planin e njohjes ndërkombëtare: kemi rinjohjen e statusit dhe e kufijve
të shtetit. Rinisja e vitit 1918 ishte e ngjashme, në aspektin e brendshëm
shqiptar, me atë të vitit 1912, por u mbështet mbi një bazë më të gjerë të burimeve
njerëzore, arsimore e kulturore. Në drejtimin e populli shqiptar, u ofruan
intelektualë dhe fisnikë të vërtetë, të cilët kuptuan drejt që me bashkim mund
të rrisnin edhe gjërat e vogla, me mosbashkim edhe të mëdhajat mund t’i shkatërronin.
Populli ynë, ndoshta për herë të parë, i përfaqësuar nga kjo klasë intelektuale
dhe qytetare e përgjegjshme, diti të ndikojë vetë mbi vendimmarrjen politike
europiane, të ruajë të paktën Shqipërinë që kishim fituar më 1913 dhe të mundësojë
përfshirjen në diskutim, në planet diplomatike, edhe të disa krahinave që u
ishin marrë padrejtësisht në këtë vit. Sërish në këtë periudhë spikasin për përpjekjet
e tyre, kryeministri i qeverisë së Durrësit, Turhan pashë Përmeti, Preng Bib
Doda Pasha zëvendëskryeministër, Mehdi bej Frashëri, Mehmet bej Konica, Luigj
Gurakuqi, Mustafa Kruja, Lef Nosi, Dr. Mihal Turtulli etj., dhe anëtarët e
delegacionit qeveritar shqiptar në Konferencën e Paqes, me këtë përbërje: Imzot
Luigj Bumçi, Mid’hat bej Frashëri, Mehmet bej Konica, Luigj Gurakuqi, Pader
Gjergj Fishta dhe Lef Nosi (në delegacion në kohë të ndryshme janë bashkëngjitur
Turhan Pasha, Dr. Mihal Turtulli).
Mbledhja
e të gjithë përfaqësuesve të Shqipërisë që u mbajt në Lushnjë, në janar 1920,
kreu transferimin e pushtetit nga Qeveria e Durrësit në Qeverinë e re me
kryeqytet në Tiranë. Qeveria e Durrësit që drejtohej nga Turhan Pasha u zëvendësua
me një tjetër, dhe në krye të vendit u vendos Aqif Pashë Elbasani, një nga njerëzit
më të respektuar në rrethet atdhetare shqiptare. Në Kongresin e Lushnjës morën
pjesë delegatë nga Kosova, Luma, Pogradeci, Korça, Kolonja, Leskoviku dhe
praktikisht të gjitha krahinat e Shqipërisë së Jugut dhe Qendrore. Abdi bej
Toptani i Tiranës, Ahmet bej Zogolli i Matit, Aqif pashë Elbasani, tre njerëzit
më të fuqishëm të Shqipërisë Qendrore, morën pjesë në Kongresin e Lushnjës si
delegatë. Meqenëse Princ Wied-i nuk kishte abdikuar, nga pikëpamja kushtetuese,
Shqipëria konsiderohej edhe më tutje një principatë. Prandaj delegatët zgjodhën
një Këshill të Regjencës, të përbërë prej katër anëtarësh, nga secili prej katër
komuniteteve fetare në Shqipëri, figura të ndritura dhe të provuara të patriotizmës
së kulluar: Aqif Pashë Elbasani, Ipeshkvi Luigj Bumçi, Abdi Toptani dhe Dr. Mihal
Turtulli. Delegatët formuan një kabinet të ri ministror të përbërë nga: Sulejman
Delvina-kryeministër, Mehmet Konica-ministër i Punëve të Jashtme, Ahmet Zogolli-ministër
i Brendshëm (Ai do marrë pjesë personalisht edhe në çlirimin e qytetit të Vlorës
nga trupat italiane në verën e vitit 1920, por merita më e madhe është qasja e
tij modernizuese e shtetit në rrjedhën e viteve 1930, që la pas pozicionet
konservatore të ndjekura gjatë viteve 1920) etj. Kongresi zgjodhi edhe këtë delegacion
për në Konferencën e Paqes në Paris, të përbërë sërish si vijon: Imzot Bumçi,
Dr. Mihal Turtulli dhe Mehmet Konica. E gjithë fryma liberale, demokratike,
kombëtariste dhe europianizuese është promovuar në periudhën vijuese nga një klasë
e tërë politikanësh e udhëheqësish të ndritur evolucionarizues, mes të cilëve
spikasin Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavri Vinjau, Pader Gjergj Fishta dhe krahu
i ndritur i trimërisë dhe djalërisë vlonjate dhe shqiptare, Avni Rustemi.
Etërve të
Kombit u përket merita e madhe se krijuan Shqipërinë, shtetin shqiptar, e
konceptuan atë në shtrirjen e vet të natyrshme territoriale etnike, krijuan
institucionet e para dhe formatuan bazamentet mbi të cilat ky shtet do të duhej
të përvijohej në të ardhmen: konstitucionalizmin, shekullarizmin,
parlamentarizmin, demokracinë liberale dhe hodhën orientimet e para
deotomanizuese e për rrjedhojë europianizuese të shtetit, ndërtuan një shtet me
shtylla të balancuara realisht nga pikëpamja e orientimeve kulturore
brendashqiptare. Ndër sukseset e mëdha të themeluesve është bashkimi ndërfetar
dhe toleranca e admirueshme që ngjalli dëshira e thellë dhe e përgjithshme për
pavarësi dhe për shmangien e copëtimit tokësor të vendit. Etërit e kombit
modern shqiptar patën meritën se ndërtuan për herë të parë bazat e përfaqësimit
ndërkombëtar të Shqipërisë, bënë përpjekjen e parë për ndërtimin e administratës
dhe shtrirjen e saj në të gjithë trevat shqiptare, u rezistuan në mënyrë të paepur,
për muaj me radhë, përpjekjeve të jashtme dhe të brendshme për të dekurajuar përpjekjen
për shtetformim dhe për ta shkatërruar atë në fillesë. Merita e madhe e Etërve
të kombit është krijimi i një sistemi arsimor që filloi gradualisht, por
gjithnjë në rritje, ta nxjerrë vendin nga prapambetja e thellë arsimore dhe
kulturore.
Dorëheqja
e Ismail Qemalit në janar të vitit 1914, nuk ishte tërheqje, por një Kompromis
i Madh në emër të vazhdimësisë së Shtetit Kombëtar Shqiptar, me njohje ndërkombëtare
dhe me garanci europiane, kompromis në emër të unitetit kombëtar shqiptar,
shprehje e vetëdijes së lartë politike dhe qartësisë që duhet të kenë burrat e
mëdhenj të shtetit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për largimin e Turhan Pashës
më 1920 nga drejtimi i qeverisë. Ata u dorëhoqën, jo për t’u larguar nga
angazhimi i tyre shtetformues e patriotik, por për t’i ridimensionuar dhe përfshirë
të gjitha prirjet politike shqiptare, në një nismë të re shtetformuese, të kontrolluar
nga Fuqitë dhe të garantuar nga ato, apo drejt një linje më të pranueshme në planin
e brendshëm politik.
Ndihmesa
e Ismail Qemalit dhe etërve të tjerë të Shqipërisë politike të vitit 1912 edhe
në periudhën vijuese është një shembull i qartë për këtë. Shteti shqiptar vërtet
u dezintegrua në rrjedhën e vitit 1914, por kjo nuk erdhi për shkak të përzgjedhjeve
të gabuara të kësaj klase, as për shkak të mungesës së angazhimit të tyre, as për
shkak të dobësisë që tregoi Princi i parë i shqiptarëve, Wilhelm von Wied, që,
për hir të së vërtetës, u përpoq me mjaft ndershmëri dhe gjerësi të ndiqte veprën
e nëntoristëve shtetformues të Vlorës së vitit 1912 dhe në unison me ata. Dezintegrimi
i shtetit shqiptar erdhi për shkak të një sipërmarrjeje të koordinuar nga
forcat otomaniste të suportuara nga pushteti xhonturk, nga shovinstët serbë,
grekë dhe malazez, në rrethanat e prishjes së konsensusit ndërkombëtar dhe
shkatërrimit të Koncertit të Fuqive që themeluan, njohën dhe “garantuan” Principatën
e Shqipërisë më 1913. Monumenti i Princit të Parë të Shqiptarëve, Wilhem von
Wied, ashtu sikurse nderimi i përshtatshëm për veprën mbështetëse të kundëradmiralit
britanik Sir Cecil Burney, kolonelit britanik Phillips, kolonelit holandez
Tomphson, ministrit të Jashtëm austro-hungarez Berchtold, ambasadorit austro-hungarez
në Londër, kontit Mensdorff, ekspertit austro-hungarez në mbrojtje të çështjes
shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, Baronit Nopsca, Miss Edith
Durham, përfaqësuesit italian në Komisionin
e Caktimit të Kufirit verior të Shqipërisë, Marafini. (Marafini është ndër ata
shtetas italianë, që mbrojtën me ndershmëri të drejtat historike të popullit
shqiptar në këto kohë të vështira), presidentit amerikan Woodrow Wilson,
ekspertit britanik, J.S. Barnes (që propozoi ndryshimin e kufirit veriperëndimor
dhe verilindor të Shqipërisë në të mirë të shtetit të rinjohur shqiptar më 1921,
për të rivendosur të drejtën dhe arsyen në vend), do të duhet të jenë akte
normale vlerësimi për ato personalitete të huaja, që iu bashkëngjitën me ndershmëri
përpjekjes së brendshme për themelimin dhe rithemelimin e shtetit.
Trashëgimia
që lanë pas Etërit Shtetformues nuk është vetëm simbolike, por mbi të gjitha është
bazore, kuptuar ky bazament si konstitucion ndërtimor juridik, si planvendosje
strategjike gjeopolitike në Ballkan dhe në Europë, si politikë e përhershme
nacionale dhe patriotike, si shtyllëformim kulturor trenomësh, si ekuilibër dhe
tolerancë e brendshme aksiomatike dhe si shekullarizëm e laicizëm në shtet. Falë
tyre në shtetin modern shqiptar kemi fillimin e rënies së politikave të mbështetura
te prijësit dhe te të fortët rajonalë dhe fillimin e ndërtimit të politikave të
prirura mbi bazën e interesave kombëtare.
Amaneti që
ata kanë lënë pas është Shqipëria, vend serioz, pjesë e dallueshme e Europës së
shekullit të ri.
*Universiteti
Europian i Tiranës Instituti i Historisë Bashkëkohore