| E merkure, 04.07.2012, 07:31 PM |
Dom
Nikoll Kaçorri, ky njeri i jashtëzakonshëm i lënë në harresë
Nga Pandeli Majko
100
vjetori i shtetit shqiptar më shumë se një festë për ne shqiptarët duhet të jetë
po ashtu një reflektim i thellë. Kjo është fotoja, e cila paraqet kthimin në atdhe
të eshtrave të zëvendëskryeministrit të parë të Ismail Qemalit, Dom Nikoll Kaçorrit
(shkurt 2011). Pa protokoll dhe nderim shtetëror. Ky njeri i jashtëzakonshëm është
simbol i historisë jozyrtare dhe të palexuar në librat tona të “historisë zyrtare”
të shtetit shqiptar.
E
pashkruajtura histori jozyrtare thotë se kur do të ngrihej flamuri në Vlorë në 28
nëntor për nder dhe përkujtim të ngritjes së flamurit arbëror në Krujën e Skënderbeut,
midis elitës shqiptare të mbledhur atje, kishte grupime me “luhatje” dhe
pavendosmëri… Dom Nikoll Kaçorri është ngritur në këmbë përpara të gjithëve dhe
nga brenda veshjes kishtare ka nxjerrë armën që mbante me vete (e ka vënë mbi
tryezë) dhe ka thënë fjalët që kanë qarkulluar si gojëdhanë brez pas brezi…: “O
ngrihet flamuri kombëtar, o gjaku deri në gjuj…!” Vendosja e tij nga plaku i
madh Ismail Qemali si numri DY i Qeverisë së Parë të Shtetit Shqiptar nuk ishte
rastësi. Ai është po ashtu firma e DYTE në dokumentin e pavarësisë.
Qeveria aktuale mori vendim me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar për ngritjen e disa busteve. Imzot Kaçorri, si gjithmonë, ishte i “pranishëm” me mungesën e emrit të tij…
Një jetëshkrim jozyrtar
Dom
Nikoll Kaçorri ka lindur në fshatin Krej-Lure, fshat ky që ndan dy krahina, atë
të Dibrës dhe Mirditës. Ai lindi nga prindër që u përkisnin të dyja besimeve (babai
i krishterë dhe nëna muhamedane). Falë zgjuarsisë dhe dëshirës për t’u
shkolluar, Nikolla i vogël ra në sy të arqipeshkvit të Durrësit në atë kohë,
imzot Ambrosio, gjatë një vizite në Lurë, i cili u kujdes që ta shkollonte dhe
ta bënte meshtar. Në vitin 1884 mbaroi studimet filozofiko – teologjike për
meshtar dhe u shugurua po të njëjtin vit në Shkodër. Shërbeu në Delbnisht (Kurbin),
pastaj u emërua famullitar në Durrës. Ishte aktiv për 24 vjet si zëvendës-arqipeshkv
(me disa ndërprerje të shkurtra).
Dom
Nikollë Kaçorri ishte përhapës i librit shqip, dhe i shtypit shqiptar patriotik.
Për këtë arsye edhe pati konflikte me shumë institucione të asaj kohe. Ai ishte
pjesëmarrës i shumë lëvizjeve kulturore dhe politike shqiptare. Po ashtu, mori
pjesë në Kryengritjen e Kurbinit (1905-1907).
Dom
Nikoll Kaçorrin nuk e pengoi petku i meshtarit për të qenë në krye të lëvizjeve
më të guximshme të kohës siç ishin Kongresi i Manastirit (1908), Kongresi i
Elbasanit (1909), duke qenë pjesë aktive e çështjes së madhe kombëtare. Në vitin
1909 themeloi klubin patriotik të Durrësit, ndërsa më 18 qershor 1910, Imzot Kaçorri
u arrestua nga forcat turke si kundërshtar i urdhëresave të qeverisjes osmane. Ai
bashkëpunoi ngushtë me figurat më të njohura dhe me rrethet patriotike të kohës.
Plaku i
Vlorës, Ismail Qemali, kur zbriti në Durrës u prit me nderime dhe i siguruar
nga Dom Nikoll Kaçorri, si ndër njerëzit më të besuar për kurorëzimin e
ngjarjes me përmasa historike dhe të shumëpritur për popullin shqiptar, në kushtet
e një vendi të pushtuar prej 5 shekujsh.
Nëse do të
ishte dikush tjetër me merita më të mëdha se Nikoll Kaçorri, nuk do të ishte e
mundur që në votimin për nënkryetar të qeverisë ai të merrte votim unanim.
Në një letër
drejtuar MPJ të Austro-Hungarisë, më 4 korrik 1913, ai shkruan: “… Simbas
mendimit tem, ura e vetme e Shqipnisë qëndron në nji bashkim të përzemërt e të gjithë
elementëve të çdo feje që gjenden mbrenda kufijëve të saj”.
Pas dështimit
të Qeverisë së Ismail Qemalit imzot Nikollë Kaçorri së bashku me, Luigj
Gurakuqin, Fahri Gjilanin, Themistokli Germenjin dhe Mustafa Krujën themeloi
lidhjen “Për atdheun e për Thronin” për shpëtimin e atdheut nga trazirat e
ndryshme antikombëtare. Pas gjithë kësaj, së bashku me shumë atdhetarë të tjerë
imzot Nikollë Kacorri emigroi në Austri, ku qëndroi tri vjet në Vjenë deri sa
vdiq më 29 maj 1917 nga një sëmundje e pashërueshme.
Për
veprimtarinë e zellshme dhe të frytshme kishtare dhe njerëzore Papa i asaj kohe
në 1917 e nderoi me “Kryqin e artë”, “Për Kishë dhe Papë”.
Ishte
prifti kosovar Dom Pren Kola, që shërben për besimtarët katolikë të Kosovës në Vjenë,
që mundi të identifikojë varrin e Dom Nikollë Kaçorrit… Përpjekjet e priftit
kosovar në Vjenë nuk qenë të lehta. Atij iu desh të kërkojë me ngulm për tre
vjet radhazi në dokumentet e Bashkisë së kryeqytetit austriak së bashku me të afërmit
e tij.
Sot, Dom Nikollë Kaçorri nuk i përket vetëm famullisë katolike “Shën Luçia” të Durrësit…atje ku ai prehet.